Albert Habazaj: Masakra naziste në Vranisht të Vlorës, unikale

1363
Sigal

Zambakë të kuq mbi borën e bardhë

75 vjet më parë… Vite pushtimi ishin. Të egra. Si gjithë populli shqiptar, edhe banorët e Vranishtit ishin në vendin e tyre. Shumëkush, dhe në Vranisht të Labërisë, qe ngritur me armë në dorë e Atdhe në zemër për Çlirimin e Shqipërisë mëmë nga pushtuesit e huaj dhe shërbëtorët e tyre për interesa e përfitime të vockla e të ulëta. Ndër më të dëgjuarat çeta partizane në Lumin e Vlorës dhe më gjerë ishteçeta partizane “Sali Murati” (Vranishti), e cila u formua më gusht 1943, fillimisht me 24 partizanë, luftëtarë të njohur popullorë apo të rinj idealist lirie, me komandant Maman Saliun, të birin e Heroit të Luftës së Vlorës, emrin e të cilit mori ky formacion luftarak i shkallës taktike, me komisar Jonuz Mersinin dhe zv/komandant Hysen Çinon, Hero i Popullit, që u bë lule lirie në Buzëmadh të Lumës, më 21 shtator 1944. Çetës partizane jo rastësisht iu dha emri i Sali Muratit. Ai kishte famën e një patrioti dhe kapedani të shquar, që kishte drejtuar çetën patriotike të Vranishtit dhe formacionet vullnetare të Rrëzës në luftëra të shumta për liri dhe pavarësi kombëtare. Çeta partizane qe një ortek lirie i Vranishtit, që ushtonte me vrull. Të tjerë vranishtnjotë, më përpara apo në vijim të atyre viteve të stuhishme, u bënë shqiponja mali për Atdhe. 62 u kthyen yje të pashuar. 30 shndritën si meteorë… Nuk është synimi i këtij shkrimi përkujtues të futemi në detaje statistikash, të shkruajmë emrat e paharruar të të rënëve apo të futemi në verifikime datash e shifrash, se ato i zgjidhin vetë intelektualët me emër të Vranishtit, “një rrëzë mali”, që ka nxjerrë personalitete të shquar edhe në fushën e shkencës si Sali Hallkokondi, që botoi të parin libër në Shqipëri të Historisë së re shqiptare, në vitin 1923 “Histori e Shqipërisë së re: Mbi gjendjen, ngjarjet dhe ndryshimet fort interesante të gjallërimit Kombëtar”, Vlorë, shtypshkronja “Vlora”, pjesa 1, 272 faqe, apo akademik Teki Tartari, shkrimtarin dhe gazetarin e përmasave kombëtare Duro Mustafaj, prof.dr. Bilal Shkurtaj, etj… Ne ndjejmë detyrim të kujtojmë se yjet e lirisë i kërkojnë në konstelacionin e tyre këta meteorë dhe të tjerë që ranë në Operacionin e Dimrit 1943-1944 dhe konkretisht në operacionin “Bregkessel” (Kazani malor), në Vranisht – 12 bij e bija nënash të fshatit; në operacinin “Unddennoch” (Dhe megjithatë), në Bolenë, Qafë e Qarrit – 5 vranishnjotë e 2 vlonjatë; në Gjistrat, Vranisht – 4; në fshatin Vranisht, 8 vranishnjotë e 2 vlonjatë te shtëpia e Bejo Zenelit; në Brataj – 30 bij nënash; 10 sokola mali e zogj furtune i shpëtuan vdekjes nga barbaria naziste në hyrje të Brataj, afër varrit të vjershëtorit të mirënjohur Selim Hasani. Nga të plagosurit, vetëm Xhemil Demo, si një arkiv i gjallë i gjenocidit të pashembullt nazist, arriti të jetonte deri para pak vitesh. Ngjan sikur xha Selimi i Bratit thur e thur këngë për ta, jep e merr vargje me yjet për paharrim të atyre vranishtnjotëve të mirë, që i përpiu kuçedra dimërake, veshur me uniformën e pashpirt të pushtimit. Në ato kohë të zjarrta atdhedashurie, Vranishti rrëmbeu armët e ç’kishte dhe u ngrit fshatçe, duke u rreshtuar në radhët e formacioneve të organizuara të LANÇ dhe e mbështeti me të gjitha forcat e mundësitë Lëvizjen. Vranishti qe një bastion i fuqishëm i Luftës dhe u bë një fortesë e pakapërcyeshme për armikun, një kala e pamposhtur dot nga nazistët e egër. Këtë e kishte kuptuar me kohë armiku, qysh në rezistencat e para. E si mund ta harronte këtë gjë ky katil i pamëshirshëm?! Ndërkohë, as vranishtjoti nuk të falte në terren të tij, se s’kishte se si. Historia ashtu kishte gjëmuar në rrjedhat e kohës. Po t’i shkelje lirinë, s’kishte zot t’i dilte përpara, gjak në vetull të merrte. Të paktën që nga koha e Mete Çobos, e më tëhu me Sali Muratin e Azem Sulon, me Bajram Hallkon apo në Luftën e Artë të Çlirimit me Hysen Çinon me trima, vetëm qiellin lejonin mbi krye të tyre. Është e vërtetë që edhe gjatë luftës kishte banorë të fshatit që, si kudo, shikonin jetën e tyre dhe atë familjare, rrotull vatrës, buzë lumit, në arë, bokërrimave apo në mal te stani. Të gjithë për jetën e tyre. Jo për luftë ndaj tjetrit. Vendas apo i huaj. Kujtojnë më të moshuarit, se edhe më përpara ka pasur udhëtarë, turistë, civilë të zakonshëm apo personalitete, studiues të fushave të ndryshme që kanë eksploruar këtyre hënave dhe janë pritur si miq nga sofërmbudhët vendas me ato që kishin, me mundësitë më të larta të mikpritjes. Kur s’u ndodhej gjë në sepete, merrnin tek gjitoni për të pritur mikun e largët. E bënin këtë gjë në respekt të traditave më të mira të të parëve, kodit zakonor dhe në zbatim të Kanunit të Labërisë, që ishte kushtetuta e pashkruar e labëve.

