Ali Asllani, njeriu besnik i Ismail Qemalit dhe poemave Hakërrima e Vlora-Vlora

257

Kush është atdhetari që punoi në tre sisteme. Me Ismail Qemalin si sekretar, në kohën e Zogut, kryebashkiak i Vlorës dhe në sistemin e Enverit, themeluesi i Lidhjes së Shkrimtarëve. Si u la në harresë dhe pse u braktis nga regjimi i komunist

Rilindasi i vonuar

Ali Asllani hyri në letërsinë shqipe si një rilindas i vonë. Zëri i tij poetik u shfaq i plotë në jetën letrare shqiptare, ne vitet ‘20-‘30, kur ende shkruanin, Andon Z. Çajupi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Asdreni, Fan S. Noli, Mitrush Kuteli, kur kishin nisur fillesat e krijimtarisë së tyre: Ernest Koliqi, Et’hem Haxhiademi, Ramiz Harxhi, Lasgush Poradeci etj.. Në këtë kuadër të përgjithshëm të jetës sonë letrare, poezia e Ali Asllanit shquhet për origjinalitetin dhe autenticitetin e zërit të vet. Është një poet i veçantë, një zë tjetër i bukur, që i bashkohet korit të përgjithshëm, poezisë së vërtetë të atëhershme shqiptare. Në atë klime, në atë botë letrare dhe në atë kohë krijoi e jetoi ai. Poezia shqiptare e viteve ‘20-‘30, përshkohet kryesisht nga motivi patriotik. Duke trashëguar këtë motiv prej Rilindjes Kombëtare, De Radës e Naim Frashrit, pastaj Fishtës e Çajupit, poezia shqiptare frymëzohet prej përpjekjeve të popullit tonë, për çlirim dhe progres demokratik. Është e vështirë të gjesh në atë kohë një poet që nuk e përpunoi motivin patriotik. Ajo që e dallon Ali Asllanin është se ai, motivin patriotik e ka të drejtpërdrejte, domethënë, ai është zëri i atypëratyshëm i ngjarjeve kapitale të historisë së re shqiptare, ngjarje të cilat Ali Asllani (poeti) i përjetoi personalisht dhe thellë, gjë që tronditi ndërgjegjen e tij artistike. Pas botimeve të para në shtypin e kohës, kur ishte nxënës në gjimnazin Zosimea të Janinës dhe student ne Stamboll, në vitin 1914, gjejmë fillesat e tij poetike. Në vjershërimit e para të tij, gjejmë përjetimet djaloshare të fshatit shqiptar sidomos të fshatit Vajze të Vlorës. Ndihet qysh aty lidhja e madhe e krijimtarisë se tij me këngën popullore të Labërisë, që gjithmonë do të përbëjë një nga karakteristikat themelore të poezisë së tij.

KUJTESA/ Jeta dhe veprimtaria e një poeti atdhetar dhe diplomati shqiptar Ali Asllani

Atdhetari që punoi  me Ismail Qemalin dhe iu la në harresë

 

Ali Asllani është pa dyshim ndër personalitetet më të shquara të poezisë shqiptare, sidomos në vitet pas periudhës së pavarësisë kombëtare e në kohët e vona…

 

Ai, lindi më 28 nëntor të vitit 1882 në Vajzë të Vlorës. Që në moshë të re mbeti jetim. Në Vlorë kreu shkollën fillore, në Janinë shkollën e mesme, gjimnazin “Zosimea” në vitin 1888. Në fillim studioi mjekësi, por pastaj vazhdoi Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll. Pas shkollës kreu stazhin në prefekturën e Janinës. Në vitin 1908 zëvendësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit “Bashkimi”. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t’i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Janinës.

Me Ismail Qemalin

Në vitin 1910 u kthye në Stamboll, pas rënies së kabinetit që e internoi. U emërua sërish nënprefekt, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të Vilajetit të Konjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës e të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të Përgjithshëm (10 nëntor, 1915 – 1 janar, 1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por, meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës.

