Vilhelme Vrana Haxhiraj: Duke njohur historinë tonë, njohim veten dhe mbrojmë identitetin kombëtar

48

Kanina, e bukur si një ëndërr, pamja e së cilës të ofron një këndvështrim mahnitës, me një pozitë mbizotëruese mbi të dy detet, si në fushë dhe në malet që i qëndrojnë si mburojë mbi kokë

Historinë e bëjnë njerëzit dhe janë po ata që e shkruajnë atë si një thesar identiteti për brezat. Por që të shkruhet historia, duhet të nisë me njerëzit, vendet, ngjarjet dhe koha e zhvillimit. Për fat të keq historinë tonë e kanë bërë studiuesit e huaj, apo fqinjët si dhe pushtuesit, sipas interesave të tyre në disfavor të së vërtetës për lashtësinë dhe autoktoninë e shqiptarëve. Duke u nisur nga sa thashë më sipër dhe sipas orientimit politik dhe ideologjik gjysmëshekullor, brezat kanë njohur dhe studiuar një histori të gjymtuar, të tjetërsuar dhe të mohuar, pra kanë mësuar një histori të cunguar. Unë po përqendrohem vetëm te vendlindja ime, Kanina, që më është mohuar. E mbështetur në shkrime e dokumente të studiuesve, unë do evidentoj diçka, të tjerët pas meje, do ta plotësojnë duke e pasuruar me njohuri të reja. Dikur dikush shkruante gabimisht ose pa u thelluar se, vizitorët e huaj, sa shkelin në Kaninë, bëjnë një sërë pyetjesh:

“-Ka histori Kanina vallë?!

-Kjo trevë a ka pasur historian të mirëfilltë, që të shkruajnë për të?!

-Ka shkrimtarë të shquar që t’i vënë në dukje vlerat dhe bukuritë natyrore të Kaninës së lashtë?! -A ka familje të lashta në Kaninë që ende ekzistojnë?!”

Përgjigja më e saktë do të ishin vargjet e arta të Ernest Koliqit, dikur, para Luftës së Dytë Botërore, ka qenë pedagog në shkollën Tregtare Vlorë (Uji i Ftohtë):

“Për Kaninën kur e pa si diell mbi det, tha: Këtë mrekulli mbi tokë, dikush tjetër e ka bërë, do ketë qenë një tjetër ZOT!” Ernest Koliqi.

Kanina, e bukur si një ëndërr, pamje e së cilës të ofron një këndvështrim mahnitës, me një pozitë gjeografike mbizotëruese mbi të dy detet, si në fushë dhe në malet që i qëndrojnë si mburojë mbi kokë. Është e drejta e cilitdo të bëjë pyetje të tilla, kur vlera të tilla të një treve me peshë në histori, nuk janë evidentuar, por janë lënë në harresë. Unë dhe cilido, kemi të drejtë të pyesim: Ç’bënë për gjysmë shekulli vallë këta besnikë që donin të lartësonin shqiptarët e përbuzur dhe duke u mbështetur në të vërtetën le ta shkruanin historinë e kombit?. Apo mos historia e Kaninës nuk ishte pjesë e palcës dhe ndërgjegjes së kombit?! Mjeshtëria e shkruesve të Realizmit Socialist, ishte: “të tirrnin si leshi në furkë të paqenat”, me shpifje vollën vrer për gjysmë shekulli kundër fisnikëve të Kaninës. Kurdisën sa e sa të pabëra, sa të pathëna ndaj atyre familjeve që themeluan, ndërtuan Kaninën dhe e bënë emërmirë Kaninën. Për gjysmë shekulli nuk u tha një fjalë për Gjergj Arianitin dhe të bijën princeshën Donika, se po të flitej për ta, duhej të flitej edhe për pasardhësit që ende jetojnë në ato troje. Si mund të tregonin gjenezën e familjes Vrana, të cilën e kishin mohuar, burgosur dhe internuar, duke shkatërruar nga themelet shtëpitë e tyre në Kaninë dhe në Qishbardhë. Për t’ia humbur dhe mohuar identitetin autokton dhe vlerat e saj, prishën varrin prej mermeri të Xhevit Ali Vranës, nxorën eshtrat duke i shpërndarë sa andej këtej, me gjasë se aty kishin fshehur thesarin e Vranajve, të cilin ua sekuestruan. Lavdia e historisë dhe lashtësisë së Kaninës, i përket dhe është e pandarë nga historia e Shqipërisë. Kanina kaone, një ndër vendbanimet më të hershme me vazhdimësi jete qysh 3750 vjet më parë, ka tërhequr vëmendjen e studiuesve, arkeologëve, albanologëve, studiuesve të folklorit, si atyre vendas dhe atyre të huaj. Ne kemi të drejtë të ankohemi për mungesë vëmendjeje dhe mosvlerësim, pasi mbajmë emblemën e një fisi të lashtë kaon që i ka mbrojtur trojet e veta me gjak. Si mund të mohojmë Andrea Vranën, përfaqësuesi i parë i aristokracisë në Evropën Juglindore, qysh në shek XI, i njohur nga bota evropiane. Kujtoj Kastriot Granën në shek. XIV. Kanina, vendlindja e princeshave që nxori Rugjina Balshën, princeshën trime që luftoi kundër ushtrisë osmane si një burrë. Princesha Donika Arianiti, me famë në oborret e Evropës, si për nga bukuria dhe maturia ishte e denjë për mbretëreshë, e cila u kurorëzua mbretëresha e Shqipërisë. Duhet kujtuar i vëllai i dytë i Gjergj Arianitit, Muzaka ose ( Kostandini) la pasardhës Moisi Golemin. Kurse i vogli nga vëllezërit, Vladan Arianiti, la një djalë Vrana Kontin. Po sjell një kujtesë historike apo dëshmi, jo vetëm kaone apo arbëre, por edhe evropiane janë bijtë dhe bijat e Gjergj Arianitit që shkëlqyen nëpër oborret e Evropës?!

