6-vjetori i ndarjes nga jeta/ Fjalimi i fundit në Parlamenti i Sokol Olldashit: Nuk mund të pranojmë të shikojmë enturazhin e pushtetit me para në dorë, duke blerë vota. Shpirti poetik i Kolit dhe parandjenja e së keqes, në poezinë “Kur ti s’je!”

284

Shtatë nëntori i 2013-s do të ishte seanca e fundit plenare për Sokol Olldashin. Pak ditë më pas ai ndërroi jetë në një aksident automobilistik, në rrugën Tiranë – Elbasan, ndërsa të shumtë janë ata që kanë komentuar qëndrimet e tij publike, të mbajtur në seancën e 7 nëntorit të po këtij viti. Në këtë fjalim shfaqen qëndrimet e hapura të tij ndaj situatës politike në vend. Ja fjalimi i plotë

 

E vërteta e Korçës, siç është jo siç na pëlqen (fjala e mbajtur në parlament)

Nuk hyj tek deputetët e vjetër të këtij Parlamenti, por, gjithsesi, m’u bë një periudhë kohe prej 12 vjetësh tashmë këtu dhe, kurrë, nuk e kam ndjerë veten më keq sesa sot, në këtë seancë. Është një seancë e pështirë, e turpshme! Është një seancë në të cilën, në qoftë se do të kemi grimcën më të vogël të përgjegjësisë, duhet të ndërpresim kalendarin e ditës dhe të merremi thelbësisht me këtë çështje. Ajo që ka ndodhur në Korçë, gjej rastin që të falënderoj median që e transmetoi, është vërtet shumë e rëndë. Por, nuk është vetëm kaq! Problemi është shumë më i madh se sa 20.000 lekë që iu dhanë studentëve në Korçë! Problemi është kthyer në sistem dhe, në qoftë se ne duam të merremi seriozisht me të, duhet të kuptojmë dhe pranojmë atë çka realisht po ndodh. Reagimi ynë, pas asaj që u pa në Korçë, është i pritshëm, është normal. Ne jemi opozitë dhe nuk mund të pranojmë që të shikojmë enturazhin e pushtetit me para në dorë duke blerë vota. Në qoftë se nuk bëjmë këtë reagim, ne nuk e meritojmë fare të jemi këtu. Detyra jonë është pikërisht kjo.

Por a mbaron detyra jonë këtu?!

Dhe a mbaron detyra juaj tek mbrojtja?! E prisja edhe reagimin e Partisë Socialiste që do të gjente një artificialitet për të dalë nga kjo situatë, duke thënë që po paguanin autobusin. Por, nga ana tjetër dua t’i drejtohem shumë deputetëve, të djathtë dhe të majtë, gjithkujt që ka një grimcë përgjegjshmëri – ka plot njerëz për të cilët kam konsiderata pozitive njerëzore, pavarësisht se nuk i besoj apo pranoj arsyetimin apo vokacionin e tyre politik – a do të merremi ne me ketë problem? Apo do të bëjmë sikur nuk shikojmë?

Kjo që po ndodh është e tmerrshme!

Nëse kthehemi mbrapa, në vitin 1991 dhe 1992, kur janë bërë zgjedhjet e para pluraliste në këtë vend, nuk është paguar askush, nuk është harxhuar asnjë qindarkë e vetme, as nga kandidatët as nga komisionerët! Askush nuk ka paguar askënd. Pse? Sepse njerëzit kishin një zemër, kishin një moral dhe kishin një shpirt. Vinin dhe e bënin gjithçka me dëshirë. Si tanët, si tuajt.

Çfarë ndodhi më vonë?

Më vonë filluam të paguajmë komisionerët, më pas filluam të paguajmë makinat për t’i sjellë njerëzit të votojnë, më pas filluam të paguajmë grupet e margjinalizuara për t’u marrë votat. Akoma më pas, e çuam përtej. Pse të lodhemi dhe të paguajmë makina, zgjedhës që të vijnë dhe të votojnë, komisionerë?!?!?! Më mirë i biem drejt, paguajmë zgjedhës në një proces që nuk është më zgjedhor, por një treg kërkesë-ofertë për blerje votash me shumicë dhe pakicë.

Paguajmë zgjedhësit direkt dhe kjo është “demokracia direkte”!

Por kjo nuk është demokracia direkte e vullnetit të njerëzve, por është “demokracia direkte” e xhepave. Por kjo, nuk është demokracia për të cilën kanë nevojë shqiptarët.

E çuam më pas më tutje, ndonëse ne të gjithë bëjmë sikur e harrojmë këtë gjë. E çuam edhe te tregtimi i deputetëve. E nisi Nano në parlamentin e 2001, e vazhduam ne, kur do zgjidhnim presidentin në 2007-n. Dhe bëjmë prapë sikur nuk e shikojmë dhe nuk e dimë këtë gjë. E nisi Nano, e prefeksionoi LSI-ja por, për hir të së vërtetës, jo vetëm LSI. Edhe parti të tjera, të vogla, në koalicion me ju apo në koalicion me ne.

Edhe ne të PD-së bëmë sikur s’e pamë.

Dhe vijmë sot, në Korçë.

Por, përpara Korçës kemi qenë në 23 qershor. Nuk ka pasur gjë më të turpshme, gjë më të fëlliqur se sa fushata e 23 qershorit.

