Enver Cakaj: Lavdi “Heroit të Popullit” Ramiz Aranitasi, komisarit të Batalionit “Riza Cerova “

342

 

Ramizi ishte caktuar komisar i Batalionit “Riza Cerova” që do të krijohej në Qafën e Martës, më 23 qershor 1943

 

Nëpër malet e Skraparit vërtitet një trim me vlerë

-Tek po pinte ujë në një burim dora e pabesë e vrau pa marrë detyrën

Kush i tha atij djali që të linte prindërit e fshatin dhe të degdisej nëpër malet e Skraparit? Kush e përcolli e kush e priste? Nëpër të gjitha rrugët vërshëllenin plumbat. Po ai nuk i shikonte apo… ? Tek ikte rrugë pa rrugë i dukej sikur edhe gurët e maleve rënkonin nga ai pushtim fashist. As nëna e tij që tretej dritareve të shtëpisë duke përgjuar mos i vinte djali, nuk ishte e qetë. Qetësia i ishte prishur të gjithë popullit. Po ai, Ramiz Aranitasi, ku vinte? Prindërit i kishin vënë një emër kur lindi, po ai donte t’i vinte vetë një emër vetes së tij, që të mbetej përjetësisht. Ai emër e shpuri atë djalë deri te Heroi i Popullit. Nuk e shkroi nëpër regjistra me penë, por me krisma e plumba arme. Dhe në fund firmosi duke ngjyer penën në gjakun e tij të pastër. Brenda emrit të tij kishte rremba gjaku. Ai synonte të qëronte nga vendi klikën fashiste, ata synonin eliminimin e tij. Nëpër zyrat e kuesturës hartoheshin urdhra ultimatumi të vrazhdët. Me që nuk e kapnin dot Ramizin, prefekti i Gjirokastrës T. Kolgjini i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme me këtë letër që mban datën 4 nëntor 1942: “Mbasi Ramiz Aranitasi bën pjesën kryesore në çetat që shëtisin në rrethin e Tepelenës, nëse shifet me vend kishte me qenë e nevojshme me urdhërue arrestimin e familjes.” Përse kjo përndjekje? Se luftonte për lirinë e vendit të tij?! Ai ndiqte këmba këmbës pushtuesit, por dhe ata e ndiqnin. Kjo e detyroi të vepronte me pseudonimin “Petriti”. Kush ia stisi atë pseudonim, që e bëri vërtet Petrit? Në të vërtetë emri i Ramizit u shua nga regjistrat e gjendjes civile që kur ra në fund të malit të Leshnjes, kurse ai që formoi vetë nëpër beteja, është e do të jetë përjetësisht deri sa të shembet ai mali i Leshnjes. Ramizi kishte lidhur një kontratë me betejat, me malet, me popullin, i cili e strehoi në ditë të vështira. Atë djalë mallakastriot, që u skraparizua, nuk e shoqëroi dora ledhatuese e nënës, sepse e kishte mbyllur jetën e saj qëkur Ramizi ishte 11-vjeç. Po atij nuk i mungoi dora e njerkës Xhevo dhe shokëve të Luftës. Atë e edukoi dora e ngrohtë e familjes me ide patriotike, sepse që në vitin 1920 i ati, Qazim Haro e kishte shkrepur vetë i pari. Po lufta nuk donte vetëm plumba, duhej të mësoje si t’i përdorje ata plumba. Xhaxhai i tij, Bajram Haro, u kujdes që Ramizi të shkonte në shkollën teknike në Tiranë. Por sa kishte nisur studimet vendi u pushtua nga fashizmi. Për të nxjerrë dufin e tij i shkruan një letër Mehmet Shehut, por ajo letër ra në dorë të spiunëve të fashizmit dhe filloi të ndiqej për çdo lëvizje që bënte. Të bindur që Ramizi merrej me veprimtari patriotike, si fillim e përjashtojnë nga shkolla, por jo nga veprimtaria patriotike. Edhe pse ndiqej, nuk kërkoi strehë, por armë për të luftuar kundër tyre. Me ndërhyrjen e shokëve të tij militantë mundi të rregullohej në shkollën bujqësore të Kavajës dhe atë teknike në Korçë. Më shumë se për të mësuar në ato shkolla, synimi i tij ishte të ngrinte rininë kundër fashizmit. Në kujtimet e tij Asllan Osoja, që atëherë ishte gardian i burgut në Korçë, ka lënë të shkruar: “Në Korçë u ngrit rinia studentore e kërkonte armë. Një pjesë e tyre, mes të cilëve edhe Ramiz Aranitasi, i arrestuan dhe i sollën në burgun e Korçës”. Burgu i Korçës kishte 155 të burgosur të pafajshëm,që kërkonin vetëm lirinë e vendit të tyre. Por dy gardianët, Rrapo Kuka dhe Asllan Osoja, punonin çdo ditë për boshatisjen e tij. Me mënyra të ndryshme ata nxorën disa militantë nga burgu, sa erdhi një ditë që e hapën fare derën e burgut dhe ikën nëpër çetat partizane.

