Bashkim Koçi: Për dëshmorin guerilas Banush Vëndresha

872
Sigal

Sa herë më del përpara emri i dëshmorit të Atdheut, Banush Vëndrësha (Zhuri), më vijnë menjëherë, krejt pa dashje, fjalët e dhembshura të nënës sime, të cilës i kishin mbetur “të ngrira” në kujtesë vitet kur ishin rritur bashkë, në vegjëli. Eh, Banushi, mërmëriste e mira nënë, na iku e na mbeti plagë e pashëruar për tërë jetën. Ajo, edhe pse nuk mund ta shihte kurrë me sy fytyrën e tij engjëllore e të pafajshme, të dëgjonte fjalët dhe këshillat e çiltra të tij, si të t’i jepte një plak i urtë e i mençëm, të gjitha këto i ndjente me zemër.

Banush Vëndresha (Zhuri) lindi, në vitin 1917, në fshatin Vëndreshë e Dytë në Skrapar, fshat që kish kaluar gjatë gjithë kohës peripeci të mëdha. Kjo për shkak se banorët e saj bartnin brenda vetes shpirt kryengritës e që shpesh kishin rrezikuar për të kapërcyer zemërimin me pushtues apo edhe me qeveritë antipopullore, me forcën e armëve. Ndoshta kjo ndikoi që Banush Vëndresha, në rrjedhën e viteve, do të formohej si djalë me karakter të fortë e i mençur, duke u mësuar me ulje-ngritjet që do t’i sillte jeta. Ndërkohë, edhe pse ishte shumë i ri, ai ndjehej mirë kur realizonte diçka që herë-herë i dukej ëndërr, si diçka e pakapshme. Shkollën fillore e mbaroi aty në fshat, në Vëndreshë. Pastaj, pas disa vitesh, të cilët i kaloi pranë familjes, duke përballuar punët e shumta në bujqësi, shkoi të kryente shërbimin ushtarak në qytetin e Beratit. Thonë se fati ndonjëherë është vullneti i të tjerëve, por për Banush Vëndershën çdo gjë e mirë dhe e mbarë që trokiti tek ai, ishte edhe në saje të vullnetit të tij, të aftësive për t’u shfaqur njeri me mundësi të mëdha për të kryer çdo detyre. Falë këtij talenti të “dhuruar” nga vuajtjet dhe përpjekjet për të mbijetuar, ai u përzgjodh për të shërbyer në radhët e policisë, në vendin ku kreu edhe detyrën si ushtar. Aty iu dha rasti të njihej me patriot skraparas, të cilët punonin dhe jetonin familjarisht në qytetin e Beratit, siç ishte një ndër ta edhe oficeri antizogist Tefik Lapani. Me Tefik Lapanin e lidhën shumë aksionet që ndërmerrnin njësitet guerile kundër elementëve fashistë dhe shërbëtorëve të tyre ku, në atë kohë, ishin me shumicë në Berat. Po cili ishte sektori që mbulonte Banush Vëndresha, ku mund të kontribuonte maksimalisht dhe me kompetencë në ato ditë e muaj të turbullt ku rrezikohet jeta e djemve dhe vajzave beratase, të cilët luftonin të organizuar në formacione të rregullta kundër pushtuesve fashistë? Faktet dhe dokumentet që sjellin copëza jete për dëshmorët e Atdheut, tregojnë si ai, kushtëzuar edhe nga puna si “polic i shtetit”, ndihmoi si askush tjetër për të furnizuar njësitet guerile me armë e municione, por edhe për të mundësuar zbulimin e skutave dhe të vendqëndrimeve të elementëve keqbërës. Të gjitha këto ishin prova rreziku, por duke guxuar Banush Vëndresha përbënte një “zbulim” për drejtuesit kryesorë të aksioneve luftarake për Beratin, duke u bindur e arsyetuar se kishin të bënin me një element të jashtëzakonshëm të lëvizjes nacionalçlirimtare.

