Ballistët, Neoballistët dhe LANÇ/ Flet patrioti Gjon Bruçi: Kryeministri Rama, kreu i neoballistëve të kohës së paqes po kërkon të zhbëjë epokën e lavdishme të LANÇ. Ja 14’thagmat’ e neoballistit dhe rezoluta që tenton të rivrasë heronjtë

1330
Sigal

Kryeministri Edi Rama, kreu i neoballistëve të kohës së paqes që kërkon të zhbëjë epokën emërmadhe të LANÇ

BALLISTËT, NEOBALLISTËT DHE LANÇ

Nga Gjon BRUÇI

Tri dekada po kalojnë dhe debati për LANÇ ende nuk është sosur. Një grotesk që vetëm një demokraci e shpifur dhe fashiste, si kjo e jona, mund të prodhojë. Fillimisht debati nisi me 29 nëntorin, datën finale të kësaj lufte, me “pretendimin” se mund të ishte ngatërruar me datën 28-të, e cila ndahet nga 29-ta, me një sekondë. Për ta precizuar këtë “sekondë”, naivët iu futën hulumtimeve historike, gjer tek “pyetja” drejtuar ish pushtuesve, se kur ishte larguar nga Shqipëria ushtari i tyre i fundit, pyetje e cila, riktheu në skenën shqiptare, vargun e famshëm të Shefqet Musarajt: “Dhe fshati qeshet / Dhe bota tallet!”
Mirëpo, siç paralajmëruan mjaft historianë e analistë seriozë, midis të cilëve edhe komunistët, që sot janë në minorancë, nuk ishte data 29 që i “ngatërronte” ballistët, zogistët dhe gjithë kolaboracionistët, por vetë LANÇ, e cila i tërbon, si ajo shamia e kuqe demin e arenës spanjolle. Debati më i fundit i hapur në prag të 75 vjetorit të kësaj Lufte Çlirimtare, e nxjerr lakuriq qëllimin e sulmeve ndaj kësaj epoke emërmadhe.
Kush dhe pse sulmohet LANÇ?
Në historinë e tij shumëshekullore, shqiptarët kanë përjetuar data dhe ngjarje të shënuara, përkujtimi i të cilave ka mbajtur gjallë e ka përcjellë krenarinë kombëtare. Midis këtyre ngjarjeve, LANÇ pa diskutim shkëlqen si margaritar, duke u evidentuar dukshëm mbi të gjitha eventet e historisë sonë. Kjo, jo vetëm për nga përmasat e mëdha të pjesëmarrjes së popullit në këtë luftë, por mbi të gjitha për kontributin e dyfishtë që ajo realizoi. LANÇ nuk ishte thjeshtë një “Luftë Antifashiste”, por edhe një revolucion i madh shoqëror, që solli përmbysjen e botës së vjetër dhe nisjen e një epoke të re. Për më tepër, Epoka e Luftës Çlirimtare do të vijonte natyrshëm me Epokën e ndërtimit të shoqërisë socialiste. Këto dy Epoka janë dhe mbeten komplementare të njëra- tjetrës, për nga qëllimi, organizimi, pronësia dhe arritjet. Ato janë dy epoka që kanë në themel gjakun dhe djersën e popullit shqiptar. Mbi të gjitha janë dy epoka, të cilat vërtetojnë se ç’mund të arrijë edhe një vend e një popull i vogël, kur bashkohet rreth një qëllimi të lartë, siç është Liria dhe Pavarësia e vërtetë. Përmbysja me dhunë e tradhti e socializmit në fundvitet nëntëdhjetë, u dha mundësi ish klasave të përmbysura të para 1944-ës, të restauronin pushtetin e tyre antipopullor. Në bashkëpunim me bastardët e socializmit, tashmë pas afro tri dekadave, arritën të siguronin pushtetin politik dhe ekonomik, por jo pushtetin moral, aq të domosdoshëm për të justifikuar e mbajtur dy pushtetet e para. Këtë të fundit, pushtetin moral, nuk mund ta sigurojnë, përderisa para tyre u qëndrojnë dy Epokat e famshme, LANÇ dhe Socializmi. Për t’i zhbërë këto dy epoka të lavdishme nga memoria e shqiptarëve, reaksioni i përhershëm antishqiptar, i mbështetur nga qarqet reaksionare të Evropës e më tej, zgjodhën për kamikaz sulmi, ballistët e kohës së luftës të mbetur ende në jetë, dhe pinjollët e tyre të sotëm. Zgjodhën dhe nxitën këtë skotë tragjikomike të racës sonë, sepse jo njëherë e kishin pasur shërbëtore të tyre në veprën e zezë antishqiptare. Por kjo ishte e pamjaftueshme. Kjo skotë tragjikomike ishte diskretituar me gjithsejtë, si bashkëpunëtore e hapur e pushtuesit nazifashist. Ndaj, për ta mbajtur atë në këmbë, ustallarët antishqiptarë iu bashkëngjitën edhe neoballistët, apo ballistët e kohës së paqes.
Po, kush janë ballistët e kohës së paqes, ose më shkurt “neoballistët”?

