Bashkim Koçi: Vlerat e shkencëtarit të gjenetikës, Hysen Laçej

998
Sigal

“Hysen Laçej ishte i vendosur për atë çka kish marë përsipër të bënte. U përkiste atyre intelektualve që e shikonte problemin drejt e në sy. Nga viti 1959 e deri më 1967, Hysen Laçej arriti të përcaktonte me kompetencë metodat gjenetiko-seleksionuese që do të zbatonte në kushtet e vendit. Gjatë kësaj kohe, u krijuan qindra linja misri e disa dhjetëra hibride, të cilët krahasuar me ato të huajat, paraqitnin mjaft interes.

 “Ndodh shpesh që njeriu u bindet pasioneve, të mira apo të këqia qofshin. Edhe Hysen Laçej radhitej tek grupimi i specialistëve pasionantë, tek ata që nuk e njihnin tërheqjen, që qëndronin të vendosur për t’i çuar punët e nisura deri në fund. Madje ai ndjehej mirë kur ndiqte paralelisht, njëherësh, disa hallka të mbarshtimit të hibrideve të misrit.

Hysen Laçej, shkencëtari që punoi me moton “të dish nuk mjafton, duhet të zbatosh”.

 

Nga Bashkim Koçi

Shkencëtari i mirënjohur i bujqësisë shqiptare Hysen Laçej mbetet një ndër specialistët e rrallë, nga më pasionantët dhe të diturit e brezit të tij, i cili guxoi të përballej dhe të pranonte sfidën përkundër të gjitha të panjohurave në fushën e prodhimit të farërave hibride të misrit. Ai sot, pa as më të voglin dyshim, mbahet si themeluesi i bazave të seleksionimit të bimëve dhe prodhimit të farërave për bujqësinë.

Po cili është Hysen Laçej, shkencëtari shqiptar që bëri revolucion në krijimin e farërave debride dhe që shumëfishoi rendimentin dhe elementët ushqyes nga nënproduket e bimës së misrit? Ai u lind në qytetin e Shkodrës në vitin 1935, në një familje “safi”qytetare i cili, përveç “Legjendës së misrit” të shkruar nga Migjeni, e që ulërimën e poetit rrebel “Mos e shkel, he të shitoftë zana!”, e që kish mësur në shkollë, aty në qytetin e tij, nuk dinte asgjë tjetër, as për misër e as për bimë të tjera të bujqësisë. Me baba tregëtar, Hyseni, edhe pse nxënës i shkëlqyer, që në hapat e para të jetës shkollore, nuk e pati të lehtë. Por, jetimit (pa baba), nuk iu mbyllën të gjitha dyert e fatit. Pasi mbaroi shkollën fillore në Shkodër, e pranojnë si konviktor në Elbasan, ku edhe kreu shkollën 7-vjeçare, të cilën e mbaroi përsëri shkëlqyeshëm, duke patur fatin që mësuesit e asaj shkolle të ishin disa prej atyre që kishin shkëlqyer në Normalen e njohur të këtij qyteti. Në vitin 1948, në moshën 14 vjeç, ishte ndër vullnetarët më të vegjël në hekurudhën Durrës-Peqin. Nga viti 1948 deri në vitin 1952, vazhdon dhe përfundon gjimnazin e Shkodrës, ku u klasifikua si maturanti më i mirë. Në verën e atij viti, duke u përfshirë vrullshëm në aksionet e rinisë, Hysen Laçej shkon vullnetar në hidrocentralin e Shkopetit “Ruga e Dritës”. Kthehet prej andej dhe bën kërkesë për të vazhduar shkollën e lartë në njërën nga tri degët: matematikë, inxhinieri elektrike dhe fizikë. Edhe pse kishte të drejtën e “zgjedhjes”, duke ia shpërfillur dëshirat, iu dha e drejta e studimit për agronomi në Akademinë e Shkencave “Temirjazev” në Moskë, në një nga shkollat e larta me shumë emër të mirë. Aftësia e tij për t’u përshtatur, njohja mirë e rusishtes si dhe dhënia e tre provimeve të para “Atliçno” (Shkëlqyeshëm) në matematikë, fizikë dhe botanikë, e bënë studentin Hysen Laçej të ndjehej i sigurtë për rrugën që kishte nisur. Ai shpejt tërhoqi vëmendjen e studentëve vendas dhe të huaj dhe të profesorëve të tij, si “lluçi student” (studenti më i mirë). Madje, duke u aktivizuar edhe me sport, me skuadrën e futbollit të kësaj Akademie, iu dha rasti të shëtisë pothuajse të gjithë Bashkimin Sovjetik.

