Euroizimi dhe ndikimi në ekonominë shqiptare

1626
Sigal

Një udhëtim në monografinë e autorëve Prof. As. Dr. A. Naqellari dhe Prof. As. Dr. G. Angjeli

Dr. Vladimir Mici, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

Kur thuhet a ka ndikim euroizimi në ekonomi? Kjo nuk kërkon një përgjigje thjesht sipas konsideratave teorike, por një punë, e cila kërkon kohë, interpretime dhe analiza të hollësishme, grupime dhe rigrupime faktorësh e indikatorësh, të cilat vetëm pasi i bashkërendon, analizon dhe gjen instrumentet e duhur mund të japësh një ide. Por gjithsesi është gati e pamundur t’i përgjigjesh saktë me pak fjalë. Tabloja paraqet një panoramë komplekse në qindra shifra e raporte makro e mikro ekonomike, të cilat të analizuara në lidhje me njëri tjetrin dhe në aspektin historik, përfaqësojnë një realitet dhe një përgjigje relativisht të saktë. Monografia “Euroizimi dhe ndikimi në ekonominë shqiptare”, paraqet një përpjekje për t’i dhënë përgjigje dilemës: “Më mirë me euro apo me lekë?” Sot më shumë se kurrë kemi nevojë të dimë mendimin alternativ. Vëmendja aktuale, e cila shpreh edhe shqetësimin e monografisë është se ky qarkullim i lirshëm i monedhës euro, duke u kthyer në një instrument kryesor në transaksionet tregtare dhe ekonomike, a ka ndikuar në rritjen ekonomike, në punësim apo edhe në aspekte të tjera ekonomike të vendit? E përkthyer më saktëa e ka përmirësuar klimën ekonomike dhe sociale nëvend?

Përpjekjet për të zgjidhur dilemën a është më mirë kështu apo duhet të shohim ndryshe këtë zhvillim të përdorimit në ekonominë tonë të monedhës euro, krahas lekut ose shkurt a i shërben procesi i valutizimit (euroizimit) ekonomisë?

Secili vend mund të jetë pjesë e një nga katër alternativat e qarkullimit të parasë:

  1. Ose vetëm para vendase (në rastin tonë lekë) në qarkullim dhe shteti të mos lejojë qarkullimin e valutës në treg. Pra një treg, ku të gjitha transaksionet tregtare dhe ekonomike do të kryheshin vetëm në lekë.
  2. Ose vetëm euro( valutë), ku euro do të zëvendësojë totalisht lekun dhe leku do të dilte nga qarkullimi. Kështu euroja do të zëvendësonte çdo transaksion tregtar dhe ekonomik. (Rasti i Malit të zi apo i Kosovës)
  3. Ose të dy apo më shumë monedha do të qarkullonin lirisht duke konkurruar me njëra tjetrën, se kush do të fitonte statusin e saj.
  4. Ose të dy apo më shumë monedha do të qarkullonin,do të konkurronin me njëra tjetrën, por monedha euro apo valuta do të mbikëqyrej dhe do të përdorej për transaksione jo të një natyre të pakufizuar.

Për të shpjeguar këto alternativa dhe për të dalë në konkluzionet e tyre, eksperiencat e vendeve të ndryshme dhe të dhëna nga ekonomitë e atyre vendeve që kanë eksperimentuar dhe zbatuar të tilla procese,dhe që kanë sisteme të tilla, siç është rasti i Malit të zi, i Kosovës, rasti e Zimbavesë, rasti i Panamasë, kur ishte fjala për zëvendësimin e valutës vendase me atë të huaj. Rusia paraqet një rast kur kemi përdorimin e disa valutave, kur ishte fjala për përdorimin e lirë të valutave të ndryshme. Duke analizuar këto vende, përveç faktorëve pozitiv dhe negativ rezultati përfundimtar ishte që ky sistem për disa ishte mirë dhe për disa ishte keq edhe pse veçoritë e këtyre vendeve nuk përputheshin me strukturën e ekonomisë së këtyre vendeve, ciklin e ekonomisë dhe statusin e tyre për të bërë të vetën këtë monedhë. Në rastin e Malit të zi, përdorimi i euros ishte një vendim i njëanshëm në raport me rastin e Kosovës. Kjo sepse përdorimi i euros nga një vend ishte kusht i plotësimit të disa kritereve, gjë që Mali i zi, nuk e plotësonte. Ajo që mund të thuhet në këtë rast me siguri është se, politika monetare e këtyre vendeve është totalisht e varur nga politika monetare e BE-s. Vendi mëmë nuk ka asnjë instrument të politikës monetare për të ruajtur ekuilibrat ekonomike dhe të ndikoj në ekonomi. Kështu politika monetare e BE, do të ndikoj në ritmet e zhvillimit të atij vendi. Po kështu edhe treguesit e tjerë makroekonomik stimulohen apo shtrëngohen nga politika monetare.

