Agim Nallbani: Në një estradë në kufi në Korçë, ushtarët grekë qeshnin nga larg me skeçet tona

922
Sigal

 

Intervista/ Flet Agim Nallbani, regjisori, piktori dhe autori i qindra skeçeve dhe parodive në estradat amatore të Tiranës

-Stoli Beli ishte e para që më afroi te Radio Tirana dhe më nxiti në krijimtari

-Si më ndihmuan dy fizarmonicistët e talentuar Agim Krajka dhe Gramoz Omari

-Në Boboshticë u befasuam kur pamë në rrugë fletushka të hedhura nga një avion kundër qeverisë

-Në Fletushka shkruhej “Poshtë Partia e Punës e Shqipërisë”, “Poshtë Enver Hoxha”

-43 dite ne vit i kalonim jashtë Tiranes duke dhënë  dy shfaqje ne dite, para dhe pasdite

-Si erdhi regjisori Rrumbullaku i dehur në premierën e  komedisë ’Një ditë Pushimi’’

-Skandali, Nefo Myftiu del nga salla, të nesërmen mbledhje urgjente dhe pushon regjisorin

Albert Z. ZHOLI

 

Si u lidh Agimi me krijimtarinë skenike, si i kujtoni krijimet e para dhe cili ju dha dorë në fillimet tuaja?

Fëmijëria  ime ishte e lidhur  pas së bukurës dhe artit, Më pëlqente që kohën e lirë ta kaloja duke eksploruar natyrën dhe ndjesinë e bukur të saj ku impresionet bënin që  në bllokun tim të shënimeve të vizatoja  ndonjë fragment interesant dhe porsa vija në shtëpi e hidhja në fletoren e vizatimit Ishte e vetmja fletore që e blija  më shpesh pasi mësuesja e vizatimit  hiqte vizatimet më të bukura dhe i ekspozonte në korridorin e shkollës tek stenda “Talente të reja”. Mësuesi kujdestar i gjuhës S. Morina i kënaqur me përshkrimet e hartimeve të mija me që shihte që në këtë fushë unë mundesha të jepja shumë filloi të më angazhoi edhe me tema jashtë programit gjithmonë në sensin e humorit,me që shihte që në këtë fushë unë mund të jepja shumë si: skeçe, monologë, dialogë e tjera të cilat i shfrytëzoi për shfaqjen e mbylljes të vitit shkollor,po për këtë rast, angazhoi dhe solistët dhe korin e shkollës. Mësuesi kujdestar më caktoi mua të bëja dhe rolin regjisorit me qenë se isha dhe autori i materialeve letrare kështu, me këtë rast pata fatin që t’më  realizohet  dhe një dëshirë qëndroja ajo e regjisorit. Shfaqja u prit mjaft mirë nga nxënësit. E pranishme në shfaqje ishte dhe shefja e redaksisë së fëmijëve të Radio Tiranës Stoli Beli e cila foli me superlative për shfaqjen dhe kërkoi që t’më njihte më afër kështu që më porositi që të nesërmen ora I6.00 unë t’u paraqitesha në Radio. Stolia më priti mjaft mirë, më njohu me aparaturat ekzistuese dhe në fund më tha: Qysh tash e tutje vendi yt do të jetë këtu. Me Stolinë organizuam mjaft programe radiofonike bile afruam pranë Radios dhe talente të reja. Për këtë gazetarja apasionante më ushqeu dhe më futi në shpirt rrugën e artit ndaj e falënderoj dhe do ta kujtoj me shumë respekt.

-Po më vonë si vazhdoi rruga juaj e krijimtarisë humoristike?

