Gaqo Veshi: Kur ndez i varfëri fener, vete shejtani e ia shuan!

847
Sigal

Dukuni nga java

 

Kur ndez i varfëri fener, vete shejtani e ia shuan!

 

Nga Hyskë Borobojka

 

Atë ditë që i nderuari ministri i Brendshëm bëri thirrje se “Të gjithë ata që ende nuk kanë pasaporta për jashtë shtetit, të paraqiten pranë zyrave të aplikimit për të marrë letërnjoftimin elektronik!“. Renda me të gjithë shpejtësinë e këmbëve, që më ka falur natyra në njësinë time bashkiake dhe zura radhë.

-Mos u rrëmbe! – më këshilloi një burrë i gjatë, në vërsën time, se ministri i Brendshëm ka urdhëruar që qendrat e aplikimit për letrat e njoftimit do të jenë hapur e do të punojnë çdo ditë të javës

-Të drejtë ke, or byrazer, por kush digjet nga qulli i fryn edhe kosit – i thashë dhe i rrëfeva si mbeta pa pasaportë për të dalë jashtë shtetit, pasi edhe unë si shume të tjerë, duke qenë i mbyllur, si dhentë në shtrungë, me t’u hapur kufijtë, vendosa të kapërceja kufirin, që të shihja botën. Nxora pasaportën, duke paguar si frëngu pulën dhe, me të në xhep, drejt e në njërën nga postat kufitare. Por lere se ç’më ndodhi?! Kur i varfëri ndez fener, vete shejtani dhe ia shuan! Pa e parë mirë pasaportën time, polici më shfryri:

-E ke false!

-E kam të rregullt, të lutëm, o zoti polic! – i thashë.

Lutjen time e priti me këmbët e para e ma grisi, si pa gjë të keqe. Mbeta i tromaksur si hu gardhi më këmbë, as jashtë e as brenda kufirit. Të më zije në majë të hundës më dilte shpirti. Iu luta grisësit të pasaportës me të mirë, me të keq, por ai nuk dëgjonte nga veshët, megjithëse nuk i kishte të vegjël.

Që atë ditë që më ndodhi kjo fatkeqësi, u betova, sikur qeni qepën të hajë, nuk do të psonis më pasaportë për jashtë shtetit. Pse ç’më gjeti, që për 40 e ca vjet me radhë s’dola një herë jashtë shtetit të kullosja sytë, si disa të tjerë. Edhe “kartën e kokës” elektronike, nuk kisha për ta marrë, por më thanë se pa të nuk voton dot, madje nuk merr dot as pensionin.

Bisedën time më burrin e gjatë e ndërpreu ardhja e radhës time për të hyrë në zyrat, ku bëheshin aplikimet. Aty më priti me një barrë mirësjellje e fjalë të ëmbla një goxha vajzë e bukur, (apo nuse, s’e mora vesh). Më vendosi në një karrige përballë aparatit fotografik, por sa filloi të merrte të dhënat e mia nga kompjuteri, i mbeti sharra në gozhdë.

-Kemi probleme! – më tha me keqardhje.

-Nuk m’u ndanë këto viran probleme!? – i thashë me gjak të ngrirë

-Ka një lajthitje në kompjuter. Një germë e vogël ngatërron fshatin tënd të lindjes me rrethin!

Mirë se njerëzit bëjnë gabime, por edhe kompjuterët lajthitin?! Fshije fare atë viran germë të vogël ngatërrestare dhe mbaroi puna, të mos vij vërdallë! – iu luta.

-Të drejtë ke, – mblodhi buzët e rrudhi ballin bukuroshja. – E fshij, por nuk e zhduk dot. Fshirja e saj bën atë që të fshihet gjithë rrethi e të mbetet vetëm fshati yt. Puna e korrigjimeve në kompjuter nuk është në dorën tonë, por të austriakut që ka fituar tenderin e kësaj pune. Prandaj keq më vjen, kiamet më vjen, zahmet e ke, lodhje e ke, por duku pas dy javëve, se do të jenë ndrequr gabimet. Nuk je ti as i pari, as i fundit që po e pëson nga këto lajthitje!

Nuk ia bëra fjalën dy bukuroshes dhe, me t’u mbushur dy javët, u paraqita në zyrën e saj.

-Erdhe! Mirë se erdhe! Keq më vjen, kiamet më vjen, por akoma nuk janë bërë ndreqjet! Zahmet e ke, të vish përsëri pas një jave! Me siguri se do t’i ketë ndrequr gabimet austriaku i plotfuqishëm.

Edhe kësaj here, kusurmadhi unë, që më ndjek plumbi gropave, e zbatova me përpikëri kërkesën. Sa trokita në derën e zyrës së saj, ajo, si e zënë në faj, e mallëngjyer e me keqardhje të madhe më tha:

-Keq më vjen, kiamet më vjen, turp më vjen, por akoma nuk janë rregulluar gabimet në kompjuter! Mundim e ke, siklet e ke, duku edhe njëherë nga java që vjen. Kemi shpresë se të dhënat e hedhura me symbyllur nga regjistri themeltar i gjendjes civile në kompjuter, do të jenë ndrequr!

Durova sa u mbushën shtatë ditët e javës dhe të tetën, sa erdhi mëngjesi e u hapën zyrat, isha unë, vetë dora, Hyskë Borobojka, një metër e tetëdhjetë centimetra i lartë e njëqind pa dy kilogram i rëndë, që trokita në zyrat e minibashkisë. Por edhe kësaj herë më pritën me lajtmotivin: “Zahmet e ke, të zuri, duku edhe njëherë nga java! Duro, o i duruar se kemi shpresë!

-E di se shpresa vdes e fundit! – thashë dhe u ktheva andej nga kisha ardhur. “Duro, o i duruar!“ – i fola vetes. Po a e dinë ata që na sjellin vërdallë e na sfilitin, se durimi kthehet në tërbim?!

Duke u kthyer për në shtëpi, bëra një llogari të vogël. Java ka shtatë ditë, pesë punë e dy pushim. Katër javë bëjnë muajin e dymbëdhjetë muaj vitin. Në qershor bëhen zgjedhjet. Po unë kusurmadhi, që kam dëshirë të zjarrtë të votoj për partinë, që premton më shumë të mira për vendin, si t’ia bëj?! Pasaportën për jashtë shtetit, që e nxora më njëqind e një mundime e që mund të votoja me të ma grisën në pikën kufitare. Letërnjoftimin biometrik nuk po e marr se s’do kompjuteri t’i ndreqë lajthitjet. Pa të nuk votoj dot, se s’më pranon komisioni i zgjedhjeve. Kështu që nuk më mbetet rrugë tjetër, veçse ta ruaj e ta konservoj votën time për partinë e zemrës, kur të bëhen zgjedhjet e tjera pas katër vjetëve. Me siguri, deri atëherë do të jenë ndrequr lajthitjet në kompjuter.