Frank Shkreli: Viti i Ri – Kombi mbi të gjitha

521
Sigal

 Vit i Ri – Kombi mbi të gjitha

Nga Frank Shkreli

Optimistët shprehen në gjuhën e popullit: “Ditë e re, nafakë e re”. Po pse të mos themi në fillim të këtij viti edhe “Vit i Ri –Nafakë e re” ose të pakën një fillim i ri. Të pakën, të shpresojmë për një vit më të mirë, më me fat për të gjithë shqiptarët kudo e, sidomos për bashkatdhetarët tanë në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Anë e mbanë botës, festat e fund vitit janë një stinë shprese e pritshmërish për gjëra më të mira në Vitin e Ri, një rast për bashkimin e familjeve dhe një kohë për të menduar për paqe e përparim dhe për një jetë më të mirë për familjen dhe shoqërinë, ku jetojmë, në përgjithësi. Në shumë vende të botës është traditë që me rastin e fillimvitit të ri, të bëhen zotime dhe të merren vendime, qoftë nga individë e shoqëri, por edhe nga shtete e qeveri, për t’u përpjekur që në Vitin e Ri të hiqet dorë nga veprat dhe sjelljet e dëmshme kundër interesave kombëtare dhe të fillohet një jetë e re, në interes të të mirës së përbashkët. Viti që kaloi ishte një vit i vështirë për të gjithë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor dhe kjo gjendje vazhdon edhe në fillim të javës së parë të Vitit të Ri, për arsye që dihen. Kjo gjendje e nderë nuk vazhdon të jetë e tillë për arsye të ndonjë ndërhyrjeje nga jashtë, por fatkeqësisht, është shkaktuar dhe vazhdon të frymëzohet nga e njëjta klasë politike e brendshme, e cila, në kushte normale, ka si përgjegjësi të parë, sigurinë dhe mirëqenien e shqiptarëve, që kulmojnë me mbrojtjen e interesave kombëtare, të cilat jo vetëm që nuk po mbrohen aktualisht, por po shkelen brutalisht në gjendjen e krijuar nga kjo klasë politike, si në Shqipëri ashtu dhe Kosovë. Nga fjalët, aktet dhe sjelljet e papërgjegjshme aktuale nga individë të kësaj klase politike, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, Interesi Kombëtar, në përgjithësi, rrezikon të pësojë goditje të renda afatgjata, të cilat kollaj, mund të kthejnë mbrapa sukseset e deritanishme historike të Kombit shqiptar, të realizuara me gjak e sakrifica të mëdha gjatë gjithë historisë e, sidomos, gjatë dekadave të fundit.

Kjo klasë aktuale politike, e cila i ka prurë punët në këtë situatë ku janë sot shqiptarët në dy shtetet e tyre, rezulton se jo vetëm që nuk ka bërë asgjë gjatë këtyre viteve në mbështetje të interesave afatgjata kombëtare dhe as në përmirësimin e jetës së shqiptarëve në përgjithësi, por përkundrazi, me politikat e tyre aktuale vazhdojnë të dëmtojnë interesat kombëtare dhe emrin e mirë që shqiptarët mund të gëzojnë ende, të pakën, në radhët e disa prej miqve të tyre historikë.

Problemet dihen mirë nga të gjithë dhe nuk ia vlen të radhiten këtu. Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, sondazhe të ndryshme kanë pasqyruar, gjatë viteve, mendimet e shqiptarëve në të dy shtetet, ndaj politikanëve që i udhëheqin ata. Në shumicë dërmuese, populli fajëson klasën dhe partitë e shumta për gjendjen e krijuar politike dhe ekonomike në trojet shqiptare. Në mungesë të besimit ndaj kësaj klase politike, shqiptarët bëjnë atë që mund të bëjnë në këtë situatë, duke “votuar me këmbë”, për një të ardhme më të mirë për ta dhe të fëmijëve të tyre – marrin rrugën e kurbetit! E gjithë kjo shkon në interesin e vendeve fqinje dhe miqve të tyre historikë, të cilët, pa marrë parasysh se çfarë mund të mendojë ndonjë udhëheqës shqiptar, ata nuk ia duan të mirën shqiptarëve, as sot, as dje e as nesër! Shqiptarët janë të detyruar të jetojnë me ta në rajon, pasi nuk ka rrugëdalje tjetër – pasi kemi dreqin kojshi – por ama nuk duhet që të shesim interesat kombëtare për hir të një miqësie të imagjinueshme dhe të rrejshme. Qëllimi i këtyre qarqeve anti-shqiptare është që – ndërsa ndjekin realizimin e interesave të tyre rajonale, njëkohësisht t’i shkaktohet dëmi maksimal emrit të mirë të Kombit shqiptar në Evropë dhe në botë.

Unë e kam thënë se, me gjithë manovrat e fqinjëve jo dashamirës, në dëm të interesave shqiptare, besoj se është në dorë të vetë shqiptarëve që shekulli XXI të jetë shekulli i Kombit shqiptar. Viti i Ri 2020 duhet që – pa vonesë – të jetë fillimi i kësaj ndërmarrjeje madhore mbarë kombëtare, në mbrojtje të interesave të Kombit, para se të bëhet vonë.

Vit i Ri –Nafakë e Re! Le te shpresojmë, që fillimi i Vitit të Ri, të shërbejë si një rast i mirë për politikanët dhe partitë politike në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan dhe, njëherazi, të jetë edhe një kthesë historike. Që ata të përqendrohen e të tregojnë kurajë, jo për konflikte, mosmarrëveshje, mburrje e pontifikime midis tyre, siç e kanë zakon, në mbështetje të interesave thjesht personale e partiake, por mbi të gjitha të lidhin besa-besën me njëri tjetrin dhe ndaj interesave madhore të Kombit shqiptar, duke çuar përpara kështu idenë e pajtimit të pikëpamjeve të ndryshme politike për mbrojtjen e interesave të Kombit. Ky angazhim, nga klasa aktuale politike në Tiranë dhe në Prishtinë në fillim të këtij Viti të Ri, është gur-themeli për një të ardhme më të ndritur që do të çojë Kombin shqiptar drejt integrimit të plotë e përfundimtar me botën perëndimore euro-atlantike dhe do ta çojë atë drejt realizimit të objektivave historike kombëtare, të brendshme dhe të jashtme, për të cilat shqiptarët kanë pritur aq gjatë. Ky është urimi dhe dëshira ime për këtë Vit të Ri, 2020 për Kombin Shqiptar, që për çdo gjë që bën kjo klasë politike të konsiderojë se, interesat e Kombit duhet të jenë mbi të gjitha!