Kryekëshilltar i qeverisë

Në vitet 1921 – 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Triestë, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua “Zëvendës i ngarkuar me punë” në Sofje e më pas, po aty, “sekretar i parë” dhe “i ngarkuar me punë”. Në vitet 1930 – 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934 përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës.

Mes dy kulturave

Nga jetëshkrim i Ali Asllanit duket qartë lidhja e tij me kulturën orientale qysh në fëmijëri duke qenë bir i një familjeje me frymë orientale, dhe me një baba të brumosur me dije teologjike islame në universitetin e Stambollit. Më pas një prezantim më të gjerë me orientin, sidomos me letërsinë e tij ia mundësoi vazhdimi i shkollës së mesme Zosimea në Janinë. Vite më vonë ai pati një ndryshim drejtimi njëqind e tetëdhjetë gradë duke i kthyer sytë dhe interesat nga perëndimi, gjë që më pas solli adoptimin prej tij të kulturës dhe mënyrës së saj të jetesës. Poeti i mirënjohur Fatos Arapi shprehet: “I plazmuar si ai me kulturën e madhe të Orientit – sidomos atë persiane – dhe pastaj i kredhur përgjithmonë në kulturën dhe mënyrën e jetesës evropiane, verbi i tij poetik vibron nga buzëqeshja e lehtë e një ironie të mençme, i një urtësie filozofike që vjen nga kuptimi ekzistencial të jetës.” Kjo tregon se poeti nuk e ka përjashtuar plotësisht njërën nga kulturat duke ndjekur fanatikisht tjetrën, duke marrë prej të dyjave atë që i dukej e vlefshme për t’u marrë. Këtë lloj rafinimi kulturash ai e ka shfrytëzuar akoma edhe më mirë në fushën e letërsisë. Në këtë aspekt atij mund i bëhet analogji me Naimin e madh. “Fillimet e tij letrare të kujtojnë fillimet e romantikut tonë të madh Naim Frashrit. I arsimuar në shkolla turke dhe i ndikuar prej letërsisë orientale, Ali Asllani filloi ë shkruaj turqisht dhe vjershat e para i botoi në gazetat turke të kohës”

Themeluesi i Lidhjes së Shkrimtarëve

Pas çlirimit Ali Asllani është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë. Ai vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

 

Çfarë mori poeti nga lindja dhe perëndimi

Por si shumë të tjerë edhe poeti lab e ka poezinë orientale, me konkretisht atë persiane një pikë referimi që e shfrytëzon për të përgatitur brumin e poezisë së tij. Këtë ia mundësoi fakti se, “Ali Asllani … kishte pasë fatin të njohë për së afërmi jetën dh e kulturën orientale.” “Tërë poezia e Ali Asllanit shquhet për figurshmëri fringëlluese, që fryn nëpër vargje si një puhizë që ndez flakën e mallit, në të cilën poeti vetëdigjet: “rroj për ty e vdes për vete!” Na kujton flakën e qiriut, ku Naimi ynë shkrihet e përvëlohet që tu japë njerëzve dritë. (Fjalët e qiririt). Këtë ide iluministe e gjejmë edhe te Gëtja në vjershën “Malli lumtur” ku i këndon atij që “përmes zjarrit” digjet për vete për të nxjerrë në dritën e së vërtetës atë që është “ngujuar brenda territ” (Nga “Divani perëndimor lindor). Te këta tre poetë ndjehet ndikimi i urtësisë orientale, e në këtë rasti poezisë persiane.” Na del hapur pasuria e poezisë orientale që nga gjiri i së cilës kanë pirë poetë që kanë hedhur në letër kryevepra. Ushqimi i preferuar dhe më frutdhënës i poetit nga poezia orientale ishte poeti persian Omar Khajami. Ai ka marrë nga Khajami frymën epikuriane dhe hedoniste. Ai e do jetën dhe është optimist i madh për të.

