Xhenieri Ilrjan Dhima: Pallatet që ndërtoi ushtria dhe tunelet e ushtrisë të kohës së socializmit janë tepër të sigurta

1401

Intervista/ Flet ish-ushtaraku i lartë i Xhenios, Ilrjan Dhima

– Çdo ndërtim dhe çdo tunel kalonte në provë sigurie dhe kalonte në sitë

-Sot tunelet e ushtrisë janë pasuri kombëtare, ato duhet të ruhen se janë tepër të sigurta

-Ushtria kishte Institutin e vetë të projektimit ku veprat e saj kanë habitur oficerët e NATO-s

– Shqipëria është koha të futë në eficiencë të plotë gjithë pasurinë e tuneleve që disponon nga e kaluara

 

Albert Z. ZHOLI

Tërmetet e ditëve të fundit po sjellin shumë diskutime. Të frikësuar njerëzit pyesin, kërkojnë sqarime, hamendësojnë dhe bëjnë krahasime mes ndërtesave. Ajo që u pa dhe në këto tërmete ishte se asnjë ndërtesë e ndërtuar në sistemin monist nuk pati dëme, dhe pse kanë mbi 50 vjet ndërtuar. Nga ana tjetër problem nxorën ndërtesat, të cilat nuk kanë asnjë dekadë që janë vënë ën shfrytëzim. Në një portal u hodh një lajm kalimtar se pallatet e ndërtuara në Tiranë nga ushtria në vitet e fundit 1980 kanë dalë me problem. A është i vërtetë ky lajm? Nga sa shohim nuk ka asnjë vërtetësi. Për të qenë më korrekt me lexuesin, se si janë ndërtuar pallatet në sistemin monist nga ushtria, kryesisht ato në Tiranë, për “Telegraf” pyetëm një nga ish-oficerët specialistë xhenier që ka ndërtuar Porto Palermon, tunelet në Dajt, Poliçan dhe Berat, z. Ilirjan Dhima.

Z Ilirjan ndërtesat e Ushtrisë të ndërtuara pas vitit 1983 nga ushtria në Tiranë, a janë të sigurta?

Ushtria ka ndërtuar në Tiranë pallate në shumë vite, por në vitin 1983 dhe më pas për të përballuar kërkesat e ushtarakëve për shtëpi filluan ndërtimet me bazë vullnetare për më se 7 vjet. Këto ndërtime drejtoheshin nga oficerë xhenierë, specialistë sikundër inxhinierët e ndërtimit që për gjithë kohën kishin ndërtuar me qindra tunele, qendra zjarri, objekte fortifikimi, shtabe të kohës së luftës që edhe sot nuk kanë asnjë dëmtim dhe pse janë masakruar. Ndërtimet në Tiranë janë bërë korrekte, me projekte të studiuara dhe me shumë përgjegjësi. Si mund të ndërtonin ushtarakët shtëpi jashtë standardit për fëmijët e tyre? Kjo nuk ka logjikë. Nuk di kush i hedh këto fjalë kuturu por tregon se kushdo që i përhap është i papërgjegjshëm dhe do të përhapë panik. Në Tiranë që nga viti 1983 dhe deri më sot kanë rënë më dhjetëra tërmete dhe unë nuk kam dëgjuar që të ketë rënë apo të jetë dëmtuar ndonjë shtëpi e tillë. Jo!

-Ju keni qenë në shumë ndërtime fortifikuese apo dhe ndërtesash të ndryshme të reparteve ushtarake, mund të na sjellësh disa shembuj për këtë punë?