Dita, e mirë apo e keqe, duket që në mëngjes, thotë një fjalë e urtë. Studenti Hysen Laçej, në vitin e trëtë të fakultetit, iu desh të jepte provim lëndën e gjenetikës. Profesori që e mori në provim ishte akademiku Mihaij Haxhinov, një nga profesorët më me emër në Botë për atë periudhë.  Ai pasi e dëgjoi, bëri vlerësimin maksimal “Zvezda”, që do të thoshte “me yll”. Por fati nuk është i rastësishëm, ai vjen edhe nga mundimi. Meqë Prof. Haxhinovit studenti sjhqiptar i hyri në zemër, gjatë pushimeve të verës e mori me vete në fshatra ku zhvillonte eksperimentet shkencore të tij, në Krasnodar. Për shkak të aktivizimit dhe të aftësive të shfaqura nga Hysen Laçej, profesori i ofroi bashkëautorësi në disa tema. Që në vitin 1956, pa u kthyer ende në atdhe, ai dërgoi prej andej për në Shqipëri, përmes ambasadës sonë në Moskë, rreth 20 linja misri, për prodhimin e hibrideve, të cilët po këtë vit u mbillën në Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë nga Bashkëpunëtori Shkencor, Sulejman Xhepa.

Thonë se fati të troket në derë vetëm një here. Kështu ndodhi edhe me Hysen Laçej. Porsa u kthye nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1956, mori emërimin për të punuar si specialist në Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Lushnje, si Bashkëpunëtor Shkencor. Një vit më vonë, ai mundësoi hartimin e metodikave të punës kërkimore për misrin si dhe mbjelljen e koleksionimin e linjave, duke organizuar, së bashku me kolegun e tij Sulejman Xhepa, ekspeditën mbarëshqiptare për grumbullimin, klasifikimin dhe studimin e popullatave të vendit të misrit, për të njohur vlerat e tyre dhe për t’i përdorur për punë kërkimore shkencore. Përfundimet e kësaj pune kërkimore shkencore, janë tipizimi i llojit “Deti-62”, linja “1800”, etj.

Një nga momentet e lumtura të jetës për njeriun është kur gjen fuqinë për të pranuar atë që nuk mund ta ndryshojë. Në vitin 1958, ai komandohet në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz, në Tiranë, duke marë me vete edhe materialin e tij gjenetik. Po këtë vit, Hysen Laçej kërkoi të transferohej në Shkodër duke rrjeshtuar si nevojë, veç të tjerash, edhe arsyet familjare. Kërkesa u realizua në marsin e vitit 1959. Vendimi i emërimit pranë Institutit të Zooteknisë, një nga qendrat e mendimit shkencor mjaft i avancuar për kohën, iu duk si një dhuratë sepse, sipas tij, i erdhi në dorë ajo çka donte. Madje aty filloi që agronomi Hysen Laçej të dashurohej me bimën e misrit, puna kërkimore e të cilit e kishte çuar jehonën deri në Tiranë. Ministri i Bujqësisë i asaj kohe, Maqo Çomo, si dhe këshilltari sovjetik Maçkieviç, ishin bërë kurjozë për punën shkencore që zhvillohej atje, ndaj një ditë gjetën kohë për të vizituar dhe për t’u njohur së afërmi me punën konkrete dhe me metodikën shkencore që zbatohej aty.

Hysen Laçej ishte i vendosur për atë çka kish marë përsipër të bënte. U përkiste atyre intelektualve që e shikonte problemin drejt e në sy. Nga viti 1959 e deri më 1967, Hysen Laçej arriti të përcaktonte me kompetencë metodat gjenetiko-seleksionuese që do të zbatonte në kushtet e vendit. Gjatë kësaj kohe, u krijuan qindra linja misri e disa dhjetëra hibride, të cilët krahasuar me ato të huajat, paraqitnin mjaft interes.

