Analizë nga Xhevat Mustafa: Rastësia e qeverive socialiste. Fati i tri fushatave me ndihmat, kambanë alarmi për të tanishmen!

527
Sigal

Fati i tri fushatave të mëparshme me ndihmat, kambanë alarmi për të tanishmen!

Sa me fat janë këto qeveritë socialiste?!

Për  rastësi apo fat të madh, në të katërt fushatat apo rastet e solidarizimit masiv ndërkombëtar dhe mbarëshqiptar, me ndihma të mëdha financiare, ushqimore, mjekësore  dhe materiale, vendi ka pasur qeveri socialiste.

Nga Xhevat Mustafa

Shumëkujt prej shqiptarëve në moshë të rritur, nga 40 vjeç e lart, duhet t’u kujtohet mirë se fushata e ndihmave të tanishme  nga Bota shqiptare dhe ajo ndërkombëtare, në shenjë solidarizimi me 51 viktimat në jetë njerëzore dhe me qindra familjet, me banesa të dëmtuara plotësisht apo rëndë, është e katërta që përjetojmë.

 

E para, ishte më 1991-1992, kur dolëm gati duke vdekur urie, thuajse lakuriq e duke ikur të gjithë nëpër botë, nga “parajsa socialiste” e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Gramoz Ruçit, Fatmir Xhafajt, Erion Braçes…

E dyta, na erdhi më 1997, kur me mendtë dhe duart tona, me armët tona, i shkaktuam vetes kiametin e 1997-s, me mijëra viktima njerëzore dhe dëme të tmerrshme dhe shumë  gjatë të ndjeshme në ekonomi, mbrojtje dhe siguri, pasuri nën dhe mbitokësore, arsim, kulturë, shëndetësi, biznese, në nivelin e jetesës dhe në ecurinë e proceseve integruese.

