Enver Caka: Një humorist që na fton të qeshim edhe nga varri. Iliaz Kapxhiu i përkulej vetëm flamurit

1176
Sigal

Iljaz KAPXHIU i përthyente gjunjët vetëm përpara ligjit dhe flamurit

 

Një humorist që na fton të qeshim edhe nga varri

Enver CAKAJ

 

 

Iljaz KAPXHIU

Ai nuk është më, po humorin nuk e ka ndërprerë. Vetë nuk qeshte, qeshte së brendshmi. Atë na i dhuronte ne. Ishte human në shpirt,po të vetmen pasuri kishte humorin. Edhe e qeshura kishte një kuptim. Çuditërisht ishte nevrik, po më shumë e nevrikosnin. Drejtorët dhe kryetarët nuk i kishte qejf. Shfrytëzoi rastin,që nja pesë kryetarë kooperativash i transferuan në fermën e qytetit dhe bëri fejtonin me titull: “Tufëzimi i kryetarëve”. Kuptohej,pas fejtonit nisnin alarmet e zyrtarëve. Doli nga Komiteti i Partisë tym. Ne e prisnim pas çdo furtune që frynte atëherë. Dhe ai na thoshte: “Si gjithmonë, më mbytën me fjalë, unë u hodha një dorë miza dhe ika!” Ishte i vetmi që lëvronte humorin në Skrapar. Shkroi nja tri libra, po njëri i mbeti pa botuar. Më e keqja ishte, se pas vdekjes, ia morën autorësinë e një vëllimi me humorin e tij. Personazhet e tij i zgjidhte të gjithë kokëvegjël dhe shtrembanikë. Kishte një shok, që e kishte kokën të shtrembër dhe sa e shikonte i bënte humor me të: “Ore edhe në pushtetin popullor e mban kokën mënjanë ti?!”Ai nuk i zëmërohej kurrë. Çudia ndodhte kur kritikonte ndonjë. Në mëngjes dilte shkrimi, në darkë e shikoje në tryezën e lokalit duke pirë kafe me të. Më shumë e ngacmonin ata që tregonin aftësitë duke tundur teserat e partisë.

Iljaz Kapxhiu, në vend të teserës mbante ligjin

 

Kishte inat kur i shkelnin ligjin dhe i zinin kohën e punës. Ai kishte një humor të natyrshëm, po disa nuk e kuptonin. Pati thënë një herë: “Klubet janë hajdutët e kohës.” Kjo vajti në vesh të një partiaku batall dhe e bën alarm. E thërresin Iljazin dhe i thonë, se hajdut janë klubet kapitaliste jo klubet tona!” Iljazi u hodhi një dorë miza dhe iku. Kur e kuptuan i kërkuan ndjesë. Ai të bënte për të qeshur, po nuk ishte qesharak. Inatin që ia krijonin nuk e kishte përdorur kurrë për t’u hakmarrë. Kur ndryshoi sistemi edhe ai u bë kryetar i një partie. I kishin dhënë një zyrë në katin e fundit të ish- Komitetit Partisë. Një ditë, i lodhur nga tërë ato shkallë na thoshte: “U paskemi rënë në qafë partiakëve të parë, qysh i paskan ngjitur gjithë këto shkallë!” Fejtonet i kishte si kafja e mëngjesit. Iljazi nuk jeton më, po ne kuvendojmë çdo ditë me të. Ai të tallte kur ishe bërë i tillë dhe të lavdëronte kur e meritoje. Nuk e kishte grisur xhamadanin për t’u falur të tjerëve, as nuk u kishte grisur xhaketat të tjerëve për hallet e tij. Ai i përthyente gjunjët vetëm përpara ligjit dhe flamurit. Nuk la fshat të Skraparit pa punuar. Ishte mësues prej vërteti. Tani nuk ka më mësues, ka rrogëtarë.

Nga natyra ishte i dobët,po ca ditë sikur u bë më i plotë

 

