FAFA, modeli i Hotelerisë dhe Turizmit bregdetar

634
Sigal

FAFA, kampionia dhe modeli i hotelerisë dhe turizmit bregdetar shqiptar dhe botëror. Kapacitet e FAFA Group, 1000 shtretër.

Situata politike, tur-operatorët frikësohen se mund të anulohen rezervimet

Në Shqipëri, protestat janë kthyer në një normalitet të ri. Teksa siparin e ngritën banorët e “Astirit” në muajin nëntor, që kundërshtonin shembjen e shtëpive të tyre, për shkak të projektit të Unazës, një vatër e re protestash u hap tek Ministria e Arsimit. Studentët, për disa javë, qëndruan jashtë auditorëve me një listë të gjatë me kërkesa që qeveria u përpoq në mënyrë urgjente të plotësonte disa prej tyre. E teksa u shua jehona e protestave të studentëve, radha ishte e protestave të opozitës. Deputetët e partive kryesore opozitare dogjën mandatet dhe tashmë prej javësh po organizojnë protesta të vazhdueshme përballë Kryeministrisë apo jashtë Kuvendit. Në këto protesta nuk kanë munguar as episodet e përplasjes së protestuesve me policinë dhe sidomos ato të gazit lotsjellës që, në fotot dhe lajmet që raportohen në mediat ndërkombëtare, duket se krijojnë dilema te pushuesit potencialë që mund të kenë drejtuar sytë drejt Shqipërisë. Rrahman Kasa, menaxher i “Happy Tours”, shprehet se ka pasur anulime të tureve kulturore nga grupe që do të vinin nga Gjermania, Austria apo Italia. Pikërisht prej pasigurisë që kanë ndier, për shkak të tensionit politik, numri i anulimeve ka arritur në 13. Sipas tij, nëse situata rëndohet, anulimi i tureve kulturore mund të jetë një precedent që përsëritet në formën e anulimit të charter-ave gjatë sezonit turistik dhe ky do të ishte shkatërrim për sektorin.

Interes nga tregje të reja, hyjnë për herë të parë vendet baltike

Surpriza e këtij viti pritet të jenë turistët nga vendet baltike. Bëhet fjalë për vendet si Estonia, Letonia dhe Lituania që nuk kanë pasur prani më herët në vendin tonë. Parashikohet që gjatë sezonit të ketë deri në 3 chartera në javë nga ky grup vendesh dhe që do të vendosen në zonën e Golemit. Operatorët thonë se ka një rënie të numrit të polakëve, e reflektuar në total me 7 chartera në javë, nga 10 chartera një vit më parë. Nordikët, nga ana tjetër, mbeten në të njëjtat nivele. Ka një tendencë për gjermanët dhe zviceranët, të cilët janë treguar më konservatorë në të shkuarën, por që kanë vendosur këtë vit t’i japin një shans Shqipërisë, në mënyrë më masive.” E reja e këtij viti janë turistët nga vendet baltike, pra Letoni, Lituani dhe Estoni.

FAFA, kampionia dhe modeli i hotelerisë dhe turizmit bregdetar shqiptar dhe botëror

  • Interesi për Golemin, FAFA, gati për sezonin 2019, plane të reja investimesh

Në FAFA Resort, turistët e parë vijnë më 11 maj. Janë grupet e nordikëve që më pas do të vijojnë me polakët. Fatos Çerenishti, administrator i FAFA Resort, shprehet se për majin nuk do të punohet me kapacitetin e plotë. “Ne si FAFA Group kemi kapacitet 1000 shtretër. Në maj, një pjesë e tyre është e rezervuar, sepse është ende herët. Të paktën 85% e kapacitetit është i dhënë me kontrata paraprake fikse, kurse 15% është për turistët që duan të bëjnë të vetëm rezervime. Këtë vit, përveç nordikëve dhe polakëve, po vijnë gjermanët dhe izraelitët, që po tentojnë të ripërsërisin kontratat. Ka një kërkesë edhe nga një kompani e madhe ruse, por që duan kapacitete më të mëdha akomodimi, ndaj mendoj se do të mbetet për më vonë”, shprehet Çerenishti lidhur me tendencën e turistëve që po frekuentojnë bregdetin e Golemit. Ai nënvizon se edhe këtë vit, koncepti i paketave që po u ofrohet turistëve është “all inclusive”, pasi ka rezultuar një paketë e suksesshme. “U bënë të paktën katër vite që ne po operojmë me këtë lloj pakete dhe është konsoliduar vit pas viti. Nuk kemi pasur probleme me sigurimin e produkteve. ‘All inclusive’ është më i lehtë dhe i menaxhueshëm për ne. Kemi gërshetim të kuzhinës shqiptare me kuzhinën ndërkombëtare. Mundohemi të përshtatemi sipas vendeve nga vijnë turistët, duke përfshirë edhe ndonjë preferencë tradicionale të tyren”, shprehet administratori i FAFA. Lidhur me situatën e përgjithshme në vend, ai nënvizon se agjencitë e huaja kërkojnë shpesh informacion mbi zhvillimet, por që në përgjithësi, u thuhet se janë probleme të brendshme dhe të izoluara që nuk kanë lidhje me turizmin. Por nuk është vetëm politika ajo që shqetëson në fakt bizneset që operojnë në sektorin e turizmit. Ende ka nevojë për përmirësime në infrastrukturë. Gjithsesi, sipas Çerenishtit, turistët e njohin disi realitetin shqiptar dhe nuk kanë iluzione se do të kënaqen pafund. “Ideja është që çdo vit vjen duke u përmirësuar si industri. Kjo ka të bëjë me faktin se bizneset e dinë se çfarë kërkojnë turistët nga njëra anë por, nga ana tjetër, edhe turistët nuk kanë iluzione që do të gjejnë gjithçka të përsosur këtu dhe do të kënaqen pafund. Ata duan më shumë shërbimin. Sigurisht që vijnë dhe për bregdetin, por më shumë vlerësojnë shërbimin dhe pikërisht këtu duhet të fokusohemi edhe ne”, shprehet Çerenishti. Ai thekson se është rritur interesi për Shqipërinë edhe nga tregje të reja që, pavarësisht se nuk kanë prezencë aktuale, kanë ardhur për të marrë informacion. Këtu bëjnë pjesë edhe agjenci nga tregjet aziatike që kanë kërkuar të dhëna dhe kjo është në interes të Shqipërisë. “Këto janë tregje që shihen me interes, sepse nuk e kërkojnë me ngulm diellin dhe si të tillë, bëjnë që sezoni të jetë më i gjatë. Në finale, kjo mbetet një sfidë e përgjithshme për sektorin, që të kemi një sezon sa më të gjatë. Aktualisht, ia kemi dalë që të kemi një sezon deri në fillim të tetorit”, shprehet administratori i FAFA Group. Për t’iu përgjigjur rritjes së interesit për Shqipërinë dhe kërkesës për kapacitete akomoduese shtesë në zonën e Durrësit, FAFA synon që të nisë vitin tjetër ndërtimin e një hoteli të ri, i cili pritet të ketë të paktën 200 dhoma. (Marrë me shkurtime nga Monitor)

monitor 873.indd