.Me hapjen e Shtëpisë së Pionierit tek pallati “Musa Juga” që tashmë ishte shtetëzuar nga shteti me që plotësonte me hapësirën që kishte të gjitha  kushtet për fëmijë menjëherë filloj dhe puna. Si Drejtor u caktua Enrrik Çoba i cili vinte nga  Komiteti i Rinisë i Qytetit dhe e njihte botën e fëmijëve. Gjatë kohës të mbledhjeve të instruktoreve për fat nuk më kishte harruar që të më zgjedh  dhe mua, me që kishte dëgjuar në Radio Tirana Stoli Belin të fliste për aftësitë e mija. Drejtori  bëri edhe një bisedë intime me mua ku mësoi që unë jo vetëm shkruaja humor por dhe ti veja në skenë si regjisor  edhe pse ishe më i riu nga instruktorët që ai kishte mbledhur si p.sh: rrethin e ekonomisë shtëpiake, për vallet, për sportin,për instrumente muzikor etj. Për fatin e mirë aty ndodheshin dhe të dy fizarmonicistët e talentuar Agim Krajka dhe Gramoz Omari. Shumë shpejt unë pasi kisha shkruar dhe vënë në skenë disa materiale letrare   I propozova Drejtorit Çoba që programin për shfaqje e kemi gati kështu që tani duhet  ta plotësojmë me ndo një  numër  nga rrethet muzikore të valleve dhe këngëtarëve .Drejtori u gëzua shumë pasi me këtë rast ne kishim ngritur një grup estrade,kume të cilën bëmë një turne me shfaqje si në shkolla  të qytetit po ashtu edhe në shkollat e fshatrave të shoqëruar me fizarmonikë nga të talentuarit A. Krajka dhe G. Omari. Komiteti Ekzekutiv i atëhershëm i kishte caktuar çdo lagjeje një sallë leximi  e cila administrohej nga një përgjegjëse në këtë rast koincidoi që përgjegjësja të ishte komshija e ime e lagjes V. Kushi, R. Burimi. Ajo duke njohur vlerat e mija më propozoi me shumë dashuri që ta ndihmoj për të ngritur një grup artistik me që salla ishte e madhe, me një fjalë, më tha unë të vë në dispozicion edhe marangozë  dhe ustallarë të lagjes sonë që janë gati që të ndihmojnë, për bazën materiale. Komiteti Ekzekutiv është i gatshëm që të na ndihmojë për çdo gjë, pasi paska një fond të veçantë për këtë punë. Menjëherë filloi dhe puna, një nga mjeshtrit e lagjes, me që ishte dhe arkitekt bëri një skicë të përsosur, në pjesën brenda, karshi hyrjes për në  sallë ndërtoi një pod, e cila shërbente si për mbledhje po ashtu edhe për shfaqje, ndërsa  pjesën gjer tek kufiri i murit anësor e veshi me dërrasa tip parketi, me qëllim që ajo pjesë të shërbente, jo vetëm si dhoma veshjeje dhe zhveshjeje, por edhe për punë tavoline me aktorët. Kur çdo gjë ishte gati, unë si regjisor kisha grumbulluar dhe zgjedhur aktorët më të mirë të lagjes si D. Miluka, jo vetëm  aktore por dhe për të drejtuar grupin e  valleve, me qenë se ishte në grupin e vogël në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe  Valleve; B. Nelku, F. Hoshafi, D. Muço, N. Sejdini, Z. Sotillari, A. Plaka, H. Petrela etj. Si fillim vura në skenë një numër estrade ku morën pjesë dhe aktorë  të rritur të lagjes; E. Dauti, N Agalliu. Me këtë numër fshikulluam probleme të disa familjarëve që nuk ishin të  rregullt me ambientet e shtëpisë. Dalja e afishes për herë të parë në murin e sallonit të vogël përpara hyrjes në sallë i gëzoi të gjithë, sidomos familjarët që i kishin shtëpitë afër. Këngëtarët kishin si instruktor të papërtueshmin  e Operës Shtetërore Y. Katroshi.  Si fillim shfaqjet shoqëroheshin  nga mjeshtëri i vogël me fizarmonikë A. Cuka. Shfaqja u prit mjaft mirë nga spektatorët dhe u mbulua me të qeshura. Në fund të shfaqjes një pjesë e spektatorëve u ngjit në skenë me lule në duar duke përshëndetur interpretuesit. Sipas programit të aktiviteteve unë vura në skenë dhe pjesë teatrale ruse si “Vreshtat e Arsenit” dhe ajo që pati shumë sukses “Biri i Regjimentit”, i cili u interpretua nga B. Nelku, një aktor plot temperament dhe mjaft i natyrshëm.

