Dorëshkrimet e Françesk Radit

894
Sigal

Si më dhuroi regjisori i madh Kujtim Spahivogli, kitarën e tij, që kishte sjellë nga Moska. Si u rrita mes artistëve të mëdhenj, këngët e viteve ’70, marrëdhëniet me vëllain dhe volejbollistin Asllan Rusi

Dorëshkrimet e Francesk Radit: Në Shkodër ku u rrita dëgjoja me dëshirë Tonin Tërshanën

– E dashurova muzikën mes kompozitorëve të mëdhenj Palok Kurti, Martin Gjoka, Prenk Jakova, Simon Gjoni, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi e Gjon Simoni

 

-U rrita mes këngëtarëve të shquar Marie Kraja, Ibrahim Tukiçi, Bik Ndoja, Luçije Miloti e Shyqyri Alushi

– Anketa Muzikore ishte programi më demokratik, por mes këngëve të bukura, futej dhe një këngë për Partinë, për Kongreset, për të shpëtuar këngët moderne

– Për fatin e mirë, karrierën time e kam filluar me anketën muzikore

-Dy hitet e mia, që dëgjohen me kënaqësi edhe sot, janë pikërisht të anketës muzikore, si “Adresa”  ashtu edhe “Biçikleta”

– Këngët e viteve ‘70, në të gjitha pikëpamjet ishin gjetje, kishin fabul, kishin melodi, për kohën kanë qenë moderne

– Kam pasur marrëdhënie shumë të mira me të gjithë fëmijët e politikanëve, edhe pse isha me njollë në biografi

– Si më dhuroi regjisori i madh Kujtim Spahivogli, kitarën e tij, që e kishte sjellë nga Moska

-Në vitin 1972, dy këngët e mia “Adresa”  dhe “Biçikleta”për herë të parë ishin mirëfilli klipe, nga regjisori Ylli Pepo dhe kamera e Gazmir Shtinos

 

(Këto kujtime në dorëshkrim që po përgatiten për libër m’i nisi bashkëshortja e të madhit Francesk Radi, spikerja dhe gazetarja e talentuar Tefta Radi. Ajo që më bën përshtypje në këto dorëshkrime është se Franko shkruan, thjeshtë, bukur, pastër por dhe me figura letrare sikur të jetë poet. Mbi të gjitha në tërë këto kujtime ai tregohet tepër modest dhe pse në fakt kishte ngjitur majat. Në jetëshkrimin e tij ai ka heshtur në letër ngjarje, situata, mbresa, diskutime mes shokësh, aktivitete, episode, arritjet, dënimet, anketat muzikore, festivalet me një përpikëri të çuditshme por dhe me një pastërti shembullore. Në tërë dorëshkrimet ai është tejet origjinal por mbi të gjitha modest dhe i thjeshtë, cilësi të rralla sot tek njerëzit. Sa herë i lexon këto dorëshkrime shikon një njeri me jetë të vrullshme, dinamike, plot ritëm, plot situata dhe peripeci por që të gjitha tregojnë karakterin e tij të fortë dhe sinqeritetin e një njeriu korrekt larg smirës dhe zilisë negative. Ai e shkruan çdo ngjarje me seriozitet, korrektësi dhe në çdo hap të jetës ka përcjellë mirësi, buzëqeshje, mirëkuptim duke marr mbi vete përgjegjësi larg çdo fryme hakmarrjeje. Dhe pse e kam njohur shumë mirë, dhe pse me të kam bërë disa intervista, asnjëherë se kisha mësuar që Franko shkruante bukur, por që ishte dhe një njeri model në familje dhe shoqëri. Kurrë nuk fyente, kurrë nuk përgojonte, kurrë se kishte pjesë të karakterit intrigën. Ai shquhej për urtësi, zërin brilant, thjeshtësinë por mbi të gjitha korrektesën dhe mirënjohjen cilësi që janë zbehur sot tek njerëzit. Kam marrë në intervistë mbi 1 mijë personalitete të fushave të ndryshme dhe një ndër pyetjet ka qenë ajo për Festivalin XI. Kam dëgjuar komente nga më të ndryshmet. Disa herë jam befasuar, disa gjëra më dukeshin të pabesueshme, jam stepur, jam habitur, mbetesha pa fjalë por kam dëgjuar dhe himne për vetveten. Një ndër të dënuarit e festivalit më të diskutuar shqiptar në tërë historinë e Festivaleve të RTSH, Festivalit XI ishte dhe Franko. Por ai me modesti ja si shprehet në dorëshkrimet për dënimin pas festivalit: “Dënimin tim në Fushë-Arrëz e kalova gjithashtu me një fjali: Ishte sistemi komunist që jo vetëm mua, por dhe shumë artistë të tjerë të të gjitha fushave, pas vitit 1972”. Nuk ka nevojë për koment. Madhështinë ta jep populli dhe koha dhe nuk ia jep dot vetvetes. Ai në tërë kujtimet e tij shpaloset me tiparet më të mira të një njeriu Fisnik. Lexojeni çfarë shkruan Franko dhe do besoni në këto që shkrova unë, që në fakt janë disa fjalë të pakta zemre për një mik të rrallë, një këngëtar që la gjurmë, një njeri model ku të gjithë e ndjemë mungesën e tij. Albert Zholi )

