At Gjergj Fishta – Ja fjalimi klasik për botën shqiptare, 1919

1047
Sigal

(Me rastin e 100-vjetorit të Fjalimit të At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes, më 1919-n)

PJESA IIII

Per në daçim, pra, me e gjykue punen simbas kritereve të njoftuna të psikologjisë, njeni nder të cilët asht shi poezia popullore, do të thomi se psika Shqiptare, përsa i perket lakmimit per qytetni, i rrin perballë psikës sllave, ashtu si i rrin përballë legjenda, odes. Kjo na ban të kuptojmë se psika sllave asht ma pak e zhvillueme se ajo e Kombit Shqiptar. E për me e perforcue edhe ma shumë këte mendim t’emin, këtu due me ju prue edhe disa fakte prej të cilëve, Zotnija juej ka me e pa edhe ma kjarisht se, kundershtarët tonë, gjykimin e vet mbi Shqiptarët e japin, jo simbas së vërtetës, po simbas interesit të tyne.

Sllavët e Malit të Zi, ku prej forcës së pozicionit gjeografik të vendit, ku edhe se vetë e kanë zanat pushkën, gjithmonë kanë kenë të lirë e më vedi. E për ma tepër, për ma se 50 vjet rrjesht, sa mbretnoi mbi ta Nikolla i I -rë, kanë pasë nji formë qeverie të thuesh kryekput si ndër kombe të tjera të qytetnueme. E mirë pra atëherë: Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë lufta Turko-Ballkanike, ka kenë vetëm nji shtypshkrojë e vetme qeveritare si dhe kanë pasë nji të vetme fletore politike, e edhe kjo qeveritare. Por nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me paret e popullit. Ndërsa në Shqipni, që prej viti 1908, kur kje shpallë Konstitucioni i Turkisë, e deri në fillim të Luftës Ballkanike, pra në ma pak se katër vjet, u ngrefën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore politike e të përkohshme, u çel nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të Kombit Shqiptar. U përpiluen të tana tekstet për shkollat fillestare e disa edhe për shkolla të mesme. E kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të gjitha shkollat e Shqipnisë. Janë botue edhe shumë vepra letrare me randsi, të cilat e kanë çue nalt ndjesinë kombtare, tue i dhanë në pak kohë, shumë zhdrivillim gjuhës shqipe, fakt ky që në kohë të pushtimit austro-hungarez, kjo gjuhë kje përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyret administrative.

Mbrenda kësaj kohe kjen mbajtë tre Kongrese Gjuhësie (1), si dhe kjenë disa shoqni letrare, etj., etj…E gjithë kjo veprimtari asht zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së qeverisë.

E po pse, tash, inteligjenca sllave, që në Mal të Zi, gjatë 50 vjetve jetë kostitucionale nuk përfton kurrgja të re në lamë të qytetnisë, na duhet sot të mbahet si ma e naltë dhe ma e hollë se inteligjenca shqiptare e cila në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare (2) dhe asht e ngjizun me nji mentalitet të ri për Kombin?!

Zotnij! Le të lehet njiherë në paqë shqiptari dhe le t’i jepet kohë me nxanë, dhe atëherë, ju keni me pa se ai ka me shkue gjurmë më gjurmë me kombe të tjera të Ballkanit, gjatë rrugës së qytetnimit dhe të përparimit.

Kombi Shqiptar i ka dhanë burra në za për urti Perandorisë së Bizancit. Diplomatët ma të mirë dhe gjeneralët ma të vlefshëm të mbretnisë së Turkisë, Shqiptarë kanë kenë.

Shqiptar ka kenë edhe statisti italian Françesk Krispi, kështu Shqiptar ka kenë edhe Papa Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në kjoftse bazohena në memorandumin e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë Konferencës së Paqes, Shqiptar asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë greke.

Por, për me ua mbushë mendjen edhe ma mirë se Kombi Shqiptar nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru fjalët që shkrimtarë me vlerë kanë lanë të shkrueme mbi Shqiptarët. Shkrimtari francez Hecquard, në librin e vet “Histoir e descriptions de la Haute Albanie”, ka shkrue se në histori të shqiptarëve “ndeshen prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe aktiviteti.” Ma poshtë thotë: “Ata kanë ruejtë doket e burrninë ashtu si vetëm mund ta ruejshin burrat e hershëm që u këndohet kanga, se githmonë këta i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme, Perandorisë së Bizancit, Turkisë e Greqisë së kësokohshme”, si u tha përsiper. Mandej Lordi Bajron, prej anës së vet gërthet: “Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka burra si veç motit i bajshin nanat dorike: Atje ka ende do familje për të cilat kishe me thanë se janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve.”

Dëshmi janë këto, Zotnij të mij, të cilat kishin me i shtue namin edhe nji Kombit ma të madh e të qytetnuem.