-Cila ishte nisma më e vështirë?

Një shok i im aktor në Teatrin Qendror të Kukullave T. Myftari më propozoi që të ngrenë në atë sallë për kushtet që kishte dhe një teatër kukullash për fëmijët e lagjes të cilën do të vinte ta drejtonte ai vullnetarisht kështu  u detyruam që të hapim një dritare me përmasat që nevojiteshin që të shërbente si skenë e kukullave e pajisur me perde kadife. Si fillim ai solli një kukull nga Teatri për t’i mësuar aktorëve të vegjël  se si manovrohet kukulla, po ai  nuk qëndroi shumë nga ngarkesa e madhe në Teatër dhe turnet në disa qytete të Shqipërisë, kështu që e mora unë regjinë. Me këtë rast unë shkrova një pjesë të shkurtuar për luftën partizane. Për të mësuar për butaforinë shkova dhe  takova mjeshtrin e madh të Teatrit qendror të Kukullave T. Shala, i cili më mësoi të gjithë procesin, e ndërtimin e butaforisë të një kukulle po ashtu dhe skenografinë unë arrita ta kap shpejt nga që kisha dhe prirjet e mia në pikturë. Me qenë se mamaja ime ishte rrobaqepëse unë i tregova kokat butaforike dhe e udhëzova se si duhej qepur kostumi i tyre dhe ajo i realizoi më së miri. Shfaqja që u dha për fëmijët me kukulla u prit shumë mirë.  Ne si lagje V. Kushi iniciuam dhe lagje të tjera të Tiranës, ajo që ju përgjigj më shpejt kësaj nisme ishte  lagja A. Demi nga që dhe ajo kishte element të talentuar. -Shfaqjet e kukullave jepeshin sipas një grafiku te caktuar nga përgjegjësja e sallës leximit ne marrëveshje me drejtoritë e kopshteve te fëmijëve, paraventon dhe rekuizitën i dërgonim vete. Me interesante ishte teatri i hijeve kisha dëgjuar për te por ajo jepesh me personazhe në skenë kurse ne e adoptuam dhe personazhet i bëmë me kartonë të prera. Shfaqjet jepeshin në oborrin e madh të shtëpisë sime. Për të mbajtur gjallë grupin artistik disa herë organizonim si kolektiv ndonjë mbrëmje argëtuese, meqenëse prindërit tanë i kishin shtëpizat afër sallës së shfaqjes  na përgatitshin disa ushqime për të ngrënë; si patate te fërguara, qofte, sallata, peshk sardele, fërgesë e të tjera ndërsa si ëmbëlsire petulla me sheqer ose me  musht, për të kaluar ato orë zbavitëse të mbrëmjes. Secili nga ne merrte me vete dhe nga një aranxhatë për të shoqëruar ushqimin.

Po në qytete të tjera apo fshatra a shkonit?

