Bardhosh Gaçe: 1 qershori, një zë i veçantë në letërsinë për fëmijë. Vlerësime nga Bedri Dede, Lirim Deda e Agim Deva

2307
Sigal

Një zë i veçantë në letërsinë për fëmijë

 

Dekadat e fundit, në letërsinë shqipe për fëmijë, midis emrave të tjerë të krijuesve të talentuar, të bie në sy dhe poeti e studiuesi Bardhosh Gaçe, i cili, me begatinë e krijimtarisë së tij, me botën e pasur tematike e në motive ka krijuar individualitetin e tij poetik. Në frymëzimet e tij për fëmijët, përcillen ndjenja e përjetime që shpalosin në sytë e lexuesit të vogël ëndrrat dhe dëshirat e tyre, këngët dhe lodrat, shqetësimet dhe preokupimet e tyre për jetën dhe të ardhmen.

Në këtë botë poetike të Bardhosh Gaçes, ku moderniteti i artit të tij ushqehet në traditën tonë të pasur poetike, talenti i tij sjell vargje të freskëta, të pasura dhe me fantazi të thellë, brenda të cilave shpërthejnë ëndrrat dhe dëshirat e fëmijëve, bota e tyre intime me një gjuhë të pasur artistike e estetike. Kjo dëshmohet qartë edhe në vjershat e librit poetik “Në kopshtin e ëndrrave”, në të cilin, Mesdheu i ëndërrimeve të tyre, deti me lodërtimet, pulëbardhat, detarët, brigjet me ullinj, sirenat e delfinët, zgjon te fëmijët ndjenja e përjetime që u lënë mbresa të thella, i bëjnë ata të fluturojnë si zogjtë në hapësirat e frymëzimit të poetit.

E veçanta e krijimtarisë së Bardhosh Gaçes është se ky poet, duke ecur në traditën më të mirë të poezisë sonë për të vegjël të krijuar nga Odhise Grillo, Xhevat Beqaraj, Rifat Kuka, Fejzi Bojku, Adelina Mamaqi, Tasim Gjokuta, Ferhat Çakërri, Agim Deva e mjaft të tjerëve më të rinj, si: Hamdi Meça, Xhahid Bushati, Ferid Lama etj. krijon lidhje të ngushta me të vegjlit, lidhje këto shpirtërore dhe emocionale të cilat përcillen si një bashkëbisedim i ngrohtë e lirik.

Duke shfletuar vëllimin poetik “Në kopshtin e ëndrrave”, lexuesit e vegjël do të pasurojnë botën e tyre shpirtërore e poetike me vlera të reja të frymëzimit të poetit tonë të talentuar, i cili zë një vend të nderuar në letërsinë shqipe bashkëkohore për fëmijë.

Prof. Bedri Dede

 

Tiranë, 25 mars 1999

 

Në letërsinë e sotme moderne për fëmijë, emri i poetit Bardhosh Gaçe shpalon një zë të veçantë e krejt origjinal. Bota e pasur me motive dhe tematika e tij, fabulat si dhe përgjithësimet artistike zbulojnë në sytë e të vegjëlve, peizazhe e mesazhe të një imagjinate të thellë poetike, që përjetohen nga të vegjlit dhe pasurojnë botën e tyre shpirtërore. Edhe në vargjet e vëllimit “Në kopshtin e ëndrrave” poeti ynë i dashur dëshmon se është një vazhdues i talentuar i letërsisë shqipe për fëmijë, çka zileps edhe të tjerët…

 

Prof. Agim Deva

 

 

 

Pylli i xhaxhi poetit

 

Një pyll të gjelbër me këngë

Mban xhaxhi poeti në gji,

Ato që nga maja në rrënjë

Pikojnë lule, Shqipëri…!

 

Në pyll këngët për vogëlushë

Si zogjtë në çerdhe cicërojnë;

Ndër kopshte, sheshe e lëndina

Zambakë e mimoza bulojnë!…

Në buzët e teta shpresës

 

Në mol varkat

Ninulla thurin

Me zërin e valëve.

Dëshirat e teta Shpresës

Janë në sytë e kaltër

Të peshkatarëve.

Në brigjet e Jonit

Valët si pulëbardha

Fluturojnë me gëzim.

Në buzët e teta Shpresës

Mërmërijnë amanete

Nga djemt’ në mërgim!

 

Nuk më thoni?!

 

Nuk më thoni,

A nuk ngjaj,

Si lulet

Në prill a maj?

 

A nuk ngjaj

Si një yll;

Që ndriçon

Krojet në pyll?

 

A nuk jam

Si dritë hëne,

Që çel buzëve

Vargje kënge?