Modeli i një paraje të pastër në kushte e një ekonomie të hapur, me kërkesa për kapital të huaj, lirimin dhe krijimin e hapësirave për thithjen e këtij kapitalit të huaj, kryerjen dhe krijimin e ndërmarrjeve me kapital të përbashkët do të dukej pak kufizues në ritmet e rritjes ekonomike, pasi të huajt, që duan të riatdhesojnë kapitalet apo fitimet e tyre, ndeshen me një monedhë të vogël dhe jo globale, për ta konvertuar duke riskuar në kurse këmbimi jo real. Kjo të çon në konkluzionin dhe rekomandimin që të mos i shpallet luftë euros, por të kufizohet veprimtaria e saj, duke mos u bërë determinues dhe të nxjerrë jashtë loje politikën monetare të BQ. Nga ana tjetër, procesi i përdorimit të euros shfaq konkurrencën e mallrave shqiptare me euron. BQ duhet të ketë mundësi të aplikojë politikat e saj monetare, për stabilitetin e çmimeve, normën e inflacionit, rritjen e eksporteve dhe rritjen e konkurrencës së produkteve, made in Albania. Konkurrimi i lirshëm i euros dhe valutave të tjera do të ishte një vetëvrasje, pasi monedha jonë është shumë pak konkurruese në raport me euron, tregu i së cilës është pothuajse botëror. Një qarkullim i lirshëm i euros, do të sillte shumë shpejt, nxjerrjen jashtë lojë të BQ dhe të të gjithë instrumenteve të saj që përbëjnë politikën monetare dhe për pasojë zhvlerësimin dhe eliminimin e lekut nga qarkullimi. Presioni i euros është shumë i madh dhe është i evidentuar nëpërmjet citimeve të drejtuesve të Bankës qendrore e të ish-kryeministrit z/ S/ Berisha i cili ka pranuar presionin e lartë, por nevoja dhe pamundësia për të kryer reformat e kërkuara nga BE, si dhe struktura jonë ekonomike jo adekuate e konsideron gati katastrofike largimin e lekut dhe futjen e euros. Citimi i eksperteve të huaj dhe vendas në këtë monografi ,dhe analiza e efekteve të euroizimit gradual të ekonomisë shqiptare ndër vite është konkluduar që një rritje e rolit të euros vetëm ka përkeqësuar normën e rritjes ekonomike. Nga analiza e bërë e disa treguesve kryesorë makroekonomike është vërejtur se rritja ekonomike nga viti 2008 deri në vitin 2018 është 38% në raport me atë nga 1993 deri 2008, ku kjo rritje është mbi 8 herë( edhe pse kishte mjaft monedha të huaja që qarkullonin , si lireta italiane, frangu, dollari, marka apo dhrahmia, por valutizimi ishte i ulët). Nëse në periudhën e parë përdorimi i euros( valutës) ishte i ulët , në fazën e dytë euroja ka gjetur një përdorim më të lartë, gjë që verifikohet nga fakti,se gjysma e borxhit publik është në valutë. Autorë kanë vërejtur përsëri që edhe M3 ka një rritje më të lartë se sa M2. Dhe ky është tregues i euroizimit të depozitave në valutë në raport me ato në lekë. Analiza e eksport importit, si një tregues i transaksioneve ka treguar se rritja e hendekut midis importeve dhe eksporteve vijon duke rritur më shumë importet dhe kjo ndikon në rritjen e nevojës për euro e për pasojë ndikimi i saj në ekonomi rritet.