Gjate turneut përveç qyteteve në një fshat të thellë nga jugu që mbahej si një qyteze e vogël në Boboshticë   ishte planifikuar për të dhënë një shfaqje për fëmijët, meqë plotësonte disa kushte; si hotel të vogël, një kinoteatër e cili shërbente dhe si kinema, restorant dhe një markat fruta e zarzavate me prodhimet e vendit. Pas shfaqjes atë natë fjetëm në hotelin e vogël prej 6 dhomash. Porsa zbardhi sekretari i Partisë i asaj zone kishte ardhur tek dezhurni i hotelit për të na përcjellë. Pasi u ndamë me të vazhduam udhëtimin duke kaluar në rrugë të ngushta me gropa midis një pylli. Pas 3 km makina ndali. U befasuam kur pamë që pjesa e rrugës përpara ishte mbuluar me fletushka të verdha dhe jeshile që të lente përshtypjen e një tapeti. Makina frenoi. Regjisori Ll.Verrija doli me të shpejte nga kabina e makinës dhe na urdhëroi që të zbrisnim të gjithë poshtë për të mbledhur komunikatat e hedhura natën nga një avion i huaj. Zbritëm të gjithë dhe lexuam 3-4 nga ata ku  bëhej  thirrje popullit shqiptare që të urrenin sistemin Komunist ndërsa të tjera shkruanin: “Poshtë Partia e Punës e Shqipërisë”, “Poshtë Enver Hoxha”.. I mblodhëm pothuaj që të gjitha në atë mëngjes dhe i dogjëm përpara që të mos binin në duart e kalimtareve që kalonin në atë rrugë. Hipëm në makinë dhe vazhduam udhëtimin për në qytet ku ishte planifikuar shfaqja. Makina u ndal përpara teatrit që do të jepej shfaqja, shkarkuam skenat dhe materialet e tjera i vendosëm brenda në një vend të caktuar dhe u nisëm shpejt në hotelin e prenotuar. Kështu që 43 ditë në vit i kalonim jashtë Tiranës duke dhënë  dy shfaqje në ditë, para dhe pasdite.  Pas disa muajsh drejtoria e teatrit më caktoi mua si instruktor i jashtëm  në Pallatin e Pionierëve që të ngre një rreth të  Teatrit Kukullave ku punova gati 8 vjet. Me këtë rast shefi i sektorit të artit në Pallatin e Pionierit Z. Hatibi në mungesë të një instruktori për teatrin skenik më caktoi të drejtoja dhe atë. Kështu po me ato nxënës i bëra të dy zhanret. Me këta fëmijë përgatitem dhe dhamë shume shfaqje si me kukulla po ashtu dhe pjese teatrale jo vetëm të dielave që ishin planifikuar në Pallatin e Pionierit por dhe në shkolla e kopshte fëmijësh. Me propozimin e kryesisë së Komitetit Arteve u emërova nga Ministria e Kulturës si regjisor profesionist në Shtëpinë e Kulturës dhe Krijimtarisë Popullore të qytetit të Tiranës me një grup aktorësh të rinjsh për ngritjen e teatrit të Kukullave, po ashtu me këta aktorë filluam të vëmë në skenë pjesë teatrale dhe sidomos numra estrade të realizuar me sukses dhe që i shfaqnim në qytet,  reparte ushtarake, në brigada kulturore në fshatrat e rrethit të Tiranës me rastin e fushatave të korrjes dhe shirjeve. Grupi Teatrit i të rriturve kishte si regjisor M. Rrumbullaku  i cili dhe ai vuri  në skenë drama dhe komedi.

-Kur e ke parë veten keq në këto raste interpretimesh?

 

Nuk mundet të harrohet që në një komedi Rumune “Një ditë Pushimi” regjisori M. Rrumbullaku ftoi për vënien në skenë si regjisor M. B, meqë ai e njihte mire zhanrin e komedisë dhe kishte luajtur mjaft role në Itali dhe porsa kishte filluar si regjisor në Teatrin Popullor. Premiera e kësaj shfaqje u dha tek Kino-Teatri “Brigada” (që ndodhej në atë kohë pas Selisë së Partisë Socialiste) Si premierë e re biletat ishin shitur që të gjitha. Në shfaqje asistonte dhe shoqja Nefo Myftiu e shoqja e Manush Myftiut, e cila mbulonte në atë kohë sektorin e artit. Aktorët e shfaqjes priten gjer në minutën e fundit regjisorin për të filluar  shfaqjen, por ai nuk po vinte. Po ashtu mungonte edhe sufleri, i cili kishte lajmëruar që ishte i sëmurë. U detyrova që ta zëvendësoj unë, meqë kisha asistuar në disa raste në prova dhe me kujtoheshin disa fjalë të tekstit. Shfaqja kishte 15 minuta që kishte filluar kur regjisori që ishte me vonesë u fut në korridorin e  sallës dhe me ecjet qe bënte duke u lëkundur të linte përshtypjen që porsa ishte larguar nga gota e rakisë. Gjersa arriti në fund të korridorit të erret tek dera ku hynin aktorët nuk ra në sy pasi të gjithë spektatoret ishin të përqendruar pas skenës duke ndjekur shfaqjen.

