Zbrazet Shqipëria – Në 2018-n ikën zyrtarisht 15 mijë vetë

608
Sigal

INSTAT: Popullsia e Shqipërisë u ul me 0.3% gjatë vitit të kaluar

Rritja e emigracionit dhe rënia e numrit të lindjeve do thellojë krizën e popullsisë

Popullsia e Shqipërisë ka vijuar trendin rënës edhe gjatë vitit të fundit, duke krijuar një situatë problematike për vendin tonë. Për të tretin vit radhazi numri i popullsisë shqiptare që banon në atdhe ka pësuar ulje, ndërsa vetëm në 2018, popullsia ka rënë me 0.3 %, sipas shifrave zyrtare të INSTAT. Në fakt ulja e popullsisë shoqërohet me probleme të mëdha sociale dhe ekonomike për Shqipërinë, teksa një nga faktorët kryesorë vijon të mbetet emigracioni i lartë, ku vetëm gjatë vitit që lamë pas u larguan zyrtarisht 15 mijë shqiptarë, megjithatë në shifra jozyrtare numri është më i lartë. Një tjetër shqetësim është rënia e numrit të lindjeve, pasi shqiptarët ndikuar nga situata e vështirë ekonomike po zgjedhin gjithnjë e më shumë të kenë më pak fëmijë. Ulja e lindjeve sjell rrjedhimisht plakjen e popullsisë, duke shënuar dhe një ulje të fuqisë punëtore në moshë të re. Sipas vlerësimeve të Institutit të Statistikave, popullsia banuese e meshkujve ra me 0.6% ndërsa ajo e femrave u rrit me 0.1%. Popullsia banuese më 1 janar 2019 ishte 2.86 milionë banorë.

Zbrazen qytetet

Të gjitha qarqet e vendit me përjashtim të Tiranës dhe Durrësit pësuan rënie të popullsisë, ku rënia më e madhe vërehet në Gjirokastër me 2.4% dhe në Berat me 1.8%. Popullsia e Qarkut Tiranë u rrit me 1.3% ose me 11 mijë vetë, ritmi më i ulët i shënuar në shumë vite. Statistikat e INSTAT janë të pjesshme dhe përbëjnë një vlerësim të situatës duke marrë parasysh popullsinë e censusit të vitit 2011, lindjet dhe vdekjet si dhe një vlerësim mbi shkallën e migrimit neto.

Numri i lindjeve vendos rekord negativ

Instituti i Statistikave publikoi vlerësimin për popullsinë banuese në Shqipëri në 1 janar 2019 si dhe statistikat demografike të vitit 2018. Numri i lindjeve ra në më pak se 29 mijë në vitin e kaluar nga afro 31 mijë që ishte në vitin 2017. Numri i vdekjeve ishte afro 22 mijë ndërsa rritja natyrore e popullsisë ishte 7,130 vetë. Numri i foshnjave të lindura është më i ulëti i shënuar për aq kohë sa vendi ka një sistem të regjistrimit të lindjeve. Shqipëria e krijoi regjistrin civil në vitin 1929 dhe në vitin e parë të regjistrimit sistematik të lindjeve, më 1930, u regjistruan 30 mijë të tilla.

Largohen të rinjtë, mbesin pleqtë

Ndryshimi i popullsisë sipas grupmoshave flet për rënie masive të popullsisë në moshën 0-24 vjeç dhe për rritje të fortë të popullsisë në moshën mbi 55 vjeç. Brezi i shqiptarëve me rënien më të madhe të popullsisë ishte 20-24 vjeç. Në vitin 2018 në Shqipëri pati 10 mijë vetë më pak nga kjo grupmoshë se sa në vitin 2017. Numri i fëmijëve nën 14 vjeç ra me 13 mijë gjatë vitit 2018 ndërsa numri i popullsisë në moshë pune 15-64 vjeç ra me 8,400 vetë. Ndryshe nga fëmijët dhe të rriturit në moshë pune, popullsia mbi moshën e punës ose mbi 64 vjeç u rrit me 14 mijë vetë. Struktura moshore e popullsisë sugjeron se të rinjtë do të vijojnë të pakësohen gjatë viteve të ardhshme për shkak të lindjeve të pakta dhe dhe migrimit të të rinjve.