Enver Cakaj: Mestan Ujaniku në 75-vjetorin e çlirimit

198

 Kur krisën pushkët e para…

Kush u tha e si u mblodhën? Kush do t’i udhëhiqte e ku do të gjenin armë e municion? Këto pyetje i bënë 25-çetarët e parë. Mestan Ujaniku, ai burrë eshtak, e kishte ndjerë më shpejt dhimbjen që pasoi Atdheu nga pushtimi fashist dhe mblodhi ca shokë e doli malit. Atëherë u quajt kaçak,po ai kishte tertipet e tij. Partia Komuniste kishte nisur organizimin e çetave të para. Në Pezë ishte krijuar çeta e parë dhe pas saj ishte menduar ngritja e një çete në Skrapar. Një grup patriotësh skraparas e beratas, me porosi të Enver Hoxhës u mblodhën në shtëpinë e Gani Karkanjozit në dhjetor të vitit 1941. Ishin Nure Dobrusha, Jashar Dobrusha, Kristo Isak, Ali Shehu, Myqerem Fuga, Thoma Bello, dhe Kristaq Capo, të cilët biseduan si ta organizonin këtë çetë. Atje kishin thirrur edhe Mestan Ujanikun tok me njësitin e tij. Pasi vunë ca piketa, organizuan një takim tjetër në shtëpinë e Kajmak Çelos në Fushë Peshtan, ku mori pjesë Kahreman Ylli, Iljaz Sevrani, Vasil Laçka, dhe Orhan Frashëri. Aty u vendos që të krijohej Çeta e parë në Skrapar. Si vend u zgjodh Kulmaku, rrëzë Tomorrit. Po kush do ta drejtonte këtë çetë? Si më i pjekuri,më i stërvituri dhe guximtari u zgjodh Mestan Ujaniku dhe komisar Gjin Marku. Ai ishte bërë i njohur dhe që ditën e parë, më 14-mars 1942 e nisi betejën me 25-partizanë. Pesë prej tyre ishin nga Përmeti, Korça, Berati dhe Mallakastra, kurse të tjerët nga Skrapari. Themelimi i kësaj çete i tundi themelet e pushtetit fashist. Gjenerali i Brigadës italiane, Paligeri, i shkruan menjëherë Kryeministrit dhe Ministrit të punëve të Brendshme: “Kemi njoftime të besueshme mbi gjendjen e një çete që komandohet nga i njohur Mestan Ujaniku nga Skrapari.”

Fillimisht u luftua për shtimin e radhëve, të cilën e nisi në Tomoricë, zbriti në Nahije të Beratit, vazhdoi në Rroskovec dhe Ballsh. Për herë të parë ajo e shkrepi në qershor të vitit 1942 kundër një grupi karabinierësh në fshatin Shtyllë të Korçës. Natyrisht formacionet partizane ndërmerrnin aksione të përbashkëta dhe në Bofje të Dusharit u grumbulluan forca të Skraparit dhe Korçës për të koordinuar veprimet luftarake. Pastaj çeta operoi në fshatrat e Kolonjës. Por ajo që i dha emër kësaj çete ishte çarmatimi i Xhaf Balit në 30-31 gusht në fshatin Mëlovë të Skraparit. Në mbështetje të çetës u grumbulluan 600 banorë nga Tomorica dhe e rrethuan bandën e kriminelit Xhfer Bali. Komandanti i rrallë, Mestan Ujaniku i dërgoi një ultimatum për t’u dorëzuar pa luftë, por dredharaku i Ballit, harton këtë letër mashtruese dhe ia dërgon Mestanit me dy kapterë, ku për të shpëtuar lëkurën i thotë:

Zotnisë Mestan Ujaniku, Komandant i Fuqisë Popullore Shqiptare për Shpëtimin e Atdheut. Mora letrën tuaj mesa e studiova duket e kanë shpjeguar për mua. Nuk kam kërkuar çetën tuaj, qysh me ardhjen time në Tomoricë kam dash të piqem tinëzisht me ju, po mjerisht nuk pata fatin. Edhe këtu në Mëlovë erdha me u pjek me Hekuranin se i pata thanë të piqesh me ju të lidhshim një besë të msheftë se jemi të gjithë shqiptarë dhe nuk duhet të vrasim njëri-tjetrin dhe sot po iki për në Berat, se gati i kam dhanë urdhër fuqisë time, që të mos shtjenë kundra jush -kudo që kam shkuar kam ndjek çetën e Refat Dusharit se më mori dhentë në Krushovë dhe këtë herë në Gurin e Prerë dhe Lavdar Refat Dushari me mazrrekasin vranë çunin e Abaz Braçit dhe Vidhani dhe për vjedhjen e grurit t’katundit Leshnje Vithkuq, që ua ngarkojnë juve. Unë i thashë fuqisë së Korçës, se nuk vjedhin partizanët se kanë dalë për ideal, por vjedh Mere Gjobabasi dhe Refat Dushari dhe jam kthyer me 20-veta prej Lavdari gjer këtu në Mëlovë, sepse e dinja se me ju kam besë, mjerisht Hekuranin e Hasan beut nuk e gjeta këtu dhe Hasan beu si Hasan beu as nuk u kishte pjekur fare me ju dhe kështu rashë viktimë e mosmarrveshjes. Pra,mbasi ndjekim një qëllim, të lutem mos bëni çarmatimin e vëllezërve tuaj se kur të zbresësh në Myzeqe, Dumre e Belsh në dimër, po pate nevojë për armë të siguroj se të jap dy herë ma shumë dhe krejt fisin tem e rrethin familjar temin do ta keç në dispozicion për çdo nevojë që të keç sikurse i ka Bazi i Canit.Ah! More vëlla Z. Mestan, unë jam ma i djeguni se ju, po unë i lidhur me Muharrem Bajraktarin, me Myftar Kaloshin, me djemtë e Ceno Elezit e tjerë, po unë për këtë Atdhe kam mashtruar italianët me marifetin tem kam qëndruar deri tash në detyrë tua prit minutën e çastit. Këtë që do të bësh këtu, or vëlla shumë shpejt do ta bëjmë në Lushnje, atje të ngrejmë flamurin që na u përvëlua zemra, pra mos më turpëroni e mos më humpni interesit tonë të Atdheut. Mos kujtoni si rri për rrogë në shërbimin e italianëve, por jo, por qëndroj dhe kam qëndruar që t’i shërbej Atdheut,në çastin që e dini ju ose ju po e menduat se çasti është tashti, jam gati të bashkohem me ju, por ju thoni i dorëzo armët shokut tim, po ligjet ushtarake neve na vrasin në plumb. Kjo është puna, pra, po e lë në burrërinë tuaj e në shpirtin e pastër të Partisë dhe në ndershmërinë e fisnikërinë tuaj. Mos turpëroni shokët tuaj shqiptarë se të gjithë do të jemi të përgatitur kundër italianëvet. Po u dërgoj dy nënofocerat e mij, do të vij dhe vetë, por ndoshta nuk do ta dojë puna qysh sot që të bashkohemi, për këtë nuk erdha vetë, po të doni edhe vete vij. ( AQSH,dosja 15,fondi 204)

Shoku juaj, Xhafer Bali

Mëlovë, 31.08.1942

Por Mestan Ujaniku nuk pyeti për pallavrat e ballistit, por urdhëroi çarmatimin e çetës, të cilët dorëzuan armët dhe u lanë të lirë. Forcave dhe institucioneve fashiste nuk u mbetej gjë, veç të këmbenin letra me njëri-tjetrin. Prefekti i Beratit njoftonte Tiranën në 31 gusht 1942: “Sot arritën në Çorovodë milicët e çarmatosur. Lutemi urdhëroni urgjentisht Prefektin e Vlorës, Gjirokastrës dhe Korçës,që të nisin fuqitë e tyre në drejtim të komunave Tomorricë dhe Potom për të ndjekur çetën.”

Si të mos mjaftonin dy telegrame, një ditë më pas, në 1.9.1942, me shkresën nr.04456, zëvendësi i tij i shkruante Ministrisë së Punëve të Brendshme, Zyrës Politike Tiranë: “Ju njoftojmë se kapiten Xhaf Bali, karabinierët dhe milicët u liruan prej brigandëve. Oficeri i lartpërmendur, njoftoi telegrafisht prej Çorovodës, se në luftën prej 35 orësh, i rrethue prej shumicës të madhe komunistësh, kërkoi dhe u dha rrugë të lirë prej karabinierëve, kurse milicëve iu desh me dorëzue armët. U rrethuam në dy shtëpi në Mëlovë. Jemi tue formuar fuqi kundër çetës komuniste. Zv.Prefekti, Bajram Kokla.” Nga ana tjetër radiot e huaja i bënin jehonë kësaj ngjarje të rëndësishme. Edhe gazeta “Zëri i Popullit” nr.3-4 1942 shkruante: “Shpartallimi i milicisë në Mëlovë dhe çlirimi i qytetit të Çoovodës e krejt Skraparit më 5 shtator 1942,janë kurorëzimi i një epopeje të shkruar me gjak prej kësaj çete heroike…” Silve Robino, komandanti gjeneral brigade, i shkruante kryeministrisë në 07.09.1942:”Në orën 13 fuqitë e armatosura që veprojnë në Skrapar janë thyer nga çetat kryengritëse dhe u sprapsën. Prefekti ka urdhëruar boshatisjen e Çorovodës dhe të zonave rreth e rrotull.”

Gjeneralët me grada të lara e akademi të larta, nuk mundën t’i nënshtronin dot gjeneralët pa spaleta të Skraparit, që nuk kishin as armë as shkolla si ata. As urdhrat ë Viktor Emanuelit, as ato të Musolinit nuk i pranuan partizanët Shqiptarë. Ato mbetën sa për të kurdisur këto vargje:

Urdhër vjen nga Musolini:

-Gjithë me hekur e me zjarr.

Këmbë të kuqësh të mos lini,

Tej e ndanë në Skrapar!