Pikërisht këto tregues dhe fakti që procesi i euroizimit të vënit ndikon në ekonomi, ai duhet të matet dhe të jetë i kontrollueshëm. Për herë të parë në monografinë e paraqitur shohim matjen e euroizimit duke ndërtuar një model. Matja e shkallës së euroizimit të ekonomisë duke përcaktuar 15 tregues të cilët ndikojnë më shumësi kredia, depozitat, borxhi publik, hyrjen e valutës nga remitancat dhe IHD si dhe agregate të tjerë ndaj PBB japin një pasqyrë gjithëpërfshirëse. Ecuria e këtij treguesi dhe dinamika e tij në vite dhe periudha na jep disa konkluzione me interes. Viti 2011 ka qenë viti, kur indeksi i valutizimit (euroizimit) ka arritur maksimumin dhe pas kësaj periudhe po përjeton një rënie. Kjo lidhet në fakt edhe me periudhën, kur Shqipëria ndaloi rritjen ekonomike. Me rënien e valutizimit vihen re edhe tendencat e rritjes ekonomike, Pra euroizimi ka një tendencë në ekonominë shqiptare, të zhdrejtë, me rritjen ekonomike.

Modeli i euroizimit përfaqëson një përpjekje për ta bërë të matshëm dhe mbi këtë bazë të kuptueshme sjelljen e ekonomisë ndaj valutizimit të saj. Edhe pse mund të ketë pasaktësitë e veta, sepse nëse ky model është i provuar, atëhere lind pyetja se sa duhet të jetë norma e euroizimit (valutizimit) optimale? A ndryshon kjo normë optimale në lidhje me nivelin e GDP-s?Po me nivelin e të ardhurave, depozitave, remitancave?Kjo sepse matja eshtë një mënyrë, por duke pranuar një shkallë euroizimi ajo që duhet të dimëështë:sa duhet të jetë raporti optimal? A duhet të jetë ky nivel optimaliteti si një raport faktorësh të ndryshëm apo do të jetë thjesht një model një faktorial?

Në këtë libër nuk e gjejmë por ai jep një përgjigje, që këta faktorë ndikojnë në rritjen e ekonomike dhe euroizimi është një pasqyrë e raporteve aktuale, duke përfaqësuar tërësinë e faktorëve të marrë në konsideratë. Fakti që dobësimi i ndikimit të përdorimit të euros në ekonomi është i lidhur edhe me politikën fiskale lidhet përsëri me drejtimin e kontrolluar të euros, për të cilën autorët kanë konkluduar në monografinë e tyre. Rishikimi i politikave fiskale, konkretisht, të skemave tatimore më fleksibël dhe eficiente, duke sjellë një mbrojtje të prodhimeve, made in Albania, ndaj atyre të huaja si dhe vendosjen e sistemeve tatimore për joshjen e ri investimit dhe zhvendosjes së kapitaleve, dividendëve dhe fitimeve të kapitalit të huaj,të investuar në Shqipëri, paraqet një drejtim tjetër të dobësimit të ndikimit të euros në ekonomi. Por në këtë drejtim ka mjaft kufizime dhe pengesa, në kushtet kur Shqipëria po përgatitet për të hyrë në BE dhe po transformon legjislacionin e saj në përshtatje të legjislacionit të BE-s dhe heqjen e kufijve që kufizojnë lëvizjen e kapitaleve dhe burimeve njerëzore midis vendeve. Ndoshta një ide më e saktë, do të ishte rritja e transparencës qeveritare për konçesionet e kërkuara dhe pakërkuara, për PPP-t dhe mbylljen e krijimit të hapësirave monopol me akte ligjore dhe të nënkuptuara. Synimi të jetë një treg konkurrent dhe jo hapësira ku ne jetojmë aktualisht, ku shumica e prodhimeve dhe shërbimeve të ofruara paraqesin një monopol ose konkurrencë monopolistike që ndonjëherë shkon deri në krijimin e marrëveshjeve të fshehta apo karteleve. Dhe në kushtet e kapitalit të huaj, kjo merr një sens tjetër, I cili rrit problematikën dhe ndikimin e euros në ekonomi. Kapitali i huaj madhor në Shqipëri është i vendosur në monopole natyrore ( miniera, energji,transport) apo në monopole ligjore( koncesione, PPP)( Skanimi doganor, ngjyrosja e karburanteve, Check up etj). Kjo sjell çmime të larta dhe nevojën e njerëzve për mallra të huaja, të cilat janë më të lira se mallrat që tregtohen me këto çmime monopol.

Libri paraqet një punë mjaft kërkuese, mjaft interpretime për të cilën duhet vlerësuar. Ai i jep përgjigje pyetjes: Si është më mirë me euro apo pa euro? Të tjera interpretime mund të bëhen, të tjera pyetje mund të shtrohen. BQ duhet ta përkthejë nivelin e euros në qarkullim si një indeks tregues për përcaktimin e politikave të saj për të ndikuar në ekonomi.