Bernard Zotaj: Ramica dhe Smokthina, baza të LANÇ-it

1843
Sigal

Dëshmorët na thonë: Qëndroni të bashkuar!

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

(5 Maji në fshatin Ramicë dhe Smokthinë të Vlorës, baza të Luftës Nacionalçlirimtare)

 

Është bërë zakon që çdo 5 Maj banorët e fshatit Ramicë të Bashkisë Selenicë, shkojnë dhe vendosin lule dhe kurora me lule në Lapidarin të gjithë bashkë, nga nxënës, veteranë, pasardhësveteranë dhe familjarë të dëshmorëve. Në fjalën e mbajtur nga kryetari i veteranëve të Ramicës, Edison Zogaj u theksua se:

– Historia e LANÇ-it na flet vetë. Atë e shkruan me gjakun e kulluar 28.000 mijë dëshmorë. Ky lapidar ku jemi mbledhur na bën apel për bashkim. Dëshmorët e fshatit Ramicë edhe sot mbas 75 vitesh ashtu, si edhe në luftë të bashkuar si një trup i vetëm na thonë: -Qëndroni të bashkuar vëllezër për të ruajtur idealet tona për të cilat luftuam, për një Shqipëri të lirë. Ruajeni dhe transmetojeni idealin tonë brez pas brezi. Më tej u dha një program artistik nga nxënësit e shkollës së mesme “Sadik Zotaj”, në muzeun e fshatit, ku kënduan këngë dhe u bënë recitime për dëshmorët. U bënë vizita në familje të dëshmorëve dhe u vizituan pllakata përkujtimore. Të gjithë bashkë, të majtë dhe të djathtë kaluan në një drekë përkujtimore vëllazërisht.

Fshat që ka kapërxyer ndarjet klasore

Në histori, fshati Ramicë ka qenë i bashkuar. Këtë e kanë vërtetuar luftërat e zhvilluara në shek. XX, por e vërtetojnë edhe marrëdhëniet e bashkëfshatarëve midis njeri-tjetrit. E veçanta është se të gjithë dinë të çmojnë dhe të vlerësojnë virtytin, trimërinë dhe vlerat e shfaqura në histori nga çdo ramiciot. Në çdo 5 Maj burrat e gratë e fshatit kuvendojnë me njeri-tjetrin dhe bashkërisht shkojnë dhe vendosin lule në lapidarin e të rënëve. Këtu të duket se jemi në një vend pa parti dhe që politika gjithmonë ka qëndruar larg. Aty, kur qëndron dhe bisedon me këta njerëz je i shkëputur nga politika e mbrapsht që bëhet në Tiranë, kurse këtu njerëzit janë krejt ndryshe. Zanafilla e problemeve gjithmonë gjendet diku larg, jashtë këtyre njerëzve dhe kësaj hapësire që gjithmonë ka qenë dhe është e lirë. Gjithmonë, midis njerëzve ka një mirëkuptim dhe bashkëpunim të admirueshëm. Këto vlera u shfaqën dhe këtë 5 Maj 2019, ku të gjithë bashkë përkujtuam këtë ditë. Edhe kur ka pasur ndarje, ajo ka ardhur nga partitë politike, të majta dhe të djathta. Këtë 5 Maj ato nuk u gjendën pranë këtyre njerëzve të thjeshtë për të përkujtuar.

Në Shqipëri është bërë zakon në këto vite të demokracisë që partitë ti veçojnë njerëzit veç e veç për dëshmorët, por ramiciotët e kanë përbuzur, ata qëndrojnë bashkë se kështu ishte amaneti i dëshmorëve.

Gjithmonë të gatshëm për mbrojtje

Smokthinjotët ishin masivisht në mbështetje të plotë të momenti historik të shpalljes së pavarësisë. Ata u treguan të gatshëm për mbrojtjen e kufijve të Jugut nga synimet shoviniste greke. Në dhjetor 1912 Ismail Qemali u bëri thirrje smokthinjotëve për luftë në mbrojtje të Janinës. Mbi 150 smokthinjotë morën pjesë vullnetarisht për mbrojtjen e trevave shqiptare dhe mbetën të vrarë 14 smokthinjotë dëshmorë. Në luftën për çlirimin e Vlorës më 1920 u mobilizuan dhe morën pjesë në mënyrë masive duke u organizuar në tri çeta me luftëtarë. Në këtë luftë ranë 16 smokthinjotë.

Smokthina ka qenë bazë e LANÇ-it. Smokthinjotët kanë luftuar gjatë Luftës së Dytë Botërore duke u inkuadruar në çeta e batalione territoriale e ato partizane. Në nëntor 1942 në Smokthinë u krijua Këshilli Nacionalçlirimtar në Verbas. Në 5 Qershor 1943 u krijua çeta partizane “Zigur Lelo” e Smokthinës, me 21 partizanë, bij dhe bija të Smokthinës. Batalioni territorial i Shullërit kishte 180 luftëtarë. Pjesëmarrja në luftë nga Smokthina arriti në 604 veta. Pjesëmarrja e gruas në rreshtat partizane dhe në ato territoriale arriti deri në 217 veta. U masakruan nga pushtuesi 20 veta. Të plagosur 28 veta. Shtëpi të djegura gjatë luftës 117. Bagëti të rrëmbyera nga armiku 5480 krerë. Smokthina i dha luftës 103 dëshmorë të tri luftërave 1914, 1920, 1939-1944.

