Bashkim Koçi: LANÇ dhe Qemal Halilaj i Staraveckës

1090
Sigal

QEMAL HALILAJ I STARAVECKËS

-Ose njeriu ku rehatohej shpirti i mirësisë-

Nga Bashkim Koçi

Tek hija e një burri gjithmonë mbetet dhe zë vend ajo çka atij ia dominon shpirtin e që zakonisht e ndjek pas sa të këtë jetë. Pra ai bëhet njësh me të, e madje mbetet simbol i asaj gjëje. Kam njohur në Skrapar, në qytetin e Çorovodës, një njeri të tillë, Qemal Halilajn e Staraveckës. Tek ai kish gjetur strehë dhe ndjehej i rehatuar shpirti i mirësisë. Çuditërisht ai kishte diçka të veçantë, një buzëqeshje të ngrohtë, e cila i shërbente si gjuhë universale në komunikim, por që brenda saj ndjehej edhe fryma e fjalës së sinqertë e të dëlirë.

Mbaj mend një gjest të këtij burri, këtu e 40 vjet të shkuara, i cili më ka mbetur në inventarin tim të kujtesës si diçka e çmuar, me shumë vlerë. Ishte një nga ditët e fund-dhjetorit të vitit 1989, mëngjes herët, ditë kur pasi hodha të gjitha rrangullat e shtëpisë mbi karrocerinë e mbuluar me mushama të një makine tip “Zis”, dhe isha gati të merrja rrugën e gjatë në një qytet tjetër të vendit, shoh të vinte drejt meje me një lule-shqiponjë në duar, burri i pallatit përballë, të cilin, për sa vite banova aty, e shihja çdo mëngjes teksa ujiste lulet. E, ky burri, ishte Qemal Halilaj i Staraveckës. Në ato kohë ai ishte drejtor në një institucion të rëndësishëm të rrethit të Skraparit. Më la vazon e lule-shqiponjës në duar dhe vetëm tha: Të uroj të fluturosh e të bëhesh si kjo lule, si shqiponjë. E mbaj mend dhe nuk mund ta harroj kurrë këtë akt “të vockël”, të cilin e mora si një bekim.

Për çka po shkruaj për Qemal Halilajn e Staraveckës nuk po e bëj si detyrim moral, si një larje borxhi ndaj atij njeriu të mirë. Jo. Qemal Halilajt i kanë mbetur borxh edhe shumë të tjerë, madje nuk e teproj ndërsa them se mbetet e tillë një shoqëri e tërë ndaj të cilës, ai dhe familja e tij, i shërbeu si rrallëkush gjatë gjithë jetës, në kohë lufte e në kohë paqeje.

Jetëshkrimi

Ai lindi më 15 mars të vitit 1923 në fshatin Staraveckë të Skraparit, fshat me histori luftërash, por dhe vend ku banojnë njerëz fisnikë, që tregojnë dashuri të thellë ndaj mikut dhe kujdesen që ai të ndjehet mirë për sa kohë qëndron aty. Këtë pasuri të rrallë e kanë të trashëguar brez pas brezi si një virtyt magjik e që shërben si një forcë e brendshme e cila i shtyn për të bërë vetëm punë të mira. Të bekuar banorët e këtij fshati, ndoshta, edhe nga zemërbardhi e mendjendrituri, biri i këtyre trojeve, Baba Meleq Staravecka. I ati i Qemalit, Mustafai, ashtu si të gjithë patriotët e Kollit të Sipërm, siç quhet zona e Potomit në Skrapar, Lace Backa, Riza Kodheli e të tjerë burra pushkësh, shfaqi vendosmëri dhe angazhim konkret në lëvizjet kombëtare, siç ishte edhe Revolucioni i Qershorit i vitit 1924. U nda shpejt nga jeta, duke lënë tre fëmijë jetimë nën kujdesin e bashkëshortes, Xhipes, e cila do të vishte “këpucët e burrit” për të çarë në ca shtigje të zënë me dhimbje e frikë. Nënë Xhipja (kështu e thirrën sa qe gjallë), kush e ka njohur, ka parë tek ajo grua cilësi të veçanta, që i kishte absolutisht të sajat, të cilat i jepnin fuqi të zotëronte e të kishte nën kontroll rrjedhën e jetës, ashtu si i erdhi, për të mbetur “Maro Mokra” e Skraparit. Sigurisht ky shkrim është për të birin e saj, për Qemalin, por nëse në vend të nënë Xhipes do të kish qëlluar të ishte një grua tjetër, jam i sigurt se edhe fëmijët e rritur pa baba, dy djemtë dhe vajza, do të kishin marrë rrugë të ndryshme dhe jo si ajo që u tregoi të ndiqnin nënë Xhipja.

