Gazeta ime, ambasadore e marrëdhënieve miqësore me SHBA-të

695
Sigal

Pse shkruaj te gazeta “Telegraf”

 

Prof. Dr. Agron F. Fico HC

 

Në një hark kohor tepër të gjatë, në mbi gjysmë shekulli punë mësimore, shkencore, një vend të gjerë i kam kushtuar edhe shkrimeve dhe botimeve publicistike.

Kam botuar artikuj, ese, recensione, kritika letrare etj. nëpër gazeta dhe revista të kohëve. Po përmend disa prej tyre në Shqipëri: Gazeta letrare “Drita”, “Mësuesi”, “Zëri i Rinisë” (faqja letrare), “Bashkimi”, “Zëri i Popullit”, “Pionieri”, “Universiteti i Tiranës”, revista “10 korriku”, “Ylli” etj.

Pas vitit 1990 në masmedian demokratike kam botuar te gazeta “Koha jonë”, “Shekulli”, “Gazeta shqiptare”, “Shqip”, “Tirana observer”, gazeta “Republika”, gazeta “55” gazeta “Modeste” e të tjera.

Në Shtetet e Bashkuara jam marrë gjerësisht me shkrime publicistike, të cilat i kam botuar te gazetat “Albanian Herald”, “Dielli”, “Bota sot” dhe me shumicë te gazeta “Illyria”.

Madje kam botuar edhe në Kinë (Pekin); te gazeta “Zhemin Zhibao” botova një vjershë përkthyer në gjuhën kineze nga studentja Naje (28 Nëntor 1963).

Kam qenë anëtar i disa revistave dhe buletineve: në revistën “Pedagogu i ri”, me kryeredaktor Bedri Deden, anëtarë Bujar Hoxhën dhe Luan Omarin, ku isha sekretari i redaksisë, te revista shkencore “Studime filologjike”, me kryeredaktor Androkli Kostallarin. Ndërsa në Nju Jork kam qenë si kryeredaktor revistën e Akademisë Shqiptaro-|Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me titull “Dituria”.

Pas kthimit në Shqipëri nga Nju Jorku në qershor të vitit 2012 kam vazhduar gjallërisht shkrimet dhe botimet në masmedian e Tiranës, kryesisht në gazetën “Telegraf”.

Mjaft të afërm, shokë e miq më pyesin herë pas here pse shkuar vetëm te gazeta “Telegraf”. Mendoj se kjo nuk është thjesht vetëm një kureshtje apo një pyetje retorike, por nënkupton edhe interesin ose anësinë politike të atyre që më pyesin ose që habiten gjer në një farë shkalle.

Gazeta “Telegraf” mishëron në përmbajtjen e saj ide dhe mendime që i bëjnë jehonë edhe mendimeve dhe qëndrimeve të mia qytetare-politike e shoqërore, ajo është tribunë e mendimit të lirë demokratik dhe atdhetar, nderon dhe vlerëson Luftën kundër fashizmit dhe nazizmit dhe mbështet miqësinë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tribunë e mendimit të lirë demokratik

 

Në faqet e gazetës “Telegraf” botohen shkrime të natyrave të ndryshme, por në to gjen, sipas aftësive të autorëve, mendimin e tyre të lirë për problemet e shoqërisë shqiptare. Në këto shkrime, ese, studime etj,. trajtohen probleme të ekonomisë, të jetesës së popullit, shkencës e kulturës dhe partive politike. Natyrisht, vend të veçantë zënë shkrimet për veprimtarinë e qeverisë në një vështrim kritik.

Tematika është e gjerë dhe e larmishme, në to spikat mendimi i lirë kritik për problemet që trajtohen dhe kjo e bën gazetën tërheqëse dhe bashkëkohore.

Sipas gjykimit tim, profesionalizmi dhe kultura e drejtorit botues zotit Ëngjëll Musai dhe stafi, ndonëse është i padukshëm, ka bërë që kjo gazetë të ketë identitetin e vet, duke qëndruar larg ekstremizmave dhe banaliteteve që aq shumë po lëndojnë qytetarët shqiptarë.

 

Avokate e mençur e luftës kundër nazi-fashizmit

Gazeta “Telegraf” ka qenë dhe është avokate e mençur e heroizmit të popullit shqiptar, e sakrificave të shumta në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë për çlirimin e vendit më 29 Nëntor 1944. Populli shqiptar me luftën trimërore dhe plot vuajtje kundër pushtuesve fashistë italianë dhe atyre nazistë gjermanë në Luftën e Dytë Botërore u vendos në anën e drejtë të historisë. Në faqet e gazetës gati në çdo numër gjen shkrime, ese, studime me portrete dhe ngjarje të njerëzve që dhanë jetën për dëbimin e pushtuesve të huaj. Në këto shkrime lexuesi gjen dhe ndjen zjarrin atdhetar të atyre bijve dhe bijave të popullit që lanë universitetet e huaja, bankat e shkollave, shtëpitë dhe familjet dhe dolën malit për liri. Të shumta janë trimëritë dhe sakrificat e partizanëve (që gjejnë pasqyrim të gjerë në faqet e shkrimet e shumta në gazetë). Po sjell vetëm një shembull. I riu Zenel Ahmetaj nga fshati Rabie la familjen dhe bagëtinë dhe doli partizan. Në një betejë të ashpër kundër armikut humbi njërën këmbë. Por edhe pasi vuri këmbë artificiale ai u kthye përsëri në rreshtat e partizanëve gjer në në çlirimin e vendit.

