Sigal

Dr. Elez BIBERAJ

Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë

 Zëri i Amerikës

Është kënaqësi e veçantë që të marr pjesë në këtë takim të rëndësishëm. “Zëri i Amerikës” ndan synime të përbashkëta me IREX-un, këtë organizatë të rëndësishme: Mbështetjen e lirisë se fjalës; Nxitjen e llogaridhënies nga zyrtarët dhe institucionet qeveritare; Dhe fuqizimin e mediave të lira në vendet e Ballkanit, të Evropës Lindore dhe në ish-republikat e Bashkimit Sovjetik. Ne të “Zërit të Amerikës” jemi jashtëzakonisht krenarë për marrëdhëniet e thella e të gjata me shqiptarët dhe popujt e tjerë të Ballkanit dhe te rajonit të Euroazisë në përgjithësi. Në muajin maj, ne kemi shënuar 75-vjetorin e transmetimit të pare të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe. Që nga fillimi i transmetimeve dhe gjatë gjithë këtyre dekadave, “Zëri i Amerikës” ka shërbyer si burim i besueshëm lajmesh dhe informacionesh dhe besoj qe ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetje te aspiratave të shqiptarëve për një shoqëri të lirë, pluraliste dhe demokratike.

Ky takim po zhvillohet në një kohë mjaft kritike, kur media në rajon ballafaqohet me sfida të mëdha. Krahasuar me disa vite më parë, shumë vende janë aktualisht më pak demokratike, Media e tyre është më pak e lirë dhe e pavarur. Sot, ne jemi dëshmitarë të një sulmi të gjithanshëm kundër të vërtetës, përpjekjeve për manipulimin e opinionit publik, të përhapjes se lajmeve dhe informacioneve të rreme dhe të mos-respektimit të parimeve kryesore të gazetarisë. Media në këtë rajon gjithmonë është përballur me probleme, por vështirësitë e tanishme duken më sfiduese. Vonesa e konsolidimit të demokracisë është shoqëruar me shtimin e trysnisë politike dhe vendosjen e kufizimeve të ndryshme ndaj medias. Pothuaj pa përjashtim, qeveritë përpiqen të ndikojnë rrjedhjen e lajmeve, duke kontrolluar mediat kryesore. Pronarët e stacioneve kryesore televizive janë të prirur të hynë në aleancë me ata që janë në pushtet. Gazetarë të pavarur përballen me kërcënime dhe ndonjëherë edhe me sulme fizike, që pastaj i detyrojnë ata të ushtrojnë vet-censurë. Rusia dhe vende të tjera me qeveri autoritare kanë ndërmarrë përpjekje të gjithanshme për të minuar parimet dhe vlerat demokratike perëndimore dhe për të penguar integrimin e plotë të vendeve ish-komuniste në institucionet Euro-Atlantike.

Përhapja shumë shqetësuese e të dhënave të rrejshme dhe manipulimi i te vërtetës. Mediat sociale janë kthyer në fushëbeteja politike. Këto prirje negative mund të çojnë në rënien e besueshmërisë së medias dhe në deformimin e rolit te saj tradicional si pushteti i katërt. Ato kërkojnë një përgjigje të gjithanshme dhe të bashkërenduar – jo vetëm nga gazetarët dhe nga shoqatat e tyre, por nga sektorët më të rëndësishëm të shoqërisë: shoqëria civile, institucionet të rëndësishme, intelektualët, dhe parlamentarët. Është gjithashtu e domosdoshme që të bëhen më shumë investime në ngritjen e profesionalizmit dhe respektimin e standardeve më të larte gazetareske. Në këtë periudhë disinformatash të gjithanshme, fushatash propagandiste dhe njoftimesh të rrejshme, “Zëri i Amerikës” është i përkushtuar: të shërbejë si model i medias së lirë; të ushtrojë gazetari të përgjegjshme e t’u përmbahet standardeve më të larta të gazetarisë; dhe të mbrojë lirinë e fjalës kudo. Zëri i Amerikës ka ndikim të jashtëzakonshëm, sidomos në trojet shqiptare. Sipas anketave të fundit, Zëri i Amerikës ka një nivel shikueshmërie prej 60.5% në Shqipëri, dhe 64% në Kosovë. Në shkallë botërore, ne kemi një audience javore prej 240 milion njerëzish dhe 86% prej tyre shprehin besim në lajmet dhe informacionet që ne transmetojmë. Zëri i Amerikës i përmbahet parimit të shenjët se pasuria më e madhe e një gazetari është besueshmëria dhe llogaridhënie për veprimtarinë e tij. Lajmet dhe informacionet e bazuar në fakte përbëjnë përgjigjen më të mire ndaj propagandës dhe disinformimit. Siç ka thënë gazetari i njohur amerikan Edward R. Murrow: “E vërteta është propaganda më e mirë, gënjeshtra është më e keqja. Nuk mund ta bindësh dikë, nëse ai nuk ka besim tek ti; e që të ketë besim tek ti, ti duhet të jesh i besueshëm; e që të jesh i besueshëm, ti duhet të thuash vetëm të vërtetën.” Media e lirë dhe e pavarur është kurora e artë e një rendi demokratik. Pa të, konsolidimi i demokracisë është një ëndërr e zbrazët.