Në vitin 1967, iu krijua mundësia të shkojë 3 muaj për specializim në Itali, ku edhe verifikoi rrugën e ndjekur në punën e tij shkencore, përmes krahasimit të punës që kryhej në Shqipëri me këkimin shkencor në Itali. Sigurisht ai u bë me krah kur konstatoi se ishte shumë afër arritjeve bashkëkohore të vendeve perëndimore. Në vitin 1970, ai arriti të përcaktonte hibridet konkretë për prodhimin e gjerë, si: “Rozafa-95”, “Rozafa-103”, “Rozafa-111”, etj., hibride këto që në kushte të njëjta kultivimi, japnin 50-60% më shumë rendiment sesa llojet e përmirësuara të vendit, dhe 30-40% më shumë se hibridet e krijuara mes llojeve të vendit për të njëjtin cikël bimor. I nxitur nga rezultatet Hysen Laçej guxoi të bëhet nismëtar i krijimit të Stacionit Qëndror të Misrit në Shkodër, më 1 korrik të vitit 1971.

Hysën Laçej është i pari drejtor i këtij institucioni shkencor, dhe që e “mbushte”, si i thonë, atë vend me tërë personalitetin e tij prej një shkencëtari të vërtetë. Fillimisht, duhej kualifikuar personeli, duhej bërë organizimi i punës, duheshin krijuar sektorë të rinj, si ai i gjenetikë-seleksionimit, i agroteknikës dhe i prodhimit të farërave, i biofiziologjisë, laboratori, arshiva shkencore, sektori i prodhimit të gjerë, si dhe duhej dhënë asistencë për prodhimin e gjerë në të gjithë vendin. Me mundim e kurajo, por edhe me pasionin e specialistit, ai arriti shuëm shpejt që gjithçka të sistemohej sipas “prerjes” që i duhej një institucioni serioz shkencor.

Dituria ka vlerë vetëm kur e zbaton në praktikë. Falë përgatitjes së tij shkencore dhe kulturës qytetare, Hysen Laçej arriti të krijojë gjithë strukturën e prodhimit të farës hibride të misrit, duke organizuar edhe prodhimin e hallkave të linjave prindërore të këtyre hibrideve. Po sjellim vetëm këtë fakt: Çdo vit kryheshin nga 1700-2300 kryqëzime dhe mbi 17000 autofekondime. E pabesueshme, apo jo? Mbi këtë bazë, u bë e mundur që prodhimit t’i jepeshin mbi 75 lloje hibride misri, duke bërë të mundur që në çdo 5 vjet, të ndryshohej struktura me hibridet e reja me aftësi prodhuese 10-12% më të lartë. Kjo çoi deri atje sa në vitin 1989, vendi ynë kultivonte 75 mijë hektarë kulturë të parë për kokërr, njëqind për qind me hibride dhe mori një rendiment 47.9 kv/ha. Rendimenti në shkallë vendi, në mbi 80 mijë ha që mbilleshin me misër, nga 23,9 kv për hektar që merrej më parë, shkoi  në 34,9 kv/ha.

Në vitet 1980, kur Stacioni u rrit në nivel të Institutit dhe ju ngarkua puna kërkimore në kulturën e misrit dhe në atë të orizit (atëherë mbilleshin rreth 5.000 ha oriz në shkallë vendi), u hartuan edhe teknologjitë, të cilat programonin dhe udhëzonin për të organizuar punën në marrjen e rendimenteve të larta në territore ekologjike të ndryshme, e që përfshinin mijëra hektarë.