 

Me fustanin

Copëz qielli,

Nëpër sy

Me shkrep dielli.

 

Kur hapen krahët

Nëpër erë,

Mbi Atdhe

Bëhem ylber…

U bë pulëbardhë

 

Vogëlushja Rina,

Me zë si kanarina.

I thoshte arushit,

Të afrohej pakëz.

I thoshte valës,

Ta bënte varkëz.

I thoshte hënës,

Ta puthte një çikë.

I thoshte yllit,

T’i rrinte mbi qerpikë.

I thoshte pyllit,

T’i sillte flladin.

I thoshte erës,

Të kaptonte malin.

I thoshte detit,

Që ta bënte valë…

Sa hapi krahët,

U bë pulëbardhë!…

 

Samira në park

 

Samira po ndjek zogjtë

Pemëve rreth e qark,

Pastaj ngre balona

Me shoqet në park.

 

Zogjve cicërimat

Ua mori në çerdhe,

Dhe stinës i tha:

Pranverë, mirë se erdhe!

 

Një tufë me mimoza

Këputi ndër kopshtie,

Në ditëlindjen e mamit

Si tufëz dashurie…

 

I mori ylberit

Ngjyrat hop e hop

Dhe mamit ia thuri

Si fjongo mbi kokë.

 

Në ditëlindjen e Vivianës

 

Qesh Vivian’ e vogël, qesh,

Si lulet në mollë e pjeshkë,

Si zambakët përmbi lumë,

Si deti me valë e shkumë,

Si qielli plot me yje,

Porsi zogu nëpër pyje

Ka ditëlindjen, ndaj gëzon,

Nëpër dhomë fluturon,

Tryeza plot me dhurata,

Kukulla fustane kaltra,

Trak e shtrak një arush,

Borë i bardhë një lepurush.

Motra i bleu një violinë,

Mami i solli kanarinë,

Gjyshja një tortë të madhe

Ndërsa babi Abetare…

Vinë shokët, shoqet vijnë,

Edhe bëjnë një urim:

-Njëqind vjeç u bëfsh Vivianë,

Emri yt gëzim shpërndan.

 

YLBERIN DUA FJONGO

 

Në pllajën e gjelbër

Mes ullinjsh, në kodër,

Si një bukurezë

Rri Edona e vogël!

 

Dhe shikon nga ishulli

Sytë i hedh nga qielli.

Kur ja vrik mbi det

Ngrihet hark ylberi.

 

Ndaj rend nëpër brigje

E gjithë gaz thotë:

-Mami, dua ylberin

Fjongo përmbi flokë!

 

I buzëqesh mami

Edonës si flutur:

-Nesër do të bëj

Një fjongo të bukur!

Bardhosh Gaçe

Në kopshtin e metaforave të poetit për fëmijë

 

Qysh kur u ndave me sivëllain, Odise Grillo, as vetë nuk e di se si e përse nuk hapa asnjë nga botimet, qoftë dhe të dhuruara, me motive për fëmijët e rininë. Nostalgjia e epërme këtu e ka fillesën tek vepra madhore e Odise Grillos dhe e plejadës që shoqëroi atë gjatë më shumë se dyzet vjetëve. Por vepra e këtij autori, të cilësuar me të drejtë si babai i fëmijëve të të gjithë mëmëdheut, çuditërisht ka pas trajtuar e gdhendur motive, subjekte dhe trillime artistike që përkonin veçmas me edukimin atdhetar të brezave më të rinj.

Kuptohet, se përpos atdhetarizmit, veprat e Odise Grillos dhe të autorëve të tjerë bashkëkohorë, të shquar apo më pak të lëvduar, motivet edukuese i përcillnin tek lexuesit më të rinj në moshë, tek fëmijët e kopshteve, të çerdheve e shkollave edhe nëpërmjet një ligjërimi autentik, një ligjërimi shqiptarisht të ëmbël me një botë të thellë poetike, aq sa edhe ne të moshuarit parapëlqenim më mirë të lexonim këtë plejadë, sesa të rilexonim autorë të shquar të Evropës.

Gjithsesi, në këtë plejadë autorësh të krijimtarisë për fëmijët e të rinj, nuk mund të harroj mbresat e para të veprës poetike të Bardhosh Gaçes, i cili erdhi natyrshëm në këtë fushë të krijimtarisë, mbase qysh më herët se kur iu ndez etja e vet për studime historike, apo letrare, teksa përballej me veprat e korifenjve të një vendi, ku edhe pse disa autorë brendapërbrenda vendit nuk e kishin aureolën e merituar, në vende të tjera përmendeshin me nderim.

