Bernard Zotaj: Reaksionarët dhe Heroinat e Mirditës

1762
Sigal

Heroinat e Mirditës, në luftë kundër reaksionit

 

(Në kuadrin e ditës së Dëshmorëve)

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

I vranë për së treti herë

Katër vajza trimëresha të Mirditës, katër heroina: Mrikë Lokja, Shkurte Cara, Marta Tarazhi dhe Prenda Tarazhi, u ngritën në luftë kundër reaksionit, hodhën poshtë zakonet e vjetra, shkuan vullnetare për ndërtimin e hekurudhës, u kthyen përsëri pranë familjeve, kësaj radhe më të forta e më të kalitura, si burrnesha. Për këtë arsye reaksionarët i kapën, i torturuan dhe na i vranë.

I vranë së pari në vitet 1948-1949, i vranë së dyti në vitet e demokracisë duke ju hequr monumentin dhe së treti nuk i përkujtuan. Asnjë gazetë, asnjë TV, apo dhe dedikim në rrjetet sociale nuk u dha për to. A thua se kishte ndaluar ora shqiptare, mirditore apo labe? Jo, ora nuk ndalet, por ata që i vranë i ndalën sot. Hijet e zeza edhe sot i prenë përsëri në besë dhe i vranë për së treti herë. Reaksioni synoi t’ua zhdukte edhe fytyrën, u grisi edhe fotografitë, ua masakroi fytyrat, aq sa as të vdekura nuk mund të fotografoheshin për t’i njohur. Këtë gjë bëri edhe në 70 vjetorin e masakrimit të tyre. Reaksioni më shumë synoi t’i thyente, sesa t’i vriste. Duke thyer luftëtaret e shquara ai synonte të paralizonte një krah të pushtetit të ri të popullit, forcën e madhe të gruas. Thyerja, tërheqja, gjunjëzimi i luftëtarit të vijës së parë ka brenda farën e shkatërrimit moral për ata që vijnë pas. Reaksioni e dinte këtë. Por luftëtarët tona nuk u thyen. Ato morën në sy vdekjen dhe vendosën të ecin përjetësisht bashkë me brezat që do ta çojnë Shqipërinë në civilizim dhe demokraci.

Ecën pa bujë në rrugën e emancipimit

Marta, Prenda, Mrika dhe Shkurte ecën pa bujë në rrugën e emancipimit të të gjithë krahinës, e sidomos të gruas mirditore. Ecën ditë për ditë natyrshëm, pa lëkundje, me pjekuri, me bindje të ndërgjegjshme se çdo e drejtë fitohet me luftë. Ato nuk e kërkuan lavdinë, por vetë jeta e luftëtarit militant i çoi drejt lavdisë. Po ç’gjë të veçantë patën në jetën e tyre? Cila ishte ajo forcë që i bëri të pamposhtura? Qëndresa e tyre na jep forcë e na frymëzon sa herë i kujtojmë? Në fëmijërinë e tyre nuk pati asgjë të veçantë. U rritën dhe e morën formimin e parë në ato vatra të thjeshta, ku mungonte buka, e para e jetës, por nuk ju mungoi asnjëherë besimi dhe forca shpirtërore për të arritur të një ditë më e mirë. Dhe dita erdhi. Koha e Partia i morën për dore, u ndriçuan mëndjet, u treguan shtigjet e gjëra dhe ato shpërthyen me vrullin e ndjenjave të ndrydhura në zemrën e gjithë brezave. Pra e veçanta qëndron te koha që i thirri si dëshmimtare të historisë. Ato iu përgjigjën këtij zëri të bindura se dikush do ta çante më së pari rrugën, e mbas të parave do të vinin dhjetëra e qindra të tjera. Forca e madhe shpirtërore që ju buronte nga bindja e ndërgjegjshme, sepse kush vdes në emër të jetës së re, e ka fituar jetën, armiku nuk mundi t’i thyente. As kërcënimet në dy-tre vjetët e veprimtarisë së tyre, as torturat nuk i kthyen dot nga rruga e nisur. A mund të kthehet mbrapsht historia? As heroinat tona nuk mund t’i kthente mbrapsht asnjë forcë. Ato e nisën rininë në çaste kthese historike për gjithë kombin. Të rritura midis vuajtjeve dhe mjerimit, ato e jetuan edhe vetë deri në një pikë të jetës dramën e prindërve, por i përkisnin atij brezi që hyri në pragun e rinisë në të njëjtën kohë kur vetë atdheu hyri në epokës së re.