-Përse bënte fjalë komedia dhe si vazhdoi regjisori i dehur?

 

Komedia bënte fjalë për tre shokë të pandarë që një ditë së bashku kishin vendosur ta kalonin larg qytetit për të bërë një ditë pushimi pranë një hoteli në bregdet dhe me lojën e tyre sillnin shumë situata humoristike. Regjisori i dehur dhe i revoltuar që ndodhej prapa një kuinte kur pa aktorin Q. Toro që po interpretonte në heshtje duke u rrotulluar sipas mizaskenës, i  thërret me dialektin e tij  nga kulisi ku ndodhej:

-Llafet more llafet! Unë që isha në rolin e suflerit kur e pashë duke thirrur, u shqetësova shumë pasi në atë kohë të gjithë aktorët ishin prapa skenës dhe prisnin radhën kur tu futeshin dhe nuk dinin asgjë për ardhjen e tij. Nuk vonoi shumë dhe regjisori u fut në skenë dhe mes vështirësisë që po mbante ekuilibrin  i foli aktorit me ton:

-More a merr vesh ti, unë të them llafet kurse ti i bie legenit. Q. Toro u mundua ta justifikojë hyrjen e tij në skenë po ashtu dhe spektatorët për një çast menduan se është pjesa, por kur ai nguli këmbë duke thirrur:

-Kush është regjisori këtu unë apo ti, spektatoret e kuptuan që hyrja e tij ishte nga që i thoshte pija; Kështu shpërthyen në të qeshura dhe duartrokitjet që nuk kishin të ndalur gjersa inspektori i skenës erdhi me vrap dhe mbylli perden. Disa spektatorë thirrnin:

-Duam paret e biletave. Shoqja Nefo e shqetësuar shumë nga ky skandal për atë që ndodhi dhe u largua qysh në fillim. Të nesërmen në mëngjes na urdhëruan që të gjithë  të ishim në sallën e mbledhjeve të Komitetit Ekzekutiv ku shoqja Mefo na foli shumë ashpër, Sidomos në këtë rast iu drejtua më shumë regjisorit që krijoi këtë situatë të turpshme si njollë për qytetin e Tiranës, duke e kritikuar ndër të tjera e pushoj në vend si regjisor, duke mos i dhënë asnjë të drejtë të ushtrojë më këtë profesion. M. B. filloi të qeshë…

-Ja sa i paturpshëm që është dhe në mbledhje ka ardhur i pirë dhe nuk do t’ia di për atë që ndodhi-i u drejtua me ton  Nefo. …Ai u ngrit në këmbë me buzë në gas dhe iu drejtua asaj:

-Unë po qesh se kjo punë shkoi bukur shoqja Nefo, demek unë vura në skenë pjesën “Një ditë pushimi” , kurse ju më dhatë pushim përgjithmonë. Në të gjitha fytyrat tona  për batutën që lëshoi ai   mezi po i mbanim të qeshurat biles dhe vetë Nefoja. Për të shmangur të qeshurat ajo ajo u ngrit në këmbë dhe u largua pa asnjë fjalë.

Nesër do të lexoni:

  • Si agjëronin fshehurazi orkestrantët kur shkonim me shfaqje në fshatra
  • Si na dha Kel Kodheli për të pikturuar një vajzë zeshkane gjysmë nudo, sa u befasuam!
  • -Këshilltari rus i Regjimentit Aviacionit më kërkoi të ngrija estradën e Komandës së Aviacionit
  • -Si vura në skenë e komedinë klasike “Martesa”, kisha frikë nga ndonjë gabim ideologjik
  • Përgjegjësia më e madhe kur më urdhëruan të bëj bustin e Misto Mames, nëna e tij m’u hodh në qaf