 

Pas hapjes së burgut doli dhe Ramizi, Qarkori i Partisë në Korçë vendosi ta largonte Ramizin nga Korça që të mos rrezikohej, por ai këmbënguli: “Po s’vrava Skënder Çamin dhe Hetem Bozhigradin nuk largohem nga Korça.” Dhe atë e realizoi tok me dy shokë të tjerë. Ndërsa Ramizi lirohet nga burgu, babai i tij, Qazimi arrestohet dhe internojnë njerkën tok me fëmijët. Për këtë bën fjalë edhe letra e prefektit të Gjirokastrës T. Kolgjini drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme Tiranë e datës 04 nëntor 1942: “Mbasi Ramiz Aranitasi bën pjesën kryesore në çetat që shëtisin në rrethin e Tepelenës, nëse shifet me vend kishte me qenë e nevojshme me urdhërue arrestimin e familjes.” Ato ditë Qarkori i Partisë së Korçës thërret me ngut Asllan Osojën dhe e urdhëron të shkojë të marrë gjashtë ditë lejë tek drejtuesit e tij dhe në datën 20 maj,ora 8 të ndodhej te Guri i Qatromit. Nuk i thanë përse. Atëherë s’kishte diskutime, por vetëm zbatim urdhri. Atje, mes shumë të rinjve gjeti dy militantë, Potir Gurrën dhe Rami Aranitasin, të cilët do t’i shoqëronte për në Skrapar. Gjatë rrugës dhe në familjet ku fjetën, nuk u përmendën emrat e tyre, por vetëm pseudonimet. Rrugë pa rrugë kishin arritur në Osojë, në shtëpinë e Hysen dhe Asllan Osojës, por për arsye sekreti, fjetën nën pjergullat e një are derisa Asllani shkoi në Leshnje për të lajmëruar Kahreman Yllin, se militantët po e prisnin. Për këtë udhëtim Potir Gurra ka lënë këtë mikroditar: “21.V. Me shumë mundime arrita në Osojë. Pritja e shkëlqyer. 22.V. ditë çlodhje. 22.V. Miku A. shkoi në L. vjen mbrëmanet.V.U. gjetëm në L. bashkë me shokun K…L..që jemi njohur në Korçë. 26.V. Ramë në ujdi. Vendi mjaft i vobektë.28.V. Sot po presim, po ata s’kanë ardhur, (dy miq)” Me largimin e Ramizit nga Korça Kuestura Mbretërore e Korçës, u ka nisur telegrame të gjitha kuesturave të vendit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë me këtë përmbajtje: “Lutemi kërkime, arrestim dhe sjelljen në burgun e këtushëm të quajturit Qazim, Ramizi i Qazimit dhe i të ndjerës Hysnije lindur në Hamits (Mallakastër), vjeç 20, qendrën në Korçë, i pamartuar, komunist, dyshim i tepërt që të ketë marrë pjesë në vrasjen e personelit kuestor të Korçës. Qazim Ramizi është larguar nga Korça menjëherë mbasi u bë krimi. (AQSH, dosja 357, fondi 252, viti 1942) Por Ramizi këmbente plumba kundër tyre i inkuadruar në çetën e parë të Skraparit. Atje punoi dhe për ngritjen e çetave të tjera. Ato nuk do të merreshin vetëm me luftën kundër fashizmit,por edhe me ngritjen e këshillave popullore të fshatrave,që po të shikosh historikët e fshatrave të Skraparit, Ramizi ka emrin e tij si i deleguar i të gjitha fshatrave.

