Fadil Kepi: Kushtet e përfitimit të pensionit për minatorët e nëntokës dhe emigrantët. Afatet e përgatitjes dhe llojet e dokumenteve që nevojiten

1260
Sigal

Shuma e pensionit të posaçëm dhe personat që e përfitojnë. Shpërblimi për personat që dalin në pension para kohe. Si veprohet kur nuk njihen vitet e punës. Pensioni i pjesshëm, i kooperativës dhe i plotë

Shuma e pensionit të posaçëm dhe personat që e përfitojnë

Pyetje

Disa lexues të gazetës “Telegraf” pyesin: Cilët janë personat që ditët e fundit me vendim qeverie kanë përfituar pension të posaçëm, sa lekë është shuma mujore dhe, cila është data kur fillon pagesa?

Përgjigje

Bazuar në nenin 5 të ligjit të Sigurimeve Shoqërore nr.7703, datë 11.05.1993: “Pension të posaçëm kanë të drejtë të kërkojnë personat që kanë arritur rezultate të dallueshme në punë, duke i dokumentuar ato me dokumentet përkatëse. Mbështetur në vendimin e qeverisë nr.429, datë 12 shtator 2002, kërkesa fillestare i bëhet këshillit të qarkut, i cili pasi e miraton, njofton të interesuarin dhe një kopje të vendimit ia dërgon këshillit të ministrave. Kohët e fundit, qeveria me vendimin e saj, datë 26 dhjetor 2018, botuar në fletoren zyrtare 203, datë 11 shkurt 2019 ka vendosur t’u japë pension të posaçëm 15 personave, të cilët janë: Eva Pëllumbi, Koço Devole, Arianita Marko, Golik Jaupi, Ali Oseku, Timo Flloko, Petrit Kumi, Roland Avrami, Spiro Qirko, Dhimitraq Ligori, Spiro Shano, Theodhori Driza, Luan Zhegu, Ema Bogdani (Qazimi), Kastriot Mushi.

  • Masa e pensionit të posaçëm për secilin është katërfishi i pensionit social, ose 29 mijë lekë në muaj (4×7.262 lekë në muaj që është pensioni social mujor)
  • Efektet financiare fillojnë nga 26 dhjetor 2018, që ka vendosur qeveria.
  • Sa herë rriten apo indeksohen pensionet e tjera, me vendime qeverie me të njëjtën përqindje shtohen edhe pensionet e posaçme.
  • Shuma e pensionit të zakonshëm dhe atij social të marra së bashku nuk mund të jetë më shumë se tetëfishi i pensionit social (8×7.262 lekë në muaj=58 mijë lekë).
  • Pensioni i zakonshëm dhe i posaçëm pavarësisht nga shuma nuk tatohen. Sigurimet shoqërore i kanë marrë të gjitha masat, dhe u kanë caktuar pensione personave të mësipërm në zbatim të vendimit të qeverisë.
  • Sqarime më të hollësishme mund të merrni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore. Uroj të gjithë personat që kanë marrë pension të posaçëm ta gëzojnë për shumë vite dhe me shëndet të mirë!

 

Si veprohet kur nuk njihen vitet e punës?

Pyetje

Dy pensionistë bashkëshortë nga Poliçani, Kristina dhe Jorgo Thanasi, në letrën e tyre shkruajnë: Kemi filluar punë në të njëjtën kohë në uzinën mekanike, por kur dolëm në pension, mua sigurimet shoqërore më njohën 23 vjet punë, ndërsa burrit 27 vjet punë të siguruara, për të cilat ne nuk jemi dakord, pasi kemi punuar njëlloj. Pyesim, si duhet të veprojmë në këtë rast për të kërkuar vitet e punës që nuk na janë njohur për efekt pensioni?

Përgjigje

Mbështetur në nenin 86 të ligjit të Sigurimeve Shoqërore ju keni të drejtë t’i bëni një ankesë me shkrim pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore Skrapar drejtuar komisionit të ankimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Berat, duke parashtruar pretendimet tuaja. Pasi të merrni përgjigjen zyrtare, nëse nuk jeni dakord, bëni një ankesë tjetër me shkrim dhe dërgoni me postë rekomande në Komisionin Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, e në fund mund t’i drejtoheni Gjykatës Administrative.

Kushtet e përfitimit të pensionit për minatorët e nëntokës

Pyetje

  1. Aleksandër, nga Mirdita me banim në Tiranë shkruan: Jam i datëlindjes 5.11.1962 dhe gjithsej kam punuar i siguruar 34 vjet, nga të cilat 14 vjet në minierë në nëntokë dhe vazhdoj të jem në punë. Pyes, cilat janë kushtet për të përfituar pension të plotë si minator i nëntokës, a mund të vazhdoj të punoj mbas daljes në pension dhe të marr njëkohësisht pension dhe rrogë?