The socialist-realist sculpture ”5 Heroes” as it stood until 2008 in the centre of Shkodra; in 2009 it was removed and replaced by a fountain and the square where it stood, Sheshi 5 Heronjte, was renamed Sheshi Demokracia as a sign that democracy has replaced the admiration for communist heroes. In the background is the Ebu Beker Mosque.

Janë bastardët e sistemit socialist dhe të degjeneruarit që, çdo shoqëri, sado e arrirë qoftë, i ka në pjesë. Ajo që të trondit, në krye të këtyre bastardëve janë politikanët dhe shtetarët më të lartë të vendit, përfshi këtu dhe “Liderin” socialisto-rilindës, i cili, me marifete të konspiracionit e të propagandës gebelsiane, përlau votat e shumicës së shqiptarëve, për ta kthyer “Timonin” e qeverisjes pikërisht nga skota antikombëtare e ballistëve të luftës, me të cilët ka precipituar tashmë në të njëjtin solucion njëngjyrësh.
“Më i keq gërgassi se vrasësi”
Thotë mirditori kur diskuton rreth kodeve të hakmarrjes e gjakmarrjes.
Asnjë ballist i kohës së luftës apo pinjoll i tyre, nuk do të guxonte të thoshte një fjalë të vetme përçmuese për periudhën e LANÇ, aq më pak të ndërmerrte veprime të tilla revanshi, siç bëri i dehuri i Institutit famëkeq me mbiemrin “Tufa”, nëse nuk do të kishin prapa gërgasësit. Ishin dhe janë neoballistët e paqes ata që, me sjellje e veprime të menduara dhelpërisht, gërgasin pinjollët e ballistëve të luftës, të vihen në vijën e parë të “frontit” kundër LANÇ, duke përsëritur turpin e baballarëve të tyre të para dyzet e katrës.
Që të mos mbetem në fushën e teorizimeve, po sjell këtu më poshtë disa nga “bëmat” e gërgassit kryesor, që djallëzisht ndërsen pinjollët e ballistëve të luftës, të lehin si qen të lagur kundër Epokës së ndritur të LANÇ. Emri i gërgassit kryesor, nuk është anonim, por bash kryeministri aktual, i cili prej gjashtë viteve po qeveris në emër atyre që vijnë nga LANÇ, apo që kanë lidhje organike me këtë Luftë e rrjedhojat e saj historike.
Kryeministri Edi Rama, kreu i neoballistëve të kohës së paqes që kërkon të zhbëjë epokën emërmadhe të LANÇ
Po paraqesim këtu më poshtë një pjesë të vogël nga “gjurmët” e Kryeministrit tonë aktual, alias “neoballisti i kohës së paqes”, të cilat kanë shërbyer e shërbejnë në nxitjen e revanshit të ballistëve të kohës së Luftës:
-Bashkëthemelues me Saliun e kompani i Partisë Demokratike, parti që lindi e vijon të jetë një repart neonazist.
-Autor i parullës famëkeqe e fashiste: “Komunistët në litar, veteranët në hanxhar”.
-Me taksat e e taksapaguesve shqiptare shpërblen të “persekutuarit” dhe asnjë kacidhe për ata që bënë luftën dhe derdhën gjakun për liri.
-Autor i zhdukjes nga skena të Gazetës “Zëri i Popullit”, gazetës historike, e cila përcolli me devotshmëri dy Epokat legjendare, LANÇ dhe Ndërtimin Socialist.
-Autori i prishjes se basorelievit të stadiumit “Qemal Stafa” dhe zëvendësimin e emrit simbol të Lëvizjes Komuniste Shqiptare e të LANÇ me emrin kinse modern “Arena”.
-Autor i marrëveshjes së famshme me Berishën, në vitin 2008, ku nakatosën nenet e Kushtetutës, dhe hartuan Kodin e Zi Zgjedhor, pasojat e të cilit, ndjehen edhe sot.
-Autori hapjes së fushatës elektorale në ditën e rrëzimit të Shtatores së Enver Hoxhës; dhe i ligjëratës perverse në fjalimin para qytetarëve shkodranë, ku tha se “Shkodrën e kanë dashur edhe Duçja, edhe Hitleri, ndërsa nuk e ka dashur Enver Hoxha”!
-Autor i skenarit të prishjes së Teatrit Popullor, për zëvendësimin e tij më kulla alla-Rama.
-Autor i deklaratave dhe shprehjeve të famshme si “Përtej të majtës e të djathtës”, “nuk keni parë gjë akoma” etj., me ngjyra të hapura nazifashiste.
-Ndalimi i portretit të Komandantit të LANÇ, Enver Hoxha, tek varrezat e Dëshmorëve.
-Ideator i ngritjes së “Aushvicit shqiptar” në qytetin e Tepelenës.
-Autor i prishjes së vendkomandës qendrore me “Bunk Art”-tet e “famshme”.
-Autor i deklaratës për “sistemimin” e varrezave të Dëshmorëve të Kombit në grykën e Babrroit, rrëzë Dajtit, dhe i mundësisë së zhvendosjes së Muzeut Historik Kombëtar nga sheshi i kryeqytetit.
-Dhe ajo që i vuri kapak “thagmës” dhe “veprës” neoballiste të liderit socialist, ishte fjalimi panagjerik pranë varrit të Mitat Frashërit, kryeballistit të Luftës, të cilit i përkushtoi jo vetëm ceremoni shtetërore, por edhe një bust në vendin më të bukur të kurorës së kryeqytetit.

