Sigal

Ilda Londo

Koordinatore e Institutit të Medias Shqiptare

Në përgjithësi kushtetuta dhe legjislacioni e garantojnë lirinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes dhe në tërësinë e vet kuadri ligjor është i përshtatshëm për lirinë e fjalës. Ajo ku çalon ky sistem është zbatimi i ligjeve, kryesisht nga gjyqësori, por edhe nga autoritete të tjera. Për shembull, një nga shembujt që u soll në panel, është ligji për shpifjen, problemi që shpifja ende nuk është kriminalizuar tërësisht dhe që paditë dhe vendimet në çështjet civile mund të jenë për shuma të larta, pasi nuk ka një limit apo një orientim shterues për këtë çështje. Për sa i përket sigurisë së gazetarëve, kemi raste të rralla të sulmeve ndaj gazetarëve, por po aq të rralla mbeten dhe zbulimet e këtyre krimeve dhe vënia para drejtësisë e autorëve.

Retorika e ashpër politike e kryeministrit ndaj medias gjithashtu u përmend si faktor ndikues në klimën e përgjithshme. Problem mjaft i mprehtë mbetet vetëcensura e gazetarëve, e cila tashmë është një normë pothuajse e padiskutueshme dhe është pjesë e punës së përditshme. Një plagë e madhe e lidhur drejtpërdrejt me profesionalizmin është pagesa dhe trajtimi financiar i gazetarëve. Kemi një numër të madh mediash, por një treg të vogël e burime të pakta financiare. Pyetja që mbetet ndër vite është: Si arrijnë të mbijetojnë këto media në këtë kontekst. Në vend ka një numër të madh shoqatash dhe organizatash për median të regjistruara, po shumica nuk është aktive.