Duro Mustafai: Një histori për emrin dhe kohën kur linda

1326
Sigal

INTERVISTË ME AVDURRAHMAN BASHËN

Një histori për  emrin dhe kohën kur  linda

 

Nga Duro Mustafai

 

Atë ditë para meje u paraqit një  burrë i shkurtër, që edhe ai thoshte se ish gazetar, e kërkonte të më merrte një…intervistë .Intervistë,gazetari për gazetarin?….I thash : pyesni, por me pyetje të shkurtëra që edhe unë të përgjigjem shkurt.  Se njerëzit nuk kanë kohë as të plaken..Dhe gazetari nisi pyetjet :

– Më falni, po ju,… si ju quajnë?. Se dikush më tha që keni dy emra.

– Është e vërtet, po në fillim, ju më thërrisni me emrin Avdurrahman Bashaj…

-Më kanë thënë që jeni gazetar,por Avdurrahman?… Këtë emër nuk e kam dëgjuar …

– Keni të drejtë… Ky  është emri im zyrtar fshehur në dokumentat zyrtare, është  emri im i parë, sipas  ‘‘Kartës së kokës‘‘ së vitit kur kam lindur..

– Pse, keni edhe emër të dytë?

– Natyrisht, kështu ka ndodhur me mua të jem me dy emra, madje edhe me dy mbiemra.

– A mund të na thoni, pse ka ndodhur kjo? Apo njërin e keni përdorur si pseudonim?

– Jo, jo, nuk është çështje pseudonimi… Po ju pse çuditeni?Te ne, në Vranisht, ka njerëz edhe me tre emra, e tre-katër mbiemra…

– Ne deshëm të dinim për ju…

– Mirë, atëherë po ju tregoj: Emrin Avdurrahman ma vuri një hoxhë, mik i babait, kurse mbiemri Bashaj më mbeti si trashëgim i fisit. Ke dëgjuar për “Shqopet e Bashojve”? Ja, aty janë rrënjët e të parëve të mi.

– Po, çdo të thotë Avdurrahman, se më duket si emër i huaj…

– Që ishte një emër i huaj, këtë e dija edhe unë, por nuk dija etimologjinë e fjalës. Këtë e mësova shumë vonë.Në vitin 1978, isha në Egjipt, me një delegacion gazetarësh.

Kur u prezantova, njëri nga kolegët e mi egjiptian, thirri me të madhe: “Allah… Allah, ti qenke si ne, muslim…” Dhe nisi të më shpjegonte se emrin e kisha nga arabishtja dhe se Avdurrahman përkthehej në “rob i Allahut”… (Se sa rob i  Perëndisë, isha unë, “njeriu i pa fe” i asaj kohe, këtë gazetari egjiptian, s’do ta merrte vesh kurrë). Sidoqoftë, në shenjë nderimi për “besimin tonë të përbashkët, “mysliman”, i shtrënguam dorën miqësisht njëri-tjetrit…

– Pastaj, si t’u zhduk ky emër, që ju thatë se ishte emri i parë zyrtar…?

– Nuk m’u zhduk kollaj, se emri që të kanë vënë të parët, të ngjitet pas për tërë jetën. Pastaj, për 31 vite, edhe në regjistrin e gjendjes civile, edhe në pasaportë figuroja me emrin që ju thash: Avdurrahman…

– Dhe, kur e ndërruat?

– Edhe kjo ka një histori… Babai dhe nëna ime e kishin të vështirë të shqiptonin një emër të gjatë me pesë rrokje dhe shkurtuan emrin, që ishte i thjeshtë e vetëm me dy rrokje.  Kjo ndodhi që në vitet e para të jetës, kur të gjithë në familje e në mëhallë do më thërrisnin me emrin shkurtuar. Dhe në vitin e parë të shkollës fillore do më regjistronin emrin që kam sot, Duro…

– Mirë, mirë, po ju diçka tjetër nuk na thatë, nuk na thatë pse ndërruat edhe mbiemrin…

– Ka një zakon të njohur në Labëri… Fëmijëve shpesh u vënë si mbiemër, emrat e baballarëve, ose të gjyshërve. Ndoshta për t’i nderuar e kujtuar paraardhëist e tyre a ndoshta për të thënë se edhe ata jetojnë…

– Kjo është me të vërtetë një gjë e bukur. Dhe juve ju vunë si mbiemër, emrin e babait?