Marta me dëshirë për dritën e diturisë

Marta Pjetër Tarazhi lindi në Bukëmirë të Livadhasit të Mirditës, më 12 gusht 1925. Që shumë e re, manifeston dëshirë për të përqafuar dritën e diturisë. I mëson vetë shkronjat, edhe duke i qëndisur me rruaza të pajës. Lidhet me shokët e rinisë dhe shkrojnë çdo ditë në qendër të fshatit, atje ku bëheshin mbledhjet. Një ditë, në kuvendin e fshatit dikush dha lajmin se u dogjën kullat e kapedanit, nga partizanët dhe nga vetë populli i ngritur në luftë. Një ditë tjetër, në fshatin e tyre, i deleguari i Partisë u thotë fshatarëve se një luftë e re fillon, duke marrë parasysh grumbullimin e reaksionit në Veri dhe se Fronti u bën thirrje të ngrihen burra e gra për ndërtimin e Shqipërisë së re, duke çrrënjosur zakonet e këqija. Për Martën, biseda me të deleguarin i la në mendje gjurma të thella. Ajo kupotoi se Shqipëria e re nuk mund të ndërtohet pa dalë në punë edhe gratë e vajzat, pa mësuar shkrim e këndim, pa fituar të drejtat e veta edhe gruaja si burri, pa përmbysur zakonet e këqija të Kanunit. Ajo vendoset të jep kontributin e saj, duke mësuar çdo ditë e më mirë si ta bëntë luftën kundër reaksionit dhe për ndërtimin e Shqipërisë së re. Hyn në kursin kundër analfabetizmit. Pranohet edhe zëvendëssekretare e Rinisë së Partisë dhe kryen detyrën me përkushtim, deri kur e vranë kriminelët më 25 prill 1948.

Prenda në rrugën e lavdisë

Prenda Llesh Tarazhi lindi në Patin të rrethit të Matit më 12 prill 1928. Në fund të vitit 1943, edhe ajo, si shoqet e saj, së bashku më të rinj e të reja të tjerë, i futët rrugës së lavdisë, që e vazhdon deri në fund. Në verën e vitit 1944 ajo kthehet e gëzuar në shtëpi, sepse kishte përcjellur një partizan. Babai i tha se nëse dikush i thotë asaj të tregojë ku është partizanin, a do të tregontë, kurse ajo, në mënyrë të vendosur, mohon, duke thënë: “Kurrë për jetë”. Nga kjo shikohet karakteri i saj burrëror, trimëror, që do ta gdhente edhe më shumë gjatë rrugës së saj për të ndërtuar Shqipërinë. E vranë kriminelët më 25 prill 1948, duke ikur pastaj pabesisht.

Mrika Zef Loka i dha besën rinisë

Mrika Zef Loka lindi në Zajs, Orosh të Mirditës më 2 dhjetor 1928. Për shkak të kushteve të vështira të jetës, në moshën 15 vjeçare, së bashku me familjen e vet vendoset në Shkodër, ku punon në një fabrikë të cigareve. Në kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ajo përjetoi mjaft ngjarje që zhvilloheshin në qytet, në kujtesë i mbeti ngjarja kur u rrethuan heronjtë e popullit Jordan Misja, Branko Kadia dhe Perlat Rexhepi, të cilët rezistuar deri në fund para fashistëve dhe tradhtarëve. Mrika e pa të djegur shtëpinë ku luftuan heronjtë dhe rrevolta nisi në qenjen e saj. Këtë revolte e manifestoi në fabrikë, ku së bashku me një punëtore polake, prishi makinerinë në shenjë hakmarrje…Kështu nga fundi i vitit 1943 kthehet, së bashku me familjen në Mirditë. Këtu merr dhe kontaktet e para me partizanët. Në shtëpinë e familjes Loka u vendos shtabi i Brigadës 23 Sulmuese të partizanëve. Shtëpinë ja dogjën fashistët dhe tradhëtarët. Mrika tashmë e kalitur me vështirësi manifeston një pjekuri të madhe, ku e shoqëron babin në Kuvendin e fshatit. Atje takohet me Bardhok Bibën, i cili ju shpjegonte fshatarëve faktin se në Mirëditë vazhdon lufta me armë. Por menjëherë mbas çlirimit të atdheut të gjitha mbeturinat e reaksionit u grumbulluan në Veri, ku u organizuan në banda të armatosura. Në shkurt të vitit 1945, kryetari i reksionit Mark Gjon Marku krijoi Komitetin e Maleve, duke organizuar gjithë veprimtarinë e këtij reaksioni. “Komiteti i Maleve” pati “organin e shpagimit”, ku bënin pjesë kriminel, të cilët zbatonin vendimet kriminale të krerëve të organizatës. Mrika merr detyrë nga Bardhok Biba të bisedonte me rininë. Ajo i jep besën se do të zbatojë çdo detyrë të ngarkuar dhe do ta bënte me shumë përkushtim. Reaksioni fillon ta ndiqte në punën e saj, ta kërcënojë të mos vazhdojë rrugën e filluar. Fillimisht raksioni ndoqi rrugën e “zhurmaxhinjve”, pastaj u hodhën në veprim me anë të letrave kërcënuese. Por Mrika vazhdonte rrugën e saj. Ajo vazhdon rrugën deri në fund, deri në 27 maj 1948, kur e vranë kriminelët.

