Sigal

Agron Mema

Zbardhet letra për Pjetër Arbnorin, dërguar nga bashkëvuajtësi i tij, Xhemal Bali, më 1992

Mund të themi se kemi të bëjmë me dy Mandela shqiptarë nisur nga motivi dhe vitet e dënimit që kryen së bashku në burgjet komuniste shqiptare, Xhemal Bali e Pjetër Arbnori. Xhemal Bali herë pas here ka zgjedhur faqet e gazetës “Telegraf” për të sjellë kujtimet e tij nga ferri i burgjeve komuniste shqiptare dhe gazeta nuk ia ka kursyer botimin. Në vitin 1992, me rastin e zgjedhjes së Pjetër Arbnorit si Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Xhemali si bashkëvuajtës me të me 26 vite e 28 ditë burg, merr penën dhe i shkruan mikut të tij një letër të shkurtër që pas 26 vitesh e vë në dispozicion të gazetës “Telegraf”. Pasi ta lexoni letrën, dilni vet në konkluzion, se pas kaq vitesh demokraci çfarë ka ndryshuar për klasën e ish-të persekutuarve në Shqipëri dhe besojmë se ky është dhe qëllimi i publikimit të kësaj letre të hershme.

I dashur Pjetër!

Më vjen mirë që pas 50 vitesh klasa jonë e burgosur dhe e syrgjynosur nga regjimi komunist, të nxjerrë përfaqësues dhe t’i vendosi në detyra shtetërore siç vendosi Ju në Institucionin e Lartë të Shtetit Demokratik, Kuvendin e Shqipërisë. Kjo është një gjë shumë e mirë, se neve për këtë kemi sakrifikuar jetën tonë, i kemi rënë Shqipërisë kryq e tërthor si shoshari me thasë në krah, për të ndërtuar parajsën komuniste. Mirëpo unë jam shumë skeptik në këtë drejtim, që si ka mundësi dy forca të kundërta deri tani, që kanë luftuar kundra njëra-tjetrës, njëra në shtresat e larta të hierarkisë politike dhe tjetra ka jetuar gjithmonë në katin përdhes dhe tani për një natë apo ditë të jenë përqafuar me njëra-tjetrën sikur s’ka ndodhur asgjë për 50 vjet dhe të ndërtojnë një shtet demokratik të përmasave perëndimore. Mua më duket si një modifikim i zhapikut me krokodilin. Unë këtu qëndroj dhe mendoj shumë për atë të kaluar. Kur prezenca komuniste nuk pushonte as një orë në 24 orë, kur na thoshte se dita juaj nuk vjen kurrë më. Kapitalizmi është në rënie dhe shkatërrim të plotë. Se komunizmi me teorinë e revolucionit dhe me pronën socialiste do ta shkatërrojë përfundimisht kapitalizmin dhe bota do të bëhet e gjitha komuniste. Se ne kemi BRSS dhe të gjitha forcat përparimtare e revolucionare të botës. Teorikisht neve na duhej një komunist që të dilte në krye kundër komunizmit, sepse gjoja forcat tona janë konsumuar, kjo në moralin dhe psikologjinë e shumicës shqiptare, sepse koha u zgjat shumë dhe teoria dhe propaganda komuniste e kanë bërë efektin e vet. Ne jemi rreshtuar në shënjestrën e sigurimit të shtetit, kjo është e padiskutueshme. Edhe më 1956 ishte Hrushovi ai që bëri një ndërrim në kursin politik të vijës staliniste, revizionim dhe jo kthesë politike dhe nuk mundi dot kurrë të dilte nga korniza e teorisë dhe praktikës komuniste. Ai atëherë nuk mundej ta konceptonte komunizmin ndryshe, që ta kthente në kapitalizëm.

Pjetër! Si bashkëvuajtës që jemi dhe si mik që të kam, neve duhet që t’i nuhasim gjërat që aklimatizohen sipas kohës, sepse neve na ka bërë jeta që ta shohim çdo gjë me dyshim dhe verifikim. Tani ka ardhur një kohë që komunistët shajnë komunizmin. E përse e bëjnë këtë? Mos vallë është ndërtuar Kali i Trojës që të futet në kazermën e madhe të demokracisë?! Garancia e demokracisë perëndimore në Shqipëri jemi ne që kemi kaluar nëpër burgjet komuniste dhe klasa jonë e shpronësuar nga çdo mjet prodhimi dhe e drejtë intelektuale. Mos vallë skifteri i plagosur kërkon të shërojë krahun e thyer, se sqepi dhe kthetrat e kthyera i ka të fortë? Unë do të ngelem i dyshuar, që kushdo që sot mjekon krahun e thyer të skifterit, nesër do të jetë përgjegjës për sqepin dhe kthetrat e tij.( Megjithëse qofsha i gabuar se parashikimi dhe mendimi im është një. Unë do të vij të bisedojmë së bashku. Me përzemërsi bashkëvuajtësi dhe miku juaj, Xhemal Bali. Sarandë, korrik 1992