Bernard Zotaj: Roli i ditarëve dhe letrave në shtabin e UNÇSH

597
Sigal

Ushtria Nacionalçlirimtare përfshinte në numrin e saj rreth 35 mijë partizanë të rreshtuar në radhët e formacioneve të rregullta që ishin 9 brigada sulmuese, batalione, çeta partizane si dhe njësite guerile.

 

 Komanda e Përgjithshme e UNÇSH ishte unike

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

Masat me karakter ushtarak drejt një komande të përgjithshme

Në verën e vitit 1944 Ushtria Nacionalçlirimtare kishte shënuar rritje të dukshme, jo vetëm si numër, por dhe në formacione luftarake të përmasave të mëdha. Situata në Evropë po shkonte me fitore drejt koalicionit të madh Antifashist, ndërsa humbjet e nazistëve në fronte të Evropës ishin të mëdha. Kjo situatë ndikoi dhe në favorizimin e formacioneve partizane shqiptare për organizim dhe për zhvillim të veprimeve të tyre luftarake. Në këtë periudhë UNÇSH përfshinte në numrin e saj rreth 35.000 partizanë të rreshtuar në radhët e formacioneve të rregullta që ishin 9 brigada sulmuese, mjaft batalione, çeta partizane, si dhe njësite guerile në qarqe të ndryshëm të vendit. Në këtë numër nuk futen luftëtarët e tjerë të çetave dhe batalioneve vullnetare-territoriale në të gjithë territorin e vendit. UNÇSH e drejtuar nga Shtabi i Përgjithshëm kishte dhënë goditje të fuqishme duke i shkaktuar humbje dhe dëme të ndjeshme njerëzore dhe materiale pushtuesit. Nazistët ishin të tronditur nga goditjet si dhe humbjet e pësuara dhe ishin përqendruar në qendrat e qytetet kryesore të vendit duke u mbrojtur me masa të forta sigurimi. Nazistët kështu kishin humbur nismën operative, tashmë ajo kishte kaluar në favor të Ushtrisë N.Çl. Pothuajse gjysma e territorit të vendit ishte e çliruar. Udhëheqja e Luftës Antifashiste dhe Këshilli i Përgjithshëm NÇl, i shfrytëzuan këto arritje dhe mblodhën në Përmet Kongresin I Antifashist NÇl, nga 24-28 maj 1944. Krahas vendimeve politike e sidomos të pushtetit të ardhshëm, u gjykua dhe u vendos kalimi në mënyrë të përgjithshme i ushtrisë për çlirimin e plotë të vendit. Për realizimin e këtij vendimi ishte i domosdoshëm krijimi i formacioneve të mëdha. Ndaj dhe një nga vendimet me karakter ushtarak ishte shndërrimi i UNÇSH-së në ushtri tërësisht të rregullt. Kjo ide ishte diskutuar më parë, por Kongresi i Përmetit e konfirmoi dhe e konkretizoi. Ushtria e rregullt do të ishte në gjendje t’u përgjigjej kërkesave dhe detyrave për LANÇ-in. Objektivi themelor strategjik i saj ishte lufta kundër pushtuesit dhe çlirimi i vendit. Tashmë ushtria ishte e organizuar në formacione të mëdha si brigada sulmuese dhe në njësi më të mëdha, ishte në gjendje të ndërmerrte dhe të zhvillonte operacione të mëdha të shkallës operativo-strategjike dhe të zhvilluar me kërkesa të artit të luftimit. Në zbatim të vendimit u morën masa konkrete si: njësimi i Komandës së Përgjithshme në një të vetme, krijimi i njësive të mëdha të kësaj ushtrie që do të ishin divizionet dhe korparmatat, zhvillimi dhe përmirësimi i mëtejshëm i armëve dhe i shërbimeve ekzistuese, aftësimi i komandave dhe i shtabeve të njësive e formacioneve të tjera të ushtrisë, sigurimi i rezervave materiale si ushqim, veshmbathje, medikamente mjekësore dhe armatosja e forcave partizane e deri tek vendosja e gradave ushtarake.