Ndodh shpesh që njeriu u bindet pasioneve, të mira apo të këqia qofshin. Edhe Hysen Laçej radhitej tek grupimi i specialistëve pasionantë, tek ata që nuk e njihnin tërheqjen, që qëndronin të vendosur për t’i çuar punët e nisura deri në fund. Madje ai ndjehej mirë kur ndiqte paralelisht, njëherësh, disa hallka të mbarshtimit të hibrideve të misrit. Vendosmëria e këtij burri të virtytshëm dhe të kulturuar, i vinte ngaqë dinte çfarë bënte dhe për kë e bënte. Pra nuk punoi apo të investohej qorrazi, pa ditur se çbënte e ku shkonte. Ai kishte bindje të rrënjosur thellë në shpirt e një mendje  se  misri ishte një nga kulturat bazë të drithërave të bukës, por edhe për arsye se asnjë shtet, që do të prodhonte qumësht e mish, nuk mund t’i materializonte  pa pasur sasi të caktuar misri. Misri, sipas të dhënave shkencore  bën pjesë në masën 40-50 për qind në strukturën e racioneve ushqimore për të gjitha speciet e kafshëve, pa përmendur shpendët dhe derrat për të cilët ai përdoret në përqindje shumë më të lartë. Ai dinte dhe kishte informacionin e duhur se, veç këtyre, misri përdorej për prodhimin e vajit, për prodhimin e birrës, të alkolit etj. Sipas tij, pas vajit të ullirit,  vaji i misrit ishte dhe është më i shijshmi dhe më i ushqyeshmi për njeriun.

Guxim do të thotë të rrezikosh, të vësh përballë  njëratjetrës të diturën me të paditurën, të njohurën për të zbuluar të panjohurën, pra për të ndjekur udhën drejtë një destinacioni të paracaktuar. Për aq sa dimë rreth punës shkencore të Hysen Laçejt konstatohet si ai, si rrallë specialist i bujqësisë shqiptare, arriti të krijojë e të kontribojë për të përmbysur konceprte e praktika që frenonin shtimin e prodhimit të misrtit. Nëse u referohemi arritjeve, shifrave dhe të dhënave që pasqyrojnë ato përpjekje madhore të punonjësve të Institutit të Misrit e Orizit në Shkodër si ekip, por të pandarë nga ajo e shkencëtarit Hysen Laçej dhe bashkëpuntorit të tij të ngushtë Prof. Ahmet Osja, duhet pranuar se aty ndodhi një katalizëm, përmbysje e madhe, e cila do t’i jepte vendin e duhur kulturës së misrit në shkallë kombëtare. Instituti i Misrit fillimisht kishte për detyrë të krijonte dhe të përhapte në prodhim hibride misri, që kishin aftësi të larta prodhuese dhe që u përshtateshin kushteve klimaiiko-tokesore të kultivimit në zona të ndryshme të vendit tonë. Pas një pune të gjatë seleksionuese dhe pas kolaudimeve të disa mijëra hibrideve, si dhe eksperimentimit të një pjese të tyre, në të gjitha rrethet e Rcpublikës u arrit që të përhapeshin në prodhim rreth dhjetë hibride me periudhë pjekjeje të ndryshme, nga 90 deri në 135 ditë, që mund të kultivoheshin në ultësirat bregdetare e deri në lartësinë 1000 metra mbi nivclin e detit. Të gjitha hibridet, që iu jepeshin ekonomive bujqësore, kishin aftësi biologjike 40, 80 e deri 100 kuintalë për hektar. Kjo aftësi prodhuese ishte vërtetuar jo vetëm në eksperimente, por edhe në kushte prodhimi, në brigada, në sektorë dhe në ekonomi të ndryshme, ku misrit i ishte shërbyer dhc i ishin plotësuar kushtet e nevojshme, sipas kërkesave biologjike. Natyrisht, duke llogaritur që kapacitetet biologjike të misrit janë shumë më të larta, dhe që janë në varësi të plotësimit me korrektesë të të gjitha nevojave në çdo fazë zhvillimi, në ngastrat eksperimentale, por edhe në prodhimin e gjerë, u shënuan rendimente të padëgjuara dhe që u mund të krahësoheshin edhe rendimente të nivelit botëror.

