Avni Rustemi, çastet e fundit të jetës dhe detajet e vrasjes

1029
Sigal

Artikujt e shtypit të kohës mbi vrasjen e Avni Rustemit

Vdekja e Avni Rustemit – Çastet e fundit të jetës dhe detajet e vrasjes

Gëzim Llojdia

Duke hedhur një vështrim historik mbi këtë vrasje kemi koleksionin e gazetave “Dielli” që botohej në SHBA. Gazeta në 3 Maj 1924 shkruan: Vrasja e A. Rustemit zemëron tërë vendin kundër guvernës”. Gazeta ka një nëntitull tjetër më poshtë ku shkruhet: ”Sjellja e guvernës në vrasjen e Avniut e vë në dyshim vendin”. Sërish më poshtë një titull me germa kapitale: ”26 DEPUTETË TË OPOZITËS IKIN NGA TIRANA”, më poshtë “S’KTHEHEN PRAPË VEÇ KUR TË THEMELOHET QETËSIA DHE PROPONOJNË QË KUVENDI TË MBLIDHET GJETKË.”

Kabllogram nga Fan Noli: Vlorë më 1 maj 1924. Vatra, Boston. “Vrasja e Avni Rustemit ndezi një zemërim anë mbi anë të Shqipërisë. Njëzet e gjashtë deputetë të opozitës lajmëruan sot se nuk do të kthehen në Tiranë, veç në qoftë që gjendja normale vendoset përsëri dhe propozuan, që gjer atëherë, Kuvendi Themeltar t’i mbajë mbledhjet në një tjatër qytet.”

Në një artikull tjetër të Nolit, kushtuar kësaj vrasjeje thuhet: “Pas disa lajmeve që sjellin disa shqiptarë prej qarkut të Korçës të cilat arrijnë tani shpejt nga Shqipëria, kur u bë vrasja e Avni Rustemit në Tiranë, aty pranë u ndodhën disa xhandarë por asnjë prej tyre nuk u sul për të zënë vrasësin. Populli në Tiranë beson se xhandarmët kishin urdhër që të silleshin asisoji.”

Më anë tjetër, gazeta: ’Politika” që botohet në Vlorë nën drejtim të Z.Seit Kemal shkruan në datë 24 prill Nr 12, këto hollësi: “Posa u muarr vesh vdekja ne Avniut në Vlorë tërë populli rrodhi përpara bashkisë dhe me lot ne faqe kërkoni shpagim jo nga vrasësi, por nga shtytësit e vrasësit të cilët i quan dhe e di cilët janë. Në atë kohë nga ballkoni i bashkisë u këndua telegrami i z.Luigj Gurakuqit (i cili lajmëronte vdekjen e Avniut). Në mbarim të lëçitjes së telegramit, populli briti: “Poshtë Ahmet Zogolli, Esadi i Ri, i mbyllur në mure të pallatit të tij, më keq se sulltanët e Turqisë e të feudalëve të kohës së Mesme.” Siç kuptohet populli i di ata 2-3 veta që përgatitën këtë tragjedi kundër tij. Populli i Vlorës, i bashkuar me tërë patriotët dhe popullin e krahinave motra, kërkon dorëheqjen e kësaj qeverie, e cila s’është e zonja t’i bëj ballë gjendjes së rrezikshme, por kjo është vegël ose instrument i Ahmet Zogollit. Veç këtyre kuvendi kushtetues, s’mund të bisedojë lirshëm në Tiranë, në një kohë që dhëndri tmerron gjithë shtetin e vjehrrit, tipërisht e formalisht rri në krye të Qeverisë, për t’ju vënë perde programeve mistere të dhëndrit.”

Detajet e vrasjes së Avni Rustemit

Gazeta: “Drita” e Gjirokastrës jep këto hollësira mi vrasjen: “Avniu një javë para vrasjes kish ardhur në Vlorë, por shkoi përsëri në Tiranë i thirrur nga miqtë që të merrte pasaportën për të vajtur në Amerikë, ku do të mblidhte ndihma për organizatën ”Bashkimi”. Më 29 të muajit, të dielën, kur ish duke shkuar me z.Midhat Dely, Abdurrahim Këllëçi dhe Hoxha Kadrinë befas u plagos nga një millona të quajtur Sali Isuf Reçi nga Tirana. Gjaksori u arratis, dhe i gjori Avni ndonëse i plagosur e qëlloi katër herë goditësin. Plumbi e mori Avninë në anë të mëngjër dhe i shkoi midis brinjëve 7 dhe 8, goditi mushkërinë dhe qëndroi përmbi stomak. Me plagën e rëndë rrojti 40 orë dhe nuk u përkul kurrë dhe nuk u dëshpërua si ca burracakë. Avniu vdiq ashtu si rrojti, si hero.”