Lindja e Komandës së Përgjithshme

Veprimet e tyre luftarake do të shtriheshin dhe do të kryheshin në sipërfaqe territoriale me përmasa të gjera. Veprimet luftarake do të kalonin nga njëra pjesë e vendit tek tjetra, do ndërthureshin midis tyre operacionet mësymëse me ato të zonave të çliruara, si dhe të kufijve të vendit. Ndaj dhe me vendim të Kryesisë së Këshillit Antifashist NÇ, u formua Komanda e Përgjithshme e UNÇSH-së. Ajo u njehsua me emërtimin e një Komandanti të Përgjithshëm të saj, detyrë që ju caktua Enver Hoxhës, i cili kishte detyrën e Komisarit Politik të Shtabit të Përgjithshëm, duke ju dhënë grada gjeneralkolonel. Nisur nga dokumentacioni i kohës dhe i veprimtarisë ky organ i lartë ushtarak dhe politik të Ushtrisë NÇ, realizonte drejtimin e të gjithë veprimtarisë ushtarake, politike dhe ekonomike të ushtrisë. Udhëheqja strategjike e ushtrisë me krijimin e saj, ngri në një nivel më të lartë organizimin dhe për drejtimin e njësive të shkallës operativo-strategjike. Drejtimi i këtyre njësive, dhe nëpërmjet tyre edhe i formacioneve të tjera, mori një trajtë krejtësisht të rregullt. Drejtimi bëhej më i shpejtë dhe më i centralizuar nëpërmjet urdhërave dhe udhëzimeve të Komandës së Përgjithshme. Kështu për rrjedhojë dhe arti i luftës u ngrit më lart, organizimi dhe bashkërendimi i operacioneve ushtarake të shkallës së lartë me pjesëmarrjen e njësive të mëdha të UNÇ-së u përsos duke bërë që taktika e luftës partizane duke zbatuar me sukses dhe taktikën e luftës ballore, rezultatet të ishin më të dukshme në luftime. Njëkohësisht, komandave dhe shtabeve e njësive të mëdha ju la më tepër nismë dhe mëvetësi në planizimin, organizimin dhe drejtimin e operacioneve të tyre luftarake. Komanda e Përgjithshme si një komandë unike ndikoi mjaft në realizimin me frytshmëri të lartë të përpjekjeve dhe të masave për të përsosur organizimin e UNÇSH-së. Ajo tashmë krijoi kushte për të përdorur me efektivitet më të lartë llojet e armëve dhe të shërbimeve, të cilat ishin rritur ndjeshëm nga ana sasiore e cilësore. Kjo mundësoi një drejtim të vazhdueshëm e të shëndoshë të formacioneve operativo-strategjike të UNÇSH-së. Shtabi i Përgjithshëm Madhor mbetej pranë Komandës së Përgjithshme të UNÇSH-së, i cili varej prej saj dhe njëherësh ishte hallkë lidhëse mes kësaj komande dhe shtabeve të njësive të shkallës së madhe, që u krijuan.

Shtatmadhoria e UNÇ-së dhe detyrat e saj.

Gjeneralmajor Spiro Moisiu u emërua kryetar (shef) i Shtabit të Përgjithshëm, i cili kishte qenë komandant i tij deri në Kongresin e Përmetit. Anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm (Shtatmadhorisë) të UNÇ-së, pas unifikimit të Komandës së Përgjithshme dhe vendosjen e gradave ushtarake, më 28 maj 1944, sipas urdhrit të ditës u caktuan: kolonel Myslim Peza, anëtar i shtabit dhe komandant i Grupit të Pezës; kolonel Dali Ndreu, anëtar i shtabit dhe komandant i Divizionit të I Sulmues; kolonel Mehmet Shehu, nënkomandant i Divizionit të I Sulmues dhe anëtar i shtabit; kolonel Hysni Kapo, përfaqësues i PKSH-së pranë shtabit të Zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër, nënkolonel Islam Radovicka, anëtar; nënkolonel Ramadan Çitaku, anëtar; nënkolonel Mustafa Gjinishi, anëtar; nënkolonel Haxhi Lleshi, anëtar; nënkolonel Baba Faja Martaneshi dhe komandant i Qarkut të Martaneshit, anëtar; nënkolonel Bedri Spahiu dhe komisar i Zonës I Operative. Me vendim të Kryesisë së Këshillit Antifashist NÇ të Shqipërisë më 17 nëntor 1944, u bënë në gjirin e këtij shtabi disa ndryshime në gradimet. Dali Ndreu i jepet grada gjeneralmajor dhe Bedri Spahiu i jepet grada kolonel. Për mbarëvajtjen e punëve të këtij shtabi, në përbërjen e tij u formuan aparate dhe organizma të shumëllojshme të domosdoshme, të cilët mundësonin që organizimi, planizimi dhe drejtimi i luftës të fitonin trajtë më të vendosur dhe efektive, në përputhje me detyrat e reja që shtroheshin para UNÇSH-së. Të tillë ishin komisariati politik, shtabi operativ, seksioni i brendshëm, shërbimi qendror i formacionit, seksioni shëndetësor, drejtoria ekonomike, grupi i specialistëve etj. Por ndërkohë mbahej parasysh dhe vijoi të mbetej si parim që komandave dhe shtabeve të formacioneve të mëdha t’u lihej më shumë nismë për planizimin, organizimin dhe drejtimin e operacioneve luftarake ku merrnin pjesë. Kjo strukturë e re ishte sa e thjeshtë dhe operative. Kjo ishte në gjendje që të përpunonte të gjithë atë masë të dhënash që vinin nga njësitë dhe nga formacionet e tjera të mëvetësuara, si dhe nga burimet e tjera informative, të planëzonte e të drejtonte operacionet në të cilat do të merrnin pjesë forcat e UNÇSH-së. Këtë detyrë kjo strukturë e kreu më së miri, me të gjitha kualitetet që i përkisnin një ushtrie të rregullt, edhe pse në kushte jo të favorshme për kohën dhe situatën.