– Jo, babai më vuri si mbiemër emrin e babait të tij, Mustafa, por mund ta vinte edhe Muço, se edhe gjyshi im, ndjesë pastë, kishte dy emra.

– Po tani juve, me ç’emër e mbiemër t’u flasim?

– Me emrin dhe mbiemrin që më njihni.

Ish-kryeredaktori im i gazetës, Todi Lubonja, një njeri i dashur që i pëlqente humori, më thirri një ditë në zyrë e me seriozitet, më tha: “Ti po ngatërron dynjanë, mor djalë, emër tjetër ke në pasaportë e me emër tjetër shkruan në gazetë, shko ndërro emrin!” Dhe me një lutje në dorë më drejtoi në gjendjen civile dhe në gjykatë.

Kur do ta njoftoja kryeredaktorin tim të mirë, se gjykata ma fshiu   emrin,  Avdurrahman Bashaj, ai më hodhi dorën në qafë e më tha: “E mo, se edhe unë në pasaportë nuk e kam emrin Todi por Theofan.

– Histori interesante, tani të kalojnë në pyetje të tjera: ku keni lindur?

– Në qytetin e Vlorës, ose më mirë të them, në Mëhallën e Re, që sot quhet “Lagjia Partizani”.

– Po ç’lidhje keni me Vranishtin?

– Vranishti është vendlindja e babait tim, por është edhe pjesë natyrore e Vlorës. Kështu që s’mund të ndahem nga të dyja…

– Po nëna juaj, ku ka lindur?

– Në Kaninë.

– Dhe si u njohën prindërit tuaj me njëri-tjetrin, me shkesi u bashkuan?

– Natyrisht… Ashtu ishte koha… Por thonë që Kalaja e Horës, ashtu si kalaja e Kaninës, gjatë historisë kanë parë në drejtim të njëra-tjetrës. Me sa duket edhe kjo i ka bashkuar prindërit e mi…Po i ka bashkuar edhe besimi te njëri tjetri. Me sa duket ata zbatuan një traditë të vjetër turke që  rekomandon çiftet: ‘’më parë martohu, pastaj dashurohu’’ Ata u martuan me njëri tjetrin pa e njohur njëri tjetrin e  pa dashuri, po gjithë jetën jetuan të dashuruar.

Ç’gjë të veçantë keni dalluar te prindërit tuaj?

– Të veçantë jo, por admiroja dashurinë që kishin për njëri-tjetrin dhe për të gjithë ata, që do të hynin e do të dilnin nga dera e shtëpisë së tyre. Ata kishin shumë miq vlonjatë, por sidomos nga Vranishti.

– Vetëm kaq?

– Do të shtoja se ishin njerëz të punës, edhe mua, që 6 vjeç më çuan të punoja tek usta Rashua, për t’u bërë këpucar. Pastaj ishin edhe të humorit, sidomos nënës nuk i shteronte humori kurrë… Të dy gajaseshin kur ndonjë prej miqve të tyre bënte shaka. Më kujtohet që kur një nga moshatarët u tha një ditë se “Se vetëm Mehmet Bashua nga Vranishti dhe Skënderbeu nga Kruja i kishin gratë nga Kanina”, ata qeshnin me të madhe.

– Dhe ju, krenoheni për këtë?

