Dr. Arqile Veshi: Shqipëria i vetmi vend që u çlirua me forcat e veta

160

Disa karakteristika dalluese të organizimit dhe zhvillimit të LANÇ-it të Popullit Shqiptar (1939-1944)

Me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut

Njësitë dhe repartet e Ushtrisë NÇSH gozhduan në luftë mëse 15 divizione italiane e gjermane

– Shqipëria është i vetmi vend në Evropën e pushuar nga nazifashistët që realizoi çlirimin e plotë krejtësisht me forcat e veta

Dok. Arqile Veshi

Epopeja më e madhe

Epopeja më e madhe dhe më e lavdishme e popullit shqiptar gjatë historisë së tij për çlirimin kombëtar dhe shoqëror, është lufta antifashiste nacional çlirimtare që u shndërrua në revolucionin popullor nëpërmjet kryengritjes së armatosur, dhe u bë pjesë përbërëse e luftës së Dytë Botërore antifashiste. Ajo filloi me qëndresën popullore kundër agresionit fashist të 7 prillit 1939 dhe përfundoi me çlirimin e plotë të Shqipërisë më 29 nëntor 1944. Gjatë Luftës ANÇ populli shqiptar luftoi e fitoi kundër dy pushtuesve të huaj, Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste që pushtuan vendin njëra pas tjetrës si dhe kundër qeverive kuislinge dhe reaksionit të brendshëm e forcave të armatosura të tyre.

 

Në periudhën 1939-1941

Në periudhën 1939-1941 qëndresa antifashiste udhëhiqej nga grupet komuniste të cilat e hodhën popullin në demonstrate, greva e protesta antifashiste, pati edhe aksione të armatosura si sabotazhe e goditje me armë kundër fashistëve italianë. Me themelimin e PKSH Lufta ANÇ e popullit shqiptar hyri në një etapë të re, e drejtuar dhe e bashkërenduar në të gjithë vendin me një program politik e ushtarak. Programi i PKSH përfshinte organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, shkatërrimin e pushtetit të vjetër shtetëror që ishte vënë në shërbim të pushtuesve të huaj dhe vendosjen e pushtetit të ri demokratik në jetën e vendit në interes të popullit. PKSH përcaktoi si detyrë themelore bashkimin rreth vijës së saj të masave popullore dhe hedhjen e tyre në mënyrë të organizuar në luftë të armatosur kundër fashistëve pushtues dhe tradhtarëve të vendit. Ajo bëri thirrje për bashkimin e gjithë popullit shqiptar pa dallim klase, feje, krahine e ideje në Luftë ANÇ. Me anë të agjitacionit e të propagandës me shtyp e me gojë dhe nëpërmjet aksioneve të guximshme, Partia u lidh ngushtë me punëtorët, fshatarët, të rinjtë, gratë, patriotët antifashistë dhe i bëri ata të ndërgjegjshëm për nevojën e domosdoshme të organizimit të luftës së armatosur. Një rol shumë të rëndësishëm për bashkimin e popullit shqiptar në luftën çlirimtare luajti Konferenca e Pezës që u mbajt më 16 shtator 1942, e cila krijoi Frontin Nacional Çlirimtare të Shqipërisë, miratoi platformën politike të këtij bashkimi dhe vuri themelet e pushtetit të ri popullor të këshillave NÇ. Forcat kryesore lëvizëse të luftës ishin klasa punëtore e cila luajti rolin udhëheqës në të dhe fshatarësia që mbajti mbi shpatullat e saj barrën kryesore të luftës. Çifligarët, borgjezia e madhe si dhe fshatarët e pasur të cilët i bashkonin interesat klasore me pushtuesit fashistë italianë e gjermanë dhe shihnin me shqetësim rolin udhëheqës që luante PKSH në këtë luftë, u lidhën me pushtuesit, u bënë bazë sociale e regjimit kuisling dhe formuan organizata reaksionare, bashkëpunëtore të pushtuesve, siç ishin Balli Kombëtar dhe Legaliteti.