Përgjigje

Sipas nenit 3 të ligjit nr.150/2014, botuar në fletoren zyrtare 182, datë 1.12.2014: “Kanë të drejtë të kërkojnë pension (të plotë) pleqërie si punonjës të minierave, në nëntokë punonjësit , të cilët, arrijnë moshën 55 vjeç, kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 12 vjet e 6 muaj në miniera në nëntokë”. Fadil Kepi sqaron se, meqenëse ju i keni plotësuar të tre kushtet e mësipërme, mund të bëni kërkesë pranë agjencinë së sigurimeve shoqërore ku banoni për të përfituar pension të plotë. Mbas daljes në pension sipas vendimit të Qeverisë nr.301, datë 23.5.2018, botuar në fletoren zyrtare 78, keni të drejtë të vazhdoni punën me kontratë me punëdhënësin, duke paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe të merrni njëkohësisht pensionin e shtesat që bëhen me vendime Qeverie dhe rrogën në qendrën e punës.

Afatet e përgatitjes së dokumenteve për pension

Pyetje

Lexuesi i gazetës “Telegraf” z. Vasil Rrushi nga Divjaka shkruan: Më 4 janar 2019 plotësova moshën 65 vjeç dhe kam punuar 42 vjet i siguruar me arsim të lartë mësues dhe agronom. Jam në fazën e përgatitjes së dokumenteve për pension. Pyes,a ka afate dhe nga cila datë fillon pagesa e pensionit?

Përgjigje

Juve nga dita që keni plotësuar moshën 65 vjeç ju ka lindur e drejta e pensionit, i cili do t’ju fillojë nga data 5 janar i këtij viti nëse keni ndërprerë marrëdhëniet financiare me qendrën e punës. Për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj. Meqenëse keni 42 vjet punë të siguruara do të merrni pension më të lartë, mbasi sipas ligjit të sigurimeve shoqërore sa më shumë vite punë të siguruara të kesh aq më i lartë del pensioni. Dokumentet për pension do t’i dorëzoni në agjencinë e sigurimeve shoqërore më të afërt ku banoni. Pensionet caktohen vetëm nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Fier. Afat për dorëzimin e dokumenteve keni deri më 31 dhjetor të vitit 2019 dhe pensioni do t’ju paguhet nga data 5 janar i këtij viti. Nëse dokumentet e pensionit i vononi më shumë se 12 muaj kalendarike pa I dorëzuar, pensioni ju fillon nga data e paraqitjes së dokumenteve në agjencinë e sigurimeve shoqërore dhe jo nga data 5 janar 2019. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore ne Fier. Uroj ta gëzoni pensionin më shumë vite se sa keni punuar!

 

Shpërblimi për personat që dalin në pension para kohe

Pyetje

Një mësuese nga Tirana shkruan: Më 20 mars të këtij viti plotësoj moshën e pensionit 60 vjeçe e 10 muaj dhe kam 37 vjet punë të siguruara, por me dëshirën time marrëdhëniet financiare me drejtorinë arsimore i kam ndërprerë para 2 muajve, mbasi u bëra gjyshe për të ndihmuar nusen e djalit, e cila u bë nënë për herë të parë. Pyes, a përfitoj shpërblim me rastin e daljes në pension?

Përgjigje

Ju nga data 20 mars do të përfitoni pension të plotë mbasi keni mbi 36 vjet e 8 muaj që duhen për pension të plotë. Shpërblim me rastin e daljes në pension nuk ju takon sepse në vendimin e Qeverisë nr.493, datë 6.7.2011, botuar në fletoren zyrtare 114, thuhet:”punonjësit e institucioneve buxhetore kur dalin në pension pleqërie (dhe në librezën e punës shënohet, ndërpret punë sepse del në pension), përfitojnë deri një rrogë mujore shpërblim). Meqenëse ju me dëshirë keni lënë punën për problem familjare, para plotësimit të moshës për pension, nuk ju takon shpërblimi sipas vendimit të mësipërm të Qeverisë. Uroj të bëheni edhe stërgjyshe.

 

Dokumentet e nevojshme për pension

Pyetje

  1. Bajram Ramaliu nga Maminasi i qarkut të Durrësit me banim në Tiranë shkruan: Jam i datëlindjes 8 mars 1954. Mbasi mbarova fakultetin ekonomik në Universitetin Bujqësor në Kamëz, me vendim të ish Komitetit Ekzekutiv u emërova ekonomist në kooperativën bujqësore Ishëm dhe Maminas ku punova rreth 8 vjet. Gjithsej kam 38,5 vjet punë të siguruara. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit, sa vite pune duhen për pension të plotë, si llogaritet pensioni në këtë rast?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension në moshën 65 vjeç dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara gjithsej në vendin tonë. Periudha që keni punuar ekonomist në ish kooperativë bujqësore me vendim të Komitetit Ekzekutiv sipas vendimit të Qeverisë nr.62, datë 4.4.1974 ju njihet vjetërsi pune me shtetin. Sapo të plotësoni moshën e pensionit duhet të dërgoni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë ku banoni, librezën e punës, fotokopje të noterizuar të vendimit të ish Komitetit Ekzekutiv ku jeni emëruar në detyrë në Ishëm e Maminas, vërtetimin e pagës bruto nga 1 janari i vitit 1994 deri ditën që do të leni punën dhe 2 copë fotografi për dokumente, certifikatën e gjendjes familjare sigurimet shoqërore e marrin direkt nga zyra e gjendjes civile.

