Eksodi i Shqiptarëve drejt botës së lirë. 8 gusht 1991,, 20 mijë shqiptarë me anijen “Vlora” nisen drejt Italisë

90

Viti i sakrificave  të pabesueshme, “Kur Italia ishte “Amerika” për shqiptarët”!

8 gusht 1991, 20 mijë shqiptarë me anijen “Vlora” nisen drejt Italisë

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

Pas dy eksodeve historike, atyre të ambasadave të korrikut `90 dhe  anijeve të marsit `91, do vinte i treti, 8 gusht 1991. Gdhiu ajo ditë me zakonshmërinë e të tjerave të asaj vape gushti, ku aty nga ora 9.00 rendi i gjërave u prish dhe e zakonshmja  u kthye në të pazakontë…Pas 5 muajsh kthim në normalitet, portat e portit të Durrësit do hapeshin sërish, ku me mijëra shqiptarë do dyndeshin drejt anijes ‘Vlora’, duke hipur aty me të gjithë format, ku me e dukshmja ishte ajo me litar. Sipas një portali atë ditë shqiptarët spikatën në talentin për alpinizëm si një stërmundim heroik për t`ja mbathur me çdo çmim matanë detit. Mediet botërore, do kishin shansin tjetër që të garonin për të realizuar fotot më spektakolare me ikanakë të marrosur drejt perëndimit. Dëshira për një jetë më të mirë e mposhti frikën e rrezikut. Fëmijë, gra, të rinj e burra mbledhur strumbull në një mjet lundrimi që me kapërcimin e detit prisnin të kapërcenin jetën e vështirë. Komunizmi sapo kishte kapitulluar dhe etja për liri, demokraci e mundësi më të mira ishte e madhe

Nisja

Dhe pasi ishte mbushur dingas, anija ‘Vlora’ ndezi motorët aty nga ora 19.00 e mbrëmjes 8 gusht 1991, për të vijuar një udhëtim të pazakontë sa ekzistonte, drejt brigjeve italiane. Në bordin e saj mbante plot 20 mijë shqiptarë që  kapicë mbi njëri-tjetrin dhe me zorrët që u gërryenin nga uria, po shijonin ëndrrën e rendjes drejt perëndimit. Ishte një udhëtim që zgjati gjatë gjithë natës, për të përfunduar të nesërmen paradite në brigjet e Barit.

Një pritje ndryshe jo si e marsit

Por nuk ishte e thënë që ata 20 mijë shqiptarë të priteshin si bashkëatdhetarët e tyre të marsit: t`u jepej ushqim e veshje aty për aty, si për t`u ndjerë të mirseardhur. Politika dhe shoqëria italiane u nda në dysh në qëndrimet e saj rreth asaj mase që po zbarkonte në brigjet e Barit, nëse duhej të mirëpritej apo duhej kthyer mbrapsht. Dhe çfarë ndodhi më pas, rezultoi të ishte një metodë që i detyroi të 20 mijë shqiptarët (më pak përjashtime), që të ktheheshin pas, shumica me rrugë ajrore. Nga porti i Barit, ajo mizëri njerëzore do transferohej në stadiumin e vjetër të qytetit, ku do merrte përmasat e një tragjedie, nga fakti se aty do shpërthenin dhe betejat me bandave të krijuara nga elementë kriminalë që kishin udhëtuar dhe ata si refugjatë, e po ashtu nga fakti i betejave për krodhën e bukës, që nisi t`u hidhej turmave me helikopterë nga sipër si të ishin lukuni qensh.

Rikthimi

Dhe pas dy ditësh në këtë gjendje, ku shqiptarët gati po hanin njëri-tjetrin brenda stadiumit, autoritetet hapën portat duke e shfryrë masën njerëzore që doli dhe u vendos në sheshin e madh para stadiumit. Edhe disa ditë aty, derisa nisi të shfaqej dëshira për t`u kthyer mbrapsht. Në këto kushte, autoritetet italiane aktivizuan avionë civilë dhe ushtarakë, të cilët nga aeroportet më të afërta niseshin me shqiptarë ëndërrvrarë e të dëshpëruar drejt Shqipëri së urryer, të bërë të dashur sakaq. Ishte kjo ndër ikjet më të mëdha të asaj periudhe, me të veçantën pra, se u shoqërua nga kthimi pas.

