Fjalimi, “Shqiptarët e të drejtat e tyne”në Konferencën e Paqes, Paris, 1919

592
Sigal

(Me rastin e 100-vjetorit të Fjalimit të At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes, më 1919-n)

PJESA III

Nga At Gjergj Fishta

Nëse duem të flasim në pikpamje psikologjike, veprimi i atij që merr gjak asht nji veprim i ligjshëm e nuk mund të thirret kurr uhamarrje, vendetta. As xhelati i Luigjit XVI, i cili ia preu kryet Mbretit, nuk pyeti, a ishte e drejtë apo jo me ja pre kryet këtij, por e mbyti se ishte i bindun se ligji ishte i mirë e i bazuem n’ arsye. Qe pse atij nuk iu desht t’i pergjegjej askujt per premjen e kokës së Krajlit Francës dhe, as sot e kësaj ditë, kurrkush nuk thotë se ai kje nji njeri barbar. E se vrasja e gjaksit, nga pikpamja psikologjike nuk asht nji vendetta, danë edhe per faktin se vrasja ndermjet dy familjeve hasme, nuk shtyhet në nji numer të percaktuem, por, nji të vramë gjaksit, dy familjet marrin e japin njena me tjetren, si me të gjitha familjet tjera të Bajrakut, – pak a shumë, aq sa marrin e japin ndermjet tyne, shtetet e mëdha të Europës së qytetnueme, mbas nji Lufte Botnore.

Por asht edhe gabim me thanë se të marrunit e gjakut shënon barbarinë e nji Kombit, në kjoftë se ne, nën fjalën barbari, kuptojmë egërsinë ose breshtninë e Shpirtit të tij, ashtu si duen me e kuptue kundërshtarët tonë, kur e kanë fjalën për Kombin Shqiptar. Të marrunit e gjakut buron prej mndorjeve të jashtme e prej të metave të organizimit shoqnor të nji Kombi, dhe jo gjithmonë prej gjendjes shpirtnore të tij. E vërteta e këtyne fjalëve përcaktohet edhe prej historisë së popujve, për të cilët nuk mund të thohet se kanë kenë të egjër e breshtnorë.

Në Biblën Shenjte këndohen këto fjalë:“Propinquus occisi homicidam interficiet: statim ut apprehenderit eum, interficiet…Cognatus occisi, statim ut invenerit eum (homicidam) jugulabit.” Në se dikush godet një tjetër me gur dhe mund t’i shkaktojë vdekjen, ai asht një vrasës dhe asht i dënuem me vdekje. Njeriu i ngarkuem me hakmarrë viktimën, e vret vrasësin me rastin e parë. (Num. XXXV, 19, 21)

Po kështu edhe në “Iliadë”, në librin e IX, gjejmë këto vargje që unë po i la simbas përkthimit të Montit:”… Il prezzo/ Qualcuno accetta dell’ucciso figlio/ O del fratello; e l’uccisor, pagata/ Del suo fallo la pena, in una stessa/ Citta dimora col placido offeso.”

(Ndëshkimin, sejcili e pret si të drejtë për vrasjen e të birit ose të vllait; dhe ai që e ban këtë vrasje për shpagim, mund të jetojë mandej i qetë në të njejtin qytet, me atë familje së cilës i bani vrasjen – fyemjen e parë.)

Duket, pra, mirfilli, se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thohet se Kombi Shqiptar asht barbar e nuk asht i zoti me u qeverisë në vedi dhe i pamvarun.

Por “Jo!” thonë kundërshtarët tanë. Të metat e organizimit shoqnor, si dhe të marrunit e gjakut në Shqipni, nuk janë të shkaktueme prej mndorjeve të jashtëme, por rrjedhin prej gjendjes shpirtnore të egër të Kombit Shqiptar. Me fjalë të tjera, shqiptari vret njeriun për instikt dhe jo për nji arsye, e cila, edhe mbas mentalitetit e bindjes së tij, të jetë e pështetun mbi nevojë të të ruejtunit të jetës, të gjasë ose të nderës së vet. E për në kjoftëse asht e vërtetë, – sikurse njimend asht e vërtetë! – se poezia popullore asht pasqyra e Shpirtit të nji Kombi, kjo duket çiltas, – thonë ata, – prej kangëve popullore shqipe, sepse të tana, ose gati të tana, tregojnë punë të veçanta vrasjesh ose gjakut.

