Bajram Hallkokondi, letër presidentit amerikan Uillson

631
Sigal

Prof. Asoc. Dr. BernardZotaj

Më 6 mars mbushen 100 vjet nga viti 1919, kur oficerët Bajram Hallkokondi dhe Demo Korça, i dorëzuan në Përmet të dërguarit personal të presidentit Uillson, letrën me kërkesat e shqiptarëve. Në vitin 1914, Bajram Hallkokondi ishte në luftë me rebelët, të cilët ishin kundër Princ Vidit, e pro Greqisë dhe Serbisë. Familjet e mëdha shqiptare, janë quajtur të tilla, nga bijtë që kanë nxjerrë, nga veprat që ata bënë në shërbim të atdheut. Më së shumti, ato familje nxorën nga një pinjoll, që la emër të pashlyeshëm me shërbesat që bëri për atdheun. Sa për të ashtuquajturat familje “të mëdha”, ato që morën ofiqet e otomanëve dhe timaret prej tyre, i ka gjykuar dhe do t’i gjykojë historia, sado të shkruhet për to. Por janë pak, shumë pak familje të mëdha, që nxorën dy apo edhe më shumë bij të lavdishëm, të cilët i shërbyen atdheut me përkushtim patriotik të pa cak, secili në fushën ku shkëlqente.

Bënë dhe shkruan histori…

Njëra nga këto familje, është Familja Hallkokondi e Vlorës, dy bijtë e së cilës, Sali dhe Bajram Hallkokondi, bënë vepra që kohët nuk mundën t’i shlyejnë. Vëllai i madh, Sali Hallkokondi, ishte njëri nga personalitetet më të spikatura të Shqipërisë në gjysmën e parë të shek. XX. Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Prof. Aleks Buda, shkruante se “Sali Hallkokondi është një intelektual i shquar i vendit tonë”. Kurse Prof. Skënder Luarasi, do të shkruante kur Zogu e vrau Sali Hallkon pas shpine, në vitin 1936, se “Po të mos e kishte vrarë Zogu Sali Hallkokondin, Shqipëria do të krenohej me mendjen e tij enciklopedike”… Saliu është autori i së parës Histori të shkruar të Shqipërisë, “Histori e Shqipërisë së Re”, botim i vitit 1923. Ashtu siç është autor i të parit Fjalor Enciklopedik, të cilin e quante “Fjalori Gjithëfarësh”, por edhe i “Fjalor Kombiar i Kulturës dhe Historisë”, e i shumë veprave të tjera. Prof. Gazmend Shpuza në përurimin e monografisë me autor Prof. Bardhosh Gaçe, në vitin 2005 ka theksuar se “Ne historianët shqiptarë, le të mos fshihemi pas gishtit tonë të vogël. Të gjithë e kemi shfrytëzuar veprën e Sali Hallkos. Unë konkretisht, dy gradat e para shkencore, i kam mbrojtur bazuar në punimet e tij”. Ndërsa Kryetari i Akademisë së Shkencave Prof. Ylli Popa në presidiumin e asaj salle, theksoi se “Ju vlonjatët, krenoheni se Sali Hallkokondi ishte vlonjat. Gabim e keni, sepse ai i kishte kapërcyer kufijtë e Vlorës, e të Shqipërisë”. Prof. Gaçe ka theksuar se ai ishte “Zotërues i gjuhëve frënge, greke, perse, turke dhe italiane, ai kishte një zotësi të rrallë arsyetimi për ngjarjet, për zhvillimet politike dhe diplomatike, sidomos në pasqyrimin e gjallë të historisë së popullit shqiptar”.

Vëllai i tij më i vogël Bajram Hallkokondi oficer, përveç përkushtimit të pafund ndaj çështjes kombëtare si njeri i arsimuar e i kultivuar, ishte pajisur nga natyra edhe me një oratori të pashoqe. Ai bashkë me Avni Rustemin, Jani Mingën, Memo Meten etj., ishin oratorët më të përgatitur që e ngrinin Vlorën në këmbë, për të luftuar kundër pushtuesve. Bashkëpunëtor dhe luftëtar në krah të Avni Rustemit, Jani Mingës, Thoma Papapano, Kolë Kamësi, Osman Haxhiu, Halim Xhelo, Memo Mete etj., Bajram Hallko ishte njëri ndër personalitetet e spikatura të viteve 1911-1925. Si ushtarak i zoti e atdhetar i përkushtuar, ai luftoi në krye të trupave shqiptare, në të gjithë Shqipërinë. Qysh nga zona e Cakranit kundër austriakëve, kundër grekëve në Gjirokastër e Përmet, kundër serbëve deri në vitin 1921, në Dibër, Mirditë dhe në Dukagjin. Ashtu siç ishte në krye të ushtarakëve shqiptarë, në Dhjetor të vitit 1924, në betejat e Kërrabës dhe Shkallës së Tujanit kundër sllavëve, që po sillnin Zogun në fronin që u nevojitej atyre.