Lumturinë e fëmijëve dhe të ardhmen e tyre kjo grua, edhe pse e re dhe pa përvojë në jetë, e kërkoi tek shkollimi, tek përgatitja e tyre për të qenë njerëz të edukuar e me kulturë, të përgatitur për jetën. Sepse intuita e saj e këshilloi se që të mund të ecje dhe të bëje prokopi, të bëheshe i zoti për vete e për të tjerët, duhej “të të hapeshin sytë”. Bëri atë që s’bëhej Xhipe Halilaj. Mungesa e shkollës fillore në fshatin e Staraveckës, i detyroi ta dërgonte të birin në Miçan, një fshat i Përmetit, jo shumë larg Staraveckës. Ua besoi këtë barrë të rëndë vëllezërve të saj, të cilët e shikonin motrën në dritë të syrit për hallet që e kishin zënë. Por meraku për ta shkolluar sa më mirë, pra me mësues të përgatitur, për të vijuar klasën e dytë e dërgoi në shkollën e Frashërit, përsëri nën kujdesin e miqve të familjes. Fati e solli që edhe aty të mos u gjendej karari, gjë që i detyroi të gjenin mbështetjen e radhës, po të miqve, për ta sistemuar në shkollën “Naim Frashëri” në Tiranë. Më ra në dorë një nga dëftesat, në të cilin ishin të shkruara rezultatet e vitit shkollor 1936-1937, dhe njoha rezultatin e tij në mësime, me të gjitha notat 1-sha, nota vlerësuese maksimale për kohën. Ndoshta ky shkëlqim e burrëroi më shumë se sa duhej, fakt që Qemal Halilaj, edhe pse me këtë arsimim të cunguar, të pranohej si mësues në shkollën fillore të Staraveckës, e cila për një kohë të gjatë funksionoi si e tillë në shtëpinë e nënë Xhipes. Lexuesi mund ta marrë me mend sesi mund të japë mësim një fillorist, nxënësve të shkollës fillore. Por “Kur nuk ke pulën ha sorrën”, thotë populli. Mundësia për të zhvilluar mësim dhe ta mbaje shkollën hapur, mesa duket ka qenë e pamundur.

????????????????????????????

Fillimi i Lëvizjes Nacional-Çlirimtare

Fillimi i lëvizjes nacional-çlirimtare bëri që edhe zemra e djaloshit Qemal Halilaj të rrahë për ca ide të padëgjuara ndonjëherë. Ai, për kushtet e vështira familjare që i kish sjellë vdekja e babait, ndodhej në udhëkryq: Të qëndronte në shtëpi, apo të mobilizohej në radhët e formacioneve partizane? Nënë Xhipja, i cila i kish vënë shpatullat shtëpisë, por që kishte edhe nevojë për ndihmën e të birit, vendosi të mbetej si gjithnjë “dera e madhe e Halilajve”. Vendosi që djali i madh, pra Qemali, të përfshihej me Lëvizjen dhe vetë ajo të vijonte të mbante peshën si “shtylla e shtëpisë”, por për më shumë të menaxhonte edhe “ca punë angari” pasi fshati Helmës dhe Staravecka në atë kohë ishin kthyer në “kryeqytetin” e Luftës. Dhe kështu u bë. Qemal Halilaj mori në dorë punët e rinisë për të gjithë zonën, duke u përfshirë për një kohë të shkurtër si luftëtar i batalionit territorial të Potomit. Themi “të shkurtër” sepse, duke qenë i vetëm për të mbajtur familjen, u ngarkua të merrej vetëm me punët e rinisë, të rekrutimit të djemve dhe vajzave me lëvizjen dhe propagandimit të Luftës Nacionalçlirimtare. Nuk ishte punë e lehtë të udhëhiqej puna e rinisë në Straveckë. Ajo dhe Helmësi, siç e thamë pak më lart, ishin kthyer në “kryeqytetin” e Luftës. Aty ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm nga ku, vetë Enver Hoxha komandonte luftën për mbarë vendin. Dhe ky fakt detyronte që fshati të kishte ca gjëra shtesë, të cilat i jepnin atij hijen e një qyteze. Çdo shtëpi e Staraveckës u kthye në “istitucion” të veçantë. Në shtëpinë e nënë Xhipes u vendos centrali telefonik dhe depua e veshmbathjes së partizanëve; tek shtëpia e Ismail Halilajt furra e bukës dhe depua e drithit; tek shtëpia e Sinanajve u sistemua lënda eksplozive; shtëpia e Ahmet Balës u kthye në Komandë Garnizoni; diku më tutje, një shtëpi tjetër u kthye në rrobaqepësi etj. Tani unë pyes: A mund të më thotë kush, se ç’punë voluminoze e me përgjegjësi përballoi Qemal Halilaj, i cili në krye të rinisë, bashkë me vërsnikët e tij, qëndroi “gatitu” duke e përmbyllur “rolin e tij qendror” në të gjitha punët ashtu si ishte në të vërtetë, situatë lufte? Ai, nëse do të ishte atje në front, përballë armikut, nuk do të bënte më shumë se kaq.