Nuk është dështim nëse dikush nuk arrin të materializojë atë që teorikisht e ka patur “të sigurt” e se do të ndodhte ashtu si “ia thoshnin letrat”.  Sipas shkencëtarit Hysen Laçej dështimi ishte nëse eksperimentin që kishe bërë, e nuk të dilte ashtu si e kishe parashikuar, nuk e provoje përsëri. “Dështime” të kësaj natyre ishin të shumtë e që, me dashje apo pa dashje, të zinin rrugën për të shkuar atje ku synohej. Telashe të shumta u dolën sidomos me grup-hibridet e destinuar të përshtashëm për prodhimin e bukës për njerëzit. Gjatë çfletimit të materialeve shkencorë, të cilët pasqyrojnë punën pasionante të specialistëve të atij Instituti të udhëhequr nga Prof. Hysen Laçej, mësuam se problemi ishte konsideruar provizorisht i zgjidhur  pas krijimit të hibridit me kokërr të bardhë e të qelqtë, tip “Rozafa -127”. Por nga e thëna tek e bëra, thotë populli, të ndan një lumë i tërë. Pra u desh shumë punë, mijra kombinime variantesh për të arritur atje ku duhej. Kryqëzimi i llojeve të ndryshëm duhet të konvegonte në  një pikë: të cilësisë së mirë, të hershmërisë në pjekjen e prodhimit dhe kryesorja, hibridi i përfituar të jepte rendimientin më të lartë të mundshëm. Përfundimisht u arrit që shkencërisht të krijoheshin e të kolaudoheshin ashtu si duhej, duke lënë të hapur problemin e shumëzimit të farës së këtyre hibrideve. Misri i vendit. i cili kishte vlera të çmuara për shije, u zëvendësua me të famshmen  “Rozafa-86” nga ku u muarën rendimente në shumëfish, në rraport me farën e vëndit të kultivuar deri atëherë.  Kjo është edhe çështjc tradite, për të cilën në Institutin e Misrit dhe të Orizit në Shkodër tregohej kujdes dhe e trajtohej si kërkesë parësore. Pjesa e brendshme e Shqipërisë, veriore dhe lindore, më tepër konsumon bukën e verdhë, se atë misër kanë kultivuar në vite. Këto, sipas studiusve, janë grupi i mesëm i hibrideve, që përfaqësohen nga hibridi i bardhë. Por përveç këtij të fundit, pra hibridit të bardhë, aty shumohej edhe hibridët qelqorë, dhëmbëkali. Për hibridet e vonshme ishte punuar dhe ishte krijuar një hibrid më i hershëm se “Rozafa-127”, i cili është shumë i mirë për bukë, me potencë shumë të lartë prodhimi që shkon deri në 140 kuintalë për hektar, por që ka një agroteknikë shumë të lartë. Ky hibrid, paksa “aristrokrat”, është emërtuar “Rozafa-123”.

Gabimi më i madh që mund të bëjë një punonjës, i cili i është përkushtuar shkencës, është braktisja e punës, lodhja dhe tërheqja nga “istikami” si njeri i dështuar. Tek shkencëtari Hysen Laçej, në më shuëmse 40 vjet punë kërkimore në krijimin dhe mbjelljen në sipërfaqe të gjera të hibrideve të misrit, nuk u pa kurrë ndjenja e njeriut të dorzuar përpara punëve vërtet të mëdha. Hysen Laçej, falë studimeve dhe formimit të tij të plotë e të thellë në fushën e kërkimit shkencor, ishte në gjendje të besonte  në dy kategori: tek e njohura dhe tek e panjohura. Ajo që ishte e panjohur sot, do të bëhet e njohur nesër, thoshte ai, duke e çuar më tej këtë filozofi të gjykuari se ajo që është e njohur sot ishte e panjohur dje. Gjatë punës së tij, Hysen Laçej shkeli në të gjithë Shqipërinë, aq sa thuhej: “Ku mbillej, mbinte!”. Dhe Hyseni, që nga Mesuli i Pukës, Hasi i Kukësit, Bellova e Peshkopisë, Radokali i Pogradecit, Vithkuqi i Korçës, Potomi i Skraparit e deri në fushat e Vurgut e Vrinës, nuk la pëllëmbë pa shkelur. Për shkallën e përgatitjes së tij shkencore flet edhe një dokument përcjellës që i bëjnë kolegët e tij nga Instituti i Misrit i Bergamos në Itali (ku qëndroi rreth një vit). Në këtë institut, kolegët italianë  shkruajnë me konsideratë se ai ishte një specialist “Ecelente” (I shkëlqyer). Hysen Laçej shkroi mbi 1500 faqe në 6-7 libra të tij, skenare filmash shkencore për misrin, botoi dhjetëra shkrime në periodikun shkencor “Buletini i Shkencave Bujqësore”, qindra të tjerë në revistën “Bujqësia”, si dhe në organet e shtypit të përditshëm dhe atë periodik. Ai dha shumë intervista në TV e Radio, mbajti mjaft kumtesa në konferenca kombëtare dhe ndihmoi e udhëhoqi disa disertacione në lëmin e bujqësisë.

