Zjarri i politikës, djeg ekonominë

622
Sigal

Dhoma Amerikane e Tregtisë jep alarmin: Bizneset nën presionin dhe pasigurinë e klimës politike. Kriza pengon investimet e huaja në vendin tonë. Në 2 muajt e fundit qeveria dha 3 PPP me 370 milionë euro, ndërkohë që oligrakëve iu falën miliona gjoba dhe u ulet tatimi me ligj prapaveprues. Vetëm në 2019-n kanë emigruar 60.000 shqiptarë dhe turizmi po shkon drejt falimentimit të plotë

Dhoma Amerikane jep alarmin: Zjarri i politikës, djeg ekonominë

Bizneset jetojnë nën presionin dhe pasigurinë e klimës politike, po pengohen investimet

Zjarri i politikës djeg ekonominë

Në hijen e zjarrit që ka ndezur politika, bizneset në vend kanë ngrirë planet për zgjerimin dhe projeksionet e investimeve. Përfaqësuesit e organizatave të biznesit pohojnë se administrata publike ka kufizuar shërbimet, bankat kanë ngrirë planet e kreditimit, ndërsa qarkullimi ka pësuar rënie. Kjo amulli politike nuk e ka ndaluar qeverinë që të firmosë në dy muajt e fundit tre kontrata koncesionare PPP, me vlerë 370 milionë euro. Kriza fiskale po thellohet nga borxhet e fshehura në buxhet, që rrezikojnë të zgjerohen nga ritmet ulëta të grumbullimit të të ardhurave. Bizneset nxjerrin nga sirtarët skenarët e funksionimit në kohë krizash.

 

Ja fatura që politika po i pret ekonomisë…

Zjarri i konfliktit politik, edhe nëse shuhet, me prushin që do të lërë rrezikon të përvëlojë deri në kockë prosperitetin ekonomik. Tani që kriza e cila rrjedh prej saj ka nxjerrë jashtë funksionit sistemin e demokracisë në vend, që nga institucionet më të larta të drejtësisë, Parlamentin dhe së fundmi, besueshmërinë e sistemit zgjedhor, pasojat duket se do të jenë më të forta, kryesisht në dy rrafshe, në atë fiskal dhe në ekonominë reale. Administrata publike është shpërqendruar prej shërbimeve që duhet të ofrojë dhe kjo po reflektohet në grumbullimin e të ardhurave buxhetore. Gjatë periudhës janar-prill, të ardhurat nga tatimet dhe doganat u rritën me vetëm me 1.7% në raport me një vit më parë. Ky ishte ritmi më i ulët që nga viti 2015. Në kohë krizash politike, qeveritë shqiptare e kanë zakon të firmosin me shpejtësi disa ligje dhe kontrata që ndikojnë në buxhet në periudha afatgjata dhe zakonisht nuk kanë lidhje me parimet e mira të qeverisjes. Në dy muajt e fundit, Këshilli i Ministrave miratoi tre kontrata me Partneritet Publik – Privat, me vlerë më shumë se 370 milionë euro, të cilat nuk përfshihen në prioritetet kombëtare, rruga Orikum-Dukat dhe Bypass-i i Lezhës Milot-Balldren, si dhe koncesioni i shërbimit spitalor laboratorik. Vlera e këtyre kontratave është të paktën 6 herë më e lartë se fondi i brendshëm që dha buxheti i shtetit për rrugët vitin e kaluar. Gjatë prillit u miratua edhe një kontratë tjetër koncesionare, e cila zvarritej prej dy vitesh, për shërbim laboratorik me vlerë 71 milionë euro për një periudhë 10-vjeçare. Në mbledhjen e datës 29 maj, qeveria miratoi në fshehtësi një vendim pa konsultim, me të cilin ndryshoi hartën e territoriale, duke ndryshuar kufijtë në disa bashki. Një borxh i fshehtë prej rreth 200 milionë eurosh në llogaritë e buxhetit rrezikon të zgjerohet më tej për shkak të krizës. Ndërkohë, integriteti i projekteve publike është cenuar rëndë pas zbulimit të kontratës së rreme me DH Albania me vlerë 20 milionë euro, për ndërtimin e Unazës së Re.