03

Tash, Zotnij, mbasi Ju diftova se kush janë dhe shka janë Shqiptarët, më duhet t’ Ju flas për të drejtat e tyne. E po Ju thom se Shqiptarët kanë të drejtë:

  1. a) për nji pamvarsi politike e ekonomike;
  2. b) gjithnji brenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë.

Mbi pamvarsi të Kombit Shqiptar, nuk kam shumë fjalë me ju thanë.

Dihet se kjo e drejtë ka kenë njoftë, sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të Pushteteve të Mëdha të Antantës, – prandej, me fjalë të tjera edhe prej Francës, – që prej Nandorit të vitit 1912, në Konferencën e Ambasadorve në Londër. Këto Pushtete, mandej, ia kanë ba me dijtë botës mbarë se traktatet ndërkombtare ata nuk i mbajnë për shtupa letrash me i tretë, por i respektojnë si akte, që prekin nderen e kombeve që i kanë nënshkrue. E njimend, po e xamë se anglezi thotë se ja ka nisë nji lufte të përgjakshme e të shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për erz të firmës që ai e ka pasë vu për pamvarësi dhe neutralitet të Belgjit. Pamvarsia e Kombit Shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe e dorëzanueme mbi erz të Kombeve të mëdha të Europës, prandej tash ne nuk na mbetet tjetër, veçse me folë për kufij të natyrshëm të Shtetit Shqiptar, e kjo asht nji çashtje po aq me randësi, sa ajo e pamvarësisë.

Pushtimet e hueja dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle, të pashpirt e të pazemër, kaq fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike Shqipnisë sa që sot, nji i huej, sado i drejtë dhe i papajambajtas, mezi mundet me e njoftë me nji të këqyrun. – Edhe nji nanë, shpesh e ka të vështirë me e njohë fytyrën e të birit, kur këtë t’ia ketë përçudnue me varrë e me dermishime arma e anmikut. – Prandej, lypet të caktojmë ma përpara disa kritere të sigurta, mbas të cilave mandej, me përskajue kufijt e natyrshem të Shqipnisë.

Mbas parimit të autodeçizionit, sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun e të pandamë në vetvedi, ashtu si ky përcaktohet prej ndermyllzave të teorive uilsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë, që ai vetë me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u nderue si shtet i lirë dhe i pamvarshem. Ky shtet, masandej, gjeografikisht do të përshtrihej deri ku kapet kombsija e pandame e vijueshme e atij populli. E në rast se në ndonji skundiill toke të këtij shteti gjinden të shartuem elemente të huej, aty vullneti i popullit do të vertetohej nëpërmjet të nji plebishiti, mandej liria e tij do të jetë e dorzanueme dhe e sigurueme si duhet e sa duhet.

Mbas këtyne parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti Shqiptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mërrin Kombësia e Popullit Shqiptar, e vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i autodeçizionit nuk asht i lidhun me individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me avrom të gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet Kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i papështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm e me të padrejtë.

Por në bazë të cilit kriter ka për të mujtë me u caktue të përshtrimit e Kombsisë Shqiptare? – Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë rast, asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk mund të lehet kurrsesi mbasdore.

 

Populli Shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, – tue lanë mënjanë transformimet e natyrshme të elementave të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot, – kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to, me rrajë të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra, rrjedh që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një Kombsi krejt më vedi e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera t’ Europës. Sepse, nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t’ia ketë tatue Shqiptarit nji gjuhë që, dhe as nji tjetër popull europian, mos ta ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i tatohet nji populli marë. Por as populli Shqiptar nuk ka mujtë me ua tatue popujve të tjerë gjuhën e vet. Gjuha tatohet, ose me forcë t’ armëve, ose me forcën e kulturës e të qytetnimit. Por, si prej njenës, si prej tjetrës pikpamje, Shqiptari nuk ka kenë ma i fortë se popujt që ka përbrij. Prandej nuk ka si të mohohet se, të gjithë ata që flasin shqip, janë të Kombsisë Shqiptare. E për këtë arsye, Shteti Shqiptar, duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshinë gjuha Shqipe.

Tue pasë caktue këto parime ose kritere, të shofim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të Shtetit Shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë çeshtje plot me gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej anmiqve, këtu unë due me ia lanë fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon, i cili ka kenë në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy, tue e prekë vetë me dorë, se kush mundet me pasë arsye mbi këtë çeshtje?

Zotni Pinon pra, në artikullin që prumë prej “Revue des deux Mondes”, tue folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë: “Prej fushave të Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toket asht Shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky ndolli ma i forti”. E të tanë krahina e Kosovës, e cila, prej Konferencës së Londonit (1913) i kje lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, “Epiri i Nordit”, të cilin e lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput prej Shqiptarësh e prandej, e drejta e lypë që të njehen me Shtetin Shqiptar.“ E mos të mendohet se zotni Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket çiltas edhe prej statistikave të cilat, qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne statistikave zyrtare del në shesh se, në krahinat e lëshueme prej Konferencës së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë thjesht Shqiptare. Serbët na thonë se banorët e Kosovës, me rod janë të gjithë sllavë, por, gjithnji si thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë çoroditë, tue u kthye në Shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për banorët e Epirit të Nordit.