Nuk e di, por mbase pikërisht kjo ka përbërë shtysën që, vet studiuesi i shquar, Bardhosh Gaçe, t’i hynte në zanafillë studimit për këtë gjini të letërsisë dhe, që këndej, edhe vet ai të epohej për të qenë një këngëtar cicërimash, një zog gushëkuq nga një stinë vere, apo vjeshte, me synimin për të kuvenduar me moshatarët e vegjël, aq të adhurueshëm për një prind e për një psikolog shembullor, siç është ai ndër këto mote.

Qysh herët kam pasur fatin të lexoj në shtypin e fëmijëve, në revistat e tyre apo në botimet e veçanta “Dëshira e Anilës”, “Pse gëzohet Keti i vogël”, “Lumi im s’fle”, “Cicërojnë zogjtë e Sharrit”, “Gugatin pëllumbat mbi Prishtinë”, apo “Pranvera i shkruan letër Baba Dimrit”, frymëzime poetike të Bardhosh Gaçes, i cili në artin e tij poetik për të vegjlit, zbërthen në sytë e tyre një botë të thellë poetike, me përfytyrime e fantazi të mrekullueshme, duke u nxitur atyre ndjenja, përjetime e emocione që u përcjellin gëzime e lodërtime të bukura.

Bota shpirtërore e fëmijëve në frymëzimin e këtij poeti të talentuar, zbërthehet natyrshëm nëpërmjet njohjes së thellë të psikologjisë, ëndrrave e dëshirave të tyre, por nga ana tjetër ushqehet edhe prej një urtësie e mençurie të veçantë, spërkatur me kulturën e sotme bashkëkohore poetike mesdhetare e atë të krijuar nga poetët më në zë të vendeve të tjera të botës.

Për të mos përsëritur ndonjë thënie të tjetërkujt, jo për modesti, por për të mos zvetënuar pasurinë metaforike të poetit Bardhosh Gaçe, veçmas në krijimtarinë për fëmijët e të rinjtë, më duhet të nënvizoj, se libri më i ri poetik: “Në kopshtin e ëndrrave” është për intelektualët e çdo sfere një mirëseardhje, teksa dëshirojnë t’u dhurojnë fëmijëve të tyre një buqetë me vjersha naimiane.

Paramotivi, parafrymëzimi, paravjershërimi, teksa ke objekt një botë engjëllore plot vrulle e shpresa, plot ankthe e mbresa, mbetet vetvetiu kthjelltësia e gjuhës poetike, për të kuvenduar me atë moshë. Ka ndodhur shpesh që, tek autorë të veçantë, jo vetëm pa përvojë, por edhe pa talentin e mirëfilltë, kjo kthjelltësi të keqkuptohet dhe të interpretohet deri në thjeshtëzim. Ndryshe në botën poetike të poetit B. Gaçe, këngëzimet për të vegjlit lindin nga impulse të një gjendje të caktuar, të brendshme, që të pulsojnë dhe të gufojnë brenda vetes derisa nuk të lënë të qetë me imagjinatën dhe fantazinë, me vlerat estetike e pasurinë artistike që harbojnë fëmijët. Në rreshtat e tij, vogëlushët ligjërojnë me zërin, ëndrrat dhe hapësirat e tyre të fantazisë.

Veprat e letërsisë për fëmijë, qoftë dhe me atë përvojë të mangët që kam unë, kërkojnë një pasqyrim të realitetit ku e ku më përkryeshmërisht sesa në një rrëfim që ka parasysh të mëdhenjtë në moshë. Fëmijëve, po s’ua ndeze flakërimë fantazinë, as ua tërheq vëmendjen, as nuk të përfillin.

Ndërsa, në poezinë për fëmijë të Bardhosh Gaçes imagjinata dhe bota e fëmijëve janë të vetvetishme përbrenda një kënge, një vjershe, një rrëfenje, domosdo realizohet komunikimi: me gjuhën e një stërkale, të një dege ulliri, të një psherëtime nëne, të një kotësie prej guaske deti, të një klithme peshkatarësh, rrahjen e krahëve të pulëbardhave, të një frymnaje egërtare detare në brigjet e detit, të një brenge që shuhet në rërë.

E, të gjitha këto mrekullisht përbëjnë metaforat e poezisë për fëmijë e të rritur të poetit Bardhosh Gaçe, i cili tashmë ka krijuar një individualitet të spikatur poetik, duke u bërë një nga poetët e dashur për fëmijë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Itali e Kanada, ku është botuar krijimtaria e tij.