Zgjidhjen e problemeve nga pikpamja shkencore, edhe pse u desh punë mjaft e gjatë, e lodhëshme dhe e ndërlikuar, iu shkua në të gjitha rastet deri në fund, duke dalë përfundimisht nga teritori eksperimental i Institutit për t’u shtrirë në të gjithë vendin. Finalizimi i punës së Hysen Laçej, arriti në bashkëpunim në vitin 1990-1991, me hartimin e zbatimin e projektit “Fiatagri”, ku në 300 ha misër në zonën e Bushatit dhe 300 ha misër në zonën e Barbullushit, u zbatua një teknologji për të marrë mbi 100 kv/ha misër dhe mbi 60 kv/ha oriz. Kjo e mbështetur me mekanizim kompleks që çonte jo vetëm në marrjen e rendimenteve të larta, por edhe me kosto shumë të ulët, në krahasim me traditën.

Pyetja që mund të bëhet nga lexuesi pas kësaj çka sollëm rreth punës kolosale të Institutit të Misrit dhe Orizit dhe shkencëtarit Hysen Laçej është kjo: Po tani, pas kaq vitesh demokraci, ç’ka ndodhur me Institutin famëmadh? Ja ç’na tha drejtuesi i këtij institucioni, i cili tani mban  tjetër emërtim (Qendra e Transferimit te Teknologjive Bujqësore) Prof.as. Kostandin Hajkola: Fatkeqësisht problemet e prodhimit të farës, pas ndryshimit te sistemit, nuk u trajtuan asnjëherë siç duhet. Shkatërrimi skemave të shumëzimit, prodhimit dhe përpunimit të farës bëri që tregu të dominohet nga farërat e huaja, shpesh me probleme përshtatshmërie. QTTB Shkodër, në bashkëpunim me një grup të vogël fermerësh, vazhdon dhe mban gjallë praktikat e prodhimit të linjave dhe farës hibride Rozafa. Ka edhe një program modest përmirësimi, pra vazhdimësie të seleksionimit për hibride të reja”. Një lexues i vemendshëm e merr vesh që puna e Prof. Hysen Laçej qënka hedhur në greminë  nga ku është e pamundur të bëhet e të ngrihet në nivelin ku e la shkencëtari i madh.

Në vitin 1996, pas 40 viteve punë intensive dhe të suksesëshme, Hysen Laçej doli në pension. Falë punës së tij në fushën e kërkimit shkencor për bimën e misrit, arriti të marrë titullin e Profesorit nga Akademia e Shkencave e Republikës, ku edhe u zgjodh si anëtar i saj. Ndërsa në vitin 1986, u zgjodh në Presidencën e kësaj Akademie. Po për rezultate të shkëlqyera në punën kërkimore-shkencore, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e prodhimit, ai u nderua me “Çmimin e Republikës të Klasit të Dytë” dhe me titullin tjetër të lartë, atë të “Hero i Punës Socialiste”. Prof. Hysen Laçej mban edhe medaljen  “Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës”.

Ky shkencëtar i rangut ndërkombëtar, i “ngopur” me tituj honorifikë, bënte jetën e thjeshtë të një qytetari nga më të zakonshmit. Por edhe pse u largua nga kjo botë pa lënë mënjanë para e pasuri të tjera, ai mundi që me punën dhe dijet e tij të na linte një pasuri tjetër, atë të shkencëtarit dhe  që u takon brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë. Hysen Laçej nuk kërkoi kurrë gjërat e mëdha nga jeta, por ato pak që mundi të realizonte ia bënë jetën të madhe.