Doktor Afrim Çeço, si mesazh për humanizmin e humbur të mjeksisë

1006
Sigal

Ai i dha qytetarëve më të mirën e nevojshme për shëndetin e tyre, edhe pse në kushte jo të favorshme për kohën kur jetoi

Nga Hyqmet Zane

Bisedat intelektuale dhe me profesionistin e mjekësisë Afrim Çeço kanë qenë një dëshirë e madhe e imja për të dëgjuar mendime nga një njeri që në jetën e tij kaloi shumë periudha që i dhanë mesazhe të mëdha. Jeta e këtij Doktori 80 vjeçar të mjekësisë është e mbushur me shumë situate që i japin të drejtën atij të jetë edhe kritik si një profesionist i vjetër për mjekësinë e humanizmit të humbur dhe patriotizmit të harruar.
Koha e kërkon që gjithnjë t’i referohemi jo vetëm së shkuarës për t’i shërbyer të ardhmes, por edhe t’i referohemi personaliteteve të mirënjohur për të marrë mesazhet e kohës në shërbim të njerëzve. Këtë do ta thoja për Doktor Afrim Çeço që, si mjek, reflektoi mirësi në punën e tij, mes profesionistëve të rangut të tij, por edhe i dha qytetarëve më të mirën e nevojshme për shëndetin e tyre, edhe pse në kushte jo të favorshme për kohën kur jetoi. Ndërsa si një pjesëtar i komunitetit çam nga Filati i Çamërisë, fryma atdhetare dhe intelektuale e këtij njeriu lë mesazhe të përhershme për atë çka ai dinte dhe shprehej.

Fakti që jo pak problem manifestohen në sistemin e shëndetësisë dhe mungesa e një morali të nevojshëm të mbarsur me humanizmin e dëshiruar, ka lënë për të dëshiruar në opinionin shqiptar. Por më shumë se kaq, kjo situatë ka shqetësuar edhe Doktorët e vjetër duke menduar seriozisht për të ndikuar me lobingjet e tyre tek autoritetet e këtij sektori. Për fatin e keq duket sheshit që autoritetet që drejtojnë shëndetësinë dhe mjekësinë shqiptare asnjëherë nuk e kanë marrë kurajën jo më ti mbledhin mjekët e shquar për ti nderuar për punën dhe profesionalizmin e tyre, por as kanë denjuar ti pyesin apo ti dëgjojnë për mendimet që ata kanë dhe për sugjerimet që mund të bëjnë për mbarëvajtjen e sistemit shëndetësor në Shqipëri. Një ndër këta doktorë ishte edhe Afrimi që, me buzëqeshjen fisnike të tij, brenda vetës “fshehte” shqetësimin se përse kjo situatë në shëndetësi, përse kaq pak humanizëm, përse kaq shumë sëmundje të ndryshme dhe kaq vdekje dhe pakujdesi në këtë sistem jetik.


Kam qenë një njeri që e kam shoqëruar Doktor Afrimin në rastet kur e takoja dhe ndjehesha mirë që gjente mundësinë të “rrëfehej” me një trishtim të madh jo vetëm për këtë sistem shëndetësor jo shumë funksional, por edhe për mënyrën se si shkojnë punët brenda komunitetit çam, pjesë e të cilit ai ishte dhe që ndjehej krenar për këtë orgjinë të tij. Fliste e fliste dhe nuk kishte të sosur dhe vëmendja ime duhet të ishte e madhe sepse në bisedat e tij kishte mesazhe dhe informacione, kishte eksperienca dhe shpirt njeriu që e ndjente zanatin që kishte, po aq sa ndjente se kauza e Çamërisë kishte lënë për të dëshiruar nga ata që pretendojnë se kanë shumë merita për këtë çështje.

I mirënjohur nga shumë rrethe intelektualësh të mjekësisë që nga i pari profesori radiologjisë Petrit Selenica dhe më pas me doktorët e nderuar e të mirënjohur si Lluka Muço dhe Ymer Dishnica, Maksut Derrasa, Hasan Meniku dhe deri tej Thoma Kondi, Pandeli Çina sa në Berat si drejtor i respektuari i spitalit për rreth 20 vjet e më pas në Lushnje, në vendqëndrimin e tij prindëror, po aq sa edhe në Tiranë dhe në mes të pacientëve që i ka ndihmuar si një human që ishte, Afrim Çeço si Doktor ishte një mesazh më vete. Ai erdhi nga shkolla e mesme “Asim Zeneli” i Gjirokastrës me rezultate të shkëlqyera dhe gjithashtu në mjekësi me po aq me rezultate të shkëlqyera dhe meritoi respektin edhe të atyre që ndoshta kishin brengën e nacionalitetit pse ai ishte nga Çamëria. Kjo vlente për një njeri si Afrimi në mes kolegësh të nderuar që e njihnin si njeri dhe si aftësi, që e kishin kuptuar jo thjesht se cili ishte në realitet, por edhe çfarë aftësish profesionale kishte.