 

Pensioni i shtetit dhe pensioni i kooperativës

Pyetje

  1. Qemal Lila nga njësia administrative Kashar shkruan: Jam i datëlindjes 12 prill 1954 dhe gjithsej kam rreth 35 vjet punë të siguruara përfshirë dhe dy vjet që kam kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe nga këto 13 vjet në ish kooperativën bujqësore. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension dhe do të marr pension shteti apo kooperative?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 65 vjeç më 12 prill 2019 dhe për pension të plotë shteti, do t’ju kërkohen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara gjithsej nga mosha 16 vjeç. Vit i plotë pune njihet kur burrat kanë realizuar 280 ditë pune në një vit kalendarik baras me 24 ditë në muaj. Në rast se në një vit keni realizuar mbi 280 ditë pune për shembull, 300 ditë pune, 20 ditë nuk merren parasysh për llogaritjen e pensionit. Ju rekomandoj që me dokumentet që keni të paraqiteni në sigurimet shoqërore dhe para plotësimit të moshës së pensionit, të bëni llogaritjen totale të viteve të punës, dhe për diferencën duhet të bëni sigurime si i vetëpunësuar në bujqësi mbasi janë më të leverdishme se sigurimet vullnetare, ndryshe do të merrni pension kooperative.

 

Sigurimet vullnetare

Pyetje

Futbollisti i mirënjohur i ekipit të Vllaznisë së Shkodrës, të “Partizanit” dhe ekipit kombëtar Ferit Rragami shkruan: Më 30 maj të këtij viti plotësoj moshën 62 vjeç dhe gjithsej kam rreth 32 vjet punë të siguruara. Pyes, kur i plotësoj kushtet për të përfituar pension të plotë?

Përgjigje

Si sportdashës kujtoj lojërat e bukura të një mbrojtësi cilësor e elegant që gjatë karrierës së tij sportive s’ka marrë asnjë herë karton të kuq, thotë specialisti Fadil Kepi. Ju do të dilni në pension në moshën 65 vjeç, më 30 maj 2022 dhe për pension të plotë duhen 37 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeç. Me vitet e punës që keni do të merrni pension të pjesshëm baras me 85% të pensionit të plotë. Para moshës së pensionit keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës që të plotësoni kushtet për pension të plotë. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në agjencinë e sigurimeve shoqërore në Tiranë.

Pensioni i pjesshëm dhe i plotë

Pyetje

Zonja Marie Ndoja nga Tirana, në mesazhin e saj sqaron: Jam e datëlindjes 1 tetor 1958 dhe gjithsej kam rreth 18 vjet punë të siguruara. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit, sa vite pune duhen për pension të plotë dhe a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, më datën 1 gusht 2019 dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara nga mosha 16 vjeçe. Me vitet e punës që keni ju do të përfitoni pension të pjesshëm rreth 50% të pensionit të plotë. Para plotësimit të moshës së pensionit ju keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës. Sqarime më të hollësishme me librezën e punës mund të marrësh në agjencinë e sigurimeve shoqërore.

 

Kushtet e përfitimit të pensionit për emigrantët

Pyetje

  1. Gjon Lleshi nga Kaçinari i Mirditës shkruan: Djali im, Altini është i datëlindjes 1.4.1980 dhe banon dhe punon i siguruar në Greqi dhe njëkohësisht e kam siguruar vullnetarisht edhe në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Rrëshen. Pyes, kur e plotëson moshën e pensionit, sa vite pune duhen në vendin tonë për pension dhe a mund të vazhdoj ta siguroj përsëri?

Përgjigje

Djali juaj moshën e pensionit në vendin tonë e plotëson 66 vjeç e 2 muaj, më 1 qershor 2046 dhe për pension të plotë do t’i kërkohen 40 vjet punë të siguruara. Ju bëni mirë që e siguroni dhe mendoj të vazhdoni ta siguroni përsëri, sepse për pension në vendin tonë edhe për emigrantët minimumi për të marrë pension është 15 vjet punë të siguruara, por sa më shumë vite pune të ketë djali juaj i siguruar në vendin tonë aq më shumë pension do të marrë. Për vitet e punës që ka punuar në Greqi do të marrë pension sipas legjislacionit të atij vendi, pra janë krijuar mundësitë që Altini të marrë dy pensione kur të plotësoj moshën, një në Shqipëri dhe një në Greqi.