Po përse u masakrua fshati? Përse u ushtrua gjithë ai gjenocid barbar mbi popullatën e pafajshme dhe të pambrojtur vranishnjote? Përse popullata përjetoi ato skena tragjike nga reprezalje të llahtarshme e të padëgjuara ndonjëherë? Përse i hodhën në flakë njerëzit padrejtësisht, kur ishin tërësisht në punë të tyre? Përse e vranë nënën tek i jepte gji fëmijës e foshnja pinte qumësht me gjak? Pse? Përse?!

Ja këto e të tjera kalonim dhembshëm e të tronditur ndërmend rrugës së Lumit të Bardhë për në Vranisht. Ndaluam pa hyrë në Brataj, duke shkuar në përkujtim të Masakrës naziste ndaj popullsisë së pafajshme të fshatit Vranisht, bashkë me nënë Vitoren, bashkëshorten stoike të heroit të heshtur Xhemil Demo – i mbijetuari i kësaj masakre mizore të pa ngjarë ndonjëherë më parë jo në krahinë, po as në Shqipëri. Ishim me nderimtarët Petrit Gjikondi, kryetar i shoqatës Atdhetare-Kulturore “Vranishti” për Vlorën, me intelektualë si Aziz Canodemoj, Hamdi Bajramaj, Kastriot Veizi, Petrit Xhamaj, poetin Mirban Duka, të birin e mësuesit dhe poetit popullor të Luftës së Vlorës e të LANÇ-it Xhemil Veli Duka … Shkonim për homazhe në Vranisht ato ditë shkurti… Në Brataj u bëmë tok me kryeplakun e Vranishtit (kryetarin e fshatit) poetin Avni Varfi, me mësuesen dhe veprimtaren e palodhur Fatbardha Shkurtaj Demo, vajzën e mësuesit model dhe drejtorit historik të shkollës së Vranishtit, veteranit të paharruar Ferjat Shkurtaj, me veprimtaren Farfuri Ribaj, mbesën e gonxhes së paçelur Sabedi Gjikondaj, të cilën tok me Bejushe Bitraj, Hamide Bitraj, Shefit Bitraj e Rubie Shyti, te Buzë e Vreshtave, (pranë shtëpisë së Nase Habilit), skuqën borën e bardhë të atij dimri të zi, nga breshëritë e plumbave të zinj të nazistëve, që s’gjen xhelatë e katilë t’i krahasosh me ta. Në Vranisht u bëmë shumë. Folën me nderim oratorët: moshatari Aziz Canodemaj e intelektuali dhe gazetari Arben Saliu, poeti Mirban Duka, nënë Vitua si dhe Bilbil Haxhiaj në emër të veteranëve të fshatit Vranisht. Ata dhe folës të tjerë dhanë mesazhe të qarta jo vetëm për mos harrimin e të rënëve pafajshmërisht nga plumbat e pushtuesve korb të zinj, por sidomos për t’u vendosur martirëve të heshtur dinjitetin e nëpërkëmbur, duke u interesuar për vlerat e njerëzve që s’i kanë marrë akoma, që të shpallen dëshmorë ata që e meritojnë pas plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm, me 11 pika, të cilat shqyrtohet në Ministrinë e Mbrojtjes nga Komisioni Qendror për Statusin e Dëshmorit të Atdheut, në Tiranë, sipas Ligjit “Për Statusin e dëshmorit të Atdheut” miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Masakra e Vranishtit nuk krahasohet me Borovën

