Zbulohet të dhënat alarmante: Një fëmijë humbet çdo tre ditë në Shqipëri!

595
Sigal

Çdo tre ditë një fëmijë humbet në Shqipëri. Këtë të dhënë e bëri publike Qendra Kombëtare e Fëmijëve të Humbur.

Më 17 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Linjave të Këshillimit për Fëmijët, në shenjë proteste dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet me të cilat përballen fëmijët,  kjo qendër, së bashku me prindër, aktivistë dhe organizata të tjera për fëmijët rrethuan kryeministrinë dhe kuvendin.

Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT, pjesë e së cilit është dhe Qendra Kombëtare e Fëmijëve të Humbur, u shpreh:

“Ky Zinxhir Njerëzor vjen përpara qeverisë dhe kuvendit për t’ju kërkuar atyre publikisht që të mos harrojnë fëmijët e humbur! Fëmijët në Shqipëri vazhdojnë të jenë pre e pasigurisë, trafikimit, abuzimit dhe rrembimeve nga grabitqarët seksualë! Qeveria dhe Kuvendi duhet të miratojnë urgjentisht ndryshimet në Kodin Penal për mbrojtjen e fëmijëve.”

Sipas të dhënave të policisë, në tre vitet e fundit 365 fëmijë kanë humbur, prej të cilëve 258 vajza dhe 107 djem. 353 prej tyre janë gjetur dhe rikthyer pranë familjeve. Në momentin e zhvillimit të kësaj proteste, 12 fëmijë janë zhdukur, ende të pagjetur nga policia.

Disa fëmijë rrëmbehen nga njerëz të afërt me ta, të tjerë trafikohen dhe disa ikin për shkak të neglizhimit, dhunës ose diskriminimit në duart e një anëtari të familjes. Të gjithë këta fëmijë janë në rrezik të grupeve kriminale ose grabitqarëve seksualë, raportoi qendra.

Qendra Kombëtare e Fëmijëve të Humbur  njoftoi se Linja Kombëtare për Fëmijët e Humbur në Shqipëri (ALO 116-000) ofron këshillim psikologjik dhe informacion falas për të gjithë fëmijët dhe adoleshentët në nevojë, të dhunuar dhe abuzuar që ndodhen në momente të vështira dhe mendojnë largimin nga familja.

Më 25 Maj, që është dhe Dita Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur, pritet të zhvillohen të tjerë aktivitete për të njëjtin fenomon./exit.al