Do të kujtojmë përjetë komandant Anastas Romano

738
Sigal

Besnik Velaj

Sa herë kujtoj Muzinën, një fshat me bukuri perëndie, më del përpara portreti i komandantit tim të ushtrisë, Anastas Romano, biri i Muzinës, me shtat mbi mesatar, i fuqishëm, i mençur, mik i librave, studiues i madh për literaturë profesionale ushtarake dhe letërsi artistike, artiljer akademist, me edukatë njerëzore, kulturë të plotësuar qytetare, përjetësisht i komunikueshëm me ushtarët artiljerë dhe kolegët e tij oficerë, i rreptë për kërkesën e llogarisë kur nuk zbatoheshin detyrat në fushën e stërvitjes. Ishim ushtarë të rinj, vinim nga jeta civile. Për Besnik Velaj, Pajtim Peçin, Remzi Panarin, Mehmet Ademin, Vangjel Hoxharën, Vangjel Haxhiun, Lipe Nanon, Ilinden Spasen, Medi Shurdhën, Romeo Ashikun, Ramazan Toskun, Bektash Shukun, Refat Çoçkën, Demir Çeçin, Kujtim Mullalin, Qamil Pepnikën etj., ishte komandanti i grupit Anastas Romano,vartësit e tij, oficerët Sami Çela, Shefqet Malindi, që na edukuan thellë në shpirt burrërinë, ndjenjën e lartë të dashurisë për Atdheun, familjen, nëpërmjet edhe dashurisë për armët luftarake të pathyera shqiptare. Komandant Anastas Romano, na ishte shok, vëlla, prind, i dashur, por sot i munguar. Unë kam shkruar për herë të parë për jehonat e krismave në poligone, kam dal nga radhët e shtypit ushtarak. Mësuesit e mi të parë, me të cilët më lidhi komandant Anastas Romanua kanë qenë; Vasil Gjylameti, Lirim Deda, Ibrahim Gani, Enver Isufi tek gazeta “Luftëtari”, Nexhat Myftiu, Luan Dibra, Piro Tase, dhe muzinioti Dhimitër Verli tek gazeta “Zëri i Rinisë”. As Dhimitër Verli, as Anastas Romanua si në kontekstin e mësipërm nuk janë më. Nuk është komandant Anastasi për vëllanë e tij Panajot Romanon, familjen. Ai është baba i munguar i familjes, por ishte dhe mbetet komandanti ynë.