Shkurte Cara manifestoi karakter të fortë dhe të guximshëm

Shkurte Sali Cara lindi në Lamin e Madh të rrethit të Matit më 11 shkurt 1925. U rrit jetime e u përball me vështirësitë e jetës. Fëmijëria e saj iku shpejt dhe sipas traditës dhe zakoneve të vendit ajo martohet tepër e re. Ajo martohet me Xhelal Cara. Që në ditët e para të çlirimit të vendit, u aktivizua me rininë e fshatit dhe u bë shembull frymëzimi për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta. Ajo shkoi vullnetare në hekurudhën e parë të vendit Durrës-Peqin në vitin 1947. Edhe pse ishte e martuar në moshë të re, ajo ishte një luftëtare për emancipimin e grave dhe të vajzave deh luftoi për përhapjen e të ersë dhe përballoi mjaft nga shpifjet e reaksionit.

Shqipëria e Re po ndërtohej. Partia kishte hapur shtigje drite dhe për gratë e vajzat. Tek Shkurte Cara u manifestua karakteri i fortë dhe i guximshëm. Këtë rrugëtim e ndërprenë në pritë bandat e diversantëve dhe e vranë pas shpine më 5 korrik 1949.

Motivacioni

Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH më 23 tetor 1967, me dekret 4331 ju dha titullin “Hero i Popullit”. Në motivacion theksohen si ndër gratë dhe vajzat e para, që me fjalën e Partisë në zemër çanë rrugën e së resë e të përparimit, rrugën për çlirimin e plotë të gruas nga zakonet e egra të kanunit e të fesë. Luftuan me vetmohim kundër reaksionarëve dhe elementeve konservatorë, punuan në mënyrë shembullore në aksionet për ndërtimin e vendit, për ngritjen arsimore e kulturore, përvetësuan me zgjuarsi e etje mësimet e Partisë dhe u bë së bashku agjitatore, luftëtare të flakta për emancipimin e gruas shqiptare. Të kapura tradhëtisht nga bandat e armatosura të reaksionit, ato u masakrua egërsisht, por qendruan të papërkulur dhe ballëlart.

Mbi jetën e veprën e tyre, të stilizuar, në monografinë “Jetë me dritë”, të Luçie Doci, e cila e shkroi për të nderuar Heroinat, të cilat kanë pasur një jetë shembullore, si mësim për gjeneratat e të rejave të sotme, për të ngelur si monument i pavdekshëm gjatë gjithë kohërave. Edhe ne jemi në luftë. Është një luftë tjetër. Në këtë luftë, duhet të dijmë se thyerja, tërheqja, gjunëzimi i luftëtarit të vijës së parë ka brenda farën e shkatërrimit moral për ata që vijnë pas. Prandaj, edhe ne, në asnjë moment të mos thyhemi, pavarësisht nga çdo gjë. Në fund të fundit, vetëm dëshmorët e kombit e kanë kryer betimin e tyre ndaj atdheut, kurse ne, që jemi të gjallë, duhet të vazhdojmë rrugën. Deri në fund. Pa kompromis. Pa marrëveshje me tradhtarët dhe me armiqtë e kombit shqiptar.