Por edhe këtu dan mirfilli se, kundershtarët tonë ua kanë zejen shpifjeve e rrenave e se ksodore, ata flasin, jo sepse kanë dëshirën, që të vehet paqa ndermjet kombeve, por sepse…e lakmojnë këte tokë Shqiptare.

E vertetë se poezia popullore shqipe tregon punë të veçanta vrasjesh e gjakut; por kjo nuk do me thanë se Kombi Shqiptar vret njeriun për instikt. Shqiptari nuk i këndon çdo lloj vrasjesh e gjakut. Ai këndon vetem per ato vrasje e gjaqe, të cilat janë ba vetëm me i dalë zot jetës, gjasë e nderës, dhe per me u krye nji veprim i këtillë, lypet nji forcë e nji trimni e jashtzakonshme, ashtu si mundet me u vertetue ndër kangët heroike Shqiptare, të mbledhuna në vllimet “Visaret e Kombit”. E se këto vrasje e gjaqe nuk janë të bame gjithmonë per nji interes të pergjithshëm dhe, se çmimi i nderës së njeriut në Shqipni, nuk asht i matun gjithmonë simbas kriterit të kombeve të qytetnueme, kjo nuk don me thanë se Kombi Shqiptar asht i egër e barbar, por don me thanë se organizimi shoqnor i tij ka nevojë me u përmirsue e se do parime morale, ende s’janë zhdrivillue plotsisht ndër Shqiptarë. Na këtu nuk po flasim per moralitet të këtyne akteve: Flasim mbi movent të këtyne akteve e themi se, vrasja në Shqipni nuk bahet për instinkt, por për nji “shkak”, i cili, simbas mentalitetit të Kombit, asht i mirë e i arsyeshëm. Prandej për këte, populli Shqiptar nuk mund të thirret i egër e barbar. E mos të harrojmë se paladinët e Ariostit dhe kreshnikët e Tasit, nuk kanë luftue gjithmonë per interes të pergjithshëm e as që kanë qindrue gjithmonë per nji nderë të kuptuem simbas parimeve t’Etikës së popujve të qytetnuem.

Por, per me e diftue egërsinë e Kombit Shqiptar dhe pazotsinë e tij per me u qeverisë në vedi e i pamvarun, kundershtarët tonë kapen edhe në nji punë tjeter. Ata thonë: “Nuk mbahet mend në histori se Kombi Shqiptar asht gjetë kurr i bashkuem e i unjishem m’nji si shtet, por gjithmonë, – si edhe sot, – ai shfaqet i ndamë në fise e Bajraqe, gja kjo që ndodh vetem nder kombe t’ egra.”

Këte fjalë ka muejtë me e thanë e me e shkrue, edhe ndonji dijetar, i cili, drejtperdrejt, nuk hyn në numrin e frotës s’ armiqve tonë. Ata thonë se Kombi Shqiptar nuk shfaqet në histori i unjishem në nji bashkim që të ketë pasë formen e shtetit. Ne na duket se këta dijetarë janë si të ngutun në dhanjen e këtij gjykimi. Asht e vertetë se mundet me kenë që ky Komb të shfaqet në histori, si gjithmarë, i unjishem në nji shtet nën emnin “shqiptar” e “albanensis”, nen të cilët emna, historia tashma e quen Kombin Shqiptar. Por duhet dijtë se fjala “shqiptar” e “albanensis” nuk shenon individualitetin etnologjik të familjes së këtij Kombi. Fjala “shqiptar” vjen prej verbit “me shqiptue”, që don me thanë “enuntiare”, “exprimere”, e shenon njeriun që mundet me folë dhe me kenë kuptue në këte gjuhë, prej tjerëve. E prandej, “shqiptar” asht edhe francezi per francez, kinezi per kinez, hindjani per hindjan, etj. Pra, mjaft që ta kenë gjuhen amtare, së bashkut. Per antonomazi pra, e vetem perpara Kombit Shqiptar, fjala “shqiptar” shenjon kombsi; sepse, në vetvedi, si e thame ma siper, nuk e ka këte kuptim. Po kështu, edhe fjala “albanensis” nuk percakton individualitetin etnologjik të nji familjes kombtare, por shenjon popullin që banon n’ Albanie ose Shqipni.