Pse ia zbehën vlerat princit të Kaninës, Gjergj Arianiti,pronat e të cilit shtriheshin nga Dibra, në Shpat, Durrës, Kaninë, Vlorë, Himarë, Kurvelesh e deri në Golem të Gjrokastrës, në kufi me Shpatajt. Jo më kot historiografët evropianë me peshë, në studime e tyre e kanë quajtur: “Princ Gjergj Arianit, Madhështori”,sepse ai shkëlqeu si në fushën e betejës, me dhuntitë si një strateg i zoti dhe në fushën diplomatike. Si mund të harrosh djalin e Muzakut (Kostandinit) të vëllait të Gjergjit, Moisi Golemin? Ç’emër të lartësuar i dha vetes më besniku i Skënderbeut, djali i Vladan Arianitit, kalorësi elegant Vrana Konti? Këta ishin bijtë e kësaj dere të fisme, mbiemri i të cilit edhe pse pësoi ndryshime, njihet që në shek. XI dhe ende jetojnë edhe sot trashëgimtarët e këtij fisi. Si mund të harrohet Hadër Resul Hoxholli*,që e vrau pashanë turk brenda në kalanë e Beratit, me tre plumba në ballë, vetëm se i fyeu Kaninën, mjaltin e saj dhe zonjat e Kaninës. Si mund të harrosh ata 32 burra fisnikë kaniniotë, që u dërguan një peticion Fuqive të Mëdha, ku kërkonin formën e regjimit politik që Shqipëria të shpallej Republikë? Peticionin ia dhanë Shahin Kolonjës për ta dorëzuar në qarqet e diplomacisë Evropiane. A mund të harrohen vlerat e burrave fisnikë të Kaninës së Lashtë si në çdo periudhë historike, në përhapjen e arsimit shqip, edhe në kryengritjet për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare? Si mund të mos i përmendësh 35 intelektualë kaniniotë të shkolluar qysh në shek XIX e gjysmën e parë të shek. XX në Universitetet më në zë të kohës, në Lindje apo në Perëndim. Askush nuk mund të mohojë, faktin që në të pesta lagjet e Kaninës, në shtëpitë e fisnikëve, si te Xhevit Ali Vrana, Mustafa Ramadan Begaj, Muhamet Bedini, Arshi Selfo Mustafaraj, Abaz Nuri Hamzarajt, Arshi Xhindi etj., të cilët një dhomë të shtëpisë së tyre e shndërruan në odë klasë, ku zhvillohej mësimi i gjuhës shqipe. Këta atdhetarë sollën nga Stambolli e Bukureshti abetaren e parë shqipe të Sami Frashërit. Në vazhdën e luftërave për liri dhe pavarësi me nismën e Abaz Nuri (Hamzarai) dhe Arshi Selfos krijuan “Shoqatën e Gjuhës Shqipe”, më 14 janar 1902, ku bënin pjesë Vehbi Nuri (Hamzarai), Xhevit Ali Vrana, Hamdi Dervishi, Mahmut Myftiu, Beqir Velo, Elmaz Xhaferi, Halil Cano, Neim Bimo e të tjerë. Ishin këta që përhapën mësimin e gjuhës shqipe jo vetëm në Kaninë, por dhe më gjerë, në Labëri. Shkolla e parë shqipe në Kaninë u hap në tetor të vitit 1908 nga patrioti Jani Minga me mësuesin e parë, birin e Kaninës, Mustafa Ramadan Bega, i cili kishte kryer Zosimean në Janinë, Universitetin në Stamboll dhe Akademinë e Firences në Itali. Pas largimit të Jani Mingës, punoi si mësues Faslli Jaho. Në shkollën e Kaninës për të nxënë gjuhën e bukur shqipe, për herë të parë u ulën në banka 40 djem dhe vajza. Adem Mersini, i cili hodhi bazat e folklorit me këngën e shtruar kaniniote, tek e cila zë fill kënga qytetare vlonjate. Ose rapsodi me vargjet therëse gjithë sarkazëm, Et’hem Yzeiri.

Si të mos kujtohet studiuesi dhe historiani Neil Shehu. Sa keq që Kanina dhe gjithë Shqipëria nuk njohin një nga 7 filozofët më të mëdhenj të shek. XX, Prof. dr. Isuf Luzaj.

Për Kaninën ka të drejtë të shkruajë dhe të mburret çdo shqiptar. Kanina ka nevojë për studim dhe nuk mjafton që të thuhet: “E dua shumë Kaninën, apo jam krenar nga që jam bir i saj!”