VKM-ja që shthuri arsimin e Elbasanit

121

Nga Hyqmet Zane

 

U desh edhe kjo që në kuadrin e të ashtuquajturës “Reformë Arsimore”, të bëhen lëvizje zyrash nga një qytet në tjetrin. Pas asaj që ndodhi në Shkodër që Drejtoria Rajonale e Arsimit transferohet në Lezhë, kështu po ndodh edhe me transferimin e saj nga Elbasani në Korçë. Çfarë po bëhet kështu, cila mendje diabolike i ka ideuar këto zuzarllëqe, cila dorë e zezë ka firmosur një vendim të tillë? A thua se kjo është në kuadrin e reformimit të arsimit si një tip shthurje tipike që as armiqtë tanë nuk do kishin mundësi ta bënin? U bëra dëshmitar i një problemi dhe polemike të tillë në Këshillin Bashkiak të Elbasanit dhe u befasova. U befasova me të drejtën që më jep statusi i mësuesisë, me të drejtën që më jep qytetaria ime e trashëguar, u befasova me idenë që kryeqyteti i Normales do të zhvlerësohet me një të rënë të lapsit dhe si për çudi do të syrgjynoset në Korçë. Dhe cila? Normalja që u bë modeli i arsimit evropian në Shqipëri dhe që me burra të tillë si ministri i arsimit i Mbretërisë Shtjefën Gjeçovi apo Ernest Koliqi që me veprat e tyre, hodhën themelet e një arsimi elitar, i cili u përhap në të gjitha trojet shqiptare për gjuhën dhe shkollën shqipe në kohë. Nuk e di motivin se cila mendje e ka prodhuar një ide të tillë, por këtu nuk kemi një gjë krejt të rastësishme, as ndonjë veprim si ashtu kot, por një dëshirë e paarsyetuar që po i fyen jo vetëm dy qytetet e njohura për atdhetarizëm dhe arsim, por po fyen gjithë brezat e intelektualizmit shqiptar që me dijet e tyre hodhën themelet e një shkolle të konsoliduar… Sido që të jetë, nëse Korça ka hyrë në arkivin e qytetit ku u hap shkolla e parë shqipe dhe Elbasani ka madhështinë e universitetit të parë shqiptar, nuk mund të lesh pa përmendur Shkodrën e dijes dhe Vlorën e diturive me kontribute në shumë drejtime. Por gjithsesi, asnjeri prej këtyre dy qyteteve nuk mund të bëhet mollë sherri se në kohëra luftërash Elbasani ka shkuar në Korçë për të mbrojtur trojet nga invazioni grek dhe anasjelltas. Por kultura dhe dituria e këtyre dy qyteteve ishin shembulli që u përqafua me shpejtësi dhe i dha frytet e veta kudo në trojet shqiptare. Ky nuk është folklorizëm romantik, por kauzë e Rilindjes Kombëtare që duket nuk e kishin menduar se një ditë një ministër arsimi me porosi kryeministrore do të bënin të tilla vepra anti-arsimore që do të jenë edhe modeli i shthurjes se arsimit kombëtar. Është e papranueshme dhe e padëshirueshme, edhe pse pushteti i së majtës si mazhorancë ka të drejtën e votës dhe forcën e kartonit.

Problemi është se vendimi i qeverisë për zhvendosjen e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Elbasan në Korçë vërtetoi se “elbasanllijtë” nuk kanë ndikim në qeverinë Rama. Elbasani, një nga qytetet e njerëzve të penës dhe të dijes si Kristoforidhi etj., nuk shikohet më si i tillë nga qeveria. Fjalët e politikanëve “Elbasani i Arsimit dhe Kulturës”, pas shumë vitesh do të kthehen në “Elbasani i Ndotjes dhe i Nënshtrimit”. Dhe fjalët lapidare të Luigj Gurakuqit në hapjen e shkollës Normale, më 1 dhjetor 1909 se: “Elbasani sikundër ashtu mesi i Shqipnisë kërthize, ashtu do të jetë edhe mesi i Shqipnisë mendore; do të jetë truri, do të jetë zemra e të gjithë shqiptarëve, këtu katundari me qytetarin, malësori me fusharakun do të bashkëjetojnë e do të bëhen një. Kështu toka më pjellore do të derdhen, do të treten, do të përzihen bashkë e do të njishmohen. Këtu gjuha shqipe do të marrë një trajtë e një fytyrë të përbashkët, këndej do të dalin shqiptarë e bij shqiptarësh”.