Kam qenë prezent kur mjekët me një përvojë të shkurtër mjekësore, e gjenin dhe e pyesnin, e dëgjonin dhe konsultoheshin dhe ai me një energji të pashtershme u fliste dhe i këshillonte, u tregonte zanatin dhe merrte mendime nga ata dhe në fund u thoshte “mos harroni se në mjekësi nuk ka të pasur e të varfër, nuk ka natë e nuk ka ditë, nuk ka të bardhë e nuk ka të zi” që ishte edhe formula e “pagëzimit” të mjekëve të rinj. Kishte dëshirën të ishte mes profesionistësh dhe të diskutonte për të rejat e shkencës së mjekësisë në përgjithësi dhe atë të radiologjisë në veçanti duke kuptuar se të rejat e shkencës tanimë janë të shumta dhe të shpejta dhe ai, edhe pse në një moshë të madhe relativisht, kishte dëshirë të dëgjonte dhe të diskutonte.
Ndoshta edhe ngrohtësia familjare ia mundësonte një atmosferë të tillë miqësore dhe informative, po aq sa ndjente edhe dashurinë e fëmijëve Sokolit dhe Brikenës, po aq sa edhe të vëllezërve dhe motrës që krenoheshin me te.


Por po aq krenohesha edhe unë si bashkëqytetari i tij nga Filati se ‘i lexonte shkrimet për kauzën e Çamërisë dhe bashkë me zonjën e tij Drita, do të më përcillte mesazhin e dashurisë për vendlindjen po aq sa edhe mendimet për trajtesën e suksesshme që duhej bërë për këtë kauz të rëndësishme dhe të madhe. Afrimi ishte nga një familje me emër si në Filat, edhe kudo ku shkuan mbetën të tillë, sidomso i vëllai i tij Iliaz Çeço një nga futbollistët me emër si i ekipit të “Dinamos” po aq edhe i kombëtares që nderon sot me emrin që ka lënë.

Por si një atdhetar i mirë, do gjente edhe moment për të më dhënë tema shkrimesh dhe për të më këshilluar për të “bërë kujdes se grekët, më thoshte shpesh, janë të pabesë dhe ata duan ti shuajnë penat e Çamërisë si edhe emrin e tokës sonë të shtrenjtë”. Po aq krenohej Afrimi me xhaxhanë e tij të luftës, Jaho Çeço luftëtarin dhe mitraljerin guximtar dhe të pamposhtur që luftoi kundër nazifashizmit dhe që nuk u cilësua asnjëherë veteran sepse në kohën e diktaturës nuk u morën parasysh kontributet e çamëve kundër nazifashizmit, nën ndikimin grek që akuzonte komunitetin çam për të ashtuquajturën “bashkëpunëtorë me nazifashistët” ??!! Xhaxhi i tij Jaho ishte shembulli i mirësisë ashtu si xhaxhai tjetër i tij Hasan. Çeço që ishte mësuesi i gjuhës shqipe të Filatit dhe një kontributor i mirë i kauzës së Çamërisë. Po ashtu edhe xhaxhai tjetër, Hajrullai që ishte anëtar i Shoqatës Vatra të SHBA, mbeti në kujtesën e tij së bashku me xhaxhanë tjetër Jakupin si djemtë e Ali Çeços, një atdhetari të devotshëm të luftës për Çamërinë.
Në portretin e krenarisë që ndjente Afrim Çeço, ai ishte sa serioz, aq edhe miqësor, ishte sa i thjeshtë aq edhe mendjendritur duke qenë edhe një doktor i nderuar dhe një çam i mrekullueshëm që kishte ngarkesa dhimbjeje për Filatin, vendlindjen e tij, po aq sa ndjente dhimbje për mënyrën sesi po menaxhoheshin punët e këtij komuniteti, ku ai, njeriu i kontributeve në jetë, shikonte dhe kuptonte që punët nuk po shkojnë mirë dhe ne diskutonim pafundësisht se ai kishte brenda vetes një thesar kujtese si një mirësi dhe vlerë e padiskutueshme dhe e paharrueshme.

Çdo njeri e ngre vetë lapidarin e nderimit ose nuk e ka zotësinë që ta bëjë. Kur vjen fjala te Doktor Afrim Çeçon, ai jo vetëm e ka ngritur këtë lapidar, por e ka veshur me mermerin e bardhë të mjekut të ndershëm dhe dinjitoz, të patriotit dhe bashkëshortit e prindit të devotshëm, po aq sa edhe të një burri me autoritetin e intelektuali që shkroi me germa të arta mbi mermerin e jetës së tij.