Kjo tërhoqi vëmendjen e një mësueseje thatime dhe ajo e pyet Iljazin një ditë: “More Iljaz, çfarë diete përdor ti, që ke këtë trup kaq të mirë?” Dhe ai, si gjithmonë serioz,i përgjigjet: “Nxirr bllokun dhe shëno, se përdor një dietë shumë të gjatë. Si unë dhe gruaja kemi këtë djetë: Çorbë në mëngjes, çeçe në drekë, çaj në darkë.” E ç’dietë mbante i shkreti Iljaz, që paguante kredinë e shtëpisë deri ditën që doli në pension?! Humorin e tij nuk e kuptonin dhe në një rast desh e pësoi. Ai ishte i tëri humor, aq sa la edhe nëpër sirtarë, po më shumë i mori me vete. Ishte fare i ri kur u nda nga jeta. Edhe natyrës duhet t’i ketë ardhur keq. Sa herë shkruante kritika e thërriste sekretari i parë. Iljazi shkruaj e ai thirr e kërcëno. Po nuk ia doli dot dhe vendosi, që ngado që shkonte e merrte me vete dhe u thoshte atyre që ishin ngacmues: “Rrini mirë se u dërgoj Iljazin t’ua qëndisë.” Por Iljazi mbeti ai që ishte. Ai i respektonte të gjithë ata që e respektonin dhe kokën nuk e mbajti kurrë mënjanë as ndaj atyre që e ngacmonin. Në fshatin Grevë të Skraparit kishte një shok, me të cilin i hahej muhabeti. Sa herë kalonte andej me shërbim, ai nuk e linte pa e marrë në shtëpi. Dhe e priste siç dinë të presin skraparasit. Edhe Iljazi e kishte ftuar disa herë ,po, ca nga koha, ca nga druajtja, nuk kishte vajtur në shtëpinë e Iljazit. Por një ditë Iljazi e gjeti në qytet dhe e mori me forcë në shtëpi. Nderin që i kishte bërë do t’ia kthente sipas zakoneve të Skraparit. Me dolli e kishte pritur ai, me dolli do ta priste dhe Iljazi. Zakonisht kur janë dy veta nuk para bëhen dolli, po Iljazi nguli këmbë për të larë borxhin. Dollinë e parë e bëri për mikun,të dytën për një Nevruz,që ishte nga ana e mikut.Por miku e la gotën në tryezë dhe e sqaroi përse nuk do ta pinte dollinë për atë njeri. Dhe Iljazi vazhdoi dollinë me një Nevruz tjetër,që ishte mjek. Po miku e la sërish gotën në tryezë, se ai i kishte gjobitur gruan kur punonte në kuzhinë. Mirë, i tha Iljazi, do të pijmë për Nevruz Duron. Mirëpo miku nuk e njihte. Kur ia shpjegoi Iljazi, se ishte marangoz në arsim, miku e piu dollinë me fund!

Një vit Iljazi ishte mësues në fshatin Vlushë të Skraparit dhe i vete një mësues nga fshati Leshnje në kohën që po hante bukë. Iljazi e ftoi të hanin bashkë, po kolegu i kërkoi t’i tregonte, se ku e kishte marrë miellin e grurit, kur të tjerët merrnin miell misri. Atëherë mësuesit furnizoheshin me 12 kg. miell gruri, por ishte mbaruar dhe u jepnin miell misri. Iljazi se ku e kishte rregulluar dhe kishte marrë miell gruri. Kolegu nguli këmbë,se po të mos i tregonte, nuk do të ulej për të ngrënë bukë. Atëherë Iljazi i thotë të shkonte në Degën e Punëve të Brendshme, ku kishte një shok me emrin Miho Sholla, se ai të rregullon, po mos i trego njeriu, se na prish punë. Dhe kaqoli shkon e takon mikun dhe i thotë: “Edhe ju të degës punoni me hatëre, Iljazit i keni dhënë miell gruri e ne prej misri. Të lutem, nuk iki këtej pa marrë miell gruri, se nuk i tregoj njeriu. Mihua e dinte humorin që bënte Iljazi dhe i thotë, se kur të vinte muaji tjetër do ta rregullonte. Një vit më pas Iljazit i digjet shkolla, jo për faj të tij, por ia lanë atij. Gjetën shkakun për t’u hakmarrë dhe e paditin në Degën e Brendshme. E thirri Mihoja dhe i tha: “I dashur Iljaz, këtu jepet mielli i grurit!” Iu deshën disa muaj të shkonte gjyq më gjyq, se shkalla e parë e dënoi me burg. Kur vajti në shkallën e fundit të gjyqit, qethi kokën, u vesh me ca rroba si lecka dhe u paraqit. Kur e panë në atë gjendje, i dhanë pafajësinë. Kur u kthye nga gjykata na thoshte: “Fitova, o fitova, po të gjithë pekmezin ma hëngri avokati!”

