Dhimitër Gegprifti: Eksodi masiv. Mokër, pa më thuaj sot si je?

1483
Sigal

Kjo trevë është braktisur në mënyrë masive për shkak të eksodit, duke lënë shkret; fshatra, toka e shtëpi

Mokër, pa më thuaj, sot si je ?…

-Si po e presin Mokrarët 75-vjetorin e Çlirimit-

Nga Dhimitër Gegprifti, Kryetar i Shoqatës “Jehona e Mokrës“

Menduam ta titullojmë kështu shkrimin tonë, pasi Mokra, kjo krahinë e vlerave tradicionale, kulturore dhe historike është lënë në mëshirë të fatit. Akoma më e dhimbshme bëhet, kur vjen Nëntori i festave të mëdha: 28-29-s lavdiplotë.

Kanë kaluar jo pak, por shtatë dekada e gjysmë, Mokra në këtë përvjetor të 75-të ndihet më e braktisur se kurrë dhe kjo, jo pa shkak.

Kjo krahinë e njohur dhe e dëgjuar me historinë e saj shekullore në të gjitha kohërat ka dhënë kontribute në historinë kombëtare, të cilat na bëjnë të krenohemi: krijimi i Çetës së Mokrës, më 27 mars 1942 në Pleshisht të Mokrës ndër të parat çeta në Shqipëri të Rezistencës Antifashiste dhe, më 17 maj 1943 krijohet Batalioni i Mokrës, ngjarje lapidare në historinë e Luftës ANÇ me kontributin e Heroit të Popullit Reshit Çollaku, bir i Mokrës dhe i gjithë rrethit të Pogradecit. Përkrah Heroit u radhitën: Seit Sula nga Selca, Shefki Selko nga Piskupati, Etem Haxhiu nga Çezma e Madhe, Liko Gjona nga Lakteshi, Selami Pambuku nga Mëmlishti, Nexhat Hyseni nga Tirana, Marko Laçka e Todi Lushka nga Pogradeci. Batalioni numëronte 150 partizanë, në çdo fshat u krijuan njësitet luftarake, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tij në 250-300 partizanë. Komandant të këtyre njësive, të cilët i kujtojmë me respekt e nderim ishin: Atë Dhimitër Kokoneshi në Llëngë, Tele Baçi e Beqir Palla në Çezmë, Zyko Kalivaçi dhe Dilo Hysenllari në Kalivaç, Risto Bitro Podkozhan, në Velçan me Maliq Lufon dhe në Slatinë me Murat Haxhiun.

Batalioni shkroi një epope të lavdishme me partizanët mokrarë në luftën e Pojskës, më 16 korrik 1943, ku ra heroikisht Reshit Çollaku me shokë të tjerë Dëshmorë të Atdheut, duke i dhënë batalionit emrin e vet..

Beteja të tjera zhvilloi ky formacion, më 25 gusht dhe 20 tetor 1943 kundër forcave gjermane në Pogradec, më 17-18 prill çliron për herë të dytë Pogradecin dhe në beteja të tjera. Mokra i dha LANÇ-it në formacionet partizane 830 partizanë në brigada të ndryshme, i dha 84 Dëshmorë dhe një “Hero të Popullit”, Reshit Çollakun. Kjo Luftë mbetet një faqe lavdie në historinë e këtij populli për çlirimin kombëtar. Lufta dhe partizanët kishin një ëndërr dhe një ideal të madh. Mokra sot nuk është ajo, që duhej të ishte.

Kjo trevë është braktisur në mënyrë masive nga eksodi, duke lënë fshatra, toka, shtëpi të braktisura e të shembura, ku mbretërojnë balta, ferrat e gurët, pa drita, por mbi të gjitha pa shpresë, pasi nuk bëhet fjalë për politika qeveritare me adresë fshatin, me përjashtim nismës qeveritare të 100 fshatrave turistik plus, por deri tani nuk ka ndonjë zhvillim. Ka vetëm një shpresë autostrada, Qukës-Qafë-Plloçë, përpjekjet e ndonjë shoqate si ajo e “Jehona e Mokrës“ për të futur në projekt edhe një fshat nga kjo zonë, si Podkozhanin, por që deri më sot është ende në diskutim. Atje jeta është tejet e vështirë, pa shërbimet e nevojshme e të domosdoshme, të cilat ishin dhe sot mungojnë.

Nga rreth 9000 banorë që Mokra pati para vitit 1990 sot mund të ketë gati 2500-3000 banorë. Pra, ndihet kudo një braktisje masive pa kthim. Festat e Mokrës në çdo vit sa vijnë e më shumë varfërohen nga çdo pikëpamje, kur ende diskutohet nga ‘politika’ Lufta ANÇ, Dëshmorët dhe Heronjtë. Titulli i këtij shkrimi për analogji me vargjet e Vaso Pashës: “O moj Shqypni”, i shkojnë për shtat:

“Po sot Shqypni, më thuaj si je?

Posi lisi i rrëzuem për dhe!

Edhe Mokra nuk është më pak se një lis, është një pjesë e dheut, që quhet Shqipëri.

Kështu po shkon Mokra jonë në këtë 75-vjetor!