Ramica u bë selia e shtabeve partizane

Fshatit Ramicë në qarkun e Vlorës, në vitet e LANÇ-it, u bë bazë dhe mbështetje e fuqishme e Luftës më të rëndësishme dhe jetike për fatet e shqiptarëve, kontribuoi e dha një ndihmesë të çmueshme. Populli i këtij fshati malor, i përkushtuar në ndjenjën e patriotizmit dhe i frymëzuar nga dashuria për Atdheun, mori pjesë masivisht në këtë Luftë, duke vënë në dispozicion të saj gjithçka që kishin më të shtrenjtë, deri edhe jetën e tyre. Ramica shërbeu për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, jo vetëm si Zonë e Lirë, por edhe si pikë dominuese strategjike e rëndësishme, me një terren të përshtatshëm ku lehtësonte drejtimin operativ e strategjik të Luftës në krejt zonën e Lumit të Vlorës. Ajo shërbeu edhe si një qendër nga ku nisën dhe u zhvilluan luftime të ashpra, në veçanti gjatë Operacionit të Dimrit të vitit 1943-1944, por edhe në gjithë gjashtëmujorin e parë të vitit 1944. Në Ramicë gjetën terren, u strehuan e punuan si ilegal e legal Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ali Demi, Manush Myftiu, Pajo Islami, Shefqet Peçi, Haki Toska, Ali Demi, Liri Gega, Liri Arapi, Teli Ndini, Ymer Veshi, Ramize Gjebreja, Zaho Koka e dhjetra të tjerë. Prej muajit tetor 1943 në Ramicë u vendosën në kohë të ndryshme dhe punuan deri në çlirim, Qarkori i Partisë për Vlorën, Komanda e Qarkut, Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Qarkut, Shtabi i Brigadës V Sulmuese, si dhe Shtabi i Brigadës VI Sulmuese. Shtabi i Brigadës V Sulmuese qëndroi në shtëpinë e Zoto Rakip Zotaj. Shtabi i Brigadës VI Sulmuese me Tahir Kadare dhe Haki Toskën u vendos në shtëpinë e Hodo Ferhatit. Nga fshati Ramicë u nisën delegatët e Qarkut të Vlorës për në Kongresin Antifashist të Përmetit, si dhe delegatët e rinisë antifashiste të Qarkut të Vlorës për në Kongresin e Helmësit. 10 shtëpi në Ramicë janë vlerësuar “Baza të Luftës”. Shtëpi bazë të Luftës Nacionalçlirimtare ndër të tjera të titulluara si të tilla janë shtëpitë e Zenel Hasan Curraj, Gilo Lame Sulçaj, Shtëpitë e Dervishes, të Cane, të Pronje të Zoto Rakip Zotaj, Lavdosh Zaçe Zotaj dhe të Feti e Fail Liçaj. Mbi 100 djem dhe vajza të Ramicës u rreshtuan në njësitet partizane, kryesisht në Brigadën V Sulmuese dhe në Brigadën XII Sulmuese dhe në brigada të tjera të UNÇSH. Mbi 140 në çetën vullnetare e territoriale të fshatit, e cila mori pjesë në të gjitha luftimet që u zhvilluan në Qark deri në çlirimin e Vlorës. Mbi 80 gra ramiciote dhanë ndihmesën e veçantë në Luftë, në ndihmë të ekonomisë partizane. Ramica ka 23 dëshmorë, midis tyre dhe partizanen Rakibe Dervishaj, 10 të plagosur, 8 viktima dhe të masakruar, të internuar, të burgosur, 70 shtëpi të djegura, 2000 bagëti të imta dhe 780 bagëti të trasha të dëmtuara. Ky është bilanci i humbjeve tragjike që pësoi Ramica nga Lufta.

Ramica dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”

Fshati gjatë viteve të Luftës shërbeu si qendër e rëndësishme e veprimtarisë politike, ushtarake dhe logjistike për ushtrinë partizane dhe organet drejtuese të Frontit Nacionalçlirimtar. Udhëheqja politike dhe ushtarake e Luftës, ndiente një detyrim të madh moral për sakrificat dhe heroizmin e popullsisë së fshatit. Disa nga figurat kryesore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që u bënë komandant dhe komisar të zot në LANÇ dhe pas çlirimit të Shqipërisë u bënë drejtues dhe specialistë të mirë në shumë fusha të jetës politike, shoqërore e ekonomike e deri në ushtri si Mevlan Dervishaj, Pajo Islami, Bako Dervishaj, Mojsi Elezi, Shefqet Musaraj, Veiz Pipa, Shahin Ruka, Feti Smokthina, Shaqo Derri, Dane Mehmeti, Bardhosh Halimi, Lavdosh Zotaj, Njazi Canaj, Shyqyri Ajazi, Gilo Lame, Hasan Abedini.