Shkonim nëpër zonat elektorale dhe u thoshim zgjedhësve: “Kemi bërë këto punë, kemi këtë projekt”.

Dhe përgjigjja që na vinte ishte: “Ky ka dhënë 20; ky ka premtuar 30; ky tjetri 50. Sa jep ti?”

Ne u detyrohemi një ndjesë dhe një përgjigje qytetarëve shqiptarë.

Dhe, në qoftë se duam seriozisht të merremi me këtë problem, duhet të fillojmë të merremi që sot. Nuk mund të fusim thjesht kokën në rërë si struci dhe thjesht të themi që fajin e ka PS-ja. Sigurisht që ju e keni fajin për atë që keni bërë në Korçë! Pa asnjë dyshim! Jeni përgjegjës moralisht, politikisht dhe ligjërisht! Përpara njerëzve dhe ligjit. Por, faj kemi sigurisht edhe ne që kemi bërë sikur s’e kemi parë këtë fenomen kur e bënin partitë në koalicion me ne. Në tetë vjet, ne e futëm Shqipërinë në NATO, hoqëm vizat, ndërtuam 1300 shkolla, 10 mijë kilometra rrugë dhe 799 ujësjellës. Po pse humbëm?! Në mënyrë figurative humbëm për shkak të emisionit “Fiks Fare”! Sepse ne nuk e pamë, apo bëmë sikur nuk e pamë dy vjet e kusur më parë. Ndërsa ju e patë atë emision, madje edhe e “hëngrët” në 1 prill. Kemi vërtet vullnet dhe dëshirë për t’u marrë me këtë çështje? Shpresoj që po! Por, nëse duam vërtet të merremi me këtë çështje dhe t’u japim një përgjigje shqiptarëve, duhet të ndajmë mendjen që në këtë parlament disa do të vazhdojnë të jenë deputetë, ndërsa të tjerë duhet të lënë karriget. Nuk mundet që në këtë sallë të parlamentit të bashkëjetojnë të patrazuar, deputetët dhe blerësit. Kjo sallë ka vend për një kategori; ose për deputetët, ose për blerësit. Të dyja palët këtu, bashkë, nuk mund të rrinë dot.

Duhet të merremi dhe duhet të fillojmë që sot!

I lindur, më 17 dhjetor 1972 në Durrës, Sokol Olldashi ka qenë një ndër studentët e ngjarjeve të Dhjetorit ’90 dhe katër herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Pas disa vitesh gazetar dhe kreyeredaktor i gazetës “Albania”, në vitin 2001 u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitin 2005, ai rizgjidhet në Kuvend, me fitoren në Shijak. Pasi fitoi mandatin e dytë të deputetit Sokol Olldashi u emërua në krye të Ministrisë së Brendshme, post të cilin e mbajti nga viti 2005 deri në fillim të vitit 2007. Në këtë kohë kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës, garë që ai e humbi përballë Edi Ramës. Më pas, Sokol Olldashi mori postin e ministrit të Transporteve dhe Punëve Publike, post që e mbajti deri në shtator të 2013-s. Pas humbjes së Partisë Demokratike, më 23 qershor dhe dorëheqjes së Sali Berishës, Olldashi kandidoi për postin e kryetarit të PD, përballë Lulzim Bashës. Mbylli sytë nga një aksident, më 20 nëntor 2013.

                                                              Sokoli me dajën e tij, Sulën

Sokol Olldashi

Të kërkoj

Të kërkoj shpesh kur ndihem i vetmuar,

Të kërkoj, megjithëse e di, ti je larg.

Të kërkoj e kur s’të gjej, i lodhur

Mendjen time e sjell tek ti.

 

Të qëndroj pranë, shumë pranë

Aq sa rrahjet e zemrës t’i dëgjoj,

Të kërkoj shpesh kur ndihem i vetmuar,

Megjithëse e di se je larg, të kërkoj.

 

 

Më kërkon mua, mes njerëzve humb!

Aeroplani i bardhë,

Të gëlltit brenda barkut

si një egërsirë e madhe fluturuese.

Unë e ndjek me sy,

ndërsa fluturon në destinacionin e largët.

 

Me mijëra kilometra larg e ndjek,

Sytë s’ia shqis.

Derisa ti

Zbret e patrazuar

Me një çantë të vogël në sup.

Kthen kokën mbrapa

Drejt pistës së zezë,

Më kërkon mua

Mes njerëzve humb!…

Rrugë të mbarë,

zemra ime!

 

Kur ti s’je !

 

Kuptoj që ti s’je,

kur ora e murit ngel,

kur qielli mbetet në një pikë palëvizur,

kur në rubinete rrjedh malli im violet,

kur këpucët më vrasin të gjitha.

 

Kuptoj që ti s’je

kur harroj si lidhet kravata,

kur të gjitha veturave të qytetit

iu ndizen alarmet antivjedhje,

kur televizori s’kap më asnjë stacion,

kur celulari nuk i ngarkon më bateria.

 

Kur nuk punon më ashensori

dhe në shtëpi s’ka drita,

kur ajri më rëndon e s’mbushem me frymë,

kur më mbarojnë cigaret dhe uji më jep etje,

kur kam uri dhe uria s’ më hahet…

kuptoj

që ti s’je… s’ është asgjë tjetër.