E kemi fjalën për shoferët e Skraparit

789
Sigal

Enver CAKAJ

I kemi parë nëpër rrugët e Atdheut dhe nuk kemi menduar sa e vështirë ishte të kryeje detyrën e shoferit. Jepej një urdhër për të shkuar diku të ngarkuar me mallra, që kishin vlera dhe urdhri nuk bëhej dy, kishte apo s’kishte rrugë makine. Dhe të mos harrojmë, ato mallra do të vinin në destinacion me një faturë të thjeshtë, pa noteri. Megjithatë, kur bëhej fjalë për shoferët, ndonjë që nuk e vlerësonte punën e tyre, thoshte: “Shofer hesapi”. Po këta “shoferë hesapi” kishin një dashuri e marrëdhënie me njeri-tjetrin që nuk e kishte as vëllai me vëllanë. Sa herë këmbeheshin nëpër rrugët e ngushta e tërë gropa, përshëndeteshin e pyesnin njëri-tjetrin mos kishin ndonjë defekt. Kur shikonin që dikush kishte mbetur në rrugë, ndalonin dhe e bënin bashkë defektin. I linte benzina në mes të rrugës, po mjafton të kalonte një shok i tyre andej dhe gjithçka normalizohej. Nuk mbahet mend të kishte konflikt mes tyre. Po as një kundërshti për të shkuar rrugë pa rrugë. Sa ktheheshin nga ato rrugë,nuk vinin në shtëpi, por uleshin nën makinë e kontrollonin gatishmërinë për ta pasur gati ditën tjetër. Dhe,çuditërisht,nëse në ato dy vendet e para që kishin merrnin njerëz pa biletë, ndëshkoheshin. Ata kishin nevojë të kishin një njeri pranë,që ta ndihmonin kur t’u ndodhte ndonjë defekt.

A keni dëgjuar ju për Qafën e Gjarprit? Ushtria mbolli patate në atë lartësi, ku edhe zogjtë mezi shkojnë. Patatet u bënë jashtë mase dhe duheshin transportuar në destinacionet e duhura. Po rrugë a kishte? Kishte s’kishte patatet do të zbrisnin poshtë. Dhe “zisat” e parkut të Beratit do të ngjiteshin si të ishin zogj fluturakë. Disa herë pësonin defekte, po patatet nuk mbetën kurrë në rrugë. Duke ndihmuar njëri-tjetrin i gjithë prodhimi shkoi te konsumatorët. Pata rast të udhëtoja një herë me ta. Kur ritëm tek kthesa e tmerrshme në Lajthinë e Gjerbësit, ato mbetën. U lidhën me kavo me njëra jetën dhe e kaluan kthesën. Një nga shoferët, i nevrikosur nga ajo skenë, na tha: “Po ta dinte Stalini se ne i futnim makinat në këto rrugë, nuk do t’i kishte dërguar në Shqipëri.”Por Skrapari nxori shoferët e tij, nga të cilët u zgjodhën më besnikët dhe çanë rrugët e botës për të shpënë mallrat shqiptare. Djali i Vërzhezhës, Nefail Kapllani, që dinte të ruante vetëm dhitë, mori drejtimin e makinës për të dalë jashtë shtetit me mallra shqiptare. Safet Braho, djali i një marangozi, që kishte vajtur deri te Përroi i Pilipizgës, brenda qytetit të Çorovodës, çau nëpër rrugët e pashkelura të botës. Bashkim Mançe, një vlushalli, që kishte vajtur deri te Përroi i Dolanit, e pa veten në të gjitha shtetet e Evropës me makinën e ngarkuar me mallra. Bilbil Ajasllari, një tomorricar nga Greva, që kishte vajtur deri në Dumravë, ku punonte arat, i kaloi kufijtë e Atdheut me makinën e ngarkuar plot me mallra. Rexhep Naço, djali i Qani Naços, që me kafshët e tij përballonte të gjithë transportin e lëndëve të ndërtimit të objekteve, drejtoi maunen me mallra për t’i shpënë jashtë shtetit. Maksim Kuçi, që kishte vajtur deri në Varisht, për t’u larë, u aftësua si shofer i zoti dhe drejtoi automjete të rënda nëpër rrugët e botës. A mund t’u thoshe këtyre “shoferë hesapi?” Kush e shpuri lëndën e ndërtimit që u ngritën terë ato pallate, uzina e fabrika? Shoferët e parë të Skraparit, si Neim Hoxha, Avdyl Dulellari, Selim Ago, Kastriot Hoxha, Behar Gorçe, Tahir Myftari, Meke Gjoka, Lyto Gjoka, Mersin Naço, Hyda Kalluçi, Myslim Balliu, Xhelal Kaci, Tosun Nako, Sami Hasanago, Mete Bregu, nuk i njohën kurrë rrugët e asfaltuara, po punës nuk iu shmangën kurrë. Ata ishin shoferë dhe mekanikë,që e eliminonin defektin në mes të rrugës. Tani Skrapari është mbushur plot, por jo me shoferë, po me makina-ngarës, se po i la makina në rrugë, nuk e bëjnë dot defektin pa thirrur mekanikun.

