75-vjetori i Çirimit të Atdheut/ Gramshi nderon të rinjtë dhe të rejat që derdhën gjakun dhe sakrifikuan ëndrrat e tyre për një Shqipëri të lirë. Prof.Anastas Angjeli dhe Prof.Ksenofon Krisafi: LANÇ hodhi themelet e të ardhmes demokratike

1716
Sigal

Nderohen të rinjtë e të rejat që për të parë Shqipërinë të lirë derdhën gjakun dhe sakrifikuan ëndrrat e tyre

 

Gramshi feston 75-vjetorin e çlirimit të vendit

 

Në qytetin e Gramshit u Festua 75-vjetori i çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë. Në mbledhjen solemne organizuar me këtë rast nga Bashkua Gramsh, Komiteti i veteraneve të LANÇ-it të qytetit Gramsh dhe komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANC, në prani të qindra qytetarëve, veteranëve të Luftës, pasuesve te veteranëve, përshëndeten kryetari i komitetit të veteranëve të LANÇ të qytetit të Gramshit, Gani Bengu, sekretari i Komitetit kombëtar te veteranëve Odise Porodini, deputeti Prof. Anastas Angjeli, kryetari i Bashkisë Gramshit Klodian Taçe, zv kryetarja e bashkime Besa Braçe, zv.prefektja për qytetin e Gramshit, Luljeta Dollani dhe profesori i njohur Ksenofon Krisafi. Në përfundim nxënësit e shkollës dhe grupi folklorik i qytetit dhanë një koncert me këngë e valle partizane për të pranishmit.

Prof. Dr. Anastas Angjeli

 

Gramshi dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare

 

28-29 Nëntori janë dy data të shënuara në historinë e popullit tonë, të cilat qëndrojnë pranë e pranë, si dy ngjarje me përmasa epokale. 107 vjet më parë, në Vlorën me tradita të shquara patriotizmi e heroizmi, u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe 75 vjet më parë, në 29 Nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë.

Data 28 Nëntor na çon larg, në 28 Nëntor 1443, kur heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u shpall zot i principatës të pavarur të Kastriotëve me qendër Krujën dhe ngriti lart flamurin e kuq me shqiponjën e zezë, duke bërë thirrje për bashkim kombëtar. Ky flamur valoi për 25 vjet rresht në duart e kryetrimit shqiptar, duke korrur fitore kundër otomanëve, që kërkonin të na shfarosnin si komb. Edhe pas vdekjes së Skënderbeut, ky flamur nuk u zhduk. Shqiptarët e ruajtën në zemrat e tyre për 5 shekuj me radhë, deri në 28 Nëntor 1912, kur Shqipëria pësoi një kthesë të madhe historike. Mori fund sundimi i perandorisë osmane.

Populli ynë ka luftuar në kushte shumë të vështira me pushkë e me penë për mbrojtjen e fitoreve të veta,duke shënuar faqe të lavdishme në historinë e tyre. Një nga faqet më të lavdishme në historinë e luftërave të popullit tonë është lufta Nacional-Çlirimtare që çoji popullin tonë në fitoren përfundimtare mbi okupatorët nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Si kudo në gjithë Shqipërinë, edhe në qytetin e Gramshit zgjerimi i luftës Nacional –Çlirimtare pati jehonë të madhe në masë të gjëra të popullit, kjo solli pjesëmarrjen e gramshiotëve në njësitë e para partizane në çetat e Mokrës, Gorë-Oparit dhe Skraparit etj.

Populli i Gramshit, ka pritur me armë në dorë pushtuesit fashistë në vitin 1939. Nga fundi i vitit 1942 dhe fillim viti 1943 ka pjesëmarrje më të gjerë në aksionin e çetave të para për prishjen e postës së karabinierisë Lenie dhe luftime kundër milicisë në Sotirë.

Në fund të Janarit 1943 luftime të përgjakshme u zhvilluan në Kodovjat , ku u bë rrethimi dhe asgjësimi i rreth 200 forcave italiane që shkonin në ndihmë të postës së Snosmit, ku veç çetave partizane morën pjesë edhe qindra fshatarë nga Vërça, Sulova dhe Tomorrica

Pas gjithë këtyre ngjarjeve edhe në rrethin e Gramshit u krijuan kushte dhe mundësi për formimin e Batalionit të parë Partizan .Më datë 18 gusht 1943,në Katërlis u mblodhën 120 të rinj e të reja dhe formuan Batalionin Vërçë-Sulovë me komandant z. Kadri Musai dhe komisar z. Kiço Samara.

