Anita Bitri “kthehet” tek artdashësit shqiptarë

927
Sigal

Sot në datën 7 dhjetor, 2019, ora 11-00 në Teatrin “Petro Marko” Vlorë  u promovua libri i Albert Zholit “Anita Bitri një meteor në qiellin e muzikës shqiptare”

Deklarata befasuese e Robert Papavramit: Kjo vogëlushe është gjeniale, e lindur e tillë

Fëmijëria e rrallë e Anita Bitrit

Albert Z. ZHOLI

Në Kopshtin Nr. 10 të lagjes “29 Nëntori” në Vlorë

Në vitin 1970, shtator, pikërisht kur ishte 4 vjeç, Anitën e regjistruan në kopshtin Nr. 10 të qytetit të Vlorës. Shpesh këto institucione bëhen tepër të rëndësishme për jetën e një njeriu të talentuar, ndërsa krejtësisht të zbehta e gati-gati harrohen nga të tjerë që jeta nuk u jep shanse të mëdha për bujë a mirëqenie. Kopshti Nr. 10 i lagjes “29 Nëntori” në Vlorë ishte një ndërtesë e bukur për kohën. Jo vetëm aq, po prindërit Anitës kishin privilegjin të banonin diku aty afër e të mos lodheshin shumë mëngjeseve kur fëmija duhej çuar me nxitim në kopsht, sepse pastaj vinte orari i punës. Siç kemi theksuar, familja e Skënder Bitrit jetonte në një pallat në formën e germës “L”, diku përballë Ambulancës së madhe të qytetit dhe thuajse e njohin shumica e qytetarëve. Pas ndrojtjes së ditëve të para, pas njohjeve me bashkëmoshatarët, Anita Bitri do të binte menjëherë në sy të edukatoreve të saj jo vetëm për bukurinë engjëllore, por edhe për një gjallëri jo të zakonshme që shfaqte në mjediset e kopshtit të saj. Ajo vetiu këndonte, recitonte, përballej me fëmijët e tjerë dhe i korrigjonte kur ndjente se ata nuk recitonin si duhej. Nuk mund të mos binte në sy ky zell fëmijëror! Sigurisht atë kohë nuk kishte doemos specialistë a psikologë për të ndjekur e korrigjuar talentin e një fëmije. Nëse ndonjë edukatore kishte më shumë kulturë, – përtej mësimeve të shkollës pedagogjike ku pat mësuar, – atëherë fëmijët e kopshteve kishin një aset më shumë pas vetes për t’u evidentuar, për t’u inkurajuar, për t’u trajtuar me kujdes. Nëpër këto qerthuj fëmijërorë sigurisht kanë humbur ose janë tretur shumë talente të rëndësishme që nuk arritën të shpërthenin kurrë. E gjithë jeta është një përpjekje e vazhdueshme, sidomos e atyre më të vullnetshmit, por fëmijëria e adoleshenca janë si rrënjët e një peme që sapo mbillet. Nëse prashitet, ujitet e vlerësohet ajo bëhet aq e bukur. Kësaj rruge të vështirë ku, sigurisht, përfshihen mirëqenia e familjes, kujdesi prindëror, shkollimi dhe elementë që ngjajnë të rastësishëm në jetë, por bëhen domethënës, – do të kalonte edhe këngëtarja e ardhshme Anita Bitri, për jetën e së cilës po shkruajmë… Pavarësisht ndryshimeve në sistemet shoqërore, si gjithçka në socializmin totalitar, kopshtet e shkollat ishin jo thjesht institucione ku fëmijët do të kalonin kohën në mungesë të prindërve, por edhe për ta tregohej një kujdes tepër i veçantë në evidentimin e talenteve a prirjeve të tyre. Shpejt ra në sy gjallëria e fëmijës Anita Bitri, etja e saj për të qenë protagoniste në lojërat e shokëve e shoqeve e shkollës, prirja për të recituar bukur vjershat që mësoheshin në kopsht prej edukatoreve, një gjallëri e çuditshme, lëvizjet e saj dhe mënyra inteligjente se si komunikonte me mjedisin që e rrethonte. Shpejt këto veçanti të saj do të tërhiqnin vëmendjen e të gjithëve. Aq e vërtetë është kjo sa në një Festival të fatosave, të organizuar në Vlorë, kërcimtarja e vogël Anita Bitri e kopshtit Nr. 10 do të tërhiqte menjëherë vëmendjen e jurisë. Në përfundim të takimit Anita do të shpallej kërcimtarja më e mirë e atij festivali. Sigurisht do të gëzoheshin të gjithë, sidomos prindërit dhe vëllezërit e saj.