Lufta e armatosur kundër pushtuesve fashistë dhe tradhtarëve të vendit, nën udhëheqjen e PKSH, u zhvillua e pandërprerë, me një intensitet për herë e më të madh, me pjesëmarrjen e masave popullore dhe u rrit shkallë shkallë nga aksionet e njësiteve guerile në qytet e fshat dhe të çetave partizane me veprime luftarake të batalioneve, partizane dhe pastaj të brigadave, divizioneve, e korparmatave partizane. Me krijimin e Ushtrisë Nacional Çlirimtare lufta e popullit shqiptar kundër pushtuesve të huaj e tradhtarëve të vendit u shndërrua në kryengritje të përgjithshme të armatosur. Njësitë dhe repartet e Ushtrisë NÇSH gozhduan në luftë më se 15 divizione italiane e gjermane, përballuan me vetmonim e heroizëm të rrallë, në kushte të pabarabarta, operacionet e veprimet luftarake të tyre ndër to edhe dy mësymjet e përgjithshme gjermano-balliste të dimrit 1943-1944 e të verës 1944 dhe u shkaktuan atyre humbje të ndjeshme në njerëz e teknikë luftarake. U vranë, u plagosën e u zunë robër mbi 70 mijë armiq. Ato në një varg luftërash e operacionesh mësymëse i shkëputën armikut krahina e zona të tëra që i çliruan përfundimisht ose përkohësisht dhe në momentin e përshtatshëm nën drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare ndërmorën mësymje të një shkalle të gjerë për çlirimin e Shqipërisë së Jugut, të Shqipërisë së Mesme e të Veriut, të gjithë territorit të Atdheut tone më 29 nëntor 1944.

I vetmi vend në Evropë…

Shqipëria është i vetmi vend në Evropën e pushuar nga nazifashistët që realizoi çlirimin e plotë krejtësisht me forcat e veta. Për këtë fitore ndikoi pozitivisht dhe lufta e koalicionit antifashist e në mënyrë të veçantë lufta patriotike e popujve të Evropës për fitoren e tyre mbi fashizmin. Armiqtë fashistë i shkaktuan Shqipërisë dhe popullit shqiptar dëme e rrënime të shuma. Shqipëria zë një nga vendet e para për humbje në njerëz dhe sidomos në të mira materiale gjatë Luftës II Botërore, pasi në truallin e saj prej 28 mijë km2 gjatë Luftës së Dytë Botërore shkelën rreth 700 mijë ushtarë fashistë, të cilët shkaktuan dëme e rrënime të jashtëzakonshme: 7.3 % e popullsisë shqiptare u vra e u gjymtua; vetëm të rënë pati 28.000 mijë; gati çdo familje shqiptare pësoi dëme të ndryshme, humbje në njerëz e në arteriale; 21 % e shtëpive në fshatra e qytete u dogjën ose u rrënuan etj. Dëmet në vlerat materiale e kulturore llogariten në rreth 1.7 milion dollar (me kursin e vitit 1938) ose rreth 1700 dollarë për frymë.

Lufta ANÇ e popullit shqiptar mbeti deri në fund një revolucion anti-fashist e demokratik që zgjidhi njëkohësisht detyrën strategjike të çlirimit kombëtar dhe atë të vendosjes së pushtetit të ri demokratik të këshillave NÇ. Pushteti i ri i popullit u zgjerua dhe u forcua krahas çlirimit të krahinave e zonave të tëra nga Ushtria NÇSH. Kongresi I Antifashist i Përmetit krijoi shtetin e demokracisë popullore. Me vendimet e tij historike u zgjidh çështja e pushtetit politik në dobi të forcave demokratike revolucionare të udhëhequra nga PKSH, prandaj ajo nga kushdo dhe në çdo kohë duhet njohur, vlerësuar, respektuar dhe nderuar pasi Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare, çliroi vendin nga pushtuesit nazifashist me forcat e veta dhe e radhiti vendin në krahun e Aleancës së fitimtarëve.