 

Kriza politike po çon në paralizë aktivitetin ekonomik

Më të shqetësuarit mbeten investitorët e huaj, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj këtyre zhvillimeve dhe sektori i turizmit që kishte nisur të zhvillohet mbi baza serioze. Krizat politike, sado të lehta, kanë kosto që në fund fare i faturohen biznesit, thotë Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë. Mungesa e produktivitetit të administratës dhe ulja e ritmeve të aktivitetit të biznesit mund të përkthehet në një krizë fiskale, pasojat së cilës do të kenë efekte në periudha afatgjata, – tha Shkodra. Askush nuk do të investojë apo të ndërmarrë hapa biznesi në një vend ku risku politik dhe ai ekonomik është i lartë. Sektori i prodhimit duket se po reflekton më shpejt krizën, nisur nga drobitja që ka sjellë nënçmimi i euros në vitin e fundit. Florian Zekja, përfaqësues i Unionit të Fasonistëve Shqiptarë, tha se muajt e fundit, shumë ndërmarrje me 20-40 punëtore kanë dalë në shitje. “Nëse vazhdohet me këtë ritëm, shumë shpejt si efekt domino i situatave aspak të favorshme, do të kemi falimentimin e biznesit fason dhe pasojat do të jenë katastrofike. Zekja tha se ka një stepje për zgjerim të porosive nga kontraktorët e huaj, edhe për shkak të pasigurisë politike.

 

Stepen investitorët

Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) pak ditë më parë prezantoi rezultatet e vëzhgimit për mjedisin e biznesit 2019, të zhvilluar me anëtarët e saj. Bizneset vlerësojnë se përkeqësimin më të madh e ka shënuar klima politike (32 pikë, ku zero tregon përkeqësim domethënës), e ndjekur nga transparenca në procedurat qeveritare (38), rregulli e siguria (41) dhe sistemi dhe procedurat e prokurimit publik (42). bizneset më të rëndësishme në vend që dominohen në kompanitë të huaja, katër shqetësimet themelore i kanë të lidhura me krizën politike dhe pasojat që ajo jep në klimën e biznesit. Shumica e bizneseve e kanë vlerësuar me përkeqësim të thellë transparencën në procedurat qeveritare. Burokracia e lartë dhe prirja për të mos dhënë informacion dhe shërbime nga administrata e shtetit për biznesin vjen si shqetësim i shtuar këtë vit. Sistemi i procedurave të prokurimit publik ndërkohë është përkeqësuar, vlerësojnë kompanitë huaja. Të njëjtin shqetësim si FIAA reflektoi edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. Drejtori Ekzekutiv i saj, Ilir Trimi, tha se nuk është e rastit që në Indeksin e Biznesit, i publikuar nga Dhoma në prill 2019, një nga indikatorët më të përkeqësuar ishte “Klima e brendshme politike”. “Mund të them se ky indikator kishte pësuar një përkeqësim me -3.02% në raport me një vit më parë, çfarë reflektoi shqetësimin e anëtarëve të Dhomës Amerikane për klimën ku po punojnë. Z. Trimi tha se me këtë përgjigje, ata adresuan qartë problemin që vjen nga konflikti politik dhe që shkakton pasiguri tek ata, por dhe te komuniteti i biznesit”, tha ai.

 

Turizmit i rrezikohen rezervimet e vitit 2020

Sokol Shkodra, nga agjencia “Shkodra Travel”, thotë së dëmi që politika po i bën turizmit do të ndihet vitin tjetër, në prenotimet e verës 2020. Dashur pa dashur, situata me tensione, na ndikon drejtpërdrejt. Situata është dramatike”, pohon për ‘Monitor’, Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar. “Partnerët tanë janë shumë të shqetësuar nga anulimet që po bëjnë klientët e tyre”, pohon ai. Kasa shton se agjencitë partnere kanë marrë shumë kërkesa për anulimin e rezervimeve.