Tash, përpara se ndokush mund ta thonte me arsye se Kombi Shqiptar nuk shfaqet kurr i bashkuem në nji shtet, kishte me u dashtë ma parë që historia të caktonte se prej kah e ka rrajën ky Komb, ké ka fis e vlla mbi botë, – sepse ky nuk ka bijtë vetvedit mbi botë, – e se deri ku përfshihej vendi i tij. Por këto, historia ende s’i ka përcaktue, e kushedi se kur ka me muejtë me i përcaktue, sepse historia e Kombit tonë gjindet e shtjellueme mbrenda hijeve të mugta të kohve ma të vjetra.

Masandej do të ishte dashtë që historiografët e hershëm, mbi të cilët pështeten historianët e sotshëm, t’i kishin nda me nji emen të vetëm të tanë elementet prej të cilit përbahet ky Komb. Kush mundet me e thanë me siguri se shqiptarët, ilirët, maqedonasit, thrakejt, epirotët janë pra të gjithë të nji fisi apo jo? Prandej kurrkush nuk mund ta thotë me siguri se shqiptarët s’kanë kenë kurrë të bashkuem më nji e s’kanë kenë shtet më vete. Por, po e xamë, edhe, se shqiptarët s’kanë kenë kurrë të bashkuem në nji shtet të vetëm. Megjithkëtë, armiqt tonë nuk kanë arsye kur thonë se për këtë shkak, Kombi Shqiptar nuk duhet qitë shtet më vedi, por ky vend duhet nda ndërmjet tyne, si gja e pazot. Kush i mba mend grekët të bashkuem nën nji skeptër dhe kunorë mbretnore përpara së XIX qindvjetë? Sa jetë ka flamuri i Greqisë? Jo vetëm që grekët, edhe në kohën ma të lumnueshme të historisë së tyne s’kanë kenë të bashkuem nën nji shtet, por këta kanë thirrë ushtritë e hueja për me shtypë shoqi-shoqin, shi mbrenda kufijve të vet. Pse pra, Shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të huejve, dhe që kjenë faktori ma i parë i pamvarësisë greke, nuk duhet të kenë liri dhe pamvarësi, për arsye se s’na paskan kenë kurrë të bashkuem në nji shtet?!

Si e dishmojnë vetë diplomatët e saj, Franca ka hy në Luftë Botnore vetëm për me i dalë zot integritetit e pamvarësisë së Serbisë. E po, aso kohe, serbët nuk kanë kenë të bashkuem me Kroaci e Mal të Zi e Sloveni, me të cilët sot po thohet se na kenkan të tanë prej nji fisi! Mirpo, nuk po kuptohet kjartë arsyeja përse sot shqiptarët do të bahen rob të serbëve e të grekve! A për arsye se deri dje, edhe Kombi i tyne nuk ka kenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?!

Mandej, sa për atë fjalën tjetër që thonë kundershtarët tonë, se Kombi Shqiptar duhet mbajtun për barbar, për arsye se asht i ndamë nder krahina dhe fise, nuk duket se asht ma me themel se ato të shpifunat tjera mbi të cilat u fol ma sipër. Tue kenë e themelueme jeta shoqnore mbi bashkësi të interesave, prej vedit vjen si rrjedhojë se shteti, i cili ngallitet prej asaj bashkësie, nuk mund të përshtrihet ma përtej se sa i mërrinë forca që do t’i mbrojë ato interresa. Tash, tue kenë se populli Shqiptar, për shkak të pushtimeve të hueja të vazhdueshme, nuk mujt me i organizue forcat e veta në mënyrë që me mbrojtë e me drejtue interesat e përbashkëta të Kombit, këtij iu desht doemosdo me u nda në disa grupe ma të vogla, e aty, përmbrenda qarkut të mundësisë që natyra dhe pozicioni gjeografik u jepte do familjeve, me u vllaznue dhe me i mbrojtë interesat e veta, me modelue “shtetin” dhe me organizue jetën e vet shoqnore. E ky ishte i vetmi sistem jete shoqnore që mund të realizohej deri më sot në Shqipni. Në njenën anë, shqiptari nuk donte t’i shtrohej pushtuesit të huej, në anën tjetër, pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e veta në mënyrë që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë Kombin. Shqiptarit iu desht me e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta, tue i mbajtë së bashku parimet e Kanunit Kombtar si rregull jetet. Prandej, fakti që Kombi Shqiptar gjindet i ndamë ndër fise, nuk rrjedh prej shpirtit të tij ekcentrik dhe barbar, por prej faktorve të përjashtme të cilat ai nuk kishte mënyrë sesi me i shndërrue.

