Bernard Zotaj: Dukuri të organizimit ushtarak në luftën e Vlorës

675
Sigal

Për të mbrojtur Vlorën përballë forcave të armikut u vendosën në përballje luftarake për jetë a vdekje forcat kryengritëse vlonjate vetëm me 4000 vetë.

 

Dukuri të organizimit ushtarak në Luftën e Vlorës 1920

(Në kuadrin e 99-vjetorit të Luftës së Vlorës)

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Drejtimi dhe komandimi

Ndër detyrat e para strategjike, që zgjidhi Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare ishte çështja e drejtimit të Luftës së Vlorës, në të cilin përfshihej gjithë zinxhiri i drejtimit, nga niveli strategjik deri tek nivelit taktik. Organi më i lartë, i sferës politiko-ushtarake, i cili bënte drejtimin strategjik, ishte pikërisht Komisioni i Mbrojtjes Kombëtare, ndryshe Këshilli i Luftës me përbërje prej 12 veta, me në krye intelektualin e njohur atdhetar vlonjat, Osman Haxhiun.

Pranë këtij organi u krijua një organizëm tjetër, Komisioni Ushtarak, apo Shtabi Ushtarak, i cili nuk ishte gjë tjetër përveçse një lloj organizmi ushtarak i specializuar, që merrej pikërisht me përgatitjen e planeve të luftës dhe drejtimin e tyre në fushën e luftimeve. Në përbërje të këtij organizmi special me porosinë e Qeverisë së Tiranës ishin një grup oficerë shqiptarë të karrierës, që do të jepte ekspertizë për çështjet ushtarake në hartimin e planit, si dhe gjatë zhvillimit të luftimeve. Ky grup, bashkë me Komandantin e Përgjithshëm, ndikuan në përpilimin e një plani lufte sa më objektiv dhe të bazuar në pikëpamje ushtarake, por edhe në plotësimin dhe realizimi e tij në ecurinë e luftës. Gjithashtu, për mbarëvajtjen e përgatitjeve dhe të veprimeve luftarake, për të ruajtur forcat dhe vend përqendrimet e tyre prej zbulimit dhe agjenturave të armikut, u organizua një force policore, që u emërtua Policia e Luftës, e përngjashme me Policinë Ushtarake. Në krye të saj u përzgjodh dhe u caktua një Komisar i Përgjithshëm, i cili ishte gjithashtu një oficer policie i karrierës, me mjaft përvojë shërbimi dhe personalitet i kësaj fushe në Vlorën e atyre viteve. Ky ishte Shero Emini. Zinxhiri i drejtimit dhe komandimit përmbyllej me bllokun e komandantëve të çetave. Në mungesë të mjeteve të drejtimit modern, drejtimi u bazua tek ndërlidhja tradicionale, me korrierë dhe me sinjale. Megjithatë, drejtimi bëhej edhe drejtpërdrejt, duke dërguar pranë reparteve kryengritëse përfaqësuesit e Komitetit të Mbrojtjes. Në sistemin e drejtimit doli qartë parimi i centralizmit, sepse ishte përcaktuar që asnjë komandë çete, madje as vet Komandanti i Përgjithshëm, nuk mund të ndërmerrte vendime luftarake apo të lëshonte urdhra pa miratimin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare. Përcaktimi i kësaj hierarkie ishte bërë për të shmangur veprimet e nxituara, të pastudiuara ose të pakontrolluara, që mund të sillnin pasoja dhe rreziqe fatale për forcat kryengritëse.

Çështjet kyçe dhe të veçantat e tyre

Në skenën e teatrit të luftimeve të Vlorës, shumë prej çështjeve-kyçe u zgjidhën me të veçantat e tyre, duke i dhënë kësaj lufte tipare po aq të veçanta. Ato ishin disa, që nga organizimi i forcave dhe përhapja e tyre, tek drejtimi në të gjitha nivelet, përcaktimi i objekteve kryesore të mësymjes, gjetja e formave taktike dhe e mjeteve për shpërthimin dhe kapjen e garnizoneve dhe të qendrave të fortifikuara armike, përballimi dhe zgjidhja e problemit delikat dhe kyç të raportit të forcave, duke shembur e kapërcyer skemat dhe tabutë klasike të artit ushtarak, duke rivërtetuar se ekzistenca e tyre është e pafund dhe e lidhur ngushtë me rrethanat, vendin ashtu si dhe me forcat që i modelojnë dhe i zbatojnë ato në fushën e luftimit. Në vijim u bënë përpjekje për të tejkaluar edhe diferencat e mëdha në armatime, municione dhe mjete të tjera lufte. I gjithë ky plan dhe efektshmëria e tij u pranua edhe nga vetë ushtarakët dhe autorët italianë. Njeri prej tyre, Benedetto Kanilia, i cili ka theksuar se “ky plan revolucionar (kryengritës) në pamjen e tij paraqet kriterin më të mirë taktik të momentit….”.