Fëmijërinë time e kam kaluar në Shkodër

Ruaj dashurinë më të madhe për këtë qytet. Këto vite i kujtoj si pjesën më të bukur të jetës sime, pasi aty u edukova, isha në kontakt me muzikën, me jaret e famshme shkodrane, me këngëtarët shkodranë të atyre viteve. Aty kam dëgjuar Tonin Tërshanën. Ai e ka filluar karrierën e këngëtarit jo me ndonjë diferencë të madhe moshe me mua. Tonini ka kënduar shumë i vogël në disa lokale të qytetit dhe, teksa e dëgjoja, shumë herë pas gardheve të lokalit, pyesja veten: A do të bëhem një ditë edhe unë si ky. Çdo gjë e asaj kohe la gjurmë tek unë thjesht si fëmijë. Në Shkodër lindi dhe dëshira ime për muzikën. Në djepin e kompozitorëve të mëdhenj si Palok Kurti, Martin Gjoka, Prenk Jakova, Simon Gjoni, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Gjon Simoni etj. Në Shkodrën e jareve e të këngës së mrekullueshme qytetare, kënduar prej artistëve që lanë gjurmë në interpretimin e tyre, qe Marie Kraja, Ibrahim Tukiçi, Bik Ndoja, Luçije Miloti, Shyqyri Alushi e të tjerë emra të shquar më vonë, që Shkodra i ka me shumicë. E shkuara gjithmonë mbetet në kujtesë. E kujtoj shpesh Shkodrën time, muzikën, ato mbrëmje të bukura. Ku di unë… ai qytet të magjeps, sidomos kur shëtit buzë Bunës apo liqenit të Shkodrës.

Nostalgjia

“Kam nostalgji për jetën e Liceut Artistik. Janë vite mjaft të bukura, si vetë ajo moshë, plot pasione për instrumentin e plot mbrëmje rinore. Liceu Artistik më ka dhënë një ndihmë goxha të madhe, sepse aty fillova të studioja edhe instrumente të tjerë veç kontrabasit: kitarën bass, kitarën klasike dhe pianon. Pra ishin 4 instrumente që kur mbarova liceun unë isha në gjendje të luaja me to. Ky ishte një investim shumë i mirë dhe shumë i madh për mua. Që në rininë time të hershme, falë këtij formimi muzikor, punova si kitarist në disa formacione e institucione të rëndësishme.