E treta, ishte ajo e vitit 1999, kur nga shumë vende të botës dhe nga diaspora shqiptare u derdhën në portet e Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe të Shëngjinit, në aeroportin e Rinasit dhe në pikat tokësore të kalimit kufitar, qindra tonelata ndihma për rreth 700 mijë refugjatët nga Kosova, që braktisën shtëpitë e tyre për të shpëtuar nga tmerret e ushtrisë së Slobodan Milosheviçit dhe të Aleksandër Vuçiçit… Për  rastësi apo fat të madh, në të katërt fushatat apo rastet e solidarizimit masiv ndërkombëtar dhe mbarëshqiptar me ndihma të mëdha financiare, ushqimore, mjekësore dhe materiale, vendi ka pasur qeveri socialiste. Shumica e shqiptarëve që i kanë përjetuar tre të mëparshmet duhet të kenë pasur raste të bëhen dëshmitarë okularë apo të dëgjojnë nga të tjerët, se si rrjedhojë e keqmenaxhimit, e paskrupullsisë apo babëzisë së qeveritarëve dhe zyrtarëve socialistë të të tre niveleve, janë vjedhur pa hesap sasi të konsiderueshme ndihmash nga të katër anët e botës. Për të kuptuar se në cilat magazina, dyqane, shtëpi, xhepa…kanë shkuar ndihmat e vjedhura ndihmon deduksioni  apo fakti se pas këtyre fushatave të solidarizimit dhe humanizmit botëror dhe mbarëshqiptar, kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, shumë bosë, biznese, tregtarë të tri niveleve, pallate, hotele, vila  të reja…Dhe, “rastësisht” shumica e tyre kanë qenë e janë “të majtë”, socialistë, “rilindës”… Duke qenë në masë të ndjeshme njerëz të këtij soji apo kallëpi, që mendojnë vetëm për pasurimin e tyre sa më të madh e sa më të shpejtë, edhe në biznese janë treguar të pandërgjegjshëm e të pa përgjegjshëm, deri në abuzime kriminalitet me cilësinë, sigurinë, shëndetin dhe jetën e njerëzve.  Nga ky kontingjent njerëzish pa njerzillëk na kanë ardhur nga magazinat e botës, blerë lirë apo falas, për t’i shpëtuar të huajt nga shpenzimet e magazinimit dhe të groposjes,  edhe ushqime dhe ilaçe të skaduara, me nivele të larta sëmundshmërie e rrezikshmërie; edhe hekur, çimento, bojëra dhe materiale të tjera ndërtimi me doza të larta radioaktiviteti dhe nivele të ulëta cilësie dhe sigurie. Duke iu referuar shkatërrimit të plotë dhe dëmtimit të rëndë të plot pallateve të ndërtuar pas vitit 1990, deri 10 vite më parë, ekspertë shqiptarë e të huaj, kanë nxjerrë përfundimin e saktë, të besueshëm dhe bindës, se kjo ka ardhur nga mos respektimi  i studimeve dhe kërkesave antisizmike; nga përdorimi i materialeve të hekurta dhe i çimentos për shtyllat  mbajtëse të mureve anësorë e të brendshëm jo në përmasat, sasinë dhe cilësinë e duhur. Është shumë shprehëse dhe argumentuese për këtë deklarata plot zemërim e zviceranit 77 vjeç, Rolf Alther që jeton prej 5 vitesh në Durrës me të shoqen nga Kosova. Në intervistën dhënë për gazetën prestigjioze “Blick” të Zvicrës, më 29.11.2019, ai deklaron: “Ky tërmet nuk ishte kaq i rëndë sa të shkaktonte dëme kaq të mëdha. Shkaku i shembjeve janë ndërtimet e këqia, shkel e shko. Në Zvicër, fitimi i një ndërmarrjeje ndërtimi për një projekt është 6-7 për qind, këtu është 70 për qind dhe në kurriz të sigurisë dhe të jetës së njerëzve”.                                                                                                                         Edhe gazeta e njohur italiane “Il Fatto Quotidiano” , më 29 nëntor 2019, në reportazhin e saj të gjatë, shkruar nga gazetari Pierfrancesco Curzi, kushtuar tërmetit katastrofik  në Shqipëri, e nis me ironinë e shprehjes së famshme shqiptare: “Shto ujë, shto miell “, shto  2-4  kate, (edhe me themele në ujë, kripë dhe helme, siç ka  ndodhur në Durrës), jashtë projektit të miratuar. Sipas tij, kjo është bërë traditë apo praktikë masive në ndërtimin e pallateve dhe të vilave për banim dhe hoteleri në Shqipëri, në këto 25 vitet e pas-komunizmit.