Të tmerruar nga çeta e Mestan Ujanikut inspektori i përgjithshëm i Kryesisë së Këshillit Ministrave, Javer Hunshidi, i shkruan kryeministrit: “Çeta e Mestanit po të donte, të hënën mund të hynte në Berat shumë lehtë, mbasi atë ditë në qytet nuk ndodhesh asnjë fuqi e mjaftueshme. Të martën mbrëma, më 8 kur arrita në Berat populli këtij qyteti ishte i alarmuar se mos sulmohesh prej çetës së Mestan Ujanikut.”Rezultatet e çetës së Mestan Ujanikut janë shkruar e stërshkruar, por ne do të ndalemi në disa të pavërteta që qarkullojnë në rrethet shoqërore dhe janë botuar në FB. Mestani nuk e meritonte atë fund, sepse në atë moshë madhore i braktisi të gjitha punët e shtëpisë dhe iu përkushtua vetëm Luftës. Tani që njerëzit janë të lirë që të thonë çfarë të duanë, dëgjojmë të thonë,se Mestani e krijoi çetën për të vjedhur! Një budallallëk,që nuk e ngre asnjë lloj peshore. Të tjerë e paraqitin Mestanin si nacionalist dhe kur u mbush çeta me komunistë, nisën dhe problemet me Mestanin. Mestani nuk ishte nacionalist, por një patriot, që dinte vetëm të luftonte për çlirimin e vendit. Se nuk mund të jesh nacionalist i vetëm. Ka filluar të abuzohet lidhur me tri kunatat që pushkatoi Mestani, duke thënë,se ai i paska vrarë për t’u marrë 100 kokë bagëti dhe shtëpitë. Kjo nuk është aspak e vërtetë,se Mestani po të donte i merrte edhe bagëtitë edhe shtëpitë, por ai i vrau për imoralitet. Në një informacion që i kanë dërguar prefektit të Beratit nga Tomorica, thuhet shprehimisht: ‘Vrasja ka ndodhur për arsye se kunatat kishin punësuar djem beqarë.” Për këtë vrasje i gjithë populli i Tomorricës ka dalë në mbështetje të Mestanit, sepse nderi i familjes atëherë ruhej me fanatizëm. Nga një llafazan, që nuk e ka idenë se kush është Mestani, ka publikuar, se Mestani na paska qenë kriminel! Në të vërtetë ai kriminel ishte për të gjithë ata që luftonin kundër Shqipërisë. Është e vërtetë që Mestani s’ka varr, po ka mbetur në këngë, s’ka monument, po ka bërë histori, siç shkruan stërmbesa e tij nga Amerika, Albana Musabelliu, por nuk është e vërtetë, që kandidaturën e Mestanit në zgjedhjet e dy dhjetorit 1945 e hodhën në zonën Tepelenë-Berat, ku nuk e njihte njeri. Mestani rreth këtyre zonave kishte njohjen më të madhe, sepse andej e bëri Luftën. Në një faqe të FB gjejmë një të pavërtetë shumë banale. Dikush shkruan,se 50 për qind të vajzave partizane ishin shtatzëna! Këtë më mirë se kushdo e dinë ata që luftuan, po nuk kishim dëgjuar ndonjë me emër të kishte qenë e tillë. Lidhur me dënimin e Mestanit, na thuhet, se provat për dënimin e Mestanit nuk ishin identifikuar. Në gjyqin e Mestanit kanë qenë pesë dëshmitarë nga Skrapari, mes të cilëve edhe Kamber Backa. Në procesverbalin e mbajtur në gjyq, Mestanin e kanë akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e tre fetarëve. Ai nuk e ka pranuar akuzën, po kur është ngritur Kamber Backa dhe i ka thënë, se kush ia dha koburen kryegjyshit, atëherë Mestani ka pranuar duke deklaruar, se ia dhashë koburen t’i vriste klerikët se donin të na prishnin fenë, që fetarët të martoheshin. Për këtë dhe bashkëpunim me grupin e deputetëve, Mestani është dënuar, po jo me vdekje, siç thonë. Njerëz të tjerë kanë folur sipas orekseve, por këto që po shkruaj unë janë marrë nga Arkivi Qendror i Shtetit.

Mestan Ujaniku, pjesëtar në Luftën e Vlorës dhe Lëvizjen e Fierit me Riza Cerovën, ku u dënua me burg, provoi dhe burgun e shtetit të tij. Për Mestanin janë treguar shumë barbarë, sepse ai kishte merita që rrallë kishte si ai. Meritat e dhëna pas ndryshimit të sistemit, nuk e justifikojnë luftën që bëri ai burrë. Edhe malet e ulin kokën në shenjë nderimi kur dëgjojnë emrin e tij. Populli i ka shkruar edhe tani këto vargje kuptimplote:

Shfryn baba Tomorri,

Dhe pyet Ujanikun:

Ku humbi Mestani,

Që s’e njihte frikën?

 

Gjin Marku Partizanë të Çetës.

 

Teqeja e Kulmakut, mbështetëse e Luftës