Zbardhet skema e korrupsionit me koncesionin e sterilizimit/ PPP-të në shëndetësi u kushtojnë shqiptarëve 311 milionë euro. Për sterilizimin, dializën dhe Check-Up shtetit paguan 400% më shtrenjtë se tek privati. Me 4 kontratat e PPP-ve, do ndërtoheshin 5 spitale dhe kompletoheshin me pajisje poliklinikat e vendit

736
Sigal

Koncesionet në shëndetësi kushtojnë 311 mln euro për 10 vjet

Zbardhet skema e korrupsionit me koncesionin e sterilizimit/ Si shpërdorohen miliona euro dhe rreziku nga…

Bardh Spahia, ish-deputet i PD-së, shpjegon skemën e korrupsionit gjigant me koncesionin e sterilizimit dhe pohon, se nuk ka shërbim më të mirë, ka miliona më shumë në xhepat e kryehajdutit të qeverisë. Bardh Spahia: Koncesionari i sterilizimit të instrumenteve mjekësore kirurgjikale, e ofron shërbimin me setet e veglave të grupuara në tre nivele. Seti i madh me mbi 50 instrumente dhe kosto rreth 200 euro, seti i mesëm me 40-50 instrumente, me kosto rreth 150 euro dhe seti i vogël me 30-40 instrumente dhe me kosto rreth 100 euro. Për çdo ndërhyrje kirurgjikale ofrohet set veglash. Edhe për ndërhyrjet më të vogla që kërkojnë 2-3 instrumente, shërbimi nga koncesionari i sterilizimit ofron vetëm setin më të paktën 30-40 vegla pra 10-fishin e veglave që praktikisht nuk përdoren fare. Kjo ka çuar në rritjen e kostos së sterilizimit shumëfish përtej çdo parashikimi, prej rritjes së numrit të rasteve që konsiderohen si operacione kirurgjikale sado të vogla që mund të jenë. Fatura e kostos duhet paguar nga spitalet.

Kjo ka bërë që në spitale të hiqet dorë nga instrumentet e koncesionarit për një numër të madh ndërhyrjesh, nga pamundësia për të përballuar kostot, pra koncesionari do vazhdojë të marrë milionat e taksapaguesve shqiptarë, ndërkohë që qytetarët do vazhdojnë të operohen me veglat e vjetra kirurgjikale nga pamundësia e spitaleve për të paguar setet e fryra në mënyrë të panevojshme, thjesht për arsye korruptive. Kështu në kirurgji për ndërhyrjet kirurgjikale të vogla (mikrokirurgji) kostoja e instrumenteve del e papërballueshme. Kjo mund të thuhet edhe për lindjet në maternitete apo edhe shumë ndërhyrje në spitalin e Traumës e sanatoriumedhe, sigurisht që situata bëhet edhe më e papërballueshme në spitalet e rretheve. Pra është e qartë, se nga kjo kosto e madhe për instrumente që nuk përdoren fare, por që për sterilizimin e tyre paguhet, tashmë në spitale nuk ofrohen instrumentet nga koncesionari i sterilizimit. Spitalet për shumë ndërhyrje tashmë janë pa instrumente mjekësore të duhur. E gjitha kjo situatë prek direkt jo vetëm shëndetin e pacienteve, por edhe xhepat e çdo shqiptari.

Koncesionet në shëndetësi, 311 milionë euro për 4 kontrata: Do të mund të ndërtoheshin 5 Qendra të mëdha spitalore