E, me e vertetue se Kombi i ndamë në shumë fise asht gjithmonë barbar, mundet me u vërtetue edhe prej historisë. Në kohen kur Filipi i Maqedonisë kercnonte Republiken e Athinës, kjo Republikë xuni me u forcue per t’i ba ballë anmikut e kështu, mëkambi nji ushtri prej 500 vetësh kamsorë e 50 kalorës t’ armatosun, kjo gja mundet me u lexue në Filipikët e të Demostenit. Prej këtyne shifrave duket e kjartë se Republika e Athinës, në kohen e Demostenit, nuk dij a mund të kishte kenë shumë gja ma e madhe se ndonji fis i Shqipnisë. Por megjithkëte, s’e besoj se kundershtarët tonë mund të thonë se Atdheu i Demostenit ka kenë barbar, per arsye se kjo Republikë ka kenë ma e vogel se Serbia.

Së mbrami, kundershtarët tonë thonë se Shqiptarët janë jo veç barbarë, po, per ma teper, Shpirti i tyne asht i ngathtë e i plogësht, aqsa mos me mujtë kurr me u qytetnue e me perparue.

Fjala fjalën s’e mund, por shtanga shtangen, ka pasë thanë nji gjakovas i motshem: “Shtanga e thyen njiherë shtangën, por fjala s’ e mund kurr fjalën!” Prandej, unë këtu nuk po due me u hallakatë fort ndër fjalë, veçse me arsye të forta, – të cilat janë shtanga në nji kuvend burrash të mendshëm, – due me diftue se Shpirti ose psika e Kombit Shqiptar, nuk asht aspak ma e ngathtë se ajo e sllavëve. Psika e nji populli ndanë ma së miri, në poezinë popullore të tij. Le ta perballojmë pra, poezinë popullore shqipe, me atë të sllavëve.

Tue gjykue simbas poezisë popullore të sllavëve të Jugut, rodi i poezisë që zotnon ma shumë nder ta, asht legjenda. Legjenda, si dihet prej natyrës së vet, kërkon me lurtue veshët e të mëdhajve e prandej, këte rod poezie e gjejmë të perhapun sidomos ndër epoka të despotizmit e autokracijet, si dhe ndër popuj, të cilët ndjenjat e lirisë nuk i kanë fort të shqueme, gjithashtu që nuk kanë shpirt iniciative në vetvedi. E të këtillë janë sllavët, perposë malazezëve, të cilët janë të shartuem ma fort se me tjerë, me shqiptarë. Sado që sllavët janë nji familje e madhe fort në Europë, megjithkëte, të thuesh, deri dje i kena pa tue u vue pa za nen zgjedhë të nji Cari ose të nji Habsburgu, kush nën tirani të nji Kalifi ose të nji Despoti autokrat e që, për me i pshtue robnisë së huej, u asht dashtë gjithmonë, ose nji kombinacion politik, ose ndihma e nji të tretit, i cili i ka pshtue per me i pasë ma vonë si mashë per vedi.

Por, prej poezisë popullore, del në shesh edhe nji tjetër njollë e psikës sllave. Fatosat e Kombit sllav, ashtu si i paraqet poezia e tyne popullore, nuk janë njerzë të nji force të jashtzakonshme, si asht Akili, Dhiomedi ose Ajaksi në “Iliadë”. Nuk janë as vetje gadi të hyjnueshme, si Luçiferri i Miltonit në “Parrizin e djerrun”, po janë disa perbindsha të përçudnuem , qê s’di njeriu a janê kulshedra apo katallaj e maluketen tê trishtueshêm.