– Këtu s’ka asgjë për t’u krenuar, se si nëna ashtu edhe babai nuk e dinin cila ishte Donika Kastrioti dhe për Skënderbeun, kishin dëgjuar pak gjëra. Ata nuk e dinin që Skënderbeu u martua në kalanë e kaninës kur ishte 46 vjeç dhe bashkëshortja e tij Donika ishte 23 vjeçare. Por e dinin që edhe nëna ime 16 vjeçare u martua me babanë kur ai ishte sa dyfishi, 32 vjeç.Të dy lindën dhe u ndanë nga jeta duke qenë analfabetë, dhe unë prej tyre nuk trashëgova asnjë libër. Po kam mësuar nga libri i jetës së tyre, që ishte aq i pasur me dashuri, dhimbje, brenga e gëzime.Babai, që ishte një vranishtjot tipik në veshje, në të folurit dhe në mënyrën e jetesës, e deshte shumë vendlindjen. Edhe pse qe një njeri i qetë, i heshtu e fjalëkursyer, kur dikur, për ta ngacmuar, do t’i nënçmonte Vranishtin, atëherë do t’i dalloje ashpërsinë e karakterit lab. Dhe bashkëbiseduesit do t’i shfrynte me fjalët:… “Ik more melun, ku e njeh Vranishtin tinë…. Ec e merri të keqen”… kurse nënë Fezirja, dallohej për kujtesën e saj. Në vjersha, sidomos për Luftën e Vlorës:

Po hapsanat, ku i hapi?

Kapedan Sali Murati…

Osmen Haxhiu, si njëzet vjeç djalë,

Qëndronte hipur në kalë,

Fliste me xheneralë…

Ishin vargje që unë i dëgjoja për herë të parë, në fëmijërinë time dhe i kujtoj edhe sot. Veç më vjen keq, që vjershat e shumta të saj, nuk munda, t’i hidhja të shkruara në ndonjë fletore…

– Po, juve, si u bëtë gazetar?

– Gazetar më bëri mençuria e prindërve të mi, që edhe pse ishin të varfër e pa shkollë, shkollën që s’e kishin vetë e deshnin për fëmijët e tyre. Pastaj edhe dëshira e pasioni im, kanë ndikuar.

Pa dale, se harrova kryesore… unë, si shokët e mi, nuk do të kishim arritur asgjë në jetë, nëse pas Çlirimit nuk do na ishin krijuar kushtet e nevojshme dhe ajo rruga e çelur, që djemtë e të varfërve duhej të vazhdonin Universitetet. Ky detyrim më përfshiu dhe mua.

– Ju keni jetuar larg Vranishtit. Mirëpo gjatë këtyre  viteve të fundit keni shkruar aq shumë për të, sa nuk keni shkruar për Vranishtin as gjatë 50 viteve të marra së bashku, si gazetar. Dhe, veç librit të parë :’’Vranishti në sytë e mi’’ dhe librit të fundit:’’Vranishti në shtëpitë tona’’-Histori në fotografi: tani  po përgatisni të botoni për të edhe disa libra të tjerë  E me këto, duke mos përjashtuar Vlorën, e cila zë vëndin kryesor në krijimet tuaja, e me Vranishtin ju bëhen 24 libra të botuar…

-Si do t’i përgjigjeshit pyetjes “Përse”?-Se ju keni jetuar larg Vranishtit ??

– Larg Vranishtit? Po, por jo edhe larg njerëzve të tij. Unë jam rritur që në fëmijëri mes vranishtjotëve në Vlorë, Vasfi Duka, Velo Gjikondi, Dajkua i Imer Alikos, Azbiu i Alem Seferit, e të tjerë kanë qenë shokët e parë të mi. pastaj, veja e vija nga Vranishti, takohesha në Tiranë me Maman Salinë,Imer Alikon, Jonuz Mersinin,Mitat Dukën, Mikado Shakohoxhën etj. Vitet e fundit, edhe nëpërmjet gazetës “Hora”, ata që dikur i kisha të njohur, tani më duken si vëllezër: “Kam shumë vëllezër vranishtjotë, ndoshta më shumë se ç’kam menduar. Megjithatë, një njeri i shquar ka thenë: “E ndjejmë mallin dhe dashurinë e familjes, kur e kemi larg. “Kur na mungon”.Sado që njeriu shikon edhe me sytë e mendjes dhe të zemrës.

– Ç’gjë vlerësoni më shumë te Vranishti?