Qeveria shqiptare, deri më tani, ka autorizuar 311 milionë euro pagesa për katër koncesione gjatë dekadës në vijim. Por, nëse kjo shumë do të investohej në shërbimet e sektorit publik, padyshim që Shqipëria do të kishte shërbimet mjekësore më të mira në Rajon dhe njësoj si në vendet e zhvilluara. Një ish-ministër i Shëndetësisë, në kushtet e anonimatit, tha se me këtë shumë, vendi do të kishte të paktën 5 qendra të mëdha spitalore dhe do të plotësonte të gjitha nevojat e shërbimit parësor me pajisje mjekësore si laboratorë, eko, skaner etj. Sektori i Shëndetësisë, historikisht ka qenë i nënfinancuar në Shqipëri, duke u vërtitur në mes 2-2.5% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) ndër vite. Me këto financime, shëndetësia shqiptare është më pak e financuar se në të gjitha vendet e Evropës. Për rrjedhojë, shqiptarët paguajnë nga xhepi 50% të kostove të shërbimeve shëndetësore që sipas Bankës Botërore, që ka bërë këtë matje, është niveli më i lartë në Evropë. Nisur nga kjo situatë, Ministria e Shëndetësisë ka autorizuar rritjen e financimeve për sektorin gjatë viteve në vijim në mbi 3,5% të PBB-së nëpërmjet politikës së koncesioneve.

Check-Up, 750 mijë euro fitime, shteti paguan koncesionarin më shtrenjtë

Fitimet më të mëdha i ka realizuar koncesioni i kontrollit bazë Check-Up nëpërmjet kompanisë 3P Life logistic. Kompania realizoi të ardhura në masën 876 milionë lekë, teksa fitimet ishin rreth 100 milionë lekë ose 750 mijë euro, sipas të dhënave nga tatimet (kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc). Sipas të dhënave zyrtare të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për vitin 2017 janë kryer gjithsej 316,601 kontrolle bazë, ose 67 % e treguesit në rang vendi. 3P life u pagua nga nga buxheti i shtetit me 876 milionë lekë. Duke e pjesëtuar këtë vlerë me numrin e kontrolleve, i bie që pagesa për një vizitë kishte vlerën e 2700 lekëve me 2017, teksa në kontratën mes koncensionarit dhe qeverisë çmimi i një kontrolli është përcaktuar në vlerën e 1537 lekëve. Të dhënat tregojnë se qeveria e ka paguar koncensionarin për një vizitë 84 % më shtrenjtë se parashikimi në kontratë, për shkak të numrit të ulët të kontrolleve të realizuara, mungesa e të cilave në bazë të kontratës kompensohet nga qeveria.

Sterilizimi, 680 mijë euro fitim

Kompania tjetër SaniServise që ofron shërbimin e sterilizimit për instrumentet kirurgjikale raportoi 89 milionë lekë fitime ose rreth 680 mijë euro, sipas deklarimeve zyrtare në bilancin 2017. Të ardhurat e kompanisë arritën në 871 milionë lekë vitin e kaluar, teksa kompania raportoi shpenzime të përgjithshme në vlerën e 689 milionë lekëve. Fitimet e kompanisë do të ishin të larta nëse kompania nuk do të përfshinte tek fitimet një shumë pagese për interesa në vlerën e 120 milionë lekëve. Kompania SaniServis ka fituar koncesionin sterilizimit kundrejt pagesës prej 12,3 miliardë lekësh për periudhën 2016-2025. Për çdo operacion që ofrohet në sallat shqiptare të operacionit, SaniServis paguhet 37,700 lekë për ndërhyrjet me intensitet të lartë, 22,300 lekë për ndërhyrjet me intensitet të mesëm, 13,900 lekë për ndërhyrjet me intensitet të ulët dhe 266 lekë për ndërhyrjet dhe 266 lekë për paketimet.

Dializa, DiaVita fiton 600 mijë euro

Kompania tjetër DiaVita, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni realizoi rreth 600 mijë euro fitime vitin e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare nga bilanci i vitit 2017 kompania realizoi të ardhura rreth 560 milionë lekë, të cilat janë financime nga buxheti i shtetit për shërbimin e dializës që kompania ofron prej dy vitesh në disa qytete të vendit. Të ardhurat shënuan rritje me 273 për qind në raport më një vit më parë teksa fitimet e kompanisë arritën në 76,8 milionë lekë(600 mije euro), duke rezultuar me normë fitimi 13.7 për qind. Të ardhurat rezultojnë me rritje shumëfish me 2017 për shkak se, kompania pati aktivitet të pjesshëm në vitin 2016.