Anketa Muzikore

Mbaj mend kohën kur Anketa Muzikore ishte programi më demokratik i fillimviteve ‘70 të shekullit ’20, sepse nuk ishte në atë Lenten e dëgjimit nga personalitete të larta të kulturës, siç ishte Festivali i këngës në Radio Televizion. Ajo mjaftohej vetëm brenda Radio-Tiranës, nga udhëheqësi artistik e deri tek drejtori i radios. Këtu kishte vend për këngë shumë të bukura dhe shumë moderne për kohën. Por jo pa hile, pasi kishte dhe një formulë, që do të thoshte: mes këngëve të bukura, futej dhe një këngë për Partinë, për Kongreset, për të shpëtuar këngët moderne. Anketa muzikore e atyre viteve ishte një nga evenimentet më të rëndësishme, jo vetëm të Radio-Tiranës. Këngët më të bukura merreshin edhe nga Televizioni Shqiptar për t’u xhiruar klipet e para. Unë, për fatin e mirë, karrierën time e kam filluar me anketën muzikore. Dy hitet e mia, që vazhdojnë edhe sot të dëgjohen me kënaqësi dhe të këndohen, janë pikërisht të anketës muzikore, si “Adresa” dhe “Biçikleta”. Kjo s’ishte vetëm për mua. Në anketën muzikore të atyre viteve kanë marrë pjesë shumë kompozitorë si Kastriot Gjini, që për mendimin tim këngët më të bukura si “Kartolina”, “Kabina nr. 3”, kënga “Çelik e dashuri”, i ka pasur në anketën muzikore. Ka qenë Aleksandër Lalo, po themi me një këngë të kënduar nga i mirënjohuri Sherif Merdani, “Portreti” e të tjerë. Nëse do të konkurronin për festival të RTSH, këto këngë nuk do të ishin pranuar, pasi ishin një hap para kohës. Një tjetër kantautor, Enver Yzeiri, bëri emër në anketën muzikore me këngën “Dhurata”. Për mendimin tim, si Franko, këngët e viteve ‘70, në të gjitha pikëpamjet ishin gjetje, kishin fabul, kishin melodi. Për kohën kanë qenë moderne. Ishin këngë dashurie, jo vetëm dashurie, por preknin edhe problemet shoqërore të asaj kohe.

Isha liceist dhe më favorizonte kitara, kënga

Më ftonin kudo, më gjenin vend nëpër kampe, e më thoshin gjithmonë: Franko në qoftë se do të vish hajde. Ndjeja kënaqësi. Kam pasur marrëdhënie shumë të mira me të gjithë fëmijët e politikanëve, dhe pse isha me njollë në biografi. Ata kishin dëshirë të më njihnin, më afronin dhe këndonim bashkë. Tingëllon disi e çuditshme, por kjo është e vërteta. Kur nuk kisha instrument kitare, ka qenë Ylli Paze ai që ma ka dhënë. Më pas regjisori i madh Kujtim Spahivogli, mik i pandarë deri në fund të jetës së tij, edhe në ditët më të vështira me vëllanë, Nandin, më dhuroi kitarën e tij, që e kishte sjellë nga Moska, ku dhe kishte studiuar. Është kitara legjendë për mua me të cilën kam dalë fillimisht në skenë e në vijim tërë kohën. E ruaj si gjënë më të shenjtë.

“Fituesja e fitueseve”

“Më 1972, në dhjetor, RTSh organizojmë një program titulluar,“Fituesja e fitueseve”. Protagonisti i këtij konkursi dhe këtij koncerti që zgjati për disa javë, isha dhe unë. Dy këngët e atij viti: “Biçikleta” dhe “Adresa”, që dolën fituese gjatë muajve, ishin këngë të miat. Që të dyja, në atë kohë u bënë hite. Ishte një sukses i jashtëzakonshëm për mua, një djalë ri që sapo kisha lënë të 20-at. Ishin këngë mjaft të pëlqyera nga publiku dhe transmetoheshin disa herë në ditë nga Radio-Tirana.“Dhe të dyja këngët u zgjodhën për në konkurs. Nga juritë u vlerësuan më të mirat e konkursit dhe për herë të parë u bënë videoklipet e para. U prodhuan ato që sot quhen klipe, sepse deri atëherë kënga këndohej nga këngëtari përpara ekranit njëlloj si në një festival apo në një koncert. “Më 1971 kënga “Adresa” u filmua nga regjisori tjetër i mirënjohur i RTSH-së, Albert Minga, në buzë të detit Adriatik në Durrës, ku dhe si student i degës së muzikës në Institutin e Lartë të Arteve, jam intervistuar nga aktori dhe miku i familjes, Mërkur Bozgo, që atëherë punonte në redaksinë e kulturës së Radio Tiranës. Natyrisht ky lloj filmimi ishte risi për kohën dhe merrte formën e klipit. Këndohej jashtë skenave të sallave të ndryshme koncertore, këndohej në natyrë. Por më 1972, dy këngët e mia për herë të parë ishin mirëfilli klipe, ku fabula e tekstit zbërthehej nga këngëtari, (unë) e personazhet, si në një minifilm të bukur. Me këto dy këngë, tashmë klipe në tërë kuptimin e fjalës, autori i të cilave është regjisori Ylli Pepo, me kamera të Gazmir Shtinos, unë, studenti i arteve, u bëra personazhi më i dashur i rinisë në qytet e në fshat. Gjatë xhirimeve kam pasur emocion të jashtëzakonshëm, edhe pse në një farë mënyre kisha disa vite që përballesha me publikun në koncerte e spektakle të ndryshme. Fati më ka ndihmuar që të jem i pari në risitë për kohën, qoftë me krijimtarinë muzikore, qoftë me klipet. Xhirimet filluan në fund të verës 1972. Klipi i parë ishte “ Adresa” ku liceistja Anila Kati ishte protagoniste. Fillimi i filmimeve u shoqërua me botimin në revistën “ Radiopërhapja”, në numrin 16 të saj, data 25 gusht të këtij viti, të tekstit të këngës, shoqëruar nga partitura, notat muzikore. Pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar e kam përpunuar në orkestracion. Por ishte e shkurtër jetëgjatësia e tyre në transmetim. Bashkë me ndëshkimin tim në Festivalin e 11-të të këngës në RTSH, më 1972, ku u përfaqësova si kantautor me këngën “ Kur dëgjojmë zëra nga bota”, u ndëshkuan edhe dy klipet. Regjimi komunist i kohës e konsideroj krijimtarinë time muzikore si shfaqje të huaj me prirje moderniste. Të dy klipet u hoqën nga transmetimi televiziv. Brezi që jetoi atë kohë, risjell në kujtesë bukurinë e tyre”.

