Bilal Metuku është mësuesi që hapi shkollën e parë në Mat

1011
Sigal

Sa herë që flitet apo shkruhet për mësuesit, na kujton më së miri, përpjekjet dhe sakrificat heroike të tyre, për përhapjen e dritës së diturisë, në mbarë vendin. Natyrisht, nuk është e lehtë të shkruash apo të flasësh për mësuesit, sepse ata kanë një histori të madhe. Padyshim, pak fjalë do të shkruhen edhe për mësuesin Bilal Metuku, i cili kujtohet me respekt nga pasardhësit, kolegët dhe ish-nxënësit e tij. Ai ka lindur në fshatin Shqefën të Matit, në 20 shtator të vitit 1918. Në vitin 1935 mbaroi Internatin e Burrelit, e më pas, në vitin 1939, u diplomua në Liceun e Shkodrës. Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1939, filloi punë në P.T.T-ën e Tiranës, punë që e vazhdoi deri në vitin 1944. Që nga viti 1944, kur u hapën shkollat e para, e deri në vitin 1974, kohë që doli në pension, ai punoi në profesionin e nderuar të mësuesit. Puna e çmuar dhe e përkushtuar, mendja dhe dora e mësues Bilalit, janë skalitur e mishëruar tek dhjetëra e qindra nxënës të tij, të shpërndarë anë e kënd Shqipërisë, të cilët e kujtojnë atë me nderim e respekt të thellë. Gjatë gjithë jetës së tij, të përkushtuar në shërbim të arsimit tonë kombëtar, mësuesi Bilal Metuku, është dekoruar edhe nga Institucionet e larta të shtetit, të asaj kohe, me certifikata, urdhra e medalje të ndryshme. Në mirënjohje të figurës dhe veprës së tij, me Vendim, nr. 25/1, datë 22.07.1957, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, mësues Bilal Metuku, dekorohet me Urdhrin e Punës të Klasit III, me motivacionin: Për vjetërsi shërbimi dhe pune të pa ndërprerë gjatë viteve në sektorin e arsimit, duke kontribuar në mësimin dhe edukimin e brezit të ri”. Mësues Bilali, mbas përfundimit të mësimit në shkollën ku punonte, angazhohej edhe në luftën kundër analfabetizmit, duke organizuar kurse në forma të mësimit individual të shkrim – këndimit, madje dhe me programe të caktuara.

Pas hapjes së disa shkollave shqipe në Mat, në vitin 1944, edhe në fshatin Shëlli, u hap shkolla e parë, ku mësuesi i parë i kësaj shkolle ishte Bilal Metuku. Në këtë shkollë u dyndën edhe fëmijë nga fshatra të tjerë, si Vigu, Shqefni etj., ku ende atje nuk ishin hapur shkollat. Me entuziazmin që e karakterizonte, filloi punë mes pengesave dhe vështirësive të mëdha. Mungonte baza materiale, si bankat, dërrasat e zeza, lapsat, fletoret, e deri tek shkumësat. Vit pas viti, numri i nxënësve sa vinte e shtohej. Mësuesi i ri dhe i vetëm, siç ishte Bilali, në fillim, iu desh të jepte mësim me dy dhe katër klasa kolektive. Më pas, në vitin 1947, me rritjen e numrit të nxënësve, lindi si domosdoshmëri dhe u hap edhe shkolla fillore në fshatin Shqefën të Matit, ku përsëri në këtë shkollë u emërua si mësues i parë i saj, Bilal Metuku. Ky mësues autodidakt, e vuri shkollën në lidhje të vazhdueshme me punën dhe jetën e përditshme. Mësues Bilali, ndahet nga jeta, në Nëntor të vitit 1996, duke mbetur i përjetësuar në historinë e arsimit në Mat. Ai do të mbetet përjetësisht në kujtesën e mësuesve dhe të nxënësve. Mësues Bilali, kujtohet si mësuesi i parë në zonën e Shëlli – Shqefnit, në rrethin e Matit, i cili nuk la që të shuhej drita e ndezur për zhvillimin e diturisë dhe arsimimin e nxënësve, sepse vetëm duke mësuar, do të zhdukej errësira e paditurisë dhe analfabetizmit që kishte pllakosur vendin, e që i dha një dimension të ri arsimit. Mësues Bilali, hyri në jetë me vullnetin për t’u shërbyer njerëzve, me pasion për edukimin e brezit të ri. Gjatë 30 viteve të jetës së tij, si mësues në frontin e dijes, kulturës dhe edukimit, mësues Bilali, u dallua për tiparet e njeriut korrekt, të komunikueshëm, dhe të papajtueshëm me të metat e gabimet. Çdo kush kishte respekt për fjalën dhe veprën e tij. Mësuesi Bilal Metuku, ndihmoi në lindjen e një dite të re në Mat, prandaj mbetet i gjallë në kujtesën e historisë së arsimi të kësaj treve. Për 30 vjet me radhë, si ”ushtari në pozicion”, ai bëri epokë dhe la emër të mirë në historinë e arsimit Matjanë. Nuk jetoi dhe punoi thjeshtë për emër, por se kishte lindur si mësues, i dashur për nxënësit, të cilët i konsideronte si fëmijë të tij. ”Duhet t’i duam nxënësit si fëmijët tanë, se ata do të jetojnë një kohë më vonë se ne”, – iu thoshte Bilali, kolegëve të tyre. Doli në pension në vitin 1974, në vitin 1996, u nda nga jeta. Që nga ajo kohë, në çdo 7 Mars, lulet për mësues Bilalin, ish-nxënësit e tij, nuk ia çojnë më në shkollë, por atje, në vendin ku prehet përjetësisht. Vlerësimi nga vendlindja, atje ku dhe shërbeu e kontribuojë për 30 vite në arsim, si mësues dhe edukator, për të përçuar dijet tek brezat, mbetet përherë një akt i merituar, por dhe një mirënjohje për vlerësuesit. Bilali do të jetojë përjetësisht në kujtesën e të afërmve të zemrës së tij. Nga:Ferit Metuku