– Po, kam qenë në disa baza ushtarake të sigurisë së lartë ku kemi punuar ditë e natë me përgjegjësi. Në bazën e Porto Palermos ndërtuam jo vetëm tunele por dhe ndërtesa si hoteli i oficerëve, infermieria, bujtinat e ushtarëve etj Ndërtimet me projekte i organizonte Institutit i Veprave mbrojtëse në Tiranë. Ky Institut ishte perfekt, me oficerë xhenierë që kur punët e tyre I kanë parë oficerët e NATO-s janë habitur. Repartet ushtarake të Xhenios kanë ndërtuar me projekt dhe materiale që përdoreshin në ndërtime në Shqipëri bile mund të them se janë ndërtuar me kontroll rigoroz. Zbatonim me përpikëri projektet që ishin studiuar qindra herë deri sa aprovoheshin. Atëherë për gjënë më të vogël të ikte koka. Përgjegjësia ishte e madhe. Në repartet që ndërtuam në Porto Palermo, Poliçan, Tiranë, Dajt dhe Berat ka pasur punë dhe përgjegjësi ligjore ndaj çdo ndërtimi. Nuk shmangnim as të qindtën e milimetrit nga projekti se kishte kontrolle të jashtëzakonshme. Kishte kontrolle për cilësinë e materialeve, sasinë, cilësinë ndërtimit. Të gjitha ndërtesat apo pallatet e ndërtuara në Tiranë nga ushtria ndiqeshin nga oficerë specialistë dhe puna bëhej nga ushtarët. Ndërtimet ushtarake janë të rezistueshme si konstruksione nga çdo pikëpamje ndaj dhe ndërtesat janë të sigurta. punë Pallate me punë vullnetare kemi ndërtuar në Vlorë Berat Tiranë dhe kudo që kemi pyetur s’kanë pasur asnjë problem. Këto për ndërtesat … Ana tjetër janë tunelet. Tunelet janë pa diskutim të sigurisë së lartë Askush nuk mund të diskutojë sigurinë e tuneleve të ndërtuara nga Repartet e Xhenjos për qëllime të ndryshme përdorimi … Jo vetëm që janë të sigurta por sidomos në situata të tilla si tërmetet janë zgjidhje dhe pasuri e madhe Kombëtare apo për Emergjencat Civile që gjithmonë duan shpejtësi veprimi për jetët e njerëzve për strehim në vende të sigurta provizore apo të përhershme. Shqipëria është koha të futë në eficiencë të plotë gjithë pasurinë që disponon nga e kaluara… Mendoj se është pasuri që e kemi gati pra në raste si tani..Tërmetet me tunelet e asaj kohe janë zgjidhja më e sigurt dhe me pak shpenzime.

edhe zgjidhja është gati..dhe e sigurt.

 Ju keni qenë në ndërtimin e bazës ushtarake më të diskutuar, Porto Palermos. Kur shkuat ju, në ç’fazë ishin punimet në Porto Palermo? Cilat ishin disa nga parametrat e bazës?

Ishin në fazën përfundimtare. Duhet të theksoj se puna kishte filluar që në vitin 1968. Pra, afërisht 13 vjet punë, por duhet të dini se ishte një punë e jashtëzakonshme, një punë që as mund të mendohet sot, se nuk ishin këto mjete. Kishte dy projekte, një rus dhe një kinez. Ne vumë në zbatim projektin kinez, pasi në bazë kishim disa specialistë kinezë, që nuk krijonin shoqëri me ne, por që punonin me përkushtim. Duhet të them se tuneli kryesor ishte 8 metra e 60 cm nën ujë dhe 8 metra e 10 cm mbi ujë, pra në total 16 metër e 70 cm.. Tuneli me gjithë shumë xhepa anësorë ishte 1280 metra i gjatë. Kjo bazë u ndërtua kryesisht për të qenë në gatishmëri për t’u strehuar nëndetëset në rast lufte. Ishin bërë 4 vend-bazime për nëndetëset (aq nëndetëse kishim), por edhe për luftanijet dhe katerat silurues. Sipas rregullores paraprake, nëndetëset do futeshin të fikura nëpërmjet një arganelloje, pasi kishin zhurmë shumë të madhe dhe sillnin dridhje të tunelit që mund të shkaktonte çarje. Pra, e gjithë hapësira ishte llogaritur për katër nëndetëse dhe rreh 20 katera silurues. Ishte një punë gjigante dhe një vepër e sigurt që të bënte krenar. Madje dua të them se në një vizitë, që ka bërë ish-inxhinieri i ndërtimeve hidroenergjetike shqiptare, Farudin Hoxha, nuk e besonte që pas ikjes së kinezëve këtë vepër madhështore e bënë vetë oficerët xhenierë shqiptarë. I dukej e pabesueshme. Më vonë shumë oficerë të NATO-s i kanë bërë vlerësimet maksimale. E tillë ishte Porto Palermo, një vepër e paarritshme dhe me vlera të jashtëzakonshme në kushte lufte.