Njohuritë që kishte Banush Vëndresha rreth gjendjes morale dhe organizative të institucioneve fashiste që vepronin në qytet, nuk mjaftonin të ishin të dobishme në atë nivel që kërkonte situate e krijuar dhe Shtabi Qendror për qarkun e Beratit. Pra duhej vepruar me të gjitha mënyrat e mundshme, pa përjashtuar lëvizjet e “vogla” për të njohur elementin armik, një më një, me emra e mbiemra si dhe lidhjet që kishin më njëri tjetrin. Njohuritë si organizator duhet të viheshin në përdorim. Dhe Banush Vëndresha jo thjesht nga zemërimi dhe urrejtja që kish ndaj pushtuesit, por me bindje të plotë, ndjenja që vinin nga arsyeja dhe analiza që i bënte situatës, u hodh në aksione të organizuara mirë, duke qëlluar me armë kundër kriminelëve e provokatorëve, madje edhe duke i eliminuar fizikisht, siç ishte marshalli fashist italian Nikë Kria, i cili u qëllua për vdekje nga atentatori trim Tefik Lapani. Shkrepjen e armës, sigurisht që e bëri Tefiku, por pa ndihmën dhe kurajën e Banush Vëndreshës, aksioni edhe mund të dështonte.

Veprimtaria e Banush Vëndreshës tashmë ishte zbuluar. Ai ishte futur në listat e zeza, në ato lista që bartnin rrezikun se nga çasti në çast mund të eliminohej. Në këto kushte qëndrimi i tij në Berat bëhej i pamundur, e që nga momenti në moment mund të binte në kurthin e përgatitur nga fashistët dhe shërbëtoret e tyre. Dhe kështu ndodhi. E arrestojnë, duke i krijuan një mjedis të frikshëm, kërcënues dhe terrorist. Po nuk e lanë me kaq. Bashkë me shumë shokë e bashkëluftëtarë të tjerë të rinisë beratase, e nisin për t’i gjykuar në Tiranë. Por në kryeqytet vepronin grupe shumë më të organizuar dhe që në shumë raste kishin edhe “çelësat” për të vepruar, për t’ju ardhur në ndihmë luftëtarëve që kishin rënë në duart e armikut, siç ishte edhe Banush Vëndresha. Frikacakët vdesin shumë herë para vdekjes, por kjo nuk mund të ndodhte kurrë me këtë trim që gjeti mënyrën si t’u shpëtonte gjyqtarëve. Me ndihmën e Qarkorit të PKSH për Tiranën, Banushi e luajti shumë bukur lojën. Brenda burgut “ustallarët” i sollën uniformën e policit me shenjat përkatëse, gjoja do të shërbente si i tillë në qytetin e Lushnjes. Kaq i mjaftonte Banush Vëndreshës, sepse të tjerat i dinte vetë. Me makinën që mori për të shkuar “me shërbim” në Lushnje iu desh të bënte edhe disa manovra të tjera në lëvizje për t’u hedhur nga makina te Ura e Kuçit e për të marrë arratinë drejt vendlindjes, në Vëndreshë. Aty nuk qëndroi gjatë, veçse disa ditë, sa për t’u çmallur me familjen. Në Skrapar formacionet partizane ishin ngritur gjithandej, por ai u inkuadrua në batalionin “Riza Cerova” dhe, më 18 Janar të vitit 1944 u rreshtua me Grupin e Tretë të Skraparit me detyrën e komandantit të togës.