Kështu, bjen fjala, Kraleviç Marku, tash kërcen me sharcin e vet prej nji malit në tjetrin, tash han 50 okë groshë në hae, tash pin venë me lagena 12 okësh, tash e hjedh topuzin tri ditë udhë larg, etj. Kishe me thanë se madhnia e këtyne fatosave, perngjanë ma fort me madhninë e nji sfinksi që nuk asht, as shtazë, as njeri e që s’ ka asgja me natyren e mendjen e njeriut. Ai asht nji peshë shtjelli të çuditshëm, që nuk thotë asgja e as që duhet gja. Tue i ndi ato kangë, shpeshherë të duket vedi se je n’ ato kohë kur flitshin zogjtë e hardhucat, e kur ujku e dhelpna ishin ndrikull e kumbar; pra, në nji kulturë hindjane, kur poezia i perziu dhe i bani përshesh sendet e mbinatyrshme me ato të natyrshmet, tue perftue kështu sfinkset, piramidat dhe poemat e pafundshme.

Mbasi pra, vjerrshtori sllav, per me mujtë me ba pershtypje në mendje e në zemer të popullit, me poezitë e veta, duhet me e thanë se asht ngushtue me perftue do forma krejt shpellanike, si dhe fatosa matrahula e maluketën, me kenë se mentaliteti i atij populli nuk asht i zhdrivilluem, aqsa me i kuptue plotsisht përmasat e numrit, të peshës e të masës, prandej ka mbet ende në nji shkallë mjaft t’ ulët të qytetnisë.

Asht e vertetë se poezia popullore sllave ka nji trajtë të përjashtme fort të bukur; por kjo nuk rrjedhë prej njomsisë së ndjesive të shpirtit të tij, po prej servilizmit që e dallon. Tue i pasë sherbye gjithmonë tiranit të huej ose tiranit të vet, ai, për me e lurtue e për me ia këndellë veshët atij, ka kenë i ngushtuem me zgjedhë fjalë e thanje sa ma të hijshme ndër poezitë e veta. Kurrkush nuk ka mënyra ma të bukura në të folun, se ata që sherbejnë ndër pallate të mbretënve. E nuk ka pse të thonë kush ndryshej, sepse edhe kombet e qytetnueme i kanë këto forma shpellanike e të përbindshme ndër poezitë e veta, si bjen fjala, ipogrifi i Ariostit. Poetët e kombeve të qytetnueme i bijnë këto forma, jo si nji ideal të vetin, por si nji çudë, nji shtriganeri ose si nji shprehje të mentaliteteve të kalueme, perderisa shkohet deri aty sa sllavi Kraleviç Marku, nuk do të kishte kenë Kraleviç Mark po nuk i hangri 50 okë groshë në hae e kali i tij të mos hidhet mal më mal. Derisa poezia popullore shqipe asht krejt ndryshej. Shqiptari, ndër poezitë e veta, nuk këndon për të tjerë, ai këndon vetem per vedi.

Ndër lufta e ndër punë trimnije, ai nuk i ven shenj’ fakteve; ai shqyrton vetëm rrezet e namit e të lumnisë që shkrepin prej atyne fakteve. E kështu, kah nami e lumnia asht prij ideali i tij dhe prej këtij ideali i mbushet Shpirti me entuzjazem, i gufon vetvetiut zemra ndër kangë, të cilat i këndon si ai zogu i verës, i cili këndon jo për me e ndigjue të tjerët, por sepse nuk i rrihet pa këndue ndër blerime e hije të rita të lugjeve, mbi ato stome gurrash të argjendta. E kah ai nuk i ka sherbye kurrkujt, fjala, thanja, si dhe krejt forma e mbrendshme dhe e jashtme e poezisë, i ec, tash e ambel si pranvera e Arbrit, tash e rrembyeshme si ato prrojet e Bjeshkëve të Namuna ku era ulurinë andej kah vjeshta. Ai nuk i dron nipat e fatosave, të cilët i këndon ndër kangët e veta e as që ua ka nevojen atyne. Ai këndon lirshëm, si t’ishte i vetëm mbi botë, botë e cila, për te, përmblidhet krejt mbi ato maje malesh ku vedin e mban mbret. Asht pra poezia, nji ode e rendit të parë, saqë s’ ka shumë vjet, filologu i permendun i Universitetit të Gracit, profesor Meyer, thonte se poezia popullore shqipe, prej pikpamjes estetike, asht ma e bukra ndaj të gjitha poezive tjera t’ Europës.

Vijon…

 Përgatitur për botim nga Frank Shkreli