Përpara Robert Papavramit të famshëm

Përhapja e shkollave artistike në të gjithë vendin, të tipit të Liceut Artistik, kur fëmijët kryenin aty gjithë ciklin parauniversitar, duke nisur nga shkolla fillore e deri në maturë, sigurisht ishte një zhvillim i rëndësishëm në evidentimin e talenteve të reja. Vazhdimi i këtyre shkollave sigurisht kalonte përmes konkurseve të rrepta, në jurinë e të cilëve merrnin pjesë artistë e instrumentist të njohur. Ishte fat për fëmijët e Vlorës në përgjithësi e për Anita Bitrin në veçanti që një shkollë e tillë, shkolla e Muzikës, siç quhej në fillim, – talentet kalonin përmes një emri aq të njohur të muzikës shqiptare si Robert Papavrami. Katër vite në kopsht kishin krijuar bindjen te prindërit, por edhe te edukatoret, se Anita nuk qe një fëmijë i zakonshëm. Ajo jo vetëm kërcente bukur, por këndonte bukur, recitonte bukur, komunikonte bukur. Në vitin 1974 atë e regjistruan të konkurronte në Shkollën Artistike “Naim Frashëri” të qytetit. Sigurisht kishte një dyzim në familje për drejtimin muzikor që do të merrte vajza e vogël. Gjithsesi të gjithë binin dakord se asaj i duhej të përvetësonte një vegël muzikore dhe kjo mund të ishte violina. Kështu ndodhi që Anita Bitri u paraqit para Robert Papavramit me violinën e vogël në duar, sigurisht aso kohe pa pjesë muzikore të plota, por me ushtrime fillestare. Pranimet bëheshin duke matur përthithjen e tingujve, përsëritjen e tonaliteteve të notave të kërkuara e kërkesa të tjera fillestare për këtë moshë. Robert Papavrami e dëgjoi vetë këtë violiniste më të vogël se moshatarët. Anita ishte regjistruar në kopsht një vit më e vogël se shoqet. Ankthi i nënës, por edhe i Arbenit, të vëllait, që ndodhej në sallën e konkursit ishte i madh. Mjeshtri i violinës, Papavrami, nisi të shqyrtonte aftësitë muzikore të vogëlushes Anitë me seriozitetin më të madh. Asnjë lëshim nuk lejohej. Arbeni do të tregonte më pas në kujtimet e tij, se si çdo përplasje pëllëmbësh të profesorit për t’u bindur në veshin muzikor të vajzës, ngjante si trokitje të fuqishme zemre për ta. Fëmija ishte gjithë sy e veshë. E shikonte burrin e madh që kishte përpara me sytë e saj të bukur dhe, për të, mesa shihej, asgjë nuk ekzistonte tjetër në atë sallë. As nëna, as vëllai. Sesa zgjati kjo provëmarrje Arbeni nuk është në gjendje ta tregojë. Por diku, pasi gjithçka kishte rënë në heshtje dhe vajza e vogël kishte lëshuar në shesh violinën, Robert Papavrami bëri disa hapa përpara, ia dha violinën në dorë dhe e përqafoi fort duke buzëqeshur. Pastaj duke iu drejtuar të pranishmëve, tha:

– Kjo vogëlushe është gjeniale. E lindur e tillë. Nuk kam hasur kurrë fëmijë me një vesh muzikor aq të saktë, aq të mprehtë. Po e deklaroj këtu, se Anita Bitri do të jetë këtej e tutje nxënësja ime në violinë…! Ishte një gëzim shumë i madh për mamanë dhe mua, do të na tregonte Arbeni. Përkundrazi motrës i kishte mbetur në fytyrë një buzëqeshje e lehtë, thuajse e harruar prej kushedi se çfarë ëndrre. Koha do të tregonte edhe virtyte të tjera të kësaj fëmije të bukur…

 

Çmimet

Kënga e parë e Anitës në shkallë kombëtare titullohet “Hartimi dhe Dëbora”. Në anketën muzikore të Radio Tiranës për këtë këngë, vlerësohet për interpretimin e saj brilant. Më pas, sukseset e saj vazhduan me këngën shumë të njohur, “Mos u nxito” kompozuar nga Aleksandër Vezuli me tekst të Alqi Boshnjakut në Koncertin e Pranverës 1988, ku u vlerësua me çmim të parë. Talenti i Anitës nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e kompozitorëve të njohur të asaj kohe. Flamur Shehu ishte i pari që do të besonte tek ajo dhe do të fillonte të bashkëpunonte me të në disa festivale me radhë të Radio Televizionit Shqiptar. Vlen për t’u përmendur interpretimi i këngëve “Lulet e majit i çel në janar”, “S’ka formulë në dashuri”, “Abrakadabra” etj. Në këto vite triumfi Bitri pranohet si këngëtare profesioniste në trupën e Teatrit të Estradës Vlorë. Më pas ajo korr një sukses të jashtëzakonshëm në shkallë kombëtare me koncertet e saj recitale të titulluara “Anita”.

Veprimtaria dhe sukseset në Amerikë dhe albumet

Realizimi prej Anitës i albumit të parë me këngë “Malli” në vitin 1999 dhe respekti që tregoi Misioni Shqiptar në New York, duke bërë promovimin e këtij albumi në mjediset e veta.