Të gjitha këto thagma e bëma perverse, që ka nxjerrë e realizuar kryeministri i vetëquajtur gabimisht “socialist”, kanë shërbyer si udhërrëfyes e nxitës, për vijën e parë të frontit ballist kundër LANÇ dhe vlerave të saj universale.

“Bëje Zot ëndërr!”

Të gjitha këto “yrneqe” e “thagma” perverse, kryeqeveritari ynë me titullin “Rilindës” e patentë “Socialiste”, nuk i ka bërë nëpër kthina apo anekse zyrash, por krejtësisht hapur, në prani të veteranëve e pasardhësve të tyre, me dijeninë e familjeve të Dëshmorëve dhe në sytë e gjithë socialistëve, që përbëjnë shumicën e një milion votuesve me të cilat, Lideri Rama, goditi e shembi kundërshtarin dy herë radhazi në ringun e zgjedhjeve. Por socialistët dhe kampi i tyre i madh, nuk kanë dashur ta besojnë se “ujku” qimerozë e me krifë trëndafili, po i çapëlonte me tërë mend. Ndaj, ndërsa ndjenin “kafshimin” prapa kurrizit, thoshin me vete: “Bëje Zot ëndërr!”

Në këtë qorollepsje politike e kombëtare, një rol kontributiv ka lozur e po loz Arturo – Ui shqiptar me emrin Berisha. Në vend që ky Arturo – Ui shqiptar, për bëmat e zeza tridhjetë vjeçare, të gjendet prapa hekurave te burgut, vijon të qëndrojë i patrazuar në krye të piramidës së politikës shqiptare. Po kush e mban në këtë pozicion? Pikërisht socialistët me kryetar dhe kryeministër Ramën. Ky i fundit, e mban Saliun si një dordolec në mes të kopshtit, për të trembur laraskat që, mund të afrohen për të çukitur prodhimet e tij. Me të drejtë, avokat Ngjela tha një natë në një studio televizive, se po të bjerë Saliu, bie edhe Rama. Ndaj ky i fundit, e mban Saliun si ujët e pakët, si një barkë shpëtimi në detin e korrupsionit politik dhe qeveritar që ka gatuar bashkë me të. Në këtë dilemë e në këtë frikë, se po hoqëm Ramën, na vjen Saliu, socialistët dhe votuesit e shumtë të PS-së, alias Rilindjes, janë gati të durojnë Ramën me gjithë yrneqet e tij neofashiste.
Por kjo nuk duhet të vazhdojë. Epoka e LANÇ dhe ajo e Ndërtimit Socialist, janë si dy male të mëdhenj ku strehohen të gjithë shqiptarët, kudo që janë. Dhe malet kurrë nuk mund të shemben. Por nga ana tjetër, nëse do të vijohet me këtë stuhi borgjeze kundër këtyre dy veprave madhore të popullit shqiptar, dëmet do të jenë kolosale.
Ndaj gjej rastin t’ju drejtohem gjithë shqiptarëve:
T’i ruajmë si sytë e ballit thesaret historike të vendit nga lukunia e ujqërve, që i janë lëshuar atij në këtë kohë të pakohë, në këtë kohë kur luhen fatet e kombeve e kombësive. Veçanërisht thirrja është për Veteranët e pasardhësit e veteranëve, si dhe për familjet e Dëshmorëve: Nëse do të vijoni të ndiqni qorrazi premtimet mashtruese të kuqo-rozë-mavisë, këtyre neoballistëve të rafinuar, do të shihni jo vetëm fundin e Organizatave tuaja atdhetare, por edhe rrezikun e shformimit të shqiptarëve si popull e si komb. Thashë “veçanërisht”, sepse Organizata e Veteranëve dhe ajo e Dëshmorëve të Atdheut, janë dy organizata atdhetare të fuqishme e të mirë organizuara, të cilat, nëse qëndrojnë të vendosura në shinat dhe moralin e LANÇ, mund të diktojnë edhe politikën dhe të përcaktojnë fatet e popullit e të vendit.