Ngjarja

Ishte 8 gushti i vitit 1991, fiks 28 vjet më parë, kur anija “Vlora” zbarkoi në Portin e Barit në Italisë. Në bord ndodheshin rreth 20 mijë emigrantë shqiptarë, të cilët kërkonin një jetë më të mirë në vendin fqinj. Ngjarjen e kujtojnë çdo vit edhe vetë mediet italiane si e përditshmja “Corriere della Sera” e cila para tre vjetësh këtë eksod e ka titulluar:  “Kur Italia ishte “Amerika” për shqiptarët”. Gazeta në fjalë nënvizoi se, ky rast ishte i pari që shënoi fenomenin e fluksit të emigrantëve drejt brigjeve italiane, fenomen që sot është mëse i zakonshëm, ndonëse jo më me protagonistë refugjatët shqiptarë.

Kush ishte Anija “Vlora” dhe autoritetet lokale

Anija “Vlora”, e fabrikuar në vitin 1961 në kantierin e Xhenovës, ishte nisur më 6 gusht nga porti i Durrësit dhe fillimisht u përpoq të zbarkonte në Brindizi. Por nënprefekti i këtij lokaliteti, Bruno Pezzuto nuk e lejoi hyrjen dhe e bindi komandantin Halim Milaqi që të drejtohej për në Bari, duke zgjatur udhëtimin e mjetit, në momentet kur tensioni në bord kishte arritur kulmin. Italia atëherë shpresonte të organizonte kthimin mbrapsht të anijes, ose të paktën të mundësonte një pritje të përkohshme të refugjatëve, por në Bari nuk ishin as prefekti e as kuestori, të cilët ishin me leje. Autoritetet e tjera, përfshirë kryetarin e bashkisë, u njoftuan kur anija kishte hyrë në port. Përmasat e këtij zbarkimi i kapën të papërgatitura edhe autoritetet qendrore të Italisë, por vakumit institucional iu përgjigjën banorët e rajonit të Pulias që u dhanë refugjatëve ushqime dhe ujë.

Anija e shpresës

Vjet kur kishin kaluar  27 vjet që kur shqiptarët zbritën në brigjet e Barit, në portin e Barit zbarkon një tjetër anije: “Anija e shpresës”. Bëhet fjalë për një skulpturë, si simbol i popullit shqiptar për pritjen që u bëri qyteti i Barit. Në këtë ditë u dorëzua një vepër arti e realizuar në metal nga artistja shqiptare Ledi Shabani, për të kujtuar zbarkimin anijes “Vlora” në 8 gusht të vitit 1991. Hyrja e ceremonisë me këndimin e dy himneve të flamurit, në fillim atë shqiptar e më pas himnin italian, reflektoi më së miri qëllimin e Ledi Shabanit, që kjo vepër arti të jetë një “urë” simbolike për dy popujt, atë italian dhe atë shqiptar. Artistja shqiptare u shpreh e emocionuar për këtë dhuratë që u bëri të gjithë qytetarëve të Barit, që pritën bashkatdhetarët e saj në një periudhë plot vështirësi për ta. Ndërkaq, autoritetet vendase e vlerësuan veprën, e cila mbart një mori kuptimesh. Kjo vepër, u vendos dhe ndodhet tashmë  në hyrje të Portit të Barit,

Pas 28-vjetësh

Problemi i emigracionit mbetet ende aktual dhe ende i pazgjidhur dhe kujtimi i “Vlorës” me 20 mijë shpirtra në bord është kthyer në simbol për Italinë dhe gjithë Europën. Fluksi i emigrantëve vazhdon, pavarësisht se nuk bëhet fjalë për një krizë të përmasave si ato të vitit 1991. Por, tensionet në lidhje me emigrantët, që tani po ndalohen të hyjnë në portet italiane, e kanë vendosur çështjen sërish nën projektorë.  Kur vjen puna te migrimi dhe refugjatët, disa nga qeveritë e BE-së duket se kanë tjetër qasje dhe flasin me tjetër ton, pasi dihet se BE është synimi I emigrantëve…