Numrin e ardhshëm do të lexoni:

– Vëllai, Nandi Radi, volejbollisti Asllan Rusi dhe unë, Liqenin Artificial e kishim pjesë të pandarë të jetës

– Volejbollisti Asllan Rusi ishte një fans i çmendur i Çelentanos dhe më kërkonte gjithmonë t’i këndoja këngët e tij

– Në festivalin XI si studenti i vitit të dytë për kontrabas, u përfaqësova si kantautor me këngën “Kur dëgjojmë zëra nga bota “

– Meqenëse Vietnami ishte pushtuar nga amerikanët, dhe ne ishim në krahë të Vietnamit, Sadik Bejko bëri një tekst të tillë

– Njëherazi unë isha edhe pjesë e orkestrës së festivalit XI në, kitarist bass

– Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, kënga ime “Kur dëgjojmë zëra nga bota”, ishte një ndër objektet e kritikës

– Pedagogu im, Spiro Kalemi më kritikoi në një shkrim të botuar në gazetën “Drita” të datë 11 Shkurtit 1973

– Ndoshta kënga: “Kur dëgjojmë zëra nga bota”, për në Shqipëri ishte pak sa e parakohshme

– Kënga ime ishte paksa “ala amerikane” tip Rolling Stons dhe Bitëlls

-Ministri Arsimit Thoma Deljana, u shpreh se Françesk Radi i këndon luftës në Vietnam si amerikanët me kitarë

-Në Fushë-Arrëz njoha gruan e jetës Teftën, ajo ishte e emëruar, kurse unë isha i dënuar

Nesër do të lexoni:

Dorëshkrimet e Francesk Radit:

— Vëllai, Nandi Radi, volejbollisti Asllan Rusi dhe unë, liqenin artificial e kishim pjesë të pandarë të jetës

– Volejbollisti Asllan Rusi ishte një fans i çmendur i Çelentanos dhe më kërkonte gjithmonë t’i këndoja këngët e tij

– Në festivalin e XI si studenti i vitit të dytë për kontrabas, u përfaqësova si kantautor me këngën “Kur dëgjojmë zëra nga bota “

– Meqenëse Vietnami ishte pushtuar nga amerikanët, dhe ne ishim në krahë të Vietnamit, Sadik Bejko bëri një tekst të tillë

– Njëherazi unë isha edhe pjesë e orkestrës së festivalit XI në, kitarist bass

– Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, kënga ime “Kur dëgjojmë zëra nga bota”, ishte një ndër objektet e kritikës

– Pedagogu im, Spiro Kalemi më kritikoi në një shkrim të botuar në gazetën “Drita” të 11-të Shkurtit 1973

– Ndoshta kënga: “Kur dëgjojmë zëra nga bota”, për në Shqipëri ishte pak sa e parakohshme

– Kënga ime ishte paksa “ala amerikane” tip Rolling Stons dhe Bitëlls

-Ministri Arsimit Thoma Deljana, u shpreh se Françesk Radi i këndon luftës në Vietnam si amerikanët me kitarë

-Në Fushë-Arrëz njoha gruan e jetës Teftën, ajo ishte e emëruar, kurse unë isha i dënuar