Lexoj me ëndje shkrimet për heronjtë dhe dëshmorët Qemal Stafa, Myzafer Asqeriu, Asim Zeneli, Vojo Kushi etj., për betejat e njohura si atë të Tendës së Qypit, luftën e Mezhgoranit, ku ra studenti trim Asim Zeneli, për qëndrimin burrëror të Myzafer Asqeriut, që i rrethuar nga dhjetëra fashistë luftoi gjer në fishekun e fundit. Të panumërta janë shkrimet për këtë faqe të ndritur të historisë së popullit tonë.

 

Ambasadore e marrëdhënieve miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

 

Gazeta “Telegraf” dallohet midis gjithë gazetave të tjera që botohen në ditët tona për pasqyrimin gjerësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka qenë dhe është ambasadore e këtyre marrëdhënieve.

Në shkrimet, artikujt, esetë etj. kushtuar marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, nga autorë të ndryshëm, theksohet rëndësia historike e këtij bashkëpunimi të ngushtë për fatet e kombit shqiptar.

Pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët kanë ndrequr gabimin e tyre kryesor gjeo-politik, mungesën e miqve të vërtetë. Tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës shqiptarët kanë gjetur aleatin, përkrahësin e fuqishëm dhe modelin e rendit demokratik.

Në artikuj, studime, ese të botuara në gazetën “Telegraf” flitet për rolin e Udrou Uillsonit, presidentit amerikan që në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920) mbrojti çështjen shqiptare dhe Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Kjo ishte një fitore historike, saqë Fan Noli e quan prurjen më të rëndësishme në veprimtarinë e vet patriotike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës me presidentin Bill Klinton u vunë në krye të aleancës me NATO-n, që shkatërroi makinën luftarake të Serbisë dhe Kosova fitoi lirinë dhe pavarësinë.

Pozita ndërkombëtare e Shqipërisë u forcua dhe u bë e pathyeshme kur ajo u pranua në NATO më 1 prill 2009 me ndihmën e presidentit Xhorxh Bush.

Meriton të nderohet veçanërisht kontributi i zotit Frank Shkreli, publicist i shquar dhe ish-drejtor i “Zërit të Amerikës” që është bërë zëri dhe fjala e mençur e miqësisë historike shqiptaro-amerikane.

Bibliotekë e kulturës shqiptare

 

Gazeta “Telegraf” ka një rubrikë të tërë në faqen e parë me titull “Mozaik, Aktualitet” që sinjalizon shkrimet letrare-kulturore. Në gazetë janë botuar dhe botohen krijime nga të gjithë shkrimtarët dhe krijuesit e të gjitha moshave dhe periudhave, që nga Ismail Kadare, Dritëro Agolli, gjer tek Besa Myftiu, madje në gjini nga më të ndryshmet: poezi, tregime, ese, skica letrare, recensione dhe kritika letrare.

Ky është një akt kulture që e ndihmon mjaft lexuesin e gazetës, në kushtet kur nuk ka ende një gazetë të mirëfilltë letrare.

Gazeta “Telegraf” dallohet nga mjaft gazeta të tjera, se në faqet e saj nuk shikon kurrë foto ose skica erotikepornografike, sepse ajo respekton dhe nderon të gjithë brezat dhe shtresat e popullit shqiptar, që kanë qasje të ndryshme ndaj shfaqjeve publike të këtyre dukurive.

 

Epilog

 

Dihet se shkrimet e botuara në gazetën “Telegraf” shprehin mendimet vetjake të autorëve si dhe stilin e tyre gjuhësor. Nga vështrimi i kujdesshëm i këtyre shkrimeve duket edhe dora e redaktorit gjuhësor, që mbështetet mbi gjuhën e njësuar shqip.

Shkrimet e mia në gazetën “Telegraf” përfshijnë një tematikë të gjerë, por kryesisht janë nga albanologjia dhe etnologjia. Në këto shkrime kam prurë dhe synoj të sjell përvojën time modeste të një harku kohor mbi gjysmë shekulli.

Në këto shkrime përpiqem të shpreh të vërtetën, prandaj nuk duket aty asnjë anësi politike për shumicën apo pakicën. Madje, sipas formulës amerikane se The Truth is not the Ttruth. The Truth should be proven (E vërtëta nuk është e Vërtetë. E Vërteta duhet provuar), shkrimet marrin shpesh edhe një natyrë juridike. (Shih: E vërteta e hidhur e librit Estetika e Prof. Alfred Uçit.)

Është një gjë e këndshme bashkëpunimi me drejtorin botues, zotin Ëngjëll Musai, një zotni fisnik, mendjehapur, shpirt-bardhë dhe familjar shembullor, por edhe i vëmendshëm dhe dëgjues i durueshëm në debate ose mendime të ndryshme. Kjo ka bërë që të ndihem mirë sa herë takohem me të në Tiranë ose në Pogradec, në redaksi ose jashtë saj.

Kuptohet që çdo lexues ka të drejtën që të zgjedhë ose të pëlqejë, parapëlqejë gazetën e vet, sikurse njëherazi është edhe e drejta ime të bashkëpunoj dhe pëlqej gazetën që mban emrin e bukur “Telegraf”.