Kjo panoramë retrospektive dhe  aktuale, e mbështetur në disa fakte dhe argumente, nga media shqiptare e ndërkombëtare si dhe nga qytetarë vendas dhe të huaj, na përcjell mesazhin shumë të kuptueshëm në çdo  gjuhë të botës, se tradita, zakoni, vesi i vjedhjes së ndihmave mund të përsëritet edhe këtë herë.  Kambanat e para të alarmit gjëmuan në Durrës, Kavajë, Thumanë, Tiranë… Sipas mediave, më 28 nëntor janë arrestuar duke vënë dorë mbi ndihmat ushqimore për familjet e dëmtuara nga tërmeti dy punonjës policie, mes tyre Shefi i Rendit në Rinas dhe një punonjës të Shërbimit Zjarrfikës. Për të kuptuar edhe më mirë se çfarë përmasash apo niveli ka trashëgimia e vjedhjes së ndihmave humanitare ndihmon fakti, se ndër të parët autorë është edhe një shef  rendi në aeroportin e vetëm apo më të madh të vendit, ku përditë ka qarkullim të madh njerëzish dhe bagazhesh… Vjedhja e mundshme apo reale e ndihmave ndihmohet ndjeshëm edhe nga parregullsia, rrëmuja apo rrumpalla, që ekziston në qendrat e magazinimit, grumbullimit dhe të shpërndarjes së tyre. Në qoftë se do të ketë analiza dhe kontrolle serioze, përtej partishmërisë dhe familjaritetit, me shumë gjasa, në disa prej këtyre qendrave, mund të dalë se i janë varur në qafë mëlçitë e qengjave ujqërve të pangopur… Pjella apo viktima të kësaj rrumpalle tradicionale, socialisto-rilindëse me ndihmat humanitare, me bukën e gojës, veshjet e trupit, lekun e mbijetesës së të dëmtuarve të vërtetë, janë edhe ata njerëz që, edhe pse jo në listën e gjatë të viktimave, vrapojnë, të dërmojnë me bërryla e të shtypin me këmbë, për të dalë në krye të radhëve për të marrë ato që nuk u takojnë. I mirë informuar për mundësinë dhe vërtetësinë e masakrimit të ndihmave nga tre rastet e mëparshme e në fillimet e rastit të tanishëm, i ndërgjegjshëm se nuk mund të bëjë shumë për mospërsëritjen e masakrës së katërt, më së shumti nga njerëzit e vet, kryeministri Edi Rama bëri thirrje publike që në plan të parë të jenë ndihmat financiare. Duke e shprehur në shqip ai apeloi: “Pare, pare!”. Ndërsa në anglisht:”Maney, maney!” Por, shumë qytetarë shqiptarë kanë arsye të bollshme të ndjehen paragjykues dhe të frikësuar, se edhe ndihmat financiare nga bota e nga burime mbarëshqiptare, mund të ndërrojnë drejtim. Fjala është për rrezikun dhe mundësinë, që një pjesë e tyre të shkojnë për të mbushur gropat e shumta e të mëdha të buxhetit shtetëror, për luks qeveritar, për bileta avionësh dhe fatura hotelesh nëpër botë të ministrave dhe ministreshave “rilindëse”. Apo për t’ia dhuruar në formën e PPP-ve disave prej ndërtuesve, që vetë ai i ka kërcënuar “frikshëm” dhe që po  të kemi prokurori dhe gjykata me të vërtetë të pavarura, me shumë gjasa mund t’i shikojmë shpejt me pranga në duar, siç ndodhi në Turqi, pas tërmetit të rëndë të 17 gushtit 1999. Më shumë dyshime dhe frikë se sa optimizëm dhe siguri injekton edhe ideja e kryeministrit, që me një pjesë të ndihmave financiare t’u blihen shtëpi të reja familjeve të pastreha nga rreth 5-6 mijë apartamentet e lira të po këtyre ndërtuesve. Kjo paranojë përforcohet nga fakti se një pjesë e tyre janë deputetë, kryebashkiakë, anëtarë dhe zv. kryetarë këshillash bashkiakë, sponsorë bujarë  të kandidatëve të “rilindjes” në fushatat elektorale, përfituesit më të shumtë nga rreth 150 milionë dollarët apo eurot  e PPP-ve për projektet e ardhshme, me fatura të fryra si tullumbacet. Por, edhe për shkak sem edhe shumë prej pallateve të reja, me shumë apartamente të pa shitura, mund të jenë jo më cilësore e të sigurta se pallatet e shembur plotësisht dhe të dëmtuar rëndë, të ndërtuar pak vite më herët. Megjithatë, si qytetar jam i interesuar dhe uroj më gjithë shpirt që Edi Rama më shokë e shoqe, të bëjnë mrekullinë apo të pabërën deri më sot, që të arrijnë t’i mbrojnë si sytë e ballit dhe si pasuritë e veta individuale dhe familjare, ndihmat shumëformëshe që kanë ardhur dhe do të vijnë për atë pjesë të popullit, tmerrësisht të dëmtuar dhe të lemerisur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Por, në qoftë se do të bëhen analiza dhe studime të thella dhe serioze, pa u censuruar, redaktuar e korrektuar nga ERTV, nuk do të përbëjë befasi dhe çudi që të dalë se 51 jetët e humbura dhe qindra familjet e dëmtuara, janë më shumë viktima të rrumpallës në ndërtime dhe në qeverisje se të tërmetit nga natyra apo Zoti.