Në çdo hap të jetës së tij Qemal Halilaj ka qenë gjithmonë pak më i mirë se sa ishte e nevojshme. Dhe këtë virtyt të tij ai e shfaqi pa ndërprerje, edhe pas çlirimit të vendit. Ishte vërtet shkollëpak, por punëve që u dilte për zot t’i kryente, u shkonte deri në fund, i bënte si të kish përfunduar disa universitete. Sigurisht, kur tek njeriu dëshira bëhet njësh me vullnetin, ndodhin çudira. Çudia, e cila në ditët e sotme as që mund të besohet, është ajo që ai ka kryer disa detyra shumë larg shkollimit të tij. Në vitin 1948 Qemal Halilaj, mësuesi e shkollës së Straveckës me katër klasë, mbulonte detyrën e shefit të Arsimit të rrethit të Skraparit. Paksa e pabesueshme, por është e vërtetë. Por këtë çudi të kohës e bën të jetë e besueshme fakti që mbi 90 % e popullatës të rrethit në ata vite ishte krejt analfabete, nuk dinte të hidhte as firmën. Më pas, ndoshta nisur nga nevoja për të pasur në krye të punëve njerëz të arsimuar dhe me kulturë, Qemali ndoqi një kurs 3 mujor në qytetin e Vlorës dhe 10 muaj të tjerë u dërgua në shkollën e Bashkuar të Oficerëve që të përgatitej si ushtarak. Kam lexuar diku, se sa më shumë i ndershëm të jetë njeriu, aq më i keq është fati i tij. Pas mbarimit të shkollës si ushtarak Qemal Halilaj ngarkohet me detyrën shef i Seksionit të Bujqësisë për rrethin e Skraparit. Se ç’lidhje ka bujqësia më ushtrinë një zot e merr vesh. Ishte viti 1952, i cili mbahet ende mend si vit i thatësirës së madhe, e zisë, ku njerëzve iu rrezikua jeta për mungesën e bukës. Po përse e ngarkuan Qemalin me një detyrë delikate si kjo? Sepse ai ishte njeri i ndershëm dhe vetëm një kuadër si ai mund t’ia dilte për të menaxhuar atë pak drithë që jepte shteti për një popull të uritur e fukara si ai i Skraparit. Bëhej fjalë për bukën e gojës. Dhe çdo bekim i injoruar, Qemal Halilaj e dinte mirë që shndërrohej në mallkim.

Personazhi ynë kishte dhuntinë që të mos jepej përpara vështirësive që i dilnin përpara

Ai ishte njeri me vullnet dhe dinte si t’i bënte planet për të plotësuar ëndrrat, për të arritur atë që i duhej e që e donte. Dinte, ndërkohë, që kishte vetëm një mënyrë për të mësuar, ajo e veprimit. Dhe ky njeri, i cili e filloi me hapa të vogla, të merrte arsimin fillor duke shkuar fshat më fshat, mundi të na çudisë me çka arriti kur ishte në moshë madhore. Në vitin 1964, kur ishte 41 vjeç ai, si njeri i sakrificës, përfundoi Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë. Që nga ky vit e deri sa doli në pension Qemal Halilaj u caktua në detyra të rëndësishme të ekonomisë, që nga drejtor i NB të Çorovodës, kryetar kooperative në Potom, drejtor i kursit një vjeçar për përgatitjen e kuadrove të bujqësisë dhe drejtor i Degës së farërave bujqësore të rrethit.

Mirësia e Qemal Halilajt mundi të arrijë shumë. Falë këtij fakti për këtë njeri të mirë, keqkuptimi, mosbesimi apo armiqësia nuk u shfaqën kurrë. Ai ka luajtur rol qendror në historinë e Luftës dhe të punës në Skrapar, gjë që është konkretizuar edhe në shumë Urdhra e Medalje të akorduara nga instancat e larta të shtetit. Por një nga majat që ngjiti me bashkëshorten Barije, është arsimimi me shkollë të lartë të gjashtë fëmijëve, të cilët ashtu si gjembat që të lëndojnë, u përpoqën t’iu mësonin si të çelin lule.