Batalioni me formimin e tij nisi dhe bëri një punë të madhe politike e bindëse me masat e gjëra të popullit për t’i mobilizuar ato në këtë luftë të madhe si dhe ndihmoni për të ngritur këshillat Nacional –Çlirimtare në fshatrat Bulçar, Bërsnik, Lubinjë, Kokël.

Në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe sidomos në betejat e përgjakshme që janë zhvilluar në Vërçë e Sulovë, populli i Gramshit mori pjesë denjësisht. Rreth 300 bijë e bija të këtij rrethi kanë qënë të rreshtuar në Batalionin e Brigadës së Parë Sulmuse dhe 250 të tjerë në batalionin Vërçë-Sulovë. Ky batalion iu desh të përleshej me një okupator të egër nazist –gjermanë,në Kërrabe, në Shirgjan, Shtermen. Në gjysmën e dytë të shtatorit 1943 një pjesë e forcave partizane të këtij batalioni kaloi në ndihmë të grupit të Myzeqesë, më pas në Kuçovë. Luftimet më të ashpra të këtij batalioni renditen në Operacionin e Dimrit 1943-1944 ku forcat gjermano-balliste sulmojnë batalionin partizan të Dumresë dhe atë të Vërçë-Sulovës .

Me gjithë dimrin e ashpër dhe përballë një ushtrie të veshur të armatosur, partizanët me moral të lartë dhe me bindjen e patundur, se lufta e tyre ishte e drejtë , dolën fitimtarë. Në ditarin e tij komandanti i Batalionit Vërçë-Sulovë shkruan: “Kalojmë në këto fshatra të Tomorricës drejt Skraparit,dimri është i fortë, partizanët ishin pajisur keq me veshmbathje por morali i tyre qëndronte lartë. Ashtu të uritur kur forcat tona qëndronin për t’u çlodhur buçiste e fuqishme kënga Partizane”.

Kalimi i forcave partizane të brigadës së parë sulmuese, në zonën e Gramshit, rriti shumë besimin e popullit të kësaj treve dhe për rrjedhojë radhët e formacioneve partizane u shtuan më shumë djem dhe vajza me mbi 1600 vetë. Ky shtim i radhës solli si domosdoshmëri dhe riorganizimin e ushtrisë Nacional –Çlirimtare dhe të batalionit Vërçë-Sulovë, me komandant të ri të batalionit z. Kapo Lena dhe komisar z.Kadri Musaj.

Populli i rrethit të Gramshit ka një kontribut të madh për lirine dhe pavarësinë e Atdheut. Përpjekjet dhe ndihmesa e patriotëve të Gramshit: Kamber Dërmyshi, Xhile Liçi, Mahmut Xhelili, Asllan Shahini etj, është e madhe dhe e gjithanshme, sidomos në zgjimin e ndjenjës kombëtare, nëpërmjet mësimit të alfabetit shqip dhe pjesëmarrjes me armë në dorë, duke u organizuar në çeta. Këta patriotë rritën moralin dhe shpirtin e qëndresës tek gramshiotët. Kjo bëhet e ditur dhe nga shtypi i kohës, siç ishte dhe gazeta “Drita” .

Në këtë jubile të 75 Vjetorit të Çlirimit të Atdheut, ne përulemi me respekt e mirënjohje të thellë, para gjithë atyre që vunë jetën e tyre në themelet kësaj lirie, para gjithë dëshmorëve të atdheut dhe para 113 bij e bijave të Gramshit që e shndërruan gjakun e tyre në dritë paqeje, në dritë lirie, për 75 vjet që ne i festojmë në liri, për të sotmen dhe të ardhmen e brezave që do të vijnë.

Ne, na takon të punojmë me shumë përkushtim, për ta çuar çdo gjë më përpara, për ta begatuar Gramshit në çdo cep të tij, deri në fshatrat më të largët, për të siguruar sa më shumë burime financiare, për përmirësimin e infrastrukturës dhe zbutjes së problemeve sociale.

Banorët e Gramshit do të bëjnë hapa përpara, duke punuar më shumë të gjithë së bashku, duke zbatuar me korrektësi ligjet e duke mirëadministruar çdo qindarkë që iu vihet në dispozicion nga qeveria ose burime të tjera.