Kishin nisur të ngriheshin formacione të mëdha partizane dhe Ramizi ishte caktuar komisar i Batalionit “Riza Cerova” që do të krijohej në Qafën e Martës, më 23 qershor 1943. Një ditë përpara Ramizi me një të pabesë do të ngjiteshin në malin e Leshnjes për të grumbulluar ndihmat që kishin hedhur me avion anglezët për partizanët. Sa nisën ngjitjen, ku ishte një burim ujë, Ramizi vuri buzët të shuante etjen, por i pabesi e qëlloi për vdekje Ramizin, i cili nuk arriti të merrte detyrën e re! Por shokët e tij, me një poezi të botuar në gazetën “Kushtrimi i Lirisë” nr.1,2, gusht, shtator 1942, e ringjallën dhe e bënë të pavdekshëm atë djalë si dielli, që heroizmi i tij e shpuri deri HERO I POPULLIT:

Nëpër shkrepat e Tomorit, vërtitet një trim me vlerë,

Armatosur gjer në dhëmbë, me fishekë e me manxerrë.

Është shoku Aranit, është trimi partizan,

Që lufton kundër tiranit, për ide e për vatan.

Topi, pushka, mitralozi, sa vjen shtohet batareja,

Por Ramizi shkon përpara, s’pyet nga zjarri nga rrufeja.

As nga dreqi i mallkuar, as nga plumbi i barbarit,

Më s’durohet kamb’ e huaj, mjaft u dergjëm prej robërisë,

Rrokni armët, zini pritat, ta shfarosim prej Shqipërisë

S’trembet syri Aranitit, doli malit për liri,

Para Luftës ndër shkëmbinj, atje ra dhe u bë fli!

 

Skraparit po i zbehen traditat edhe pse Komiteti i Veteranëve këmbëngul, që të ruhen e nderohen. Ai i ruajti edhe kur në shtëpi i mungonte buka, po ky tranzicion tenton t’ia cenojë. Ka qenë zakon, që pas përkujtimeve të shtrohej një drekë nën hijen e pemëve ose në shkollë. Por fshati është zbrazur e varfëruar deri në dhimbje. Me kokë të ulur njëri prej tyre mezi tha: “Drekën e kemi në Çorovodë, se…” Në Leshnje qamë, në Çorovodë ia morëm këngës:

Gryka, kodra po rënkojnë,

Ngushëllim nuk gjejnë dot.

Kërkojnë shokun Rami,

Mbajnë zi e derdhin lot.

Qan Mallakastër, Skrapar,

Për djalin që mbet në mal.

Ishte zjarr, që mbillte flakë,

S’kurseu asnjë pikë gjak.

Ne të kemi sërish pranë,

Po lufton me partizanë.

Nëpër male e beteja,

Na sjell fitore të reja.

Ne këndonim në salla të mbyllura, Ramizi ra në male të hapur. Kishte mbaruar punë në malin e Leshnjes, ku aleatët kishin hedhur ca ndihma për luftën dhe ditën e dytë do të shkonte në Qafën e Martës, ku krijohej Batalioni “Riza Cerova”. Ai ishte caktuar komisar i Batalionit. Atë ditë ai mungoi, por nuk mungoi në asnjë nga përkujtimet e atij Batalioni. As nuk do të mungojë, se ai është ende maleve duke luftuar. Edhe tani zëri i tij gjëmon nëpër male e na thotë: “Jam këtu!” Tani nuk është partizan, por Hero i Popullit, që populli e ka përjetësuar në këngë.