Dr. Orhan Sakiqi: Në qytetin tim po ndihem si i huaj

1487
Sigal

Po humbet kujtesa e Tiranës, po zhduken banesa të vjetra rrugica me kalldrëm

NË QYTETIN TIM PO NDIHEM SI I HUAJ

Dr. Orhan Sakiqi- Ish Kryetar i Këshillit Bashkiak

Po humbet kujtesa e Tiranës. Po zhduken banesa të vjetra rrugica me kalldrëm. Mund të thuash dhjetëra raste të tilla por po ndalem të kompleksi i mrekullueshëm i Universitetit. Kur kaloj andej më kujtohet usta Azisi.

 Azisi nuk ishte usta,  ai ishte mjeshtër.

Ka një dallim midis tyre. Mjeshtri e kthen profesionin e tij në art. I tillë ishte Azisi. Kur shkova me punë në ndërmarrje më ra menjëherë në sy. Shtat mesatar , me flokë të dendur që i ndante me vijë anash si moda e viteve 30, sy të zgjuar dhe mustaqe të holla alla Clarc Greber. Edhe veglat e punës i mbante jo sitë tjerët. I merrte me vete në shtëpi nuk i linte në vendin e punës. Mistria , sqepari daltat gdhendëse ishin në çantë të zezë lëkure,si përkëdheli, kur shokët i mbanin në trasta shajaku. Pra dallonte nga të tjerët. Kishte një lloj delikatese në të folur,në veprime  në shikim në gjithçka. Mezi prisja të bisedoja me të për të vërtetuar se parashikimet e mija janë të sakta. Në Bashkinë e Stokholmit ,ndërtesës ku jepen çmimit Nobël, në hyrje ishte një bust i mjeshtrit kryesor të ndërtimit të godinës. Sa rëndësi i kanë dhënë mjeshtrit. Kur e pashë menjëherë mu kujtua Azisi.

Dhe rasti mu dha në një objekt të përbashkët

Mjeshtër Azisi kishte punuar në ndërtimin e ministrive në kohë të Mbretërisë, si edhe të kompleksit të Universitetit në kohë të Italisë. Djalë i ri kishte ardhur me të atin nga Trebishti  ku kish filluar të ndjekë rrugën familjare. Është edhe trashëgimnia apo instinkti i vazhdimit të gjurmëve të fisit. Më vonë me Shoqëritë  Italiane në objektet rreth sheshit “Nënë Tereza”. Kompleksi i Universitetit me urbanistikë të përkryer. Godina të ulëta me shkallare rreth sheshit, shkallët dekorative  drejt korpusit kryesor veshjet me gurë e mermer e bëjnë sheshin të përkryer. Godina kryesore në kodër. Duke parë aftësitë e tij italianët e morën në Milano. Aty krahas punës fitoi edhe elegancën e saj. Se gdhendja e gurit do që edhe ta duash atë, ti heqësh mbushësin, dhe të lesh atë që duhet që të dalë vlera e vërtetë. Me gurin e Carraras kanë punuar mjeshtrit e Rilindjes Italiane. Atë gur e gdhendi dhe ai aq mirë sa italianët donin ta mbanin të punonte atje . U kthye me amanetin e babës për të punuar në vendin e tij, dhe punoi me artin e tij krijues. Kohë  më parë rrinim te shkallaret e Institutit të Arteve dhe përballë godinat e Rektoratit dhe Arkeollogjisë. Hapësira me kollonata veshur me pllakat e gurit nga Azizi me shokë ishin të tilla për të lënë të dukesh Stadiumi, basorelievi i tij e pastaj mali i Dajtit. Kishte dhe shpirt poeti Azisi. Kam lindur pas këtij  mali thoshte dhe kur punoja këtu, çlodhesha e hidhja sytë lart te mali….. Kaloj ,tashmë pa Azisin që nuk është në jetë, ulem në të njëjtën vend dhe hedh sytë përpara. Stadiumi nuk është, do ngrihet një gjigant që e mbyll krejt Dajtin dhe ashtu gjysmë të mbyllur nga kullat e larta. Më pushton trishtimi, si mund të sakatohet ky kompleks. Kam vizituar E.U.R. lagje në periferi të Romës e periudhës së fashizmit. Është e njëjta arkitekturë por këtu në Tiranë ka më shumë hapësirë ka më shumë frymëmarrje . Kishte zënë vend përsosmërisht . Dhe atë e kemi të gjymtuar. Mirë që nuk e pe mjeshtër. Nuk do ta kishe duruar. Një bust për Azis Murgjinin se bëjmë si në Stokholm për suedezin nuk kemi, por as kujtimet nuk ja lemë të qeta

Por nuk është vetëm ky kompleks.

Tiranës nga pak e pak po i zhduket trashëgimnia. Njeriu pa trashëgimni është më i përulur. Pikërisht kjo kërkohet të arrihet. Mbas prishjes së shumë objekteve si në kohë të komunizmit edhe më vonë në qendër, tani së fundi po i vjen radha Teatrit Kombëtar. Me pretekstin se është ndërtim i vjetër duan ta prishin për të ndërtuar kullat e zakonshme që mbytën Tiranën, kur teatri shumë  mirë mund të ruhej për vlerat e tij historike dhe krahas tij të ndërtohej teatri i ri. Njerëzit pa traditë janë më të përpunueshëm janë më të përulur. Mbase kjo është arsyeja.

Teatri ka vlera historike

Teatri ka vlera historike për pjesët që janë luajtur për artistët për shikuesit por ka edhe një vlerë tjetër që nuk është përmendur. Për histori emri i godinës në fillimet e saj ka qenë Savoja pastaj Kino Kosova, Teatri Popullor dhe së fundi Teatri Kombëtar emër që ka edhe sot. E pra në Kino Kosova nga 1 mars 1945 është zhvilluar gjyqi special kundër 60 personave të akuzuar për ‘tradhti karshi atdheut ‘. Pa u zgjatur për farsën e këtij gjyqi nga salla foli avokati 31 vjeçar Muzafer Pipa: Ky gjyq nuk është ligjor se drejtohet nga persona që nuk kanë arsimin juridik që bie ndesh me çdo të drejtë. Kryetari i gjyqit ishte në profesion teneqexhi dhe prokurori ish ushtarak pa arsimin përkatës.

Mbas një viti Myzaferi pati të njëjtin fat me shumicën e të dënuarve të Kino Kosovës. Është një e thënë: Pa të shkuar nuk mund të ketë të sotme dhe pa të sotme nuk mund të ketë të nesërme.

Po më kujtohen tani vargjet e Eseninit:

Ah  mëmëdhe !

Cu bëra qesharak

Në vendin tim po ndjehem krejt i huaj .