Dëgjojmë shpesh herë që Vranishtin e quajnë Borova e dytë. Na dhemb Borova shumë, se u bë viktimë e barbarisë fashiste, ngaqë më 6 korrik 1943 një autokolonë gjermane u godit nga forcat partizane në fshatin Barmash dhe forcat gjermane, në shenjë hakmarrjeje, bënë reprezalje, vranë 107 banorë të Borovës dhe e dogjën krejt fshatin. Borovës iu njoh botërisht gjenocidi i ushtruar mbi popullatën si shpagim i egër hakmarrjeje dhe nderohet si simbol i qëndresës e i sakrificës së popullit shqiptar në luftë kundër nazifashizmit. Por Vranishti nuk mund të krahasohet me Borovën. Vranishti krahasohet vetëm me vetveten, me Vranishtin dhe është unikal, sepse bisha naziste e dinte mirë që kishte të bënte me një bastion të pamposhtur të Luftës ANÇ. Rasti i Vranishtit na kthjellon të gjykojmë se nuk kemi të bëjmë me një hakmarrje të thjeshtë lufte me një valë, me një breshëri, si në Borovë, po me zbërthimin e një strategjie të menduar hollë, ndoshta duke aplikuar parimin e asgjësimit të “armikut” pjesë-pjesë, intensivisht, të mirëllogaritur në kohë dhe në hapësirë deri në shfarosje masive të popullatës dhe shkrumbin të vendbanimeve vranishtnjote.

Vranishti – fshat martir. Të rënët – dëshmorë dhe në Basoreliev

Kemi parë që për të rënët e pambambrojtur vranishnjotë gjatë Operacionit të Dimrit janë ngritur shumë pllaka përkujtimore, pikërisht atje ku plumbi nazist i ka vrarë: në Brataj, në Horë Shakohoxhajt, në qendër të fshatit, te Buza e Vreshtit, etj. Shumë i mirë është dhe ky kujtim për ta, se nderim i merituar është. Veçse, kemi mendimin se për ata meteorë meriton të ngrihet një basorelievpër gjithë të rënët në qendër, jo për të zbukuruar heroikisht sheshin “Partizan” në Vranisht, por që pavdekësia e tyre të jetë vërtetë krenare. Gjithashtu na duket se është më mirë dhe shumë e merituar që pushteti lokal, pleqësia e fshatit, njësia administrative Horë, Bashkia Himarë, Shoqata Atdhetare -Kulturore “Vranishti i Vlorës”, uniteti i mendimit dhe veprimit të vertikalitetit me horizontalitetin këtu, të përgatisin dhe paraqesin dokumentacionin e duhur për ta shpallur Vranishtin Fshat Martir.

Vajtimi i nënë Aishesë dhe poema elegjiake e Xhemil Dukës

Ndërsa, heshtin krenarisht malet hijerëndë me Çikën në krye dhe vështrojnë lart përpara. Heshtin fisnikërisht dhembshur njerëzit e ardhuri në këtë përkujtesë. Dëgjojmë pa folur kumbimin e zërit të ligjëruesve, që rezonon me shushurimën e kulluar të ujit të kthjellët të rrëkeve dhe përrenjve që rrjedhin e, në Horë, derdhen në Lumin e Vlorës. Në ekran të kujtesës, bashkë me drithërimën që na shkakton Masakra e tmerrshme e 75 viteve më parë, me atë shfarosje masive e të pashembullt, na konturohen nga retrospektiva dy piketa të larta:

Së pari, virtyti i humanizmit universal i nënë Aishe Kalemes me atë vajtim legjendar drejtpërdrejt në sheshin e kasaphanës, që e shkulte hidhërimin me copa shkëmbi nga gjoksi i lënduar, me vargje të thurura me lot e kuje aty për aty. Vranishti u vra dhe u shkrumbua nga nazistët gjermanë. Edhe nënë Kalemes i vranë burrin në Brataj, i dogjën shtëpinë në Vranisht dhe i mbetën për të rritur katër fëmijë. Njihet nga banorët e fshatit dhe zona ajo llahtari që ngjau tek shtëpia e Aredine, 300 m larg të armatosurve të pararojës gjermane, ku u vrarë 8 apo 9 nga ata në përpjekje me çetën territoriale, por njëri shpëtoi gjallë. Mizëri trupash të shumta naziste sikur mbinë nga dheu, sikur të ishin lukuni me bajlozë të zinj deti. Batërdi bënë, s’pyetën, ç’u doli përpara rrugës nga shkonin e sharruan në vend. Rrufeshëm mblodhën të gjitha gratë e fshatit përballë grykave të mitralozave nën helmetave të pushkatimit. Hyjnia e urtësisë i depërtoi në sy, në vesh, në zemër, në shpirt, në mendje e në zë gruas së rrallë labe 34 vjeçare e i dërgoi mesazh nënë Aishesë së mbushur me guxim, si të ishte misionare e shpëtimit nga situate tepër kritike. Sipas dëshmive të moshatarëve dhe sipas autorit Bardhosh Micaj, mësues dhe intelektual vranishnjot, që ka intervistuar në gjallje Mëmëzonjën stoike, Aishe Kalemja, jo vetëm nga instinkti i mëmësisë e intuita e nënës ka gjykuar shpejt, në çast: “…më mirë të më kritikojnë, se sa të mbyllen shtëpitë e fshatit dhe të ngelen dhjetëra fëmijë pa nëna”. Masakra e Vranishtit la 80 fëmijë jetimë. Vetëtimthi, ngjarjet rrodhën si me çelës magjik. Aisheja Kalemja u shkëput nga shoqet, duke u dridhur e tëra afër një gjermani të vrarë, u përul në gjunjë pranë tij dhe filloi të qajë me ligje sipas zakonit të vendit:

Biro, u bëre kërcù [dru i thatë].

Ç’deshe, që erdhe këtu?

Vajti gjaku gjer në gju,

Gjak nga ne e gjak nga ju,

O bir-o, e zeza, nëna derëzeza…

O gjerman, o djal’ i ri,

Mjer’ nëna që të dha gji,

 Do i mbes loti në sy

O bir-o, e zeza, nëna derëzeza…

 O biro, të pret jot’ ëmë,

Gjëm’ e rënd’ që e ka zënë,

 Un’ të qaj se jam vet’ nënë,

 Nënave zemra u dhëmb…”.

Ndërsa vajtonte, me bisht të syrit, pa u vënë re, shikonte reagimin e nazistëve. Ata, si duket, u bënë kureshtarë të dinë çfarë thotë kjo grua në një gjuhë që ishte e huaj për ta. Vjen çasti tjetër, kur gruaja labe doli nga roli, harroi shtirjen, la detyrën që i kishte vënë vetes në fillim të misionit dhe, duke u dridhur vërtetësisht, i vuri buzët mbi ballë të gjermanit të vdekur. Kur buzët e saj prekën në ballin e ftohtë të djalit të ri, edhe pse i huaj me uniformë ushtarake, natyrshëm i rrodhën lot nëne. Mendoi që edhe ky djalë e ka një nëna apo një motër atje larg që nuk di gjë se ç’ngjet. Mendoi se ai i ri ishte marrë me forcë nga makina luftarake tmerrësisht e pashpirt Hitlerit dhe ishte detyruar për misionin e tij të keq për tekat e çmendura të famëkeqit të Rajhut gjerman. Pasi pyetën përkthyesin dhe kuptuan ligjërimet e kësaj gruaje të veçantë, pasi folën në radio dhe u morën vesh në grup, gjithsesi të nervozuar, i urdhëruan gratë të largohen. Edhe pse gjëma e kishte zënë fshatin, akti heroik i nënë Aishesë shpëtoi gratë e fshatit, pa pësuar gjë, ndihmoi e mbrojti nga shfarosja jetët në vijim…

Së dyti, piketë tjetër historike është vërtetësia e pakontestueshme e vargjeve të xha Xhemilit, që përbëjnë kronikën e pagabueshme të Masakrës, dokument i shkruar për brezat nga poeti popullor, i cili ishte njeri i shkolluar dhe, fatmirësisht, mësues i fshatit. Xh. Duka për Masakrën thuri me lot vëllai e dhembje krenare një poemth elegjiak me 60 vargje, ku ka vizatuar realisht atë peizazh tragjik, ku dallojnë tek pikojnë pellgje gjaku të zhuritur:

Viti më dyzet e katër,

Më dymbëdhjetë janar,

Më të hidhur s’kam gjë tjatër,

Do të shkruaj duke qarë…

Në Vranisht të rrethit Vlorë

 Ndodhi këjo tragjedi,

Njerëz të zgjedhur me dorë,

Veta shtatëdhjet’ e dy. [58 të vrarë dhe 14 të shpëtuar plumbit nazist]

Ky katil i madh rrebesh,

 Jo që s’la burrë në këmbë,

 Por dhe gra vrau sa desh,

U sulej t’i haj’ me dhëmbë…

Gra e motra edhe nëna,

Sillnin njerëzit vrar’ të vdekur,

Të ngarkuar me kufoma,

Bënin: ah!, me zemër djegur.

Çdo germë e kësaj poeme tragjike akuzon bishën naziste e bën apel për të ndëshkuar autorët e krimit, si dhe, patjetër, vranishnjotet dhe vranishnjotët e vrarë nga pushtuesi i huaj të shpallen dëshmorë, sepse u takon t’u jepet vendi që meritojnë në historinë lokale dhe atë kombëtare.