Prof. Dr. Ksenofon Krisafi

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare-solli lirinë dhe hodhi

themelet e të ardhmes demokratike të shqiptarëve

 

Pjesëmarrja në kremtimin e festive të 28 dhe 29 Nëntorit në qytetin e Gramshit, ku, së bashku me deputetin e zonës, Prof. Dr. Akademik Anastas Angjelin, pata privilegjin dhe nderin të merrja fjalën për t’i përshëndetur pjesë marrësit, më sollën ndërmend kujtimin e një dëshmori, një heroi të Luftës Nacionalçlirimtare. Ai ishte një djalë Kosove, që kishte lënë vendin e vet dhe ishte vendosur në Nivicë të Kurveleshit. Kur Shqipëria u pushtua, la djalin jetim në përkujdesjen e fshatarëve të Nivicës dhe doli malit. Heroizmi i tij shkëlqeu kudo nëpër Shqipëri, ku komandanti i çetës “Hajredin Tremishti” luftoi me trimëri të rrallë.

 

Ky ishte Xheladin Beqiri-Karadaku, që ra në fushën e betejës në Qafën e Gjarprit, në Gurin e Prerë, më 6 qershor 1944, pesë javë para 10 korrikut, ditës së çlirimit të Gramshit. Aty ranë edhe 32 dëshmorë të tjerë, luftëtarë të Brigadës së Parë dhe asaj të Pestë Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilët historia i gdhendi përjetësisht në kronikat e lavdisë partizane.

E përmenda Xheladin Beqirin-Karadakun sepse flijimi i tij ka një kuptim të veçantë. Djali i Dragashit të Gjilanit nga Kosova e dha jetën në Gramshin e Shqipërisë, sepse Gramshi dhe Dragashi, Shqipëria dhe Kosova ishin atdheu i tij, atdheu i të gjithë shqiptarëve. Ky episod ka rëndësi të veçantë sot, kur forca të caktuara punojnë për të vendosur barriera artificiale midis tyre, këtej e përtej kufirit. Martirizimi i tij frymëzojnë respekt sublim, por imponojnë edhe domosdoshmërinë e urtësisë në sjelljen e politikës shqiptare.

Djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e zonës së Gramshit gjatë Luftës Nacionalçlirimtare mbushën radhët e disa formacioneve partizane. Numri i tyre arriti mbi 1600 luftëtarë, kurse i dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e atdheut në 106. Ata e bashkuan luftën e vet me atë të mbarë shqiptarëve, të cilët i pritën pushtuesit me armë në dorë sapo vunë këmbën në tokën shqiptare, më 7 prill 1939. Një ndër ta, që ra duke luftuar kundër invadorëve fashistë në Durrës, ishte edhe biri i Gramshit, Hamit Dollani, dëshmori i parë i Luftës Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe ndoshta i pari dëshmor i Luftës së Dytë Botërore në Evropë.

Lufta Nacionalçlirimtare është një nga vlerat më të vyera të popullit shqiptar. Ajo ishte pjesë e Luftës Antifashiste të Koalicionit të Madh të Popujve dhe kontribuoi edhe për kauzën e madhe të Koalicionit antifashist, sepse gozhdoi në territorin e vet dhjetëra mijëra ushtarë të ushtrive nazi-fashiste, duke i hequr nga fronti i luftimeve dhe lehtësoi barrën e rëndë të popujve të tjerë.

Shqipëria, e cila në kohën e Luftës numëronte një popullsi prej rreth 800 mijë banorësh, ngriti në këmbë një ushtri partizane prej 70 mijë luftëtarësh, që përbënte gati 10 % të popullsisë së saj. Ky është një rast ky unikal në historinë botërore, për më tepër që rreth 7 000 prej tyre ishin vajza e gra. 28 mijë vetë dhanë jetën dhe disa mijëra u gjymtuan e plagosën.

Repartet e UNÇSH, kaluan kufijtë shtetërorë, kontribuan për çlirimin e popujve të tjerë fqinjë. Nga ana tjetër në luftën tonë u përfshinë italianët e mbetur në Shqipëri pas kapitullimit, si dhe pjesëtarë të minoriteteve.

