Arben XHIXHO

Shef i seksioni shqip në “Zëri i Amerikës”

Publiku është i etur për informacione të sakta e të paanshme. Siç e dini ju këtu më mirë se kushdo, madje mund ta keni Dekan përjetuar në punën tuaj, një nga problematikat më të mprehta të shtypit, është vënia e tij nën trysninë e vazhdueshme të politikës, si dhe shfrytëzimi i tij për të avancuar interesat ekonomike të pronarëve të mediave.

Marrëdhëniet e “Zërit të Amerikës” me qeverinë janë të rregulluar me ligj, i ashtuquajturi “akti Smith Mundt” i miratuar që në fillimet e transmetimeve të “Zërit të Amerikës” dhe i ndryshuar nëpër vite, thelbi i të cilit ishte të mos lejonte përhapjen në Amerikë të emisioneve të transmetimeve ndërkombëtare, në mënyrë që këto të mos përdoreshin nga administratat e ndryshme për qëllimet e tyre. Arsyeja kryesore e ekzistencës së kësaj praktike, është ruajtja e besueshmërisë së raportimeve të gazetarëve të “Zërit të Amerikës”. Konsiderohet shkelje e rregullave, e etikës dhe e profesionalizmit të punës sonë, çdo përpjekje e një agjencie tjetër qeveritare, ose e ndonjë zyrtari, për të ndikuar, duke ushtruar presion ndaj gazetarit, ose ndaj vetë agjencisë, ose, nëse një palë e tretë ndërmerr ndonjë hap, që mund të minojë pavarësinë dhe besueshmërinë e gazetarit. Ndonëse “Zëri i Amerikës” financohet nga buxheti federal, përmes Kongresit, ne jemi një agjenci e pavarur. Në qeverinë federale, “Zëri i Amerikës”, përfshihet brenda sektorit të diplomacisë publike dhe mbulon ato që bën Departamenti i Shtetit, Kongresi apo Shtëpia e Bardhë, por, në të njëjtën kohë, asnjë prej tyre, askush në qeveri, nuk mund të na thotë, të na drejtojë, ose udhëzojë se çfarë ngjarjesh të mbulojmë, si t’i shkruajmë artikujt, apo çfarë këndvështrimi t’u japim. Ky “mur-ndarës” rrjedh nga vetë karta, ose ligji mbi të cilin është themeluar “Zëri i Amerikës”. Karta e “Zërit të Amerikës”, e thekson qartë se “Ne duhet të jemi të saktë, objektivë, dhe të gjithanshëm në mbulimin e ngjarjeve. Duhet të jemi të balancuar dhe të pasqyrojmë politikat amerikane me qartësi, efektshmëri dhe të paraqesim opinionet dhe diskutimet e përgjegjshme mbi to”.

Pra, misioni ynë është i njëjtë me misionin e çdo lloj medie tjetër private. Karta e “Zërit të Amerikës”, e përcakton qartë se funksioni ynë është ai i një organizate lajmesh. Në vitin 1994, kur Kongresi miratoi një tjetër ligj mbi transmetimet ndërkombëtare, kur krijoi Bordin e Guvernatorëve të Transmetimeve, theksoi se “misioni do të jetë në përputhje me objektivat e gjera të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara”. Kjo nuk nënkupton, as atëherë, dhe as tani, se ne jemi një zëdhënës të politikës së jashtme amerikane. “Përputhje” nënkupton që ne do t’i mbulojmë këto politika, siç i mbulon çdo organizatë lajmesh, por nuk nënkupton qe ne i mbështesim këto politika. Detyra jonë është të mbulojmë të gjitha palët/idetë mbi një politikë të caktuar. Nëse i hidhet një vështrim artikujve që transmeton “Zëri i Amerikës” mbi politikat e administratës së tanishme, vështirë se mund të gjesh argumente në mbrojtje të idesë, se ne jemi zëdhënës të administratës. Muri ndarës e përcakton qartë, se asnjë zyrtar, asnjë agjenci, asnjë sektor i qeverisë nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punën tonë. Thjesht dhe qartë. Cilat mund janë raste të shkeljes së rregullit të murit-ndarës: p.sh., nëse një ambasador amerikan, apo zyrtar i Departamentit të Shtetit kërkon që mos të transmetohet një pjesë interviste, ose që lajmi të ketë një drejtim të caktuar; nëse një zyrtar federal kërkon që një gazetar i “Zërit të Amerikës”, duke përdorur pozitat dhe kontaktet si gazetar, të mbledhë ose japë informacione në interes të zyrtarit; nëse lëshohet një udhëzim nga jashtë Zërit të Amerikës, qoftë edhe nga punonjës të Bordit të Guvernatorëve, që janë mbikëqyrësit tanë, dhe nëse ky udhëzim kufizon aftësinë për raportuar me objektivitet, ose bie ndesh me aftësinë profesionale për të raportuar në përputhje me kodin tonë gazetaresk, ose nëse dikush kërkon shënimet tuaja, apo pjesë të pa transmetuara të një regjistrimi fonik apo televiziv, kjo është shkelje e hapur e rregullave dhe duhet raportuar tek drejtori dhe Zyra Ligjore e “Zërit të Amerikës”. Po ashtu çdo punonjës e ka të ndaluar t’u japë palëve të treta materiale radiofonike apo televizive të pa transmetuara, pa u konsultuar më parë me drejtuesit e lartë të VOA-s. Nëse do të bëja një paralelizëm me mediat private, për shembull, nëse një stacion televiziv, ose program televiziv në Shqipëri që transmeton vazhdimisht reklama nga një firmë e caktuar, të themi, nga kompania ATT&T, dhe nëse gazetarët janë duke punuar për një shkelje që ka kryer ATT&T-ja, në asnjë rast pronari/kryeredaktori apo dikush tjetër, nuk duhet të ndërhyjë tek puna e gazetarit. Ana e biznesit dhe ana e lajmit/përmbajtjes duhet të jenë qartësisht të ndara.

Pak fjalë për Shërbimin Shqip.

Këtë vit ne festuam 75-vjetorin e krijimit. Emisioni i parë mban datën 13 Maj 1943. Transmetimet u ndërprenë në vitin 1945, me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe rifilluan sërish më 13 Maj 1951, për të vazhduar pa ndërprerë deri në ditët e sotme. Emisioni i parë në televizion është i datës 9 nëntor 1999. Emisioni i fundit në radio, ishte në 16 maj, 2015. Me mbylljen e radios, filluam t’i kushtojmë vëmendje më të madhe publikimeve on-line. “Zëri i Amerikës” sot ka një faqe aktive në shqip, që përditësohet gjatë gjithë ditës. Ne jemi të pranishëm në mediat sociale, në FaceBook, Twitter dhe YouTube. Shërbimi Shqip është sot ndër shërbimet më të suksesshëm të “Zërit të Amerikës”, të paktën 5 vitet e fundit, Shërbimi Shqip zë vendin e parë për nga përqindja e audiencës javore nga të gjitha gjuhët që transmeton “Zëri i Amerikës”. Sipas anketës së fundit të zhvilluar në vitin 2016, në Shqipëri ka një nivel shikueshmërie prej 60.5 për qind, ndërsa në Kosovë 64 për qind. Dhe së fundmi, më lejoni të them, se ju i dini vështirësitë tuaja më mirë se kushdo, dhe zgjidhjet duhet të vijnë prej jush. Profesioni ynë është i vështirë, por i bukur, ku pasioni dhe këmbëngulja sjell suksesin.