Në Operacionin e Dimrit nazistët ishin bërë si të tërbuar, po kryenin masakra nga më të pabesueshmet e të padëgjuara ndonjëherë. Në të gjitha fshatrat. Ishte janari i vitit 1944, muaji që mbahet mend për betejën më të madhe të Luftës ANÇ, siç ishte ajo e Tendës së Qypit ku Grupi i Tretë i Skraparit, me komandant legjendarin Zylytar Veleshnja (Hero i Popullit), dhe Brigada I Sulmuese, të udhëhequr nga Mehmet Shehu (Hero i Popullit), mundën të shënojnë fitoren më të madhe, nga më të lavdishmet për epopenë e LANÇ-it. Ja, në këto situata jetonte dhe luftonte djali skraparas, Banush Vëndresha. Situata e krijuar, nga njëra anë gjermanët e nga ana tjetër dimri i acartë, duhej të kombinoheshin veprimet në mënyrën më perfekt, të mirëorganizuar e me drejtim që të mund të bënte të efektshëm luftimet e formacioneve partizane. Pra duhej komunikim me komandën e Qarkut, e cila ndodhej në Berat. Po si mund të krijohej ky komunikim, si mund të “bashkëbisedoje” me komandën kur ajo ndodhej larg dhe me mundësi të pakta për ta realizuar? Ishte një dhe vetëm një. Ai që mund ta kryente këtë mision me shumë pasoja, nëse zbulohej, ishte partizani trim e patriot, Banush Vëndresha. Ajo ishte punë me rrezikshmëri të lartë, me zarar, nga ato që jo në një rast triumfojnë pa lavdi. Me Banushin garancia ishte qind për qind e sigurt. Ai kishte dhënë prova për këtë, prova që përmendeshin sa herë binte fjala për aksione të mirëfillta luftarake. Madje shokët, aty në formacionin partizan të Grupit të Tretë të Skraparit, e mbanin dhe e vlerësonin jo vetëm si trim, por edhe luftëtar me fantazi, që nuk i trembej syri për të guxuar të futej në strofkën e armikut. Pra, mesa duket kishte ardhur koha kur Banush Vëndreshës komanda t’i ngarkonte një detyrë shumë të rëndësishme, me rrezik për organizimin e operacioneve luftarake kundër nazistëve gjermanë, por edhe për jetën e tij. Ai duhej me patjetër të çonte një letër në Qarkorin e Partisë, në Berat, letër e cila do të ndihmonte për koordinimin e lëvizjeve dhe mirëorganizimin e luftimeve operacionale në Qarkun e Beratit. Ishte vërtet guxim, por edhe kurajë që kërkonte fantazi e që mund ta kryente vetëm një njeri i zgjuar e trim, siç ishte Banush Vëndresha. Interesant është fakti, se si e projektoi dhe e zbatoi planin për të realizuar këtë udhëtim me plot rreziqe, por dhe të frikshëm, nëse kihej parasysh kapërcimi i ca portave hyrëse për në qytetin e Beratit, postblloqe të cilat konsideroheshin shtigje që kërkonin jetë njerëzish. Po çfarë bëri partizani Banush Vëndresha? Ai siguroi ca rroba të rreckosura, nga ato që nuk kish ku t’i zinte as qeni, duke menduar të luante rolin e një lypësi gjynahqar, i mbetur rrugëve për të kërkuar lëmoshë për t’u ushqyer. Pasi u sigurua për këtë rol të vështirë, pra që “aktori” të bënte të ishte i besueshëm me ata që do të përballej rrugës, u nis drejt Beratit. Eci e eci e rruga e lodhshme nuk kishte të mbaruar. Më në fund, duke udhëtuar për shtatë orë në këmbë, udhë mbi udhë e përrua më përrua, arriti në Qarkor ku do të dorëzohej letra. Drejtuesit kryesorë, vetë Sekretari i Komitetit Qarkor për Beratin, Kahreman Ylli, e përgëzoi për kryerjen e këtij misioni të rëndësishëm dhe me shumë rrezik për jetën e tij.

Por nuk thotë kot populli që uji fle e hasmi nuk fle. Të nesërmen, ditën që ai do të kthehej në Skrapar, atje tek bashkëluftëtarët, ndodhi ajo çka nuk pritej. Para hotel “Kolombo” spiunët dhe agjentët nazistë gjermanë, në bashkëpunim me lakenj të tjerë që e njihnin veprimtarinë guerilase të Banush Vëndreshës, kur ai punonte në organet e policisë në Berat, i dalin përpara dhe e arrestojnë. Ishte një kurth i mirëpërgatitur dhe që ishte planifikuar për t’i qëruar hesapet njëherë e mirë. E ç’mund t’i bënin veçse tortura nga më të tmerrshmet, ashtu si dinin të vepronin njerëzit e Gestapos? I premtuan t’i falnin jetën në këmbim që ai të bëhej spiun i tyre, të kthehej në shërbëtor të pushtuesit, gjë që nuk mund të gjente vend tek karakteri i Banush Vëndreshës, tek ai që trimërinë e kërkonte edhe tek vetja, e që dinte të përballonte fatkeqësinë përballë armikut. Ndoshta sot, pas 75 vitesh kur ka ndodhur ajo gjëmë, dikujt mund t’i duken si një refren kënge i mërzitshëm, çfarë dhe si iu përgjigj trimi Banush Vëndresha, i kërcënuar nga vdekja e sigurt. “Ju kërkoni ku janë partizanët? Janë shumë, me mijëra. Unë jam vetëm një këtu midis jush, por për fatin tuaj të keq, nuk ju kam frikë aq sa më kini ju mua. Unë jam i lumtur që po vdes për lirinë e vendit tim.“

Të nesërmen Banush Vëndresha u pushkatua nga dora e zezë e një nazisti. E vranë në një moshë shumë të re, vetëm 27 vjeç. Nëse koha nga ku ai u ekzekutua, sepse luftonte në emër të lirisë së Atdheut, është goxha e gjatë, plot treçerek shekulli, ajo që do të kujtohet është diçka tjetër, matet me pafundësinë, është titullin që ai mban, “Dëshmor i Atdheut”.