Më së pari, operacioni i zhvilluar në Luftën e Vlorës, rikonfirmoi praninë dhe rëndësinë e një parimi tejet të rëndësishëm, me peshë dhe vlera vendimtare për fatet e veprimeve luftarake si dhe të vet kryengritjes, faktorin moralo-psikologjik dhe rolin e tij përcaktues në luftë. Rëndësia dhe roli i këtij parimi themelor shfaqen dhe bëhen përcaktues pikërisht atëherë kur epërsia në forca njerëzore, në armatime, mjete dhe teknikë luftarake, nuk është në anën e atij që lufton për një çështje dhe ideal të drejtë, në mbrojtje apo në kërkim të lirisë, identitetit dhe integritetit kombëtar. Dhe megjithatë, edhe në këto rrethana, ia del të fitojë! Vërtetësinë e rëndësisë përcaktuese të këtij parimi e dëshmoi, në veprimet luftarake, ndonëse me forca dhe armatime disa herë më të pakta në numër, duke thyer klishetë dhe skemat tabu të artit ushtarak që zbatonte kundërshtari përballë, kryengritësit popullorë arritën tek fitorja. E gjithë kjo ndodhi për arsye të motivimit dhe gjendjes moralo-psikologjike të lartë të tyre, e cila nxitej dhe ushqehej nga qëllimi i luftës, çlirimi i krahinës dhe ribashkimi i saj me pjesën tjetër të atdheut të pavarur e sovran. Raporti i forcave ushtarake dhe armatimi.

E parë nga një këndvështrimi tjetër, duke gjykuar për nga numri dhe raporti klasik i forcave, armatimeve dhe i mjeteve të tjera luftarake, si dhe i masave paraprake të shumta të përdorura nga të dy palët në këtë luftë, sidomos nga ana e pushtuesve, mund të thuhet pa asnjë mëdyshje se forcat kryengritëse shqiptare i bënë një sfidë të dytë, në thelb më kryesore, armikut përballë. Në se u besojmë dhe u referohemi statistikave historiko-ushtarake të kohës, kur po përgatitej Lufta e Vlorës, ato tregojnë se pushtuesit italianë, edhe pse Lufta e Parë Botërore kishte kohë që ishte përmbyllur, mbanin ende në Vlorë dhe në zonat përreth, forcat e Korpusit të Trupave të Shqipërisë, nën komandën e gjeneralit Settimo Piaçentini, i cili numëronte afro 20.000 ushtarakë. Prej tyre 14.000 ishin përqendruar në trekëndëshin strategjik Vlorë-Sarandë-Tepelenë, që ishin efektiva të Divizionit të 36-të të Këmbësorisë, si dhe disa reparte speciale të Korpusit. Divizioni tjetër i këtij Korpusi, me 6.000 ushtarakë qe vendosur në Durrës. Për të mbrojtur Vlorën ata kishin në përdorim edhe armë të rënda, si mitraloza, topa të kalibrave të ndryshëm, teknikë dhe mjete të shumta luftarake. Në mbështetje të tyre kishin edhe një skuadër tankiste dhe një tjetër ajrore, si dhe artilerinë e anijeve luftarake. Këto forca ishin shpërndarë në mbrojtje në tri vija dhe në disa garnizone të fortifikuara, të fuqishme. Përballë këtyre forcave dhe masave mbrojtëse te armikut, u vendosën për një përballje luftarake për jetë a vdekje forcat kryengritëse vlonjate, me vetëm 4.000 luftëtarë. Në pikëpamjen numerike formale, në prag të fillimit të fazës së parë, raporti real i forcave paraqitej me shifrat 14.000:4.000 ose 3.5:1 në dobi të pushtuesit. Për sa i përket raporteve në armatime dhe teknikë luftarake epërsia ishte absolute për ta. Për këto arsye, për shkak të kësaj epërsie të theksuar, reagimi i Komandantit të Forcave Ushtarake të Pushtimit në Shqipëri, gjeneral Piaçentinit, pasi mori ultimatumin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, ishte tejet mospërfillës dhe arrogant. Studiuesi B. Kanilia, thekson se gjenerali i ishte përgjigjur të dërguarit shqiptar: “t‘u thoni brigantëve shqiptarë, se përgjigjen e letrës do ta japin topat e Kotës, Gjormit, Llogarait, Drashovicës, Tepelenës”. Koha dhe fusha e luftës vërtetoi se përgjigja iu kthye në bumerang gjeneralit. Veprimet luftarake, të shpejta dhe të befasishme të luftëtarëve kryengritës, bënë që të heshtnin topat në Vlorë dhe në garnizonet përreth saj. Në rrjedhën e luftës, raporti i forcave, armatimeve dhe municioneve të vullnetarëve shqiptarë erdhi në rritje për shkak të forcave vullnetare që mbërritën nga krahinat e tjera të vendit si dhe armëve e mjeteve luftarake të kapura armikut. Ndërsa në fazën e parë të luftës, KMK-ja kishte në gatishmëri dhe përdori vetëm 4.000 mijë luftëtarë, në fazën e dytë ky numër u rrit në 5.000-6.000 luftëtarë. Me gjithë këtë raporti i forcave asnjëherë nuk shkoi përtej përpjesëtimit 2:1 për armikun. Kryengritësit u përpoqën dhe shpesh i a dolën mbanë që ta kompensonin këtë diferencë me gjendjen e lartë moralo-psikologjike dhe nivelin e motivimit, me shpirtin sulmues, veprimet e shpejta dhe të fshehta, shfrytëzimin e natës dhe të terrenit të njohur, si dhe manovrës së lartë etj. Kështu, ata ia dolën mbanë të detyronin kundërshtarin të tërhiqej nga Vlora përfundimisht.