Iljazi bënte humor kudo që vinte

 

Me njerëz të thjeshtë e me kuadro të lartë. Një ditë bëheshin dekorime të disa mesuesve dhe Iljazi po vinte në mbledhje. Në rrugë takon shefin e kuadrit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit, i cili e pyeti Iljazin, se ku vinte. Dhe ai s’ia përtoi: “Ja bëhen ca dekorime, mbase më japin dhe mua.” Kaqoli, si tip servili që ishte, i thotë Iljazit: “Shumë mirë që të dekorojnë dhe ty.” Mirëpo për Iljazin ishin bërë disa propozime për ta dekoruar dhe asnjëherë nuk e pranonin se ia kthente ai. Dhe ai shfrytëzoi rastin dhe i tha: “Jo,jo, nuk dekorohem unë, se nuk e lë ti të kalojë Përruan e Pilipizgës kërkesa. Mua më kanë thirrur për të duartrokitur!” Iljazi shkruante në të gjitha gazetat e revistat që dilnin atëherë. Në revistën “Nëntori” kishte dërguar një tregim, po as po botohej, as përgjigje nuk po merrte. Një ditë ikëm bashkë në Tiranë dhe, detyrimisht do të vinim në të gjitha redaksitë, me të cilat bashkëpunonim. Kur vajtëm takuam një redaktor të revistës “Nëntori” ai po i thoshte Iljazit ca vërejtje që nuk kishin lidhje për tregimin e tij. Atëherë Iljazi kërkoi ta merrte tregimin. Redaktori kërkoi e kërkoi dhe më në fund e gjeti zarfin e Iljazit, që ishte i pahapur! Ishte i vetmi rast që Iljazi nuk i tha asnjë fjalë redaktorit. Iljazi ishte angazhuar në të gjitha veprimtaritë shoqërore e shtetërore. Por në punën si mësues ai nuk linte asnjë shteg. Ishte futbollist në skuadrën e rrethit, po më shumë kishte qejf gjahun. Ishte zgjedhur sekretar i këshillit të lagjes së tij. Por një ditë Iljazit i vete një letër nga drejtoresha e hotel “Tirana” nga Tirana dhe e akuzon se kishte vjedhur perdet e hotelit kur kishte fjetur një natë! Iljazi ishte fukara në kulm, po nuk vinte kurrë dorë në mallin e tjetrit. Iljazi qeshi me vete dhe i dërgon një letër drejtoreshës dhe i thotë t’i kërkonte falje, ndryshe do ta padiste në gjyq. Në fund vuri emrin e tij dhe detyrën e sekretarit të këshillit. Pasi kishte bërë verifikimin dhe e kishin gjetur, se bashkëbujtësi i tij i kishte vjedhur perdet, i dergon një letër faljeje Iljazit dhe e ftonte ,që kur të vinte në Tiranë të pinin një kafe. Kur ikte një ditë me ekipin e futbollit të luanin në Peshkopi, u del një polic vë rrugë dhe u kërkon pasaportat. Iljazi kishte në pasaportë një fotografi derri, që ia kishte dërguar një shok për vitin e Ri. Kur e hapi polici, e pyeti: “Mirë që ky këtu je ti, po ky, kush është?” Iljazi i kishte batutat të shpejta dhe i thotë: “Unë jam dhe aty,po kam dalë kur isha i vogël!”

Iljaz Kapxhiu nuk jeton më, po ne e kemi të pranishëm çdo ditë, se edhe atje nën tokë, ai na mban me atë humor të këndshëm që na ka lënë. Edhe pse ishte i varfër nuk linte libër të ri pa blerë. Në të gjitha vinte këtë shënim: “Memlit, me dashuri! Baba të mirë të bën djali!” Dhe i biri,Memli, ia kthente: “I dashur babi! Djalë të mirë të bën babai!” Dhe një ditë Iljazi e hoqi mënjanë djalin dhe i tha: “A qen, qen! Unë e di që kur të vdes unë ti do të mbetesh më fukara se unë dhe gjënë e parë që do të bësh, të presësh këto pemët që të ngrohesh, pastaj do të djegësh këto librat!” Por Memli, djali i vetëm i Iljazit, është bërë usta i mirë dhe asaj shtëpie që i la i ati, po i shton dhe një dhomë. Edhe pemët edhe librat i ka atje e i ruan me fanatizëm. Iljazit i kanë bërë shumë vlerësime, mes tyre edhe:

Dritëro Agolli: …Sa për humorin dhe zgjuarsinë e Iljaz Kapxhiut, rrallë gjen një të dytë. Hazërxhuvap e barut-thatë, punëtor i letrave dhe, siç ishte një gjuetar i mirë i pyllit, ashtu ishte edhe gjuetar i shkëlqyer i fjalëve të qëlluara.

Xhevahir Spahiu: Veç mallit për vendlindjen, për Tomorin,në Skrapar më sillte dhe Iljazi, një nga miqtë e mi të mirë e të vjetër.

Ferit Lamaj: Iljaz Kapxhiu, la emër jo vetëm në prozën humoristike, por edhe në thëniet përvëluese popullore.

Këto janë botimet e Iljaz Kapxhiut