Ndikimet në gjuhë

Ali Asllani ka një shije të hollë për gjuhën. Megjithatë ai përdor turqizma dhe arabizma në poezitë humoristiko-satirike për të tipizuar personazhet. Në poezitë e dashurisë ai është një puritan. Në këto poezi hasen tepër rrallë huazime, si nga ato shekullore edhe nga ato më të fundit për përdorimin e të cilave ishte ngjallur një prirje në kohën e tij me që sytë e tyre ishin drejtuar nga perëndimi. Ai vazhdon rrugën e rilindësve në këtë drejtim, por edhe jep kontributin e tij në pasurimin e leksikut të shqipes. Si në tërë poemën Hanko Halla shohim vendosjen e turqizmave dhe orientalizmave për të nxjerrë në pah karakterin e saj skeptik për kulturën e re që po adaptohej nga njerëzit në atë kohë. Profesor Rexhep Qosja pohon se, “Vjershat e tij…kanë njëfarë arome orientale, të cilën ai e mbërrin me përdorimin e fjalëve turqishte apo arabishte.”

Përfundime

Gjella që pena e tij poetike na servir, e gatuar me brumë popullor e me erëza stilistiko-ideore të importuara më së shumti nga orienti dhe të përdorura më shije nga poeti duke lënë pak më pas ato të importuara nga oksidenti, por duke mos i harruar ato, është shumë e shijshme për lexuesin deri në atë pikë sa që kjo poezi përdorej nga një tjetër poet i madh i lirikës shqiptare, Lazgush Poradeci. Siç përdorte nëna shqiptare hashashin për fëmijët e pagjumë, ashtu edhe ai përdorte ëmbëlsinë e muzikalitetit dhe qartësinë e ideve për të rënë në gjumë, shoqëruar me zhurmën shushuritëse të dallgëve të detit në brigjet e Ujit të Ftohtë.

  

Veprat letrare

Ka botuar vjersha që në moshë të re. U bë i njohur me poemën “Hanko – Halla” që u botua në vitin 1942. Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij dhe iu lidh një pension i vogël.

 

Ndër librat e botuar në vitet 1960 – ‘66 përmendim:

 

“Vidi – vidi pëllumbeshë” (1960),

“Shqipëria kryesorja” (1961),

“Vajzat dhe dallëndyshet” (1964),

“Kur merr zjarr rrufeja” (1966) dhe pas vdekjes iu botua

“Poezia shqipe” 1973.

Është autori i këngës së njohur “Vlora, Vlora”.

 

Pas viteve ‘90 iu botuan disa libra si:

 

“Poezi të zgjedhura” në 1996, dhe

“Vidi, vidi pëllumbeshë” në 1999.

HAKERRIM

 

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,

nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!

Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,

Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

 

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,

të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!

Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,

gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

 

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,

ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!

Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,

dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

 

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;

hani, pini e rrembeni, ësht’ bot e maskarenjve;

Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,

ekselenca dhe shkelqesa, tuti quanti come vuole!

 

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,

ju shkëlqen në kraharuar decorata “Grand Cordon”!

Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’

gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkelqes’

dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,

në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

 

Grand Cordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,

ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të vremosur;

dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,

ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!

Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,

kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

 

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,

mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.

Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,

të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

 

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet

dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!

Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë

nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

 

Mirpo ju që s’keni patur as nevoj’ as gjë të keqe,

më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”

Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,

sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!

As ju hahet, as ju pihet, vetem titilli ju kihet…

Teksa fshat’ i varfer digjet… kryekurva nis e krihet!

 

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,

ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!

Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:

te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

 

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,

dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’

Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vëndi

që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!

 

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,

dylli bënet si të duash, kukuvajk’ dhe dallandyshe…

kukuvajka gjith, me lajka, neser silleni bujar,

nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

 

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera

kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…

Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,

koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

 

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,

fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!

Që ta kesh armikun mik e pandehni mënçuri,

mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,

dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,

kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

 

Vëndi qënka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,

bëni sikur veni vetull’, shoku shokut krreni sytë…

Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.

Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,

ky i sotmi zër’ i errët, benet vetëtimë

dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,

nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

 

A e dini që fitimi brënda katër vjet mizor’

nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,

ësht’ i syrit në lot mekuar, ësht’ i vëndit djegur, pjekur,

Ju do thoni si të doni… po e drejta dermon hekur!