Por ata nuk thonë të vërtetën, sepse, po të ishte e njimendët se banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të Nordit, grekë, atëherë Serbia nuk do të kishte mbytë e gri deri më sot afro dyqindmijë vetë në Kosovë, e Greqia, nuk do të kishte djegë ma shumë se treqind e gjashtëdhetë katunde në Epir të Nordit, tue e kryqëzue gjinden përsëgjalli, posë atyne pesëdhetmijë vetave që i kanë vra dhe i kanë lanë me dekë prej urije e sikletit. Popujt e qytetnuem munden, po, në furinë e nji kryengritjes, me vra në trathti mbretënt e mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mërrijnë kurrë me gri – e në ç’mënyrë mandej! – me qinda e mija vllazën “bashkëqytetarë” të vet! Qyshë se serbët kanë vra me qinda mija njerzë në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qinda e qinda katunde në Epir të Nordit, dëshmon kjartë se, as banorët e Kosovës nuk duhet të kenë kenë serbë, as ata të Epirit të Nordit nuk kanë kenë grekë. Jo, po, Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qindra mija në Kosovë dhe janë djegë me qinda e qinda katunde të Epirit të Nordit, për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën Shqiptare n’ ato krahina, për me mujtë me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka Shqiptarë! Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitdinem faciant, pacem appellant.” Por, sa të kenë shkretnue vendet, thonë se vunë paqen!

Por për me i forcue ma tepër fjalët e z.Renè Pinon mbi kufijt’ e Shqipnisë, këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi këtë çeshtje Lordi Fritz Maurice, Mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi “Foreign Office” e që masandej, kje botue në nji Libër Bleu të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka asht Kombi Shqiptar, i bjen me u përshtri edhe mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit të Zi, e krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovicet e teposhtë, asht krejt Shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort të vogël serb. Statistika bullgare e greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e veta mbi Manastir, Ohër e Korçë, janë pështetë në rrena e dashtas janè ba me rrena, le ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpit !.” Qé pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij duhet të ketë Shteti Shqiptar. Mbas dishmisë së këtij diplomati ingliz në za, Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme, po nuk e nxuer e nuk ua ktheu Shqipnisë ato tokë që, Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtsije, në vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë, për me ua lëshue grekve dhe serbve.

Veç shka se,tue bisedue për këte çeshtje me një delegat të Konferencës së Paqës, ky zotni na tha troç: Hiqeni mendsh se na po marrim tokë tuejat, të pushtueme prej Aleatëve tanë, e po ia kthejmë rishtas Shqipnisë. Mbi këto fjalë që per ne kanë një randsi të madhe fort, unë kishe me dashtë me folë pak ma gjatë; por, pse s’po due me vu ma teper në provë durimin tuej, po marr lejen me ju ba vetëm një oroë mbi to. Po kje se puna asht, ashtu si e mendojmë, që Konferenca e Paqës e ka në mendje me ia peshue gjyqin Botës në qetele të arsyes e jo në mollëz të shpatës, Zotnia juej e kupton vetë, se fjalët e tij s’mund zanë vend; përndryshe asht kot që të tjerrë fjalë ma gjatë, se sot shpata e Shqipnisë s’ka teh endè.

Qe, Zotnij, se shka kam pasë me ju thanë per Shqiptarët e mbi të drejtat e tyne. Tue ju falë nderës, me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më diftue në këtë rasë, do ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtun, me ato fjalë që me 24 Nandor 1880 thonte në Parlamentin italian, Madero Savini, kur Europa pat çue donamet e veta para Ulqinit, për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipnisë. E qé shka foli në atë rasë, deputeti italian: “E po pse francezëve nuk u mbushet mendja me hjekë dorë nga Alsazë-Lorena? Pse nuk do të guxojshit Ju, (deputetë italianë), me hjekë dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri? Pse i keni dalë zot Greqisë kundra Turqisë, në Kongresin e Berlinit? Vetëm per parimin e Kombsisë! E pra, kujtoj unë, se, për me kenë burra fjalet, na duhet me thanë edhe për Shqipninë ato shka thomi për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Varshavë…

Në mos paça harrue, si kam ndij prej Profesorave të mij, Grotius ka pasë thanë se, tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin popujve. Por përkundrazi, Jean-Jacques Rousseau vërret: “Ani, por të paktën pyetni ma parë, mostjeter, këto bagëti njerzore!”.

 

Përgatitur për botim nga Frank Shkreli