A e di këtë ministrja e re, a e ka lexuar ndonjëherë këtë fjalë kryeministri i sotëm, a ka akademikë që e mbajnë mend një realitet të tillë? Besoj se jo, se në të kundërt do të kishte një njeri që do i thoshte: Ndal! kësaj maskarade që do të bëhet burim dhe model i shthurjes së arsimit kombëtar. Se nuk është thjesht një lëvizje zyrash, por një filozofi që po e ndërton reformën arsimore në një plan të tillë absurd dhe jo të duhur, aq më tepër kur prosperojmë për një Evropë që ia duam arsimimin e fëmijëve tanë dhe krenohemi me të. Ka edhe një zë të fuqishëm që bën thirrje që elbasanasit të firmosin një peticion si një reagim ndaj kësaj përbuzjeje që i bëhet qytetit tonë duke e kthyer DAR-Elbasan ne ZA. Ndoshta tymin e këtij zjarri e kemi ndjerë kur ministrat e Arsimit të disa qeverisjeve as që e morën një herë mundimin të bënin qoftë edhe një takim të vetëm me Shoqatën Normalisti në Elbasan e të diskutonin shqetësimin e tyre për mungesën e vëmendjen ndaj Normales. Kam qenë bashkëshoqërues i shumë prej këtyre mësuesve, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më, si Enver Delimeta dhe Kristaq Mullisi, Bardhul Graceni dhe Sali Tabaku, Jonuza Ballad he Mahmut Dumani e të tjerë, por edhe i Rudolf Deliana që është sot kryetar i kësaj Shoqate dhe që kanë mbetur të zhgënjyer që asnjë ministër nuk erdhi një herë të dëgjonte zërin e këtyre burrave që dinin se çfarë kanë bërë dhe sa dinjitozë ishin për arsimin dhe që ikën nga kjo botë pa e thënë fjalën e tyre dhe më shumë akoma, pa i dëgjuar njeri për mendimet që kishin dhe kërkesat që donin të bënin për Normalen universitare e më shumë se kaq. Dhe sot një ministre arsimi dhe kryeministri i saj nuk shqetësohen që universitetet po kthehen në auditorë të boshatisur për mësuesinë dhe po kthehen në pazare provimesh dhe përgatitje infermierie apo për mësimin e gjuhës gjermane për t’i “bërë naftën” arsimit siç thotë një fjalë e urtë. Apo edhe për ta çuar në atë derexhe arsimin që nuk e di se sa dekada do të duhen për ta kthyer në normalitet. Lëvizja e zyrave dhe transferimet e tyre janë thjesht një marramendje e kotë dhe një justifikim për të ashtuquajturën “reformë në arsim”. Ndoshta se këtë dinë të bëjnë më mirë se për pjesën e reformimit të arsimit, nuk e kanë idenë ose nuk e kanë arsimimin dhe specializimin e duhur për ta bërë.

Kur krye akademikët Aleks Buda dhe Ylli Popa nga Elbasani ndjeheshin krenarë për arsimimin e tyre në Normalen e Elbasanit dhe më pas në shkollat ma të mira evropiane, nuk do ua kishte marrë mendja që një ditë do të vinte një situatë e tillë që edhe atje në botën tjetër do ndjehen të fyer për këtë lëvizje që manifeston shthurjen e arsimit. Ndërsa Sadik Metra, Prefekti i Elbasanit në vitet ’30 do ta mbronte me trupin dhe gjakun e tij Normalen që të mos ikte nga Elbasani dhe ashtu u bë. Por sot duket se burrëria ka mbetur në dorë të mendjeve të varfra që u kanë zënë sytë paratë për të gjykuar realitetet dhe për të mos pranuar të tilla qyfyre nga një qeverisje e qyfyreve të mëdha.