Woodrow Wilson, the 28th U.S. President, poses for a portrait in this undated photo. (AP Photo)

…I shkroi letër Uillsonit

Janë drejtuar shumë letra e nota proteste, nga shumë shqiptarë patriotë e shoqata patriotike drejtuar Konferencës së Paqes në Paris. Por vetëm një letër arriti në Amerikë, në zyrën e presidentit. Sepse në janar 1919, me porosi të Uillsonit e me urdhër të Departamentit të Shtetit Amerikan, do të mbërrinte në Shqipëri konsulli i SHBA-ve në Torino, Jozeph Haven, “Për të parë gjendjen në vend, e për të hetuar dëshirat e popullit shqiptar”. Diplomati amerikan përshkoi gjithë vendin, në jug dhe në veri. Por kudo që shkonte, ishte nën mbikëqyrjen e rreptë të trupave italiane, e personalisht të gjeneral Ferreros, komandant i Truparmatës XVI Italiane të pushtimit në Shqipëri. Në pamje të parë, dukej sikur italianët kujdeseshin për sigurinë e tij. Në fakt, ishte krejt e kundërta. Ata nuk donin të lejonin komunikimin e tij me shqiptarët. “E para armë e shenjtë, e para kryengritje kombëtare, është ajo e Përmetit, më 6 mars 1919, e cila tronditi aq keq politikën italiane, saqë gjeneral Ferrero mori qortime të rënda nga eprorët e tij në Romë. Delegati amerikan, erdhi në Përmet si në gjithë Shqipërinë, i shoqëruar nga bajonetat italiane, të cilat kujdeseshin të mos kishte veprime patriotike. Nën zë, italianët thoshin se “shqiptarët janë të egër, e mund të vrisnin delegatin amerikan”. Por, më 6 mars dy oficerë shqiptarë, Bajram Hallkokondi dhe Demo Korça përmes bajonetave italiane i dhanë në dorë diplomatit amerikan një letër për Uillsonin. Letra për presidentin amerikan, ishte shkruar në dy gjuhë, anglisht dhe frëngjisht. Mbasi shkoi në zyrë dhe e lexoi, ai ftoi në zyrë të dy oficerët, me të cilët bisedoi për dy orë rresht, pa praninë e italianëve. Ata i shkruanin Uillsonit se “Populli i krahinës së Përmetit, i mbledhur sot në një miting proteste energjik dhe kundër kërkesave imperialiste të Venizellos, bazuar në parimet e proklamuara nga Presidenti i SHBA-ve Uillson, të pranuara prej aleatëve, kërkon ndreqjen e padrejtësive që iu bënë Shqipërisë në Konferencën e Londrës 1912-1913, e cila shkëputi Kosovën në favor të Serbisë dhe Malit të Zi, Çamërinë në favor të Greqisë, ku shqiptarët atje, vazhdojnë të vuajnë të këqijat e njohura. Konferenca e Parisit duhet të korrigjojë gabimet e Londrës, të na kthejë Janinën, Manastirin dhe Kosovën. Të drejtën e nëpërkëmbur nga Konferenca e Londrës e kërkojmë sot, se vetëm ashtu do mund të rrojmë të qetë. Ndryshe s’do të pushojmë së kërkuari, pasi i kemi trashëgim nga stërgjyshërit tanë. Ne e duam Shqipërinë nën mbrojtjen e Amerikës dhe pa protektoratin e Italisë, “etnografike, të lirë e vetqeverimtare”, shkruante gazeta “Dielli”, më 28 mars 1919. Diplomati u premtoi oficerëve, se letra e tyre do t’i shkonte në dorë presidentit amerikan. Dhe letra shkoi në zyrën e tij. Letra gjendet në Bibliotekën e parlamentit amerikan, të përpiluar nga Bajram Hallkokondi. Sa u largua amerikani, të dy oficerët u burgosën. Populli i Përmetit, por edhe xhandarët shqiptarë u ngritën me armë, të fyer nga ky veprim. Shpartalluan burgun dhe i nxorën oficerët. U vranë shtatë ushtarakë nga forcat e pushtuesve italianë. Italia, u trondit nga veprimi i Bajram Hallkos dhe Ferrero tha se “Nuk e dija se ai ishte kundër nesh”. Populli i Përmetit, qysh atë ditë ngritit këngën:

S’njoha gjë, mëplaçin sytë

Që kur s’helmova Bajramnë

Unë e quaj nga të mitë

Ai bëkej propagandë”…

Familja Hallkokondi, mbeti gur kilometrik i Historisë, sepse kurrë ndër shekuj nuk hëngri bukën e të huajit, kurrë nuk jetoi me rrogat e pushtuesve, e kurrë nuk u vu në shërbim të tyre. Sepse kurrë nuk shfrytëzoi djersën dhe gjënë e të tjerëve, por jetoi me djersën e vet. Njëri nga pasardhësit e Bajram Hallkokonditi tha një argati se po “Guri me Qiell”, për të cilin ju shkruani, çfarë ka lënë të shkruar”? Bijtë e kësaj familjeje, i kryen më së miri detyrat ndaj Atdheut. I shërbyen atij si shumë pak të tjerë, me mendje e me pushkë, kurdo e kudo që e lypi nevoja. Askush nuk mund të thotë se duhej të bënin edhe diçka tjetër. Madje u sulmuan, u burgosën, u vranë pas shpine, u përzunë vetëm për faktin se besonin që Atdheu do të mund ecte përpara, në një rrugë tjetër. Ishte ajo çka bënë në jetët e tyre, nëshërbim të kombit. Ata e kthyen me jetët dhe veprat e tyre atë familje, në një gurkilometrik të historisë sonë kombëtare.