Ajo u njoh zyrtarisht nga Aleatët e Mëdhenj nëpërmjet Deklaratave të tyre të dhjetorit 1942. Në vitin 1944, kur ajo kishte marrë përmasa të gjera, organet e LANÇ-i dhe Aleatët vendosën lidhje institucionale dhe shkëmbyen përfaqësi zyrtare. Në shtabin ndëraleat në Bari të Italisë mbërriti përfaqësia e UNÇSH, kurse në malet shqiptare zbriti misioni ndëraleat. Kjo ishte një ngjarje e rëndësishme që përfaqësonte njohjen zyrtare ndërkombëtare të LANÇ-it dhe kontributit të çmuar të shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore.

Shqiptarët ditën të merrnin vendimin më të mençur në gjithë rrugëtimin e tyre të gjatë në shekuj. Ata u orientuan drejt Koalicionit Antifashist të Popujve, u bashkuan me fitimtarët dhe i siguruan vetes një vend nderi në Panteonin e historisë dhe në forumet ndërkombëtare të Pasluftës, ku do të projektohej arkitektura politike e të ardhmes së Botës. Ata vulosën me kontribut gjaku besnikërinë ndaj aleancës antifashiste dhe iu hoqën nga dora armiqve alibinë, kartën e akuzës së sajuar që donte t’i konsideronte dhe t’i ndëshkonte si bashkëpunëtorë të boshtit fashist.

Dëgjohen sot zëra që duan ta zbehin vlerën, rëndësinë dhe madhështinë e Luftës, duke u përpjekur që në vend të saj të nxjerrin të ashtuquajturën “rezistencë antifashiste pa armë dhe pa uniformë”. Është një spekulim që synon të reabilitojë forcat kolaboracioniste. Janë tentativa të kota, sepse populli e di shumë mirë se kush luftoi me armikun dhe kush bashkëpunoi me të. Këtë e dinë mirë ata që luftuan vetë, por e dinë edhe trashëgimtarët e partizanëve, të cilët kanë në dejtë e veta gjakun e pasardhësve, të etërve dhe nënave të tyre të lavdishëm, që kanë në shpirt shpirtin e tyre të pavdekshëm.

Historia e zonës së Gramshit është e lavdishme gjatë gjithë kohërave. Ajo vjen e tillë që nga lashtësia e hershme, kur trojet tuaja të banuara nga fiset ilire të Dasaretëve dhe Enkelejve, përmenden në histori për aftësitë dhe kulturën e zhvilluar. Ato u shndërruan në udhëkryqe të rëndësishme rrugore, që favorizuan zhvillimin ekonomik dhe qytetërimin iliro-shqiptar.

Banorët e kësaj treve të bekuar nga Zoti, kanë privilegjin të jetojnë në një zonë me pozitë gjeografike të lakmuar, me bukuri e pasuri natyrore të admirueshme, me lumenj, përrenj, liqene, kanione, pyje, gryka malesh, me një numër impresionues kalash, urash të gurta, ujësjellësish e çezmash, kalldrëmesh etj., që do t’i kishte zili cilido vend. Qyteti i tyre, si gjithë Shqipëria, përmes vështirësish të shumta, eci përpara, u rrit gradualisht, u zgjerua duke e mbajtur vështrimin drejt të ardhmes.

Këtë 75 vjetor të çlirimit shqiptarët dhe populli i Gramshit e kremtojnë me bindjen se janë në rrugë të drejtë.

Sepse për herë të parë kanë në krah partnerë të mëdhenj që përcaktojnë gjithë zhvillimet botërore. Shqiptarët kanë sot miqësinë dhe përkrahjen e fuqishme të ShBA, BE dhe NATO-s. Ky faktor si dhe realizimi i reformave në sistemin e drejtësisë dhe reforma elektorale, që po ecin drejt kurorëzimit, janë garanci se e ardhmja e tyre ka për të qenë më e mirë, më e begatë. Prandaj bijtë e bijat e tij nuk do të kenë nevojë të emigrojnë jashtë vendit. Ata do ta ndërtojnë jetën e vet në atdheun e tyre dhe në qytetin e bukur të Gramshit.

Dhe do ta ndërtojnë shumë më të mirë se kjo e sotmja, shumë me të bukur e shumë me të sigurt. Progresin, të ardhmen nuk ka forcë që ta ndalë. Koha punon për popujt, për prosperitetin e tyre ekonomik e social. Ajo punon gjithashtu edhe për shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo ku janë.