 

Ngrijnë kontratat në sektorin fason

Sektori fason, i cili është kontribuuesi kryesor i eksporteve shqiptare me 44% të tyre, përveç dobësive që i ka krijuar nënçmimi i euro, duket se fundmi është vënë në presionin e zhvillimeve politike në vend. Florian Zekja nga Unioni i Fasonistëve, tha se kriza politike e gjeti sektorin në një moment rinegocimi kontratash. Për shkak të efekteve negative që dha nënçmimi i euros në këmbim me lekun, fitimet e kompanive ranë me gati 15% gjatë vitit të fundit. Zekja ka të dhëna se, është stepur rinovimi i kontratave, edhe për shkak të çmimeve më të larta që po kërkojnë fasonistët, teksa tensionet politike janë një shtysë më tepër që ndryshimet të mos pranohen.

 

Nxitet shpopullimi

Të lodhur dhe pa shpresë, shqiptarët i janë kthyer emigracionit masiv. Ky fenomen është përforcuar vitet e fundit dhe rrezikon të thellohet nga kriza politike. Vitet e fundit, emigracioni ka marrë përmasa të mëdha, edhe pse konfliktet e dhunshme politike nuk kanë qenë të pranishme. Gjatë këtij viti u larguan nga vendi rreth 58 mijë persona. Sondazhet e përvitshme të “Gallup” tregojnë se Shqipëria renditet ndër vendet me potenciale të larta të emigrimit në Evropë, ku përveç të larguarve, 60% e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri planifikojnë të ikin. Kjo përqindje është më e lartë ndër të rinjtë, në moshat 15-25 vjeç, 80% preferojnë të emigrojnë sipas një ankete të këtij viti nga Qendra për Kërkime Sociale dhe Ekonomike. Emigrimi masiv, sidomos i të rinjve, e ka cenuar produktivitetin, konsumin dhe perspektivën që Shqipëria kishte nga një popullsi e re në moshë që tani po shkon me shpejtësi drejt plakjes.

 

Krizat politike prodhojnë disfata fiskale

Qeveria Rama vetëm sa përkeqësoi modelin që gjeti duke kontraktuar koncesione në fushën e shëndetësisë, arsim, rrugë, etj. Në Shqipëri, vlera e kontratave PPP tashmë aktive që financohen nga buxheti dhe nuk janë përfshirë në borxh është 1.9 miliardë lekë, ose 15% e PBB-së, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në rishikimin e marrëveshjes së fundit me Shqipërinë (shtator 2018). Në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, detyrimet që lidhen me Partneritetet Publike-Private (PPP) janë në 3% të PBB-së, ndërsa në Shqipëri është 5 herë më i lartë 15%.

 

Kostot nga mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë

Shqipëria ka nisur prej vitesh një proces vettingu në sistemin e drejtësisë, i cili për më shumë se një vit e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Gjykatat e Faktit dhe Apelit po punojnë me nënpotenciale, për shkak të vetting-ut. Në të njëjtën situatë janë edhe organet e hetimit. Mungesa e dhënies së drejtësisë ka krijuar një tjetër handikap në aktivitetin e biznesit që shumë vendime arbitrare të qeverisë i ka rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese. Një numër i madh vlerësimesh dhe indeksesh kanë gjetur se sistemi i dobët i drejtësisë ka penguar prosperitetin ekonomik. Sundimi i dobët i ligjit dhe keqpërdorimi i tij po i pengon investitorët të vijnë në Shqipëri. Kanë kaluar pesë vite dhe asnjë kompani me reputacion nuk i është afruar vendit, teksa të tjera si Bankers Petroleum dhe gjermanët e Airport Partners, dy nga investitorët më seriozë, shitën aktivitetin në Shqipëri gjatë vitit 2016. Indeksi i Klimës së Biznesit 2019 i Shoqatës së Investitorëve të Huaj (FIA) tregoi se 5 problemet më të mëdha të kompanive të huaja në Shqipëri lidhen me vendimet e gjykatave, zbatimin e ligjit. Mungesa e drejtësisë në gjykata, për të vendosur dënime për kredimarrësit e këqij sa nuk çoi në kolaps sistemin financiar. Shqipëria ka nivelin më të lartë të kredive të këqija në rajon, me rreth 12% dhe për këtë shkak, bankat kanë pushuar së kredituari ekonominë për vite me radhë e për pasojë, kursimet e shqiptarëve kanë humbur eficencën dhe zhvillimi i përgjithshëm i vendit është cenuar nga ky fakt. Mungesa e drejtësisë në trajtimin e pronës, përveçse ka copëzuar vendin në mbi 350 mijë miniferma, është shndërruar në një burim konflikti për mijëra familje shqiptare. Bizneset, sidomos në rrethe, përveç tatimeve dhe taksave, paguajnë ndaj grupeve kriminale gjoba në këmbim të mosushtrimit të dhunës. Një raport i BERZH cilëson se bizneset në rajon dhe në Shqipëri paguajnë 6% të të ardhurave ndaj aktiviteteve kriminale. Pastrimi i parave që vijnë nga aktivitetet e paligjshme ka krijuar një katastrofë urbane dhe rritje të çmimeve të pasurive të paluajtshme që nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme. Mungesa e drejtësisë ka cenuar konkurrencën e lirë dhe ka prodhuar çmime të padrejta për kategoritë e bizneseve dhe konsumatorëve që realizojnë të ardhurat nga burimet të ligjshme.

Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Ilir Trimi: Kriza pengon investimet e mundshme ndërkombëtare

Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Ilir Trimi, tha se bizneset që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri janë të shqetësuara dhe të frustruara nga kriza politike. “Çdo ditë që kalon pa marrëveshje dëmton besimin e qytetarëve në sistemin tonë politik dhe ekonomik, duke penguar investimet e mundshme ndërkombëtare”. Askush nuk do të investojë apo të ndërmarrë hapa biznesi në një vend ku risku politik dhe ai ekonomik, është i lartë…

A janë stresuar kompanitë e Dhomës Amerikane të Tregtisë që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë nga thellimi i krizës në vend?

Përgjigjja është po. Bizneset jetojnë nën presionin dhe pasigurinë që klima politike reflekton në ekonominë shqiptare. Bizneset janë në raporte të vazhdueshme pune me homologë në rajon dhe jashtë vendit, të cilët kufizohen për të punuar me një vend ku zhvillohen kriza politike. Për fatin e keq, situata politike, nuk është çështje emergjente e javës së fundit. Ky tension politik vazhdon prej kohësh dhe nuk po përmirësohet. Nuk është e rastit që në Indeksin e Biznesit që Dhoma e publikoi në prill të 2019-s, një nga indikatorët më të përkeqësuar ishte “Klima e brendshme politike”. Mund të them se ky indikator kishte pësuar një përkeqësim me -3.02% në raport me një vit më parë, çfarë reflektoi shqetësimin e anëtarëve të Dhomës Amerikane për klimën ku po punojnë. Me këtë përgjigje ata adresuan qartë problemin që vjen nga konflikti politik dhe që shkakton pasiguri tek ata por dhe te komuniteti i biznesit.

Nëse kriza zgjat, a ndikon kjo në vendimet e investitorëve për të mos u zgjeruar më tej në Shqipëri ose, në rastin më të keq, për t’u tërhequr nga vendi ynë?

Çdo ditë që kalon pa marrëveshje dëmton besimin e qytetarëve në sistemin tonë politik dhe ekonomik, duke penguar investimet e mundshme ndërkombëtare. Askush nuk do të investojë apo të ndërmarrë hapa biznesi në një vend ku risku politik dhe ai ekonomik është i lartë. Të përballësh një investitor me një situatë politike që nuk garanton stabilitet, sigurisht që është e dëmshme.

Në cilin drejtim po e cenon më së shumti kriza ekonomike aktivitetin e biznesit?

Turizmi është i pari që e reflekton këtë fenomen. Nga statistikat duket se ka rënë fluksi i turistëve të huaj. Operatorët turistikë ankohen se turistët e huaj, shqetësohen nga situata dhe kanë tendencën të anulojnë rezervimet. Vera sapo ka filluar dhe kjo do të ndihet shumë nga një sektor që tenton të bëhet vital për vendin dhe ku punësohen gjatë sezonit me mijëra punonjës, të cilët shërbejnë jo vetëm në ambientet akomoduese, por dhe në sektorin e tregtisë, shërbimeve etj. Edhe sektorët e tjerë që lidhin kontrata pune me biznese homologe siç mund të jenë fasoni, eksportet, rrezikojnë shumë nga kjo situatë. Sektorët e rëndësishëm si energjia, infrastrukturat, apo minierat, që pritet të bëhen të tilla falë investimeve strategjike në to, rrezikohen më shumë.