5 prilli i vitit 1999 solli dhe daljen në skenat e Broaduay-it të Anitës, jo vetëm si këngëtare por edhe si violiniste në koncertin e organizuar nga Organizata “Madre”, mjaft e njohur në Amerikë.

12 gusht 1999, Anita shpalosi vlerat e jashtëzakonshme të muzikës së bukur shqiptare para të gjithë ambasadorëve të botës, në mbrëmjen e organizuar nga Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara.

Shjetori i vitit 1999 solli për Anitën fitimin e konkursit të zhvilluar nga kompania amerikane C.P.V. për të kënduar dy këngë në programet e tyre televizive.

Vera e vitit 2000 ishte e shoqëruar me koncertet e saj recitale bashkë me aktorin dhe regjisorin e njohur Koço Devole në shumë shtete të Amerikës.

12 nëntori 2000 sjell prezantimin e Anitës si këngëtare dhe violiniste, në koncertin e madh në New York, së bashku me Inva Mulën, Piro Çakon dhe Silvana Braçen.

26 nëntor 2000, në 9-vjetorin e gazetës “Illyria”, Anita e bëri më tërheqës këtë koncert, duke kombinuar zërin e saj magjik me lojën me violinë.

Viti 2001 filloi me një tjetër sukses në jetën artistike të Anitës, ftohet për të prezantuar muzikën shqiptare në një koncert të përbashkët amerikan-shqiptar-turk, ku shpaloseshin vlerat artistike të këtyre 3 vendeve. Në këtë koncert ajo prezantohet me një nga kompozitoret me famë në Amerikë, Tina Shaffer (kompozitore e Sellin Dionit, Dona Sammer, Betty Midler etj.) Tina e vlerësoi zërin e Anitës si “një zë engjëllor që zbret nga qielli”.

Viti 2002 ishte një vit pune intensive për Anitën, pasi po punonte dhe po hapte një rrugë të re në artin e Diasporës Shqiptare. Ajo po bënte gërshetimin e muzikës sonë të bukur shqiptare me Pop-in amerikan.

24 janari 2003 nisi me pjesëmarrjen e Anitës në një nga koncertet më të mëdha të komunitetit shqiptar, ku prezantoi muzikën e lehtë shqiptare përkrah këngëtarëve kosovarë dhe maqedonas.

Vitet 2003-2004 ishin vite tepër të rëndësishme për rritjen artistike të Anitës. Gjatë kësaj periudhe ajo shpalosi vlerat e artit dhe të muzikës shqiptare në kufijtë e Amerikës.

Viti 2004 shënoi për Anitën realizimin e albumit “Çdo gjë është e mundur”. Në këtë album do të gjeni të gjithë frytin e eksperiencës dhe të pjekurisë artistike të kësaj artisteje të madhe. Në këtë album Anita paraqitet si kantautore.

 

Vajza Sibora dhe suksesi

Por të gjitha këto suksese në jetën artistike të Anitës nuk do të bëheshin të mundura pa përkrahjen dhe respektin që tregoi publiku i dashur shqiptar, të cilin ajo e adhuronte dhe i dhuronte çaste të gëzuara me zërin e saj magjik. Gjithashtu, një rol të rëndësishëm dhe vendimtar në këtë drejtim luajti dhe lindja e Siborës. Lindja e vajzës ishte një nga dhuratat më të mëdha, që Zoti i fali. Engjëllushen e vogël Anita e rrethoi me një dashuri dhe përkujdesje të papërshkrueshme. Ajo e edukonte me respektin për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, përkujdesej në mënyrë të veçantë për ecurinë e saj shkollore, ishte një nënë e përsosur dhe një edukatore e mirë. Kënaqësinë Zoti ia shtoi me ardhjen e nënës në Amerikë, sepse ajo jo vetëm që ishte shumë e lidhur me Anitën, por njëkohësisht ishte një nxitje në jetën e saj artistike, duke flijuar çdo gjë me qëllim që t’i linte hapësirë krijimtarisë artistike të vajzës dhe këngëtares së saj të adhuruar. Anita ka qenë për të gjithë familjen Bitri, nderi dhe krenaria e kësaj familjeje.

Gjatë karrierës së saj artistike, Anita është nderuar me shumë çmime e diploma në aktivitete të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Këto çmime të fituara tregojnë më së miri aftësitë e shquara të saj në fushën e artit skenik, si dhe respektin dhe vlerësimin e madh që i kanë bërë asaj juritë e ndryshme, kolegët e bashkëpunëtorët e saj dhe sidomos publiku i gjerë, i cili do ta kujtojë gjithmonë Anitën si një model të përkryer të interpretimit dinjitoz të muzikës sonë.

Me ikjen e Anita Bitrit arti dhe publiku shqiptar humbi një zë të mrekullueshëm, Shqipëria një patriote të flaktë, diaspora një aktiviste dhe personalitet muzikor, familja dhe miqtë, një artiste dhe shoqe të mrekullueshme.