– Monumentet e tij, janë të rralla edhe për vende me popullsi të madhe. E ku ka si “Guri me Qiell”, si Kalaja e Horës dhe qyteza e Horës, që i kanë themelet në prehistori. Pastaj Xhamia dhe Ura e Xhame, simbole të gjakut të falur, ndërtuar me një arkitekturë të veçantë. Është edhe Honi, një gjë e rrallë… Ka edhe të tjera…

– Dhe pse i vlerësoni?

– Sepse me to flet historia për origjinën tonë shumëshekullore dhe për qytetërimin e lashtë të vranishtjotëve.

 – Po te vranishtjotët, çfarë vlerësoni më shumë?

– Nderimin për të rënët në Luftë. Ata dijnë të çmojnë gjakun e derdhur për liri, e kjo i bën të ndihen zot të vetvetes dhe të vatanit.Dy bustet e Heronjve të Popullit, Sali Muratit e Hysen Çinos, dhjetëra lapidarë e pllaka përkujtimore, edhe për gati 100 dëshmorët e viktimat e Luftës Antifashiste,dëshmojnë pikërisht këtë.Po ata që kanë dhenë jetën, janë futur edhe në këngë e në libra.Këtu është jeta e tyre e aty kanë mbetur të gjallë.Shpirti i vranishtjotëve kërkon të jetë i lirë – kjo është një veçori e vyer.

– Po juve çfarë nderoni më shumë?

– Ato që nderojnë të gjithë vranishtjotët dhe që sapo i përmenda. Mund të shtoj edhe diçka, nderoj edhe varret e të parëve të mi, sa do që ishin njerëz të thjeshtë, po ishin “madhështor në thjeshtësinë e tyre”. Perifrazova kështu pa dashur vargun e një poetit tonë të njohur.Po e ka thënë shumë bukur.

– Ju përmendët “varret e të parëve”, a mund të përmendni edhe ndonjë pikë tjetër referimi si dëshmi respekti e mirënjohje për të parët?

– Natyrisht që po. Mund të përmendja edhe rrënjët, si bimët, si njerëzit kanë rrënjët e tyre, aty mbahen.Nëse varret simbolizojnë njerëzit, jetën, punën dhe luftën e tyre me amanetet, kur ishin gjallë, rrënjët e bimës janë shpirti ripërtëritës, që nuk vdes. Populli i mençur, kur do të poshtërojë ndonjë plangprishës i thotë: “rrënjëdalë…” Dhe ky është mallkimi më i madh që mund t’i bëhet njeriut.

– Tani më lejoni t’ju bëj pyetjen e fundit: Ju, si e ndjeni veten, plotësisht vranishtjot?

– Jo, jo, jam larg të qenurit të një vranishtjoti të vërtetë… Ç’është e drejta, unë pak ujë kam pirë nga Honi dhe pak ajër kam thithur nga mali i Çikës… Megjithatë, më kujtohen fjalët e nënës time. Ajo, ndoshta pse ish rritur jetime në Vlorë, e Kanina i qëndronte gjithnjë larg, por ndoshta dhe pse shtëpia jonë mbushesh shpesh me vranishtjotë, thoshte: “edhe unë jam nga Vranishti” Ndërsa unë shpesh i them vetës ‘’Vranishtioti nga Vlora’’, ndonëse  Vranishtin, nuk e gjeta diku se më ishte fshehur,Vranishtin gjithënjë e kam pasur me vete……

 

Somario 1

Kështu ka ndodhur me mua të jem me dy emra, madje edhe me dy mbiemra. Po ju pse çuditeni? Te ne, në Vranisht, ka njerëz edhe me tre emra, e tre-katër mbiemra…

 

Somario 2

Gazetar më bëri mençuria e prindërve të mi, që edhe pse ishin të varfër e pa shkollë, shkollën që s’e kishin vetë e deshnin për fëmijët e tyre. Pastaj edhe dëshira e pasioni im, kanë ndikuar.

 

Somario 3

Nderimin për të rënët në Luftë. Ata dijnë të çmojnë gjakun e derdhur për liri, e kjo i bën të ndihen zot të vetvetes dhe të vatanit.Dy bustet e Heronjve të Popullit, Sali Muratit e Hysen Çinos, dëshmojnë pikërisht këtë.