Një shkrim tjetër në Maj citohet korrespondenti Francesco Argondizza, Romë, ku thuhet: “Në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë u mblodhën 30 anëtar të Kuvendit Themeltar, midis të cilëve ishin Sotir Peci, Luigj Gurakuqi dhe Dr. Fahriu. Pas varrimit u mbajt një mbledhje në të cilën u muar pjesë edhe delegatë nga katundaritë e Shqipërisë, për të studiuar ndodhjen e krijuar nga shkaku i vrasjes së deputetit të Kosovës. Në këtë mbledhje u përfundua t’i dërgohet një telegram guvernës me anë të cilit kjo të ftohet që të japë demicjen dhe një tjetër Kryetarit të Kuvendit dhe Këshillit të Naltë, që Kuvendi themeltar të mblidhet në një tjetër qytet, ku siguria të jetë e garantuar. Më në fund u shpërnda një thirrje për popullit shqiptar që të jetë gati për çdo ngjarje. Të gjitha këto janë shenja që ndodhja e shpirtit të vendit është turbulluar thellësisht…”

Në një artikull me titull ”Vrasja e Avni Rustemit. Si ngjau tragjedia.”(Marrë nga gazeta “Dajti”): “Të dielën në 20.04.24 ora 4.30 mbas dreke Avni Rustemi u plagos, u çua në spital ku porsa u fut në dhomë thirri z.Ali Këlsyrën dhe Haki Stërmilli dhe u tha të lajmofshin telegrafisht shqiptarët e Amerikës, se ai në një kohë që përgatitesh për me shkue në Amerikë në emër të shoqërisë ”Bashkimi”, për me kërkua nga shqiptarët ndihmën që të zhduki errësirën e maleve tona, u plagos tradhtisht dhe mandej kish shtue e thanë, ndoshta do të shkojë. Telegrami më atë çast u hoq prej zotnive të Naltë përmendur. Atë plumb që kish mbetur brenda iu nxor. Lulja e djelmonisë shqiptare, heroi i kombit u dergj 15 orë,15 minuta dhe ndërroj jetë, më 22.04.24 ora 2.20 mbas dreke u dergj tepër i qetë dhe pa bezdi. Në rast të dergjies fjalët e tij qenë kështu: Kombi dhe përparimi i popullit.”

Çastet e fundit të jetës dhe nderimi pas vdekjes

Çastet e fundit të jetës së vet i kaloi më mënyrë tepër të mrekullueshme tue mos rënkue dhe tue mos u përpjek as pak nga ashpërsia e rreptësia mortjes së pa mëshirshme. Mbasi u vyshk burbuqja e nacionalizmës shqiptare u balsamos dhe zemra iu nxjerr për me u ruajt në shoqëri të “Bashkimit”. Anëtarët e shoqërisë së “Bashkimit” simbas programit të rregullueme që atë kohë që u plagos, kryetari tyre më radhë shkuen në roje e shërbim të tij dhe mbas nderoj jetë për nder gjithnjë vazhdojnë tue përgjue nga katër vetë në orë. Në këtë përgjim kanë marrë pjesë edhe disa deputet e civila për t’u qenë gati gjithmonë, anëtarët e ’Bashkimit”. Kjo mënyrë përgjimi do të vazhdojë deri kur të varroset në Vlorë, në gji të Ismail Qemal Vlorës. Sikur para vdekjes ashtu edhe mbasandaj, një numër i madh Misash, nëpunësit e popullit e vizituan shtyllën e fortë të atdheut. Më 23.04.24, një numër tepër i madh prej oficerëve që ndodhen këtu erdhën dhe e vizituan të ndjerin dhe ne emër të oficerëve të ushtrisë kombëtarë, para tij me respekt të plotë mbajti një fjalë tepër të mallëngjyeshme Major z.Bajram Fevziu. Po më atë ditë pasdite erdhën në vizitë gjithë nxënësit e nxënëset e shkollave të Tiranës, në emër të të cilëve, mbajti një fjalë Inspektori i arsimit z.Jani Minga. Më 22.04.24 ora 5.30 mbas dreke mbajt një demonstrasion hidhërimi në qytet ku morrin pjesë gjithë anëtarët e shoqërisë “Bashkimi”, një numër i madh prej zonjash, shumë deputet e nëpunësa dhe gjithë populli. Ku demonstratistët qëndruan para godinës së spitalit një komision i përbërë prej z.Ali Këlsyra, Stavro Vinjani, Luigj Guirakuqi,….hynë brenda dhe vizituan të ndjerin Avni. Para Avniut mbajti një fjalë të shkurtër z.Ali Këlsyra tu thënë, se populli shqiptar e nacionalizma kurrë nuk kanë me harrue. Prej spitalit u shkue para kryeministrisë ku qëndruan demonstratsitët dhe hynë brenda në kryeministri një komision…