Për këto vlera të krijimtarisë poetike për fëmijë të Bardhosh Gaçes flet edhe vlerësimi i tij me çmimin Letrar Kombëtar nga Ministria e Kulturës 1992, 1996, si dhe çmimi letrar “Tasim Gjokutaj” 2008. Personalitetin poetik të këtij poeti e kanë vënë në dukje edhe mjaft studiues e shkrimtarë të njohur të letërsisë shqipe për fëmijë si Prof. Bedri Dede, Prof. Odhise Grillo, Prof. Astrit Bishqemi, Rifat Kukaj, Agim Deva, Robert Elsie, Antonio Belushi, Dhimitër Xhuvani, Nasho Jorgaqi, Agim Shehu, Hasan Hasani, Skënder Hasko, Sokol Jakova e mjaft të tjerë.

Kontributi i vyer i Bardhosh Gaçes në letërsinë shqipe për fëmijë është i veçantë edhe në një aspekt tjetër. Si studiues dhe hulumtues skrupuloz, krahas leksioneve të kësaj letërsie në Universitetin “Ismail Qemali”, ka botuar edhe tekstin “Letërsia shqipe për fëmijë”, në faqet e së cilës autori ynë i mirënjohur ka sintetizuar këtë pasuri të begatë të artit tonë letrar, duke i dhënë vendin që i takon në tablonë e letërsisë sonë të përgjithshme e veç kësaj, me mjaft interes janë pritur nga lexuesi edhe botimet e studimet e tij mbi autorë të shquar të letërsisë për fëmijë, si: Edmond De Amiçis, Zhyl Vern, Alqi Zei, Azis Nesin, vëllezërit Grim, Xhani Rodari, Andersen etj.

Në krijimtarinë poetike për fëmijë të Bardhosh Gaçes, në tërësi përgjithësimi artistik ringjall botën e fëmijëve me lodrat, gëzimet, shkollën, ndjenjat dhe imagjinatën e tyre, ato shpesh bëhen këngë në buzët e tyre. Mua, si një këndonjës i ligjërimit të tij poetik, më bën përshtypje ajo kthjelltësi që e shpreha në fillim dhe e shoqëruar nga metaforat dhe përgjithësimet poetike aq të gjetura e aq origjinale, aq sa, edhe pse i zbardhëlluar nga flokët, e ndjej se më duhet që të kem në bibliotekën time vjershërimet e Bardhosh Gaçes për fëmijët.

I faleminderit që më dha mua, të parit, nga radha, mundësinë të këndoj ligjërimet poetike në Kopshtin e Ëndrrave!

 

Lirim Deda

Peizazh pranvere

 

Blerta krahët hapi

Në lëndinë, mbi lule,

Dielli kukafshehtas

Mbi det zë e ulet.

 

Flladi i lehtë nga mali

Fryn përmbi bredha,

Posi boçe pishe

Vëllai me kaçurrela.

 

Valët që tej bregut

Seç po thonë ca fjalë.

Kodrave mbi ullinj

Ulet reja e bardhë.

 

Si shamia e nënës

Varet përmbi qytet.

Dhe mëngjesi i kaltër

Me pranverë troket.

 

Ç’vizaton Junisi

 

Me penel e ngjyra

Në mbrëmje, ngadalë,

Ç’vizaton Junis,

Mbi letrën e bardhë?

 

-Një arush të vogël

Edhe dallëndyshen,

Ja, flokët e mamit,

Përrallat e gjyshes…

 

Macen time Piso

Dhe Motërzën Kris,

Që gugat si zogu

Në shkallë të shtëpisë.

 

Ujku egërsirë,

Në gojë nuk ka dhëmbë.

Mami seç e pyeti:

-Pse macja s’ka këmbë?

 

-Mbrëmjen nga dritarja,

Pisoja zbret në kopsht,

Kam frikë se më ikën

Edhe s’e gjej dot.

 

Kaltra dhe pulëbardhat

 

Valët nëpër brigje,

Bëjnë shu-shu-shu,

-Mami, thotë Kaltra,

ç’belbëzojnë kështu?

 

Pse deti këndon

Brigjeve pa mbarim?

Përkund me ninulla

Anijet në lundrim.

 

Nis e pyet Kaltra,

Me sytë si agimi:

-A mos po vjen tezja

Nga udhë e mërgimit?

 

Ja, tej në idhull,

U shfaq një anije,

Përshëndetjet e tezes

Që nga larg bie…

 

Nga brigjet e tjera,

Dallgët shu-shu-shu,

Dhe zërin e tezes

E sjellin këtu.

 

Kaltra rend e rend

Brigjeve nëpër valë,

Për zërin e tezes.

 

Zë, harbohet Kaltra

Në brigjet e detit

Me zërat e tezes

Pulëbardhat përshëndesin.