Në Skrapar në vitin 1948 erdhi makina e parë. Ishte shoferi beratas Çome Sqepuri, që solli “Zisin”e parë e më pas u përdor si makinë udhëtarësh. Deri atëherë transportin e rrethit e përfaqësonte një karrocë dhe kafshët e samarit. Merreni me mend se si mund të shkonte malli tek konsumatori me to. Hapja e rrugës Berat-Skrapar solli ndryshime në zhvillimin ekonomik të rrethit. Hap pas hapi të gjitha fshatrat u lidhën me rrugë automobilistike. Por fatkeqësisht, ato nuk funksionojnë më. Vetë i prishën e vetë ankohen se s’kanë rrugë. Djemtë e Skraparit i lanë dhitë dhe shkuan nëpër kurse dhe morën drejtimin e automjeteve të fshatrave dhe ndërmarrjeve. Nëse në vitet e para u vu një “Zis” që quhej postë, i cili shërbente për transportin e udhëtarëve deri në Berat,tani janë katër linja me autobusë, që transportojnë udhëtarët deri në Tiranë. Plus nga Tirana vijnë dy autobusë të tjerë. Nga Vlora, Fieri, Berati vijnë të tjera automjete,që sjellin e marrin udhëtarë. Transporti është zgjidhur plotësisht, sepse Skrapari është mbushur plot me makina personale. Mirëpo këtu ka një defekt. Janë të rrallë ata shoferë që përshëndetin njëri-tjetrin. Madje ka filluar një konflikt mes tyre për pasagjerët që i marrin njëri-tjetrit. Futja e makinave private ka sjellë rënien e udhëtarëve nëpër autobusë.

Shoferët e viteve të para ishin heronj, por nuk kemi parë të vlerësohet puna e tyre nga strukturat e shtetit. Nuk ishte e lehtë që të gdhiheshe në makinë në mes të dëborës, po as të shkoje në ato rrugë të vështira me ngarkesë të rëndë. Atëherë nuk kishte celularë që të njoftoje dikë. Do të rrije atje të ruaje mallin derisa të rregullohej defekti. Shikojmë që bëjnë disa njerëz pa vlera qytetarë nderi. Po këta shoferë që punonin mes vështirësive të jashtëzakonshme,çfarë duhet të jenë? Ata nuk duhet të humbasin mes turmave të makina ngarësve, që kanë mbushur Shqipërinë. Ata lipset të veçohen,se i ka veçuar puna që kanë përballuar nëpër rrugë pa rrugë. Për punën e tyre flet çdo objekt që është ndërtuar në Shqipëri. A e dini sa njerëz kanë shpëtuar nga vdekja këta shoferë, ishin apo s’ishin shoferë të spitalit. Ktheheshin në mes të rrugës kur shikonin që një njeri e mbanin në barrelë disa hallexhinj dhe